Ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës, Pandeli Majko, e ka cilësuar aktgjykimin e Hagës si një dramë të jashtëzakonshme njerëzore, duke theksuar se vendimi nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës së Kosovës. Në një prononcim për Top Channel, Majko ka shprehur shqetësimin e tij për pasojat që, sipas tij, mund të ketë aktgjykimi në perceptimin historik të luftës së Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se, pavarësisht vlerësimeve se UÇK-ja doli e pastër nga ky proces, ndien pesimizëm për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme për deformimin e historisë. “Është disa herë që përpiqen të na deformojnë historinë. Nuk mund të thuash doli nga kjo histori e pastër UÇK-ja, që doli e papërlyer. Është fakt historik që UÇK-së ose i janë vrarë, ose i janë dënuar. Kjo është dramë dhe duhet vlerësuar thellësia e saj”, ka deklaruar Majko. “Ky vendim dramatik i Hagës na bëri të qartë se Kosova nuk ka tjetër veç Shqipërisë dhe Shqipëria nuk ka tjetër veç Kosovës”, ka thënë Majko, duke shtuar se inati ndaj një vendimi gjyqësor nuk është shenjë fuqie. “Tani është edhe Apeli dhe mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vlerësojnë këtë jo si akt personal, por si akt që na ka goditur të gjithëve. Në luftë është shumë e vështirë të ndash një akt personal nga një akt kolektiv”, është shprehur ai. /Top Channel
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
