Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ka reaguar ashpër pas aktgjykimit të Hagës, ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe të pambështetur në bazë juridike. Dobruna ka deklaruar se nuk ka pritur rezultat tjetër nga kjo gjykatë, të cilën e ka cilësuar “ekskluzivisht politike”, duke kritikuar mënyrën e trajtimit të katër udhëheqësve të UÇK-së. “Edhe të vetëdijshëm se janë keq, vazhduan avazin e vjetër ndaj popullit shqiptar”, ka thënë Dobruna, duke pretenduar se dënimet janë shqiptuar “pa kurrfarë baze juridike” dhe “pa prova valide”. “Ende nuk jemi të sigurt se çfarë ka ndër plan për shkallën e dytë. Unë shpresoj se është pozitive për makropolitikën që t’i lirojë katër krerët e UÇK-së”, ka deklaruar ai. Sokol Dobruna ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, ndershmëria u ka kushtuar shtrenjtë shqiptarëve, ndërsa ka shprehur bindjen se aktgjykimi nuk do të ndikojë në përçarjen e shqiptarëve, por në afrimin e tyre mes vete.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
