Brickos

Edi

Njerëzit pa turp, pa karakter, pa moral e pa njerëzi, nuk kërkojnë falje edhe kur e shohin dhe binden se kanë gabuar

Fushata që shpërtheu kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është në vazhdën e fushatës  së korit të shorrashkave shqiptarë dhe shqiptare, në Tiranë nga klanet e Berishës e Metës, dhe çerdhja   e Dejonas Mihalisit,  në Kosovë nga “garda e mafiozëve” të Vetëvendosjes si dhe disa  nga origjina e ish krijesave të kohës së bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e të tjerë, të cilët, në të kaluarën më shumë e kanë dashur Jugosllavinë sesa Shqipërinë.

Pjella e tillë sot nuk ka guxim të deklarohet pro Serbisë,  përveç rastit të gllumacit, Enver Petrovci, i cili kishte përkrahur hapur regjimin e Millosheviqit, të Veton Surroit që UÇK-së e quan fashiste dhe bën krahasime mes Radiojçiqit e Adem Jasharit  e ndonjë  antishqiptari- shqipfolës nga ata që po dëshmojnë në Hagë kundër krerëve të luftës së UÇK-së. Shumica e kësaj lukunie zagarësh  mllefin e zemërimin e derdhin  kundër Shqipërisë, sidomos kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Dikur e shanin  dhe e fyenin Enver Hoxhën dhe Shqipërinë Socialiste. Janë krejtësisht po ai brumë.

Në intervistën e Edi Ramës për  gazetën britanike  “Financial Times”, Marton Dunai, ka bërë  një sqarim duke treguar se e ka korrigjuar intervistën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në pjesën kur ka folur për Kosovën dhe tensionet në veri.  Gazeta britanike tashmë ka vënë sqarimin tek teksti kur Rama flet për “tokën e askujt”, duke sqaruar se e ka pasur fjalën për pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe jo për Kosovën, sikur kanë komentuar vetëvendosistët në Kosovë, madje edhe ish negociatorja, Edita Tahiri, e cila vë në dyshim përkatësinë kombëtare të Edi Ramës, duke aluduar se ai  është me origjinë serbe, pasi babanë e kishte ortodoks. Gazetari i “Financial Times”, Marton Dunai, kishte pranuar se pak më vonë kishte ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po diskutonte problemet në veriun  Kosovës, jo në të gjithë vendin. Edi Rama kishte deklaruar se veriu i Kosovës është shndërruar në “tokën e askujt” ku të gjitha krimet kombinohen me nacionalizimin në rritje. Me kalimin e viteve Veriu i Kosovës është bërë një vend  ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur, ishte  shprehur,  Edi Rama për Financial Times. Ndërkohë  kori i sorrashkave në Prishtinë dhe në Tiranë,  kishte akorduar zërat e çjerrë  me fyerje, sharje, etiketime  kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Nëse ndokush prej këtij lloji të njerëzve e ka lexuar me kujdes fjalën e Edi Ramës, mirëfilli është kuptuar se theksi i fjalës së tij ishte, Veroi i Kosovës, që realisht ende është “tokë e askujt” në kuptimin simbolik, sepse më rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila është ende në fuqi, derisa ende nuk ka rezolutë që e shfuqizon atë, jo vetëm veriu, por tërë Kosova de iure është në sovranitetin e Serbisë. Këto janë fakte dhe këtë e di çdo diplomat i botës.

Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, bën që në çdo takim në Nju Jork, fillimisht të raportojë, përfaqësuesi i UNMIK-it, pasta qeveritari i Kosovës, cili do qoftë ai.

Po ashtu dihet botërisht se Kosova nuk është shtet i pranuar në OKB as në BE. Këto dy organizata më të rëndësishme të shteteve të botës, ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Këtë fakte më mirë se askush tjetër do të duhet i dinte zonja ish-kryenegociatore, Edita Tahiri, e cila nuk ka të drejtë ta akuzojë as kë,  sepse vetë ajo ka qenë kryesorja e krijimit të këtij qorrsokaku. Nuk fshihen dështimet duke ngritur zërin kundër Edi Ramës, vetëm sepse ka shfaqur hapur të vërtetën e “tokës së askujt”. Të gjithë reaguesit e dinë fort mirë të vërtetën e deklaruar publikisht, të sqaruar publikisht  nga gazetari anglez, por ka mjaftuar një fjalë e Edi Ramës, për t’iu vërsulur.

Tani kur është sqaruar gjithçka, kur e vërteta shihet e dëshmohet krejt çartë, këta njerëz, nuk kërkojnë falje, sikur e do morali, njerëzia, karakteri i njeriut normal, sepse u mungojnë këto virtyte njerëzore, sepse janë mësuar e janë dresuar të shajnë të fyejnë,  të gënjejnë, të mashtrojnë, me qëllim për të mbështetur partinë e cila me gënjeshtra, makinacione e  mashtrime fitoi pushtetin dhe  vazhdon të qeverisë me të tillët që i ka instaluar kudo. Sali Berisha ka vlerësuar se kjo deklaratë e Ramës është “superskandaloze”, teksa e ka quajtur Ramën “Pashiqi shqiptar”.

Urrejtja  e Vetëvendosjes kundër Edi Ramës është e papërgjegjshme dhe e dëmshme kombëtarisht. Realisht është një urrejtje e ushqyer nga opozita në Shqipëri, nga Berisha e Meta dhe nga “kruzhoku” i Vetëvendosjes, në Tiranë, në krye me Dejonas Mihalisin, Elvisin, Ferrin e disa ferra të tjerë.

Qëndrimi përbuzës, injorues,  prepotent e naiv i kryeministrit, Albin Kurti,  ndaj Shqipërisë dhe Edi Ramës, nuk është diçka e re, por me siguri se nuk do të zgjasë shumë,  sepse, janë vetë shqiptarët që mendojnë, veprojnë e do të heqin nga barra një regjim përçarës, që shkel vlerat e UÇK-së,  fyen veteranët dhe të gjithë ata që organizohen apo shprehen kundër veprimeve të tij, bisedon me terroristët serbë, injoron Qeverinë e Shqipërisë, trash marrëdhëniet e tij miqësore me Greqinë, shteti që ka shkatërruar e terrorizuar shqiptarë edhe më shumë se Serbia e se  çdo shtet tjetër.

Inati e xhelozia e tij  e sëmurë kundër Edi Ramës, ka për bazë varfërinë e tij shpirtërore e intelektuale, sepse në prani të Ramës, ai përjeton kompleksin e vogëlisë dhe të inferioritetit, përballë një burrë-shteti, që i del zot çdo sfide të brendshme e ndërkombëtare,  që shkëlqen me  paraqitjet  e tij në OKB, në Këshillin e Evropës, në BE dhe kudo në takime ndërkombëtare.

Albin Kurti e di se kudo ku ndodhet me Edi Ramën, nuk e manifeston dot egon e tij, për të cilën mendon se është superiore dhe ky është në radhë të parë kompleksi i  tij, kompleksi i njeriut të paarrirë, emocionalisht, politikisht, intelektualisht, njerëzisht…

Injorimi, që Albin Kurti i bën Shqipërisë, është gati  i njëjtë me atë të Sinan Hasanit e Ali Shukriut, edhe prese rrethanat janë krejtësisht tjetër fare. Qëndrim i tij pro Sali Berishës e Ilir Metës dhe  kundër Edi Ramës, Qeverisë dhe Shteti shqiptar, tashmë është fare i qartë.

Ky qëndrim në radhë të parë është përpjekje për thellimin e përçarjes, ndër-shqiptare,  dhe, si i tillë është thjesht antikombëtar, sepse nëse Kurti thirret në 51 përqindëshin e tij, Edi Rama ka fitore dhe besimin shumë më të madh të krejt shqiptarëve, jo vetëm sa dy vitet e qeverisjes me paterica të  Albinit,  por qe 12 e më shumë vjet. Nëse Kurti gjithçka arsyeton mbi bazës e fitores në zgjedhjet e fundit, nuk mund t ia mohojë tjetrit fitoren edhe më të madhe, vetëm sepse ai nuk e ka në mesin e shokëve, dhe sepse nuk fitoi një deputetet me mihaliqët, ferrët e zgaqët  e  tij, në Tiranë, në pjesëmarrjen e kundërligjshme në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.

Tani, Albin Kurti  trash miqësinë me grekët, me ata që urrejtjen kundër shqiptarëve e shfaqin krejt hapur, me ata grekë që ndër shekuj kanë vrarë e kanë masakruar qindra mijëra shqiptarë, me atë Qeveri greke që end ka ligj të luftës kundër Shqipërisë, me ata grekë që kanë masakruar dhe e kanë zhbërë Çamërinë, me ata  që pretendojnë ta pushtojnë  Vorio-Epirin, që kanë ngritur monumente në tërë Shqipërinë e jugut për grekët pushtues e shqiptar-vrasës. Ky është  tani patrioti me bateri të skaduara, Albin Kurti.

Kurti e njeh mirë atë histori të përgjakur, por për qëllimet e tij politike shkel mbi atë gjak, krejt pa të keq, sepse nuk ka më qëllim as ideal  bashkimin e shqiptarëve, sikur e kishte kauzën gënjeshtare për të fituar zgjedhjet. Tani, ka tjetër synim, atë përçarjes sa më të madhe mes shqiptarëve, duke pretenduar se shqiptarë të vërtetë janë vetëm ata që e votojnë Kurtin e kurtiqët e tij, se vetëm populli i Vetëvendosjes është popull që e meriton Kurtin dhe Kurti e meriton atë, se tash paska filluar të jetësohet “republika e tretë, ajo e vetëvendosjes dhe  e kurtit”. Kjo mendje njëdimensionale, totalitare, kjo logjikë e pranimit të vetvetes  dhe përjashtimit të tërë botës, kjo rrugë bunkerizimi dhe prishje me krejt aleatët,  nuk do të ketë pasoja vetëm për Kurtin e turmat që i vënë pas, po pasojat do t’ i vuajmë të gjithë, andaj duhet një qëndrim i prerë gjithëkombëtar, një stopim gjithpopullor i kësaj logjike të qeverisjes bizantino-aziate.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 10. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, …