Preng Cub Lleshi

PRENG CUB LLESHI: Gjykata e Hagës apo Gjykata e Serbisë i ka burgosur luftëtarët e lirisë?

Është vërtet e rëndë që, në agimin e shekullit XXI, një gjykatë e kontinentit europian, me emrin Gjykata e Hagës, po mban në burg, si të paditur për “krime lufte” (?!) dhe “krime kundër njerëzimit” (?!), luftëtarët e lirisë, kuadrot kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin,  Sali Mustafën e të tjerë.

Dhe kjo ndodh, për turpin e kësaj gjykate, pasi kanë kaluar 20 vjet që nga dita kur Kosova edhe me ndihmën e NATO-s, ka fituar pavarësinë. Në një rast të tillë, njerëzit normalë të kontinentit tonë plak pyesin të habitur:

Kundër kujt luftonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës? A nuk luftonte ajo kundër forcave militare serbe për pavarësinë e Kosovës? Se, po të ndodhte ndryshe, forcat e NATO-s nuk do t`u vinin në ndihmë atyre forcave, që luftonin për pavarësinë e trojeve të tyre nga Serbia, për lirinë! Dhe kur njihet kjo e vërtetë historike, tek i shohin në burgun e Hagës drejtuesit kryesorë të UÇK, njerëzit normalë pyesin me habi: Për “ç`krime lufte” paditën luftëtarët e lirisë?! Se ata po luftonin kundër atyre që u kishin pushtuar vatrat! Dhe një luftë e tillë ka qenë dhe është e shenjtë për çdo popull!

Po pyetjet vazhdojnë dhe jo vetëm për Gjykatën e Hagës: Ç`krime kundër njerëzimit paska kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës?! Se ajo nuk shkeli asnjë pëllëmbë toke të ndonjë populli tjetër! Luftoi vetëm për lirinë e trojeve të veta! Për kësi të vërtetash u shpreh, para pak kohësh edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel në një intervistë para gazetarëve gjermanë. Se ajo, pasi theksoi se “shqiptarët duhet të kenë një shtet”, shpalosi të vërtetën e hidhur se “Shqipëria … është i vetmi shtet në botë që nga të gjitha anët kufizohet me bashkëkombësit e vet”. Dhe kjo mike e shquar e shqiptarëve, që e njeh jo pak historinë e kombit tonë, që e njeh mirë edhe veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur u pyet se përse e mbështet kaq shumë Shqipërinë, u përgjigj edhe si historiane, edhe si politikane: “Ia kemi borxh Shqipërisë”! Ndaj, tek i sheh në burgun e Hagës ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet pyetur Gjykata e Hagës:

A e dini, zotërinj, cila forcë ka të drejtë, ajo që lufton për lirinë e vet, apo ajo forcë që lufton për skllavërimin e të tjerëve? Se Europa e qytetëruar e ka të qartë që militarët serbë, të cilët vrisnin luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe qytetarë të pafajshëm, ishin pushtues në ato troje, ishin fajtorë, kurse të vrarët ishin viktima të një lufte të padrejtë. Kjo e vërtetë na kujton vargjet lapidarë të poetit të Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda:

 “Qenka thane m`u l`shue mizori

 Mbi krye temin pa një faj;

 Qenka thanë me p`shtue fajtori

E me hup kush s`asht si ai”.

Këtë të vërtetë ia përplasi në fytyrë Gjykatës së Hagës, Jakup Krasniqi, kur dëgjoi akuzën e stisur ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ju, theksoi ai që në fillim të fjalës së tij, po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët” dhe pastaj vazhdoi: “Nuk ka qenë qëllimi im ky po lufta kundër okupatorit që ka bërë gjenocid në Kosovë”. Dhe Jakup Krasniqi e bën me turp Gjykatën e Hagës, kur pohon: “Deklaroj se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm, nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”. Dhe është kjo arseja që shqiptarët e ditëve tona e pyesin Europën e Bashkuar a Këshillin e Europës, që projektoi idenë e Raportit famëkeq të Dick Marty: “Kjo a është Gjykata e Hagës, që jep drejtësinë në kontinentin tonë plak, apo “Gjykata e Serbisë”?! Dhe gjërat sikur qartësohen, kur Jakup Krasniqi tregon se “kam qenë i dënuar nga regjimet kriminale të Jugosllavisë në vitet 1980-1982…pse e kam kundërshtuar atë regjim”. Dhe, po aty, sa me ironi, aq edhe me urrejtje, shton: “Unë dhe populli im ka mbajt shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi”! Dhe është e habitshme që kjo padrejtësi është projektuar, për fat të zi, bash me Raportin e Këshillit të Europës, përgatitur nga i deleguari special i këtij Këshilli, zvicerani Dick Marty. Se në këtë Raport ngrihen akuza të rënda, për të mos thënë shpifje monstruoze, kundër ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për pavarësinë e kësaj krahine nga Serbia.

Akuzohet kjo ushtri se gjatë luftës paska pasur “rrëmbim dhe tortura,… vrasje të civilëve serbë (?!) dhe kosovarë …(?!) e kriminalitet të organizuar si tregti droge dhe vrasje e kundërshtarëve politikë”. Por akuza të tilla të rënda për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duket se janë shpifje të sajuara nga ata që nuk e kanë dashur pavarësinë e Kosovës nga Serbia e, pse jo, bash nga vetë i dërguari i Këshillit të Europës, Dick Marty. (?!)

Veçse logjika e shëndoshë nuk i gëlltit akuza të tilla, kur, siç pohon i padituri në Gjykatën e Hagës, Jakup Krasniqi, fitoren e madhe të pavarësisë e “arritëm në bashkëveprim me SHBA, BE, NATO dhe OKB”. Se logjika e thjeshtë, nisur nga dëshmia e mësipërme, do të kërkonte që Dick Marty akuzat kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t`ua drejtonte edhe SHBA, BE, NATO dhe OKB, gjë që do të kishte çuditur jo vetëm popujt europianë, por shumicën e popujve të botës. Kjo do të kishte ndodhur, së paku, kur rezultoi se “Shtëpia e Verdhë” në Burrel nuk ishte përdorur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për asnjë veprimtari kriminale, kur rezultoi se ca ish-magazina në afërsi të Kukësit nuk kishin qenë “burg i UÇK” për “kundërshtarët politikë” të kësaj Ushtrie Çlirimtare!

Dhe çuditën shqiptarët e ndershëm që edhe pas këtyre dëshmive, të cilat u bënë me zë dhe me figurë nga televizionet tona, del ndonjë analist a politikan dhe përrallis se, sidoqoftë, “janë bërë gabime (është fjala për krime) nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë vrarë civilë serbë e kundërshtarë politikë”. Por këta tipa analistësh dhe politikanësh harrojnë dy gjëra që duhej t`i kujtonin: Harrojnë se, siç ka thënë anglezi Çurçill, “Lufta është një katalog gabimesh”. Harrojnë se lufta nuk është dasmë, ku shkohet për të vallëzuar, por një veprimtari e detyruar, ku shkohet për të vrarë kundërshtarin. Është kjo arsyeja që populli, për të dyja rastet, ka krijuar proverbin “Dasmë pa mish nuk bëhet”!

Por, përveç kësaj, ata që e akuzojnë UÇK për “krime kundër njerëzimit”, duhet ta dinë se kundërshtarët e një lufte çlirimtare vriten.

Këtë gjë e dëshmon qartë edhe urdhri i Komandantit të Forcave Aleate (antifashiste) të Mesdheut, gjeneralit Willson, në vitet e Luftës II Botërore. Se në atë urdhër theksohet: “Çdo përkrahje për ushtrinë gjermane kundër forcave të armatosura të Kombeve të Bashkuara, si dhe kundër gjithë atyre që janë në krah të Kombeve të Bashkuara me rezistencën kundër gjermanëve, janë të paralajmëruar se do të trajtohen si armiq edhe tani edhe ditën e ardhshme të Çlirimit”. Për zbatimin e këtij urdhri shkruan historiani i Universitetit të Harvardit, Walker Laqueur, kur tregon se “Pas Luftës së Dytë Botërore… në Belgjikë, me 8 milionë banorë, u hapën 634 mijë çështje penale dhe 77 mijë vetë u dënuan si bashkëpunëtorë të pushtuesit…. Në Francë u dënuan 120 mijë vetë, duke përfshirë 4785 dënime me vdekje”. (“Europa në Kohën Tonë”, f. 23-24 dhe 28). Dhe, kushdo që njihet me këto ligje lufte, e kupton se Komanda e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka bërë tjetër, veçse ka zbatuar ligjet e luftës! Kanë qenë militarët serbë ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, kundër shqiptarëve të Kosovës. Për këtë dëshmon historia e viteve të shkuara, por, veçanërisht, periudha e Luftës së UÇK për pavarësi nga fundi i shekullit XX.

Për këtë dëshmonte Milaim Bellanica në videon e tij për masakrën serbe të Krushës së Madhe, të cilën ia pat dorëzuar Lulzim Bashës, përkthyesit të Gjykatës së Hagës. (?!) Dhe Milaimi shkon më tej drejt të vërtetave të hidhura kur deklaron se Lulzim Basha i kishte thënë se “unë punoj për gjyqin e Hagës”. (?!) Duke e njohur këtë të vërtetë të hidhur, kryeministri ynë, Edi Rama, me të drejtë, shtronte pyetjen: “Pse partia që ai drejton, dje në qeveri e votoi pro rezolutën e Këshillit të Europës, ngritur mbi raportin famëkeq të Dick Marty, të cilin Partia Socialiste e votoi kundër”. Dhe këmbana bie për ke ka veshë. Se, ndoshta, nuk do të jetë një stisje fantaziste, një status në fb, në të cilin Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjollca Osmani paska thënë: “E falënderova Bashën, se ai e kopsiti dosjen e Hashimit dhe prandaj unë jam këtu si Presidente e Kosovës”.

Dhe tragjikomedia vazhdon. Personalitetet e shquara të UÇK mbahen në burgun e Hagës edhe pse Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet avokatit mbrojtës të tij, David Hooper, në sallën e gjyqit, deklaroi se “akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e akuzës”. Tragjikomedia vazhdon, por për çudi, zëri i protestës kundër kësaj maskarade antishqiptare nuk po dëgjohet as në qarqet politike europiane, as në Tiranë e Prishtinë. Duket se as këto qarqe, as ato të Gjykatës së Hagës, që e kanë gatuar këtë çorbë, nuk duan ta besojnë gazetarin e “The Economist”, Tim Judah, i cili kishte pohuar se UÇK-ja ishte “lëvizja më e suksesshme guerile në historinë bashkëkohore”. (Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …