Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thonë se rreth dy mijë persona, kryesisht ata që kanë falsifikuar dokumentet për ta fituar statusin e veteranit të luftës, janë larguar nga lista e përfituesve të pensionit. Por, këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila nuk ka informacione se dikush është larguar nga lista e pensionit të veteranit të luftës. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka rënë dukshëm numri i personave që tash nuk marrin pensione. Nga shifra prej rreth dy mijë vetave, sa ai mendon se janë larguar nga lista, Gucati thotë se 400 prej tyre ishin nga Shqipëria.
