te Pagjeturit

Organizatat dhe shoqatat e të pagjeturve të indinjuar me papërgjegjësinë e ministres Tahiri

Organizatat që merren me monitorimin e trajtimit të rasteve të krimeve të luftës dhe familjarë të personave të pagjetur, në Kosovë, janë befasuar nga papërgjegjësia që kanë dëgjuar nga ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Ajo u tha të hënën deputetëve të Kuvendit të Kosovës se nuk po diskutohet në Bruksel për të pagjeturit për shkak se Bashkimi Evropian po i kërkon listat e të pagjeturve e që as Kosova e as Serbia nuk ka arritur t’i sigurojë. Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, në një intervistë për KALLXO.com e thotë krejt të kundërtën e asaj që e tha Tahiri të hënën. “Lista e personave të zhdukur ekziston qysh nga viti 2001, ka pasur ndryshime të vogla në kuptimin e heqjes nga ajo listë e personave të cilët janë identifikuar, janë gjetur dhe lista është e saktë, tashmë dihet saktë me emra e mbiemra të gjithë personat që janë të zhdukur gjatë periudhës kohore 1 janari i vitit 1998 e deri me 31 Dhjetor 2000 dhe nuk e shoh këtë si problem”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, janë më pak se 1700 të pagjetur  të cilët janë ende të zhdukur, në mesion e tyre  rreth 420 serbë. Ai tha se nga takimet që ka pasur me eurodeputetë në Bruksel, u është thënë që temat e dialogut i vendosin vet palët e bisedimeve, andaj ai vlerëson se për këtë çështje nuk po ka vullnet politik. “Nëse bazohemi në këtë është e qartë që nuk ka vullnet politik nga dyja palët që të shtrohet si temë çështja e personave të zhdukur”, tha Blakaj. Blakaj në mes tjerash tha se asnjëherë nuk janë konsultuar nga ekipi negociues kosovar në Bruksel rreth kësaj çështjeje. Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme, Ministrja Tahiri tha që kanë kërkuar nga BE ta emërojnë një emisar special që të merret vetëm më këtë çështje, mirëpo sipas Blakajt nuk ka nevojë për asnjë emisar për lista, sepse ato tashmë ekzistojnë. Edhe Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve” që përfaqëson familjarët e personave të pagjetur nga lufta e viteve 1998- 1999 në Kosovë, kritikon deklaratën e ministres Tahiri. “Është mëkat i madh të thuhet që s’ka lista kur listat ekzistojnë në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur edhe në Komitetin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”, ka thënë Qerkini për KALLXO.COM. Ai shtoi se është takuar vetëm një herë me ministren Tahiri dhe ai takim ka qenë “shumë i ashpër” pasi thotë se Tahiri e ka akuzuar atë se “po flet për politikë”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Irani i bëri thirrje Amerikës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë që të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit

Irani i bëri thirrje Amerikës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë që të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Abulfazli Shekarhi i bëri thirrje Amerikës, Britanisë së …