Brickos

Përse ankohen gazetarët e vetëshpallur “profesionistë”? ( RKL)

 


Një staf i gazetarëve të vendit tonë, të cilët kanë themeluar të ashtuquajturin “Asociacion të Gazetarëve Profesionistë”, ku janë tubuar disa gazetarë të multietnicitetit me prejardhje ideologjike nga ish regjimet e kaluara, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, kanë organizuar një debat për ta shënuar këtë ditë, ku mes tjerësh kanë ftuar kryetarin e shtetit, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi. Mirëpo, meqë as Sejdiu as Thaçi nuk kishin marrë mundin për të shkuar dhe për të dëgjuar dërdëllitjet e këtyre farë gazetarëve, organizatorët krejt debatin e orientuan duke kritikuar institucionet dhe duke shprehur haptas dëshpërimin dhe kundërshtimin e tyre të thellë për mospjesëmarrjen në këtë debat të kreut institucional të vendit.

Sipas mendësisë njëdimensionale të këtij tarafi të gazetarëve, u dashka doemos, që kryetari dhe kryeministri të marrin pjesë në një debat të tillë, meqë debatin e paskan organizuar, jo gazetarët dosido, por ata gazetarë që vetë identifikohen si profesionistë. Ky taraf gazetarësh pretendon të imponohet si “maja” e gazetarisë në Kosovë, vetëm për faktin se kanë formuar një shoqatë me gazetarë të përzgjedhur, me një ideologji të prejardhur nga ish politika e bashkim vëllazërimit.
Se cilët janë këta “profesionistë” të gazetarisë sonë, kjo tashmë dihet, sepse dihet cilët janë ata që e kanë formuar këtë shoqatë, dihen me emra e mbiemra të tillët. Dihet po kështu edhe aktiviteti i tyre, dihen edhe shantazhet, britmat, çoroditjet, skandalizimet e tyre në raste të caktuara, kur konsiderojnë se janë injoruar nga ndonjë zyrtar i lartë i Qeverisë, apo kur konsiderojnë se janë injoruar nga ndokush.
Këta gazetarë ankohen, jo për problemet e vërteta dhe tejet të mprehta të shoqërisë sonë, jo për gjendjen e rëndë ekonomike të pjesës dërrmuese të popullatës, jo për procesin tejet delikat nëpër të cilin po kalon vendi ynë pas shpalljes së Pavarësisë, por shtrijnë ankesat e tyre kundër institucioneve, për shkak se qeveria u dashka të jetë nën mbikëqyrjen e tyre. Kryeministri, apo ministrat, sipas këtyre gazetarëve, u dashka që prore, 24 orë pa ndërprerë të jenë në shërbim të tyre, madje edhe natën. U dashka të iu japin llogari këtyre “profesionistëve” edhe kur shkojnë, apo kur vonohen pak më shumë se rëndom në VC, apo kur e lëshuakan mbledhjen, apo kur udhëtuakan jashtë shtetit. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat merren këta gazetarucët e vetëshpallur “profesionistë”, sepse mendojnë se me vetë faktin se janë shpallur si të tillë, edhe duhet të trajtohen ashtu, meqë vetëm këta dhjetëra gazetarë, qenkan përnjëmend gazetarë. Të tjerët që përbëjnë 99 përqindëshin e gazetarisë së Kosovës, nuk paskan përse të merren në konsideratë, meqë ata nuk qenkan “profesionistë”. Në mesin e këtij tarafi të gazetarëve ka edhe të atillë që aktualisht drejtojnë medie, të quajtura të pavarura. Ka edhe të tillë, që nuk kanë lënë asgjë të ligë pa shkruar kundër nacionalizimit dhe irredentizmit shqiptar në të kaluarën, madje edhe kundër luftës heroike të UÇK-së. Ka të atillë që kanë bashkëpunuar haptas me kreun e regjimit kriminal të Milosheviqit, ka të atillë që kanë diferencuar kolegët e tyre, për shkak të “devijimeve” në kursin e politikës së bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve në Serbi.

Natyrisht se ky taraf gazetarësh, si duket nuk po ndihet mirë, qoftë edhe me pozitën e privilegjuar, që e ka trashëguar dhe të cilën e ka ruajtur duke u bërë vegël e çdo regjimi. Mbase këtu fshihet edhe diçka tjetër që i mundon dhe i bën kaq shumë agresivë këta “profesionistë”.
Edhe pse, në tubimin e këtyre gazetarëve u tha se Qeveria e Kosovës po pretendon të vendos kontrollin mbi mediet, nuk u tha asnjë shembull konkret i këtij “pretendimi” të Qeverisë, pos që u përmend si fakt mosdefinini i qartë i taksës ( gjobës ), të cilën RTK-ja e merr nga qytetarët për mes faturave të energjisë elektrike. Realisht kjo taksë inkasohet, dhe realisht RTK-ja klanore, krejtësisht e varur nga klanet mediale mafioze, merr hiq më pak se 7 milionë euro në vit gjobë nga qytetarët e vendit tonë. Të përkujtojmë me këtë rast se këso gjobash qytetarët e Kosovës i kanë paguar RTS të Beogradit, gjatë kohës së okupimit serb, edhe pse nuk e kanë përcjellë fare atë program. Dhe përveç kësaj shume, RTK-ja merr të ardhura edhe nga buxheti i Kosovës, nga donatorët, edhe nga disa OJQ të dyshimta që financojnë pornografinë, si edhe nga marketingu.
Ja përse ankohen redaktorët, të vetëshpallur profesionistë, që marrin paga më të larta sesa ministrat e Qeverisë së Kosovës.
Ankimet e tyre kanë të bëjnë me fshehjen e keqpërdorimeve dhe abuzimeve, me mungesën e angazhimit të njëmendtë, mbase edhe në mungesë të profesionalizmit përkatës për të trajtuar tema të vërteta hulumtuese dhe për ndikuar në korrektimin e gabimeve të qeverisë dhe të mbarë shoqërisë, jo duke kërkuar doemos praninë e kreut institucional në debate, por duke kryer me nder, përgjegjësi, kodeks e profesionalizëm detyrën e gazetarit. Gazetarët e vetë shpallur profesionistë vuajnë nga megalomania e së kaluarës, mbase edhe nga ndërgjegjja e rënduar e së kaluarës, vuajnë sepse Kosova tashmë ka shumë gazetarë, madje edhe gazetarë me përvojë dhe kredibilitet shoqëror e kombëtar, të cilët nuk vuajnë nga sindromi për të qenë me çdo kusht i vetëshpallur “profesionist”, por punën dhe angazhimin e tyre e kryejnë me shumë përgjegjësi, dinjitet dhe profesionalizëm të lartë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: AAK po rritet në Gjermani, jemi bashkë në përkushtimin tonë për ta orientuar vendin drejt zhvillimit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e bashkatdhetarëve në çdo proces për të …