Po vazhdon seanca e pas ditës e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për dhe kundër “Speciales”

Ka vazhduar seanca e Kuvendit të Kosovës  ku deputetët po diskutojnë ndryshimin e një baze ligjore të Kushtetutës së Kosovës, që në rast votimi  i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Seanca e para ditës  e cila ka zgjatur deri në orën 14.00 është karakterizuar me përballje, akuza e kundër akuza të deputetëve pozitë – opozitë. Opozita e ka kritikuar koalicionin qeveritar që po bën përpjekje për themelimin e një gjykate, e cila cenon sovranitetin e vendit dhe njollos luftën e UÇK-së. Deputetët e pozitës thonë  se kjo gjykatë është e keqja më e vogël që i kanoset vendit, pasi në rast se ajo nuk votohet në Kuvend,  ata paragjykojnë pa asnjë bazë se një gjykatë një të tillë do ta themelonte Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me iniciativë të Rusisë, që do të ishte një barrë shumë e rëndë për vendin, e që do të mund të kishte mandat deri në 15 vite.


 


30. 6. 2015.   Ora 8.00


 


Miku i madh i shqiptarëve, ambasadori amerikan Viliam Voker ka thënë se është krejt e panevojshme Gjykata Speciale për Kosovën. Voker i njohur sidomos në denoncimin e krimeve monisruoze serbe të  Masakrës së Reçakut, ka thënë se është shpenzuar shumë kohë deri tani në këtë drejtim dhe nuk ekziston nevoja që të pritet edhe disa vjet derisa të fillojë punën gjykata. Qytetarët e Kosovës bashkë me liderët duhet të vendosin dhe t’u thonë ndërkombëtarëve mjaft”. “Duhet të fillojnë të vendosin vetë, t’ju thonë ndërkombëtarëve mjaft na treguat ju se çfarë të bëjmë”, ka thënë ai.  “Çfarë na duhet edhe një Gjykatë që i duhen edhe disa vjet deri të fillojë punën. Nuk e kuptoj nevojën për themelimin saj”, ka thënë Walker, i cili gjatë luftës në vendin tonë e kishte udhëhequr Misionin Verifikues të OSBE-së, prej vjeshtës së vitit 1998 deri në prag të fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, që nisi më 24 mars të vitit 1999. Ai i kishte parë nga afër krimet serbe në Kosovë, veçanërisht Masakrën e Reçakut, pas së cilës alarmoi botën se “Serbia po kryen gjenocid në Kosovë”.


 


Pasi ka humbur në mënyrë  fatale zgjedhjet vendore të 21 qershorit,  ish kryetari i PD-së së Shqipërisë, Sali Berisha, ka filluar ta shqyejë gurmazin kundër deputetëve të Kosovës, të cilët nuk e votuan themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.  Në kohën kur u lansua afera plot trillime e gënjeshtra e Dik martit ishte vetë Berisha që vrapoi për të treguar se ishte i gatshëm të lejonte hetimet në çdo vend të Shqipërisë, edhe pse Gjykata e Hagës nuk ka leje për të hulumtuar rastet e luftës në Shqipëri. Ai ka ironizuar deputetët dhe ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta korrigjojnë vendimin për Gjykatën Speciale. Gjuha arrogante e Berishës, ka bërë që partia e tij të pësojë debakël si nëç zgjedhjet e përgjithshme të para dy viteve ashtu edhe në zgjedhjet e fundit ku mezi mori një të katërtën e bashkive në Shqipëri.


 


Formimi i të ashtuquajturit Asociacion i komunave me shumicë serbe, pritet të jetë një nga temat, për të cilat do të bisedohet mes Kosovës e Serbisë në takimin e radhës, në Bruksel. Pas takimit të 23 qershorit, dy kryeministrat kanë thënë se janë marrë vesh që të mos ketë deklarata për medie lidhur me atë se në cilat pika është arritur pajtimi ose jo lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kohë më parë ryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e ekzekutivit, ka theksuar se bisedimet do të vazhdojnë, por nuk ka ofruar detaje lidhur me këtë temë. “Jemi marrë vesh që të vazhdojmë kësaj të hëne, për arsye se dialogu është lënë të vazhdohet për të njëjtat tema dhe të mos dalim publikisht dhe të themi se kush çka i tha kujt, sepse kjo nuk na ndihmon që ne të zhvillojmë një dialog konstruktiv”, ka deklaruar Mustafa. Deklaratë të ngjashme, lidhur me çështjen e Asociacionit, pati dhënë edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, menjëherë pas takimit të 23 qershorit. “Disa çështje të rëndësishme kemi arritur t’i zgjidhim, por për këtë nuk mund të flas dhe marrëveshja është që për to të mos flasim në publik”, pati theksuar Vuçiq.


 


 


Në përvjetorin e Betejesë së Kosovës të vitit 1389, priftërinjtë e Serbisë edhe kësaj radhe erdhën në Gazimestan për ta vajtuar Kosovën, pa të cilët Serbia është si njeriu pa zemër. Derisa të ekzistojnë mitet, trillimet dhe gënjeshtrat serbe, derisa ka serbë që ende besojnë në çudira e mrekullia, nuk do të ndalet vajtimi  serb në stilin kuku-lele, kuku për Kosovën, e cila konsiderohet e shenjtë, sepse në këtë vend qenkan katër kisha e manastire të njohura të Serbisë. Kryepopi serb Irinej edhe me këtë rast ashtu sikur për çdo vit ka përsëritur se Serbia pa Kosovën nuk është Serbi, është një i vdekur pa shpirt dhe zemër. Mbetet të shpresojmë se Serbia mitike vëretë një ditë të vdesë, në mos ka vdekur, me qëllim  për t u rilindur me vlerat e vërteta morale, fetare e njerëzore.


 


Mediat gjermane kanë njoftuar se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, do të takohen të martën në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Këtë takim e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Thaçi. “Kosova do të jetë të martën në Berlin dhe do të ketë takime me kancelaren Merkel”, ka thënë Thaçi në një intervistë për “DW”. Ai ka thënë se takimi në Berlin do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. “Kosova si një partner strategjik i Gjermanisë do të punojë drejt intensifikimit të bashkëpunimit tonë të shumëanshëm me këtë vend. Besoj se edhe vizita e kryeministrit në Berlin do të jetë në shërbim të angazhimeve tona për forcimin e shtetit, konsolidimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Por natyrisht që ne jemi shumë të interesuar të sjellin edhe sa më shumë investitorë gjermanë në Kosovë, me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike”, është shprehur Thaçi.


 


 


Në Kuvendin Zgjedhor të të rinjve të AAK-së, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka komentuar mbledhjen e Qeverisë, për të cilën ka thënë se ajo është një përpjekje për të zbehur suksesin e  opozitës në Kuvend lidhur me mos-votimin e Gjykatës. Ai ka vlerëaur se do të ishte më e dobishme sikur në mbledhjen e Qeverisë të flitej për hapje të vendeve të reja të punës e jo për Gjykatën Speciale. Duke aluduar në ndërkombëtarët, Haradinaj ka theksuar se derisa dikush i kryen punët tona, ne kurrë nuk do të aftësohemi vetë.


 


 


Avokati, Naser Raufi ka vizituar sërish të arrestuarit e grupit të Kumanovës që po mbahen në burgun e Prilepit dhe të Manastirit. Me këtë rast, avokati i të arrestuarve nga Kosova ka vlerësuar se ka përmirësime të kushteve për të paraburgosurit që po mbahen në burgun e Prilepit, mirëpo nuk ka kurrfarë përmirësimi të kushteve në burgun e Manastirit. Alarmimi i gjendjes së tyre në mediet shqiptare në Maqedoni por edhe më gjerë, ka detyruar autoritetet e burgut në Prilep që të ndërmarrin disa masa drejt përmirësimit të kushteve për të burgosurit nga Kosova. Por në burgun e Manastirit, sipas avokatit Raufi, gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë. Të paraburgosurit nga Kosova mbahen në qeli për të vetmuar dhe flenë në krevatë të drurit. Buzët ende i kanë të përgjakura, që tregon se mungon krejtësisht përkujdesi mjekësor. Personat e paraburgosur që po mbahen në burgun e Prilepit janë Demë Shehu, Muhamet Krasniqi – “Malisheva”, Valdet Zekaj dhe Nexhmedin Lika, kurse, në burgun e Manastirit janë  Sami Ukshini-komandant “Sokoli”, Ardian Bujari dhe Shefqet Hallaqi.


Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …