Për Vjosa Osmanin, Vuçiqi nuk qenka kriminel, por paska zgjedhur t’i bashkohet një krimineli të luftës, si Putini

Pasi  kryetari serb, Aleksandar Vuçiq ka nënshkruar marrëveshje me homologun rus, Vladimir Putin për gazin rus, ka reaguar ashpër  edhe zonja  kryetare, Vjosa Osmani. Lidhur me këtë marrëveshje, ajo  ka thënë se Vuçiqi paska zgjedhur që t’i bashkohet një krimineli të luftës sikur është Vladimir Putini. “Vendimi i qëllimshëm i Vuçiqit për të marrë anën e Rusisë është një goditje për perspektivat e Serbisë për të ecur në rrugën e BE-së. Ai ka zgjedhur të bashkohet me një kriminel lufte dhe të financojë luftën e Putinit, mbi një Evropë të bashkuar, paqësore dhe të begatë. BE-ja nuk mund të injorojë më rrugën shkatërruese që ka marrë”, ka shkruar zonja  Osmani, duke pretenduar ta mësojë Evropën se si u dashka të sillet me Serbinë dhe Rusinë dhe duke qortuar Serbinë pse po e zgjedh Rusinë dhe jo BE-në.

Kjo është pjekuria e diplomatike e politike  e zonjës, Vjosa Osmani, e cila shpall kriminel lufte Vladimir Putinin, qorton Serbinë pse po i bashkohet Rusisë, edhe pse Serbia ka qenë dhe është pjellë gjenetike e Rusisë,  pasi ajo e  ka krijuar këtë shtet, afër dy shekuj më  parë, qysh në kohën e Perandorisë Osmane, pastaj bashkë me Francën, Anglinë  e shtete të tjera të Evropës, dhe gjatë tërë shekullit 20 ishte  “shtet xhandar” në Ballkan, qoftë edhe nën akronimin RSFJ.

Gjuha e ashpër e zonjës Osmani drejtuar Putinit, keqardhja pse Serbia po i bashkohet Rusisë, qortimi që i bën BE-së, tregon  vetëm naivitet, mos njohje të historisë, dhe prepotencë krejtësisht të panevojshme, kur dihet mirë se Kosovën nuk e pyet askush për këto relacione.

Çuditërisht edhe i “gjithëdijshmi”, Albin Kurti, ka filluar ta “amnistojë”  Vuqen e Serbisë, si njeri njëlloj “viktime” të Millosheviqit, pasi sipas tij,  ai nuk paska marrë pjesë në krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Kurti nuk ka treguar, për krimet e Vuçiqit  bashkë me Sheshelin, në Vukovar të Kroacisë, në Bosnje e Hercegovinë,  kur ishte truproja i parë dhe vozitësi  i Sheshelit.

Është e natyrshme që Kurti nuk di asgjë sesi, gjatë luftës në Kosovë, po ky Vuçiqi, asokohe ministër i informimit në Qeverinë e Millosheviqit, me rastin e fillimit të transmetimit të Radios-Kosova e Lirë, kishte deklaruar se kjo Radio, nëse ekziston së shpejti do të zhduket.

Ministri i Informacionit, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se këto media nuk ekzistojnë. “Dhe nëse ekzistojnë ato media, ne do t’i ndalojmë menjëherë”. Më 27 mars të vitit 1999 dy aeroplanë të Armatës së Millosheviqit e Vuçiqit, kanë bombarduar selinë e Radios dhe kanë dhënë lajmin se kanë asgjësuar radion e terroristëve në malet e Berishës, me ç rast është martirizuar Elbasan Jakup Berisha 17-vjeçar dhe kanë marrë plagë tetë anëtarë e familjes së tij. (Rrahman Paçarizi: Si u prit në opinionin vendor e ndërkombëtar fillimi i punës së Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress më 4 janar 1999)

Tani që Kurti është i detyruar të bisedojë dhe të bëjë kompromis në bisedime me Vuçiqin, mund edhe të mos i duket kriminel, por të tillë e kishte shpallur në kohën kur po ky Vuçiq,  bisedonte me Hashim Thaçin. Madje asokohe ishte betuar se kurrë nuk do të ia shtrëngonte dorën një krimineli të luftës, sikur është Vuçiqi.

Apo ndoshta, Albin Kurti e Vjosa Osmani pretendojnë të na bindin se Vuçiqi qenka transformuar ashtu si Sauli i Biblës dikur,   i cili ndiqte dhe i  persekutonte ithtarët e Jezusit, por më vonë u bë Shën Pal. Të presësh diçka nga Vuçiqi, nuk do të ishte vetëm marrëzi, por edhe diçka më shumë. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …