leoni

Posta e Kosovës lëshon pullë postare dedikuar 80-vjetorit të Radio Prishtinës

Sot, më 5 shkurt 2025, Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar një emision të veçantë pullash postare në nder të 80-vjetorit të Radio Prishtinës, mediumit të parë radiofonik në Kosovë. Kjo pullë përkujton transmetimin e parë në Prizren më 1945, i cili, me kalimin e kohës, evoluoi në një institucion kyç të informacionit dhe kulturës në vend.

Pas disa vitesh, Radio Prishtina u zhvendos në kryeqytet, duke u bërë qendra kryesore e transmetimeve radiofonike. Me themelimin e Radio Televizionit të Prishtinës më 1974, ajo u integrua në një dritare të re informative dhe kulturore, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave vendore. Për dekada, ky medium ka qenë simbol i profesionalizmit dhe rezistencës kulturore, duke shërbyer si një urë lidhëse me botën.

Ky jubile është një moment reflektimi mbi kontributin e gazetarëve, redaktorëve dhe teknikëve që ndërtuan një trashëgimi të pasur mediatike. Posta e Kosovës fton koleksionistët, bizneset dhe qytetarët të blejnë këtë pullë speciale, e cila përjetëson historinë dhe rëndësinë e Radio Prishtinës në zhvillimin e komunikimit dhe kulturës në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …