Procesi në Hagë drejt zgjatjes: Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të kërkojë shtyrje të afateve

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë pritet të zgjasë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht, pasi ekipet e mbrojtjes mund të kërkojnë shtyrje të afateve për dorëzimin e provave dhe përfundimin e dosjeve gjyqësore. Sipas njoftimeve nga Trupi Gjykues, data e 14 nëntorit – e caktuar si afat orientues për paraqitjen e provave të mbrojtjes – është vetëm një vlerësim i përkohshëm dhe mund të ndryshojë në varësi të dinamikës së procesit. Gjykata ka kërkuar që palët të jenë të përgatitura për dorëzimin e dosjeve përfundimtare para 22 dhjetorit, por një datë përfundimtare do të vendoset vetëm pasi mbrojtja të ketë avancuar më tej. Monitoruesit e procesit në Hagë vlerësojnë se çdo kërkesë për shtyrje do të ndikojë drejtpërdrejt në vonimin e vendimit përfundimtar. “Çdo shtyerje e afatit ndikon në shtyrjen e vendimit, sepse këto janë procese zinxhirore që e shtyjnë njëra-tjetrën,” tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Seanca e radhës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është planifikuar të mbahet më 27 tetor, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e Thaçit. Ish-udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, liderët europianë mblidhen në Mal të Zi për zgjerimin e Unionit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që zhvillohet …