UCK

Prof. dr. Agim ZOGAJ: Historik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Javoren “ZËRI” / dhjetor 1997 – mars 1999 /

Ushtria Çlirimtare e Kosovës – djepi  i çlirimit dhe i lirisë sonë

Duke pasur parasysh, rolin e medieve në afirmimin e rolit historik, kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra, kontributin e medieve në shkrimin e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, studimi  përkatës trajton, gjithnjë me qasje kritike dhe objektivitet shkencor shkrimet e Javores Politike Shqiptare , “ZËRI” për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë periudhën dhjetor 1997 – mars 1999, pra, deri në fillimin e bombardimeve të  NATO-së  mbi caqet ushtarake, para ushtarake e policore serbe. Trajtesa hulumton, studion qasjet, interpretimet, qëndrimet nga shumë këndvështrime që, gjithnjë sipas komenteve, analizave, vështrimeve, intervistave, reportazheve nga fushëbeteja i bëheshin luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës së popullit të Kosovës për çlirim nga sundimi serb. Nga ato analiza të politikanëve shqiptarë dhe ndërkombëtar të kohës, në intervista të cilat javorja politike shqiptare, “Zëri ” i botonte me udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe me personalitete eminente ndërkombëtare, me analistë ushtarakë, diplomatë, gazetarë, opinionistë etj. shihej qartë rrita, afirmimi, popullarizimi, faktorizimi dhe ndërkombëtarizimi  i vazhdueshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si në rrafshin ushtarak ashtu edhe në atë diplomatik ndërkombëtar. Vlerësoj se, të gjitha shkrimet në Javoren Politike Shqiptare “ZËRI”, derisa ajo revistë u botua, fund i marsit 1999, duke vazhduar pastaj, deri në çlirimin e Kosovës, të botohej në Shkup, janë kontribut dhe dëshmi të rëndësishme për shkrimin, hartimin objektiv të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, ishte themel i çlirimit dhe i lirisë së popullit të Kosovës.

Javorja politike shqiptare ,,Zëri”, pa dyshim është ndër mediet e të para që me shkrimet e veta, menjëherë pas daljes së komunikatave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  arriti që të sensibilizojë opinionin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar me aktivitetet luftarake dhe politike të UÇK-së që nga paraqitja e saj . Shkrimet, analizat, komentet, intervistat me aktor, udhëheqës të UÇK-së, me politikanë, studiues, analistë vendorë si dhe ata ndërkombëtar i dhanë fuqizim afirmimit të luftës së popullit të Kosovës me në krye UÇK-në për çlirimin nga pushtimi serb/ jugosllav. Javorja politike shqiptare , “Zëri”, me temat e drejtpërdrejta, me intervista të shumta politike, që për temë e kishin daljen dhe luftën e UÇK-s- si dhe me reportazhet nga fushëbetejat kishte sensibilizuar jo vetëm opinionin mbarëshqiptar, por edhe atë ndërkombëtar të kohës, sepse diplomatë të shumtë të asaj kohe kishin dhënë intervista, pikëpamjet e tyre autoriale  dhe të qeverive të shumta evro – perëndimore për luftën çlirimtare të  popullit të Kosovës. Kështu, përmes shkrimeve, raporteve nga fushëbeteja, komenteve, editorialeve, intervistave  me personalitete të shquara ndërkombëtare, “Zëri” arriti që, para publikut shqiptar gjithandej të shpalos, të identifikojë dhe jo vetëm të regjistrojë  opinionet, vlerësimet dhe, qëndrimet e diplomacisë ndërkombëtare në lidhje me luftën e UÇK-së.

    Kështu, në numrin e datës 6 dhjetor të vitit 1997, ,,Zëri” në shkrimin me titull, “UÇK: Një kronologji e shkruar me komunikata”, nënvizon  se : “ …shikuar në retrospektivë, qysh nga paraqitja e komunikatës së parë në opinionin e UÇK-së, rrethe të caktuara politike kosovare patën treguar një dozë të caktuar rezervë, lidhur me ekzistencën dhe veprimtarinë e kësaj organizate[1]. Sipas artikullshkruesit të Zërit, një qëndrim i tillë është “mbajtur për një kohë relativisht të gjatë”.[2] Pra, gjithnjë sipas  “Zërit” mund të kuptohej se, në opinionin publik, politik shqiptar në Kosovë ende vazhdonte të kishte një paqartësi në lidhje me ekzistimin, veprimin  UÇK-së, prandaj edhe përmbajtja e  kumtesave të publikuara nga  Shtabet politike të UÇK-së ishin të interpretuara nga shumë këndvështrime. Ndër opinionet e ndryshme, të cilat , gjithsesi më tepër mund të konsideroheshin se ishin luftë speciale e shërbimeve sekrete të Serbisë, ishte përshtypja, spekulimi se ato po i “shkruan” shërbimi sekret serb për të krijuar huti, pa qartësi në opinionin shqiptar.

     Më pas, autori i shkrimit, duke bërë një retrospektivë kronologjike të daljes së parë  publike të komunikatave të UÇK-së shkruan se më 17 shkurt të vitit 1996 në gazetën “Bujku” është botuar komunikata e parë publike UÇK-së.[3] Kjo e dhënë, ky fakt, gjithsesi është me interes të madh për studiuesit e historisë së lindjes dhe veprimtarisë së UÇK-së.

     Artikullshkruesi, pasi thekson interesimin e opinionit për të ditur më shumë, madje siç shprehet, për të vërtetën për UÇK-në, më tej konstaton se “me gjasë e vërteta e plotë për UÇK-në do të tregohet më vonë”[4]. Kuptohet, ishte kohë kur Ilegalja Atdhetare Shqiptare, pra, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që në fakt ishte krahu i armatosur, ushtria e  Ilegales Atdhetare Shqiptare po vepronte në ilegalitet të thellë dhe, pikërisht nga forta e veprimit ilegal, politik dhe të aksioneve ushtarake po krijonte opinion publik, simpati, përkrahje dhe po e fuqizonte moralin e popullit për luftë të armatosur.

   “ Zëri”  në numrin e datës 13 dhjetor të vitit 1997, trajton në mënyre analitike dhe për herë të  parë me qasje dukshëm më transparente  fenomenin  kombëtar, UÇK. I themi fenomenin UÇK, sepse për kohën, UÇK-ja ende po vepronte nga ilegaliteti i thellë dhe, natyrisht se, për shumë kë, nuk mund të kuptohej se ishte themeluar dhe po vepronte ushtria e djemve të Kosovës, pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Presioni sistematik i pushtuesit serb, sundimi gati një shekullor i  Serbisë, përkatësisht i  Jugosllavisë mbretërore dhe i Jugosllavisë AVNOJI-ane kishin lënë pasoja, gjurmë të thella në psikologjinë e popullit shqiptar, i cili, edhe pse kishte zhvilluar kryengritje të shumta kundër pushtimit serb/jugosllav asnjëherë nuk kishte pasur aleat përveç  përkrahjes, më tepër politike, morale,vëllazërore të shtetit shqiptar, Shqipërisë.

   Kësaj radhe në shkrimin me titull, “Kompromiset dhe guerilja ”artikullshkruesi, pasi vlerëson se “rezistenca e Drenicës sfidon fuqinë kontrolluese të ushtrisë serbe”  më tej konstaton se “UÇK-ja tashmë ka demonstruar prezencën dhe aftësinë e organizimit të aksioneve në të gjitha viset e Kosovës”. Pra, në këtë fazë, vlerësohet se UÇK-ja ekzistonte, vepronte realisht dhe, ngadalë po bëhej fuqi e respektueshme në luftën kundër pushtuesit serb/jugosllav. Madje, duke  pasur parasysh jehonën e madhe të aksioneve të UÇK-së, rritjen e popullaritetit të saj anë e mban Kosovës, autori i komentit  vë në spikamë përkrahjen dhe simpatinë e madhe që për një kohë të shkurtër, pra, në ata muajt e fundit të vitit 1997, e kishte fituar UÇK-ja. Gjithnjë, sipas komentit të sipër cekur, UÇK-ja me veprimet e saj, organizimin dhe aksionet e fuqishme luftarake kundër pozicioneve të pushtuesit serb, po kalonte në fazë të re të organizimit, të fuqizimit dhe sidomos kundërvënies së suksesshme të armatosur ndaj forcave serbe, policore, ushtarake, paraushtarake, atyre të shërbimit server serb/jugosllav dhe të tjera. Nga, formulimi i pikëpamjeve të komentuesit, vërehet një vetësiguri për fuqizimin ushtarak, politik të UÇK-së përballë armikut serb.

      Prandaj , artikullshkruesi konstaton se: “Sa i përket UÇK-së, që ditëve të fundit fitoi një publicitet të gjerë, gjëja më e rëndësishme në paraqitjen e kësaj ushtrie nuk ishte vetë fakti i daljes në skenë publike, sa ishte me rëndësi duartrokitjen dhe brohoritja e popullit”. Me një transparencë, deri atëherë të pa bërë publike, javorja “Zëri” e cila printe ndër shtypin shqiptar të kohës me guximin, jo vetëm gazetaresk, publicistik, por kombëtar e vë theksin, pra, tek entuziazmi, lumturia, gëzimi, ngazëllimi i popullit të Kosovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila kishte dalë nga shpirti liridashës, guximtar, i pa  përulur  i secilit shqiptar të Kosovës dhe më gjerë. UÇK, pra shumë shpejt u bë pjesë e shpirtit, e vullnetit, e ëndrrave të popullit të Kosovës, sepse, siç del edhe nga përmbajtja e komentit të sipër cekur, i madh e i vogël u identifikuan me UÇK-në, me ushtrinë e popullit e cila kishte dalë në mbrojtjen kombëtare të popullatës.

     Autori, i cili mendon se kualifikimi më i saktë për UÇK-në do të ishte ai i gueriles specifike shqiptare, si një lëvizje çlirimtare e drejtuar kundër pushtuesit, mendon se “  problemi i Kosovës qëndron te terrorizmi shtetëror serb, dhe jo te UÇK-ja”.

   “Zëri”, gjatë periudhës së viteve 1997,1998 dhe 1999, në drejtim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar rreth luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të popullit shqiptarë të Kosovës, kishte bërë depërtimin të rëndësishme përmes intervistave me personalitete të larta të diplomacisë, publicistë, analistë dhe ekspert ndërkombëtar .

    Kështu, Pitër Kingç, bashkëkryetar i Komitetit për çështje shqiptare në kongresin amerikan, në intervistën për “Zëri” të datës 13 dhjetor 1997 me titullin “UÇK-ja është rezultat i injorimit të Rugovës nga Serbia dhe Amerika”, mes tjerash deklaron se “sa di unë, qeveria jonë ende nuk e ka të qartë se kush është prapa UÇK-së “ ndërsa sipas diplomatit amerikan, personalitetet e UÇK-së kanë ardhur në përfundim se “nuk ka alternativa tjera për zgjedhjen e problemit përveç përdorimit të dhunës kundër regjimit serb”.[5]  Ishin ato, opinionet e para, të dhëna një media shqiptare të një diplomati të lartë amerikan, i cili siç shihet nga vlerësimet e  tij, pranonte se, për atë kohë, pra, dhjetor 1997 edhe Stejt  Departamenti Amerikan nuk kishte informacione të mjaftueshme, bazike për atë se, kush qëndronte prapa UÇK-së. Por, diplomati amerikan, Piter Kingç megjithatë konstaton se, fakti që politika pacifiste e Rugovës / LDK-së / nuk po jepte rezultatet në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb ishte ndër faktorët që, determinoi organizimin ushtarak të popullit të Kosovës, gjithnjë nën drejtimin e UÇK-së e themeluar nga Ilegalja Atdhetare Shqiptare / Lëvizja Popullore e Kosovës /.

    “Zëri”, në numrin e datës 27 dhjetor të vitit 1997 boton intervistën me Ibrahim Rugovën i cili, për herë të parë, drejtpërdrejt  në një pyetjen rreth UÇK-së deklaron se “ Shumë është duke u spekuluar rreth atij grupi , siç thuhet, se unë nuk kam informacione se ekziston një formacion e organizatë e tillë në Kosovë”.[6]

     Në numrin e parë të janarit 1998, në shkrimin me titull, “Qetësia mashtruese para stuhisë” artikullshkruesi i “Zërit” sikur paralajmëron qasje edhe më analitike dhe më të drejtë për drejtë rreth zhvillimeve në Kosovë.

     Pasi konstaton se në mozaikun e politikës nacionale të Kosovës është shfaqur UÇK-ja, autori shkruan se “ Me shfaqjen e UÇK-së, duket që në Kosovë lindi një front tjetër i refuzimit, jo vetëm pasivë , por një i armatosur”. Pra, gjithnjë sipas artikullshkruesit, fjala ishte për shfaqjen e rezistencës aktive, të organizuar nga një qendër politiko – ushtarake e popullit të Kosovës. Ndërsa, vet fakti i paraqitjes së formacioneve të organizuara, ushtarake të UÇK-së, për kohë dhe hapësirë, pra në janarin e vitit 1998 ishte një indikator i fuqishëm se, populli i Kosovës nuk mjaftohet më me rezistencën paqësore dhe se, pushtuesi serb/ jugosllav do të ballafaqohej fuqishëm me kryengritjen e armatosur të popullit shqiptar. Pa dyshim, realiteti i ri i krijuar në Kosovën, atëherë të robëruar nga sundimi serb, kishte reflektime të shumta edhe në planin e diplomacisë ndërkombëtare, Serbisë ndërsa, po i bëhej me dije se, kishte ardhur koha e ballafaqimit në fushën e betejës dhe se shqiptarët e Kosovës, përmes UÇK-së ishin të vendosur ta çlironin popullin dhe vendin nga sundimi serb.

    Autori konstaton se ekzistimi i UÇK, tashmë është një realitet, ndërsa diskutimet pro et kundër ekzistimi të UÇK-së janë ndezur edhe në Shqipëri, duke cituar deklaratat e Neritan Cekës, Pandeli Majkos, Sali Berishës etj.  Ndërsa, lidhur me heshtjen e LDK-së lidhur me UÇK-në autori shkruan se LDK-ja nuk guxon edhe gjatë ta fus kokën në zalle dhe ta vërshoj popullin me deklarata tashmë qesharake se nuk kemi informata për UÇK-në, kur pjesëtarët e armatosur të UÇK-së u japin intervista dhe propozojnë edhe para gazetave të huaja.

    Në të njëjtin numër, në shkrimin me titull “ Uashingtoni pret prononcimin e udhëheqjes së Kosovës rreth UÇK-së”,të shkruar nga korrespondenti i  “Zërit”  në Nju-Jorku, artikullshkruesi bën të ditur se “ Së shpejti CIA do të ftohet për tu informuar më hollësisht disa kongresistë rreth UÇK-së  dhe udhëheqjes së Kosovës, e cila deri më tani ju ka shmangur përgjegjësisë, duke u shprehur “ se nuk ka informacione për një organizatë të tillë , do të bëhet trysni që të deklarohet dhe ta denoncoj UÇK-në”. Pra, gjithnjë sipas korrespondentit të  javores politike shqiptare “Zëri” nga Washingtoni, Qeveria amerikane i përcillte me shumë kujdes zhvillimet në Kosovë, pra, veçmas paraqitjen e UÇK-së, rolin e saj, qëllimet, objektivat, mënyrën e organizimit, fuqinë e saj ushtarake, politike si dhe ndikimin në popullatën shqiptare. Artikulli i mësipërm, kishte bërë me dije opinionit shqiptar në Kosovë dhe gjithandej, pra edhe Qeverisë shqiptare në Tiranë se, zhvillimet në Kosovë, sidomos pas daljes publike të UÇK-së janë në agjendë të rëndësishme të politikës amerikane dhe të pozicionimeve të reja në agjendat e gjeopolitikës së Perëndimit. Ky fakt, pra, i përcjellë përmes  korrespondentit të “Zërit” nga Washingtoni, kishte ndikim dhe jehonë të madhe jo vetëm tek strukturat e atëhershme politike të Kosovës, por edhe tek popullata dhe, veçmas ishte domethënëse për Drejtorinë Politike të  Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së drejtuar nga z. Hashim Thaçi.

    Në numrin e 24 janarit të vitit 1998, “Zëri” sjell intervistën me Xhafer Shatrin, atëherë ministër për informim në Qeverinë në egzil të Republikës së Kosovës, i cili në mes tjerash pasi apostrofon se ne duhet ta shohim realitetin në sy , deklaron se “Nuk mund të themi tash se UÇK-ja nuk ekziston se është dorë e zgjatur e Serbisë dhe se njerëzit me dy fije mend në kokë nuk guxojnë të sillen në mënyrë kaq të papërgjegjshme, UÇK-ja ekziston”. Shatri,më tej duke dhënë shpjegime për shkaqet që sollën deri te paraqitja e UÇK-së, nënvizon terrorizmin sistematik serb, indiferencën e Fuqive të  Mëdha, si dhe, pa aftësinë  dhe papërgjegjësinë e udhëheqjes së Kosovës. Ishte ajo paraqitja e parë, mjaft transparente e një zyrtari të Qeverisë në egzil të Republikës së Kosovës. I cili, në cilësi të ministrit të informatave ishte jashtëzakonisht i hapur, i drejtpërdrejt dhe, nga një aspekt kritikonte qëndrimet “ oportune” të krerëve të LDK-së në lidhje me paraqitjen, rolin dhe fuqinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

   Artikullshkruesi në ,,Zëri”e 31 janar 1997, pra pas sulmit të parë serb mbi familjen e Jasharve , në shkrimin me titull: Shaban Jashari, apo “Dy duar për një krye “ shkruan se vetëm fjalitë e Shaban Jasharit kanë frymë e shpirt “Unë kam vetëm një shtëpi dhe prej saj nuk kam ku të shkojë”[7]. Ishte ai prononcimi ekskluziv i kryeplakut të familjes Jashari, i cili i bënte me dije opinionit shqiptar, por në radhë të parë, pushtetit sundues serb se, familja Jashari, sikur edhe populli mbarë i Kosovës është e vendosur të luftojë edhe ma armë për ta mbrojtur pragun e shtëpisë. Dy muaj më pas, ai paralajmërim i kryeplakut dhe trimit të Drenicës, Shaban Murat  Jashari u bë realitet, kur më 5, 6 dhe 7 mars familja Jashari, Shabani me djemtë Hamzën, Ademin dhe fëmijë e gra, luftuan deri në rënien e tyre heroik kundër hordhive të ushtrisë dhe policisë serbe.

    Në të njëjtin numër ,,Zëri”boton një reportazh të gjatë për historinë e familjes Jasharve të realizuar, nga autori i kësaj Kumtese dhe kolegia e tij e punës, në odën e kryeplakut Shaban Murat Jashari.[8]

   “ Zëri”,  në një vështrim të korrespodentit të vetë nga Nju-Jorku, të datës 28 shkurt 1998, sikur paralajmëronte një intonacion krejtësisht tjetër fare të zyrtarëve amerikanë rreth paraqitjes dhe aktiviteteve luftarake të UÇK-së. Ishte ajo periudha kur diplomacia amerikane, pa pritur dhe në befasi i ndryshon pozicionimet e veta rreth rolit të  UÇK-së.

     Artikullshkruesi, në korrespondencën nga Nju Jorku shkruante se, sipas disa diplomatëve amerikanë dhe politikanëve amerikanë  UÇK-ja së shpejti mundë të shpallet organizatë terroriste dhe të gjithë ata që kanë pasur kontakte apo kanë kontribuar për fondin e saj mund të vihen ne pozita të palakmueshme sa i përket karrierës së tyre në diplomaci. Këto vlerësime në diplomacinë amerikane  arritën pas vizitën së Robert Gelbard në Kosovës kur ai, në takimin me Ibrahim Rugovën, dhe madje edhe në konferencën e mbajtur për shtyp, bëri trysni mbi palën shqiptare dhe e denoncoi UÇK-në. Paraqitja e diplomatit Robert  Gelbard, ishte e pa pritur dhe kishte krijuar huti të madhe në opinionin publik të Kosovës dhe përgjithësisht në opinionin shqiptar. Sigurisht, edhe shumë nivele, qarqe të diplomacisë  ndërkombëtare të kohës, pra jo vetëm udhëheqja serbe e kishin komentuar  atë deklaratë dhe atë ndryshim të kursit diplomatik të Qeverisë amerikane rreth rolit të UÇK-së.

    Paraqitja e parë e një politikani shqiptar i cili në mënyrë transparente flet për UÇK-në është realizuar në “Zërin” e 14 marsit të vitit 1998 në vështrimin editorial të Adem Demaçit  që mbante titullin : “Ballë për ballë me UÇK-në”. Demaçi me guximin intelektual, kombëtar dhe politik, vlerësonte se “Dalja në skenën tonë politike e UÇK-së është shfaqja më e re dhe më e befasishme gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit.[9] Demaçi, i cili që nga themelimi i Lëvizjes revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (  shtator 1963 ) kishte propaganduar se, Kosova nuk çlirohet dhe nuk bashkohet me Shqipërinë pa luftë, pa kryengritje gjithë popullore  në vitin 1998 e kishte krejtësisht të qartë se, UÇK-ja ishte forca kryesore, jo vetëm e sfidimit të pushtuesit serb, por edhe e çlirimit të Kosovës së robëruar dhe hapjes së të ardhmes së re, të lirë dhe demokratike për popullin e Kosovës. Por, megjithatë, duhet thënë se, zëri i Demaçit, për atë kohë, ishte zë i veçantë për shqiptarinë, ndaj ndikimi i tij në krijimin e opinionit për luftë, për t’iu bashkangjitur UÇK-së ishte shumë domethënës, shumë me ndikim, shumë i fuqishëm. Madje, pikëpamjet e Demaçit për UÇK-në trajtoheshin me shumë kureshtje dhje interesim edhe në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare të kohës.

     Prandaj, Demaçi konstatonte me guxim dhe me vizion se, “ Kjo forcë e organizuar serioze ilegale po sfidon në mënyrë më  mire   jo vetëm regjimin serb jo vetëm politiken tonë të rezistencës paqësore, por edhe politikën ballkanike, evropiane dhe botërore”.

     Duke qenë, gjithnjë kritik ndaj politikës pacifiste,  Demaçi e mbronte qëndrimin se, UÇK-ja është “pjellë e politikës së gabuar , e kompromisit dhe e vonesave të faktorit ndërkombëtar ndaj regjimit fashist e terrorist serb “. Pra, sipas Demaçit, kishte ardhur koha e kryengritjes së armatosur të popullit të Kosovës ndaj sundimit serb, si rruga e vetme për çlirim.

     Deklarimi i tillë kaq i guximshëm i Demaçit, për kohën që ishte thënë ishte aq më domethënës, për faktin se pikërisht në atë periudhë, UÇK-ja denoncohej nga segmente të diplomacisë  perëndimore, kurse politikanët e atëhershëm të Kosovës, në prononcimet e tyre për opinionin, hezitonin të deklaroheshin për UÇK-në. Demaçi edhe në numrin e 28 marsit të vitit 1998, në vështrimin e tij editorial, botuar në “Zëri”  i mbetët besnik guximit të tij, kur në vështrimin për zhvillimet e Kosovës shkruante se “Tash e tutje deshëm apo së deshëm , u gjendëm ballë për ballë me UÇK-në, të gjithë pa përjashtime “. Në fakt, me këto qëndrime, Demaçi i bënte thirrje popullit, i madh e i vogël që me guxim dhe pa kurrfarë frike ta përkrahin UÇK-në dhe t’i bashkëngjiten nëpër aradhet luftarake në front, në fushëbetejë.

    Demaçi vlerëson se me shfaqjen e UÇK-së regjimi serb i është prishur krejtësisht projekti i zgjedhjes së çështjes së Kosovës, pra, sipas  Demaçit, i ishte prishur plani për serbizimin e Kosovës dhe se “Kur UÇK-ja doli me kumtesën se ajo nuk do të pranoj kurrfarë marrëveshje për Kosovën pa pjesëmarrjen e saj në negociata, atëherë gjërat ndryshuan diametralisht”.

     “Zëri”, në një analizë të shkrimeve të shtypit perëndimore rreth UÇK-së më botimin e datës 11 prill 1998, shkruan se “ Fakti se UÇK-së i mungon krahu politikë dhe përvoja e strategjisë së luftarake, e bën edhe më lehtë për shënjestrën e armatimit të rënd serb, që rrezikon jo vetëm UÇK-në por edhe popullatën shqiptare në tërësi”. Ishte ai një shqetësim real, i arsyeshëm dhe i drejtpërdrejt për kohën, ndërkohë që, zhvillimet e mëtejshme brenda UÇK-së dëshmojnë se, ishte forcuar edhe krahu politik, të cilin e drejtonte, Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, z. Hashim Thaçi.

     “Zëri” me këtë rast citon një ekspert ushtarak amerikan i cili kishte deklaruar se: “Fakti që popullata shqiptare tash është e  ndarë midis UÇK-së dhe politikes paqësore, do t’i kushtonte shtrenjtë Kosovës”. Ishte muaji prill, 1998 kur në të njëjtin numër “Zëri” shkruante se “Për UÇK-në në qarqet politike shqiptare edhe më tej ka një heshtje ose së paku mëdyshje se a duhet bërë apo jo analiza publike e veprimeve dhe e qëllimeve të saj” , për të konstatuar se “Tashmë duket se UÇK-ja po zhvillohet në një organizatë të fuqishme guerile, madje se është duke u vënë në ballë të rebelimit dhe të kryengritjes”. Pra, artikullshkruesi, vë theksin mbi faktin se, UÇK-ja po zhvillohej, ndërtohej, afirmohej si një organizatë e fuqishme guerile dhe, po vihej  në ballë, në udhëheqje të rebelimit dhe të kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit pushtues serb.

      Artikullshkruesi, me të drejtë konstaton se “Politika e UÇK-së bie ndesh me përcaktimin e udhëheqjes politike, se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të arrihet me mjete politike dhe negociata, kurse UÇK-ja preferon luftën e armatosur”. Në opinionin politik të popullit të Kosovës, po forcohej admirimi për UÇK-në, për rolin e saj vendimtar në  çlirimin e vendit nga sundimi serb dhe, gjithnjë e më tepër, politika e deriatëhershme pacifiste po e humbte fuqinë e ndikimit në masa, po shihej si një politikë e cila, realisht nuk mund ta çlirojë Kosovën nga sundimi serb.

 “Zëri”, në numrin e 9 majit 1998 vazhdon të merret me temën e titulluar “Sqarimet me UÇK-në”.[10]

      Artikullshkruesi, pasi konstaton se “nuk ka më aspak dyshim në ngritjen rapide të kësaj organizate”, vlerëson se “Vetë forcimi i UÇK-së me rekrutimin e disa mijëra luftëtarëve shënon kthesë të madhe, dhe se UÇK-ja paraqitet si forcë reale vepruese që sfidon ndryshimin rrënjësor jo vetëm të raportit të forcave në skenën politike kosovare, por edhe përgjithësisht të raporteve në skenën mbarëkombëtare”.

     Autori me tej vlerëson se: “Në udhëheqjen e UÇK-së sikur ekziston bindja se konfliktet e tashme nuk janë vetëm kryengritje ndaj pushtimit serb , por kjo është njëkohësisht kryengritja edhe kundër pushteteve shqiptare , qoftë në Kosovë, në Shqipëri apo në Maqedoni , derisa këto pushtetet udhëheqin një strategji të gabueshme dhe presin kot që zgjidhja e çështjes kombëtare të realizohet vetëm me mjetet politike “. Gjithsesi, me konstatimet e tilla politike, artikullshkruesi në “Zëri”, për herë të parë dhe shumë qartë e vë  në spikamë çështjen e kundërshtime, mospajtimeve, por edhe konfrontimeve politike përbrenda faktorit politik shqiptar për rrugët e çlirimit të Kosovës. Nga njëra anë, sipas  “Zërit”, ishte politika, strategjia pacifiste me në krye LDK-në, e përkrahur edhe nga qarqe zyrtare në Tiranë dhe në  Tetovë / Shkup dhe, nga ana tjetër po qëndronte përballë strategjia e UÇK-së sipas të cilës, Kosova mund të çlirohej vetëm me kryengritje të armatosur, pra me luftë gjithë popullore. Ai reflektim politik i artikullshkruesit, për ballafaqimin dhe kundërvënien e këtyre dy strategjive, pra asaj pacifiste dhe të luftës kishte filluar të bënte opinione të caktuara ndër shqiptarët kudo që ishin.

     Zhvillimet politike të determinuar nga veprimet çlirimtare të UÇK-së , bën që, megjithatë, edhe në skenën e diplomacisë ndërkombëtare, të ketë evoluime pozitive karshi synimeve kombëtare të UÇK-së. “Zëri”, duke përcjellë me pedanteri një varg tubimesh që në maj të vitit 1998 ishin mbajtur në Nju-Jork, gjithnjë në  mbështetje te UÇK-së me shkrimin me titull “UÇK-ja në Amerikë”, të botuar më 16 maj të vitit 1998, citonte një gjeneral shqiptar i cili në një tubim të shqiptarëve në Nju-Jork, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës  e kishte quajtur “ një fëmijë të shëndosh , i cili duhet të ndihmohet që të rritet “. Kurse, gjithnjë sipas artikullit të sipërcituar, Xhozef Dioguardi kishte  propozuar që UÇK-ja të futet nën organet legjitime të Republikës së Kosovës , në mënyrë që njerëzit si Gelbard të mos kenë mundësi manipulimi me terma.

     Në të njëjtin numër të “Zërit” , korrespondenti i saj i përhershëm nga Nju Jorku  analizonte  se “ Kumtesa e fundit e komandës së UÇK-së të lë përshtypjen e një vetëbesimi në rritjen e kësaj organizate , që tashmë e konsideron vetën si faktorë më se relevant , nëse jo edhe vendimtarë , për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se supozohet se Beogradi nuk ka llogaritur me një forcim kaq marramendës te UÇK-së “. Pra, sipas artikullshkruesit,  vetëbesimi i UÇK-së ishte në rritje e sipër, përkrahja nga populli gjithnjë në rritje, ndërkohë që, populli i Kosovës po ndërgjegjësohej se, UÇK-ja ishte e vetmja forcë ushtarake dhe politiko – kombëtare për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb. Në fakt, opinionet e tilla, përmes javores “Zëri”, kishin  ndikime të fuqishme dhe historike në krijimin e ndërgjegjësimit mbarë shqiptar se, vetëm me kryengritje të armatosur nën  udhëheqjen e UÇK-së, populli i Kosovës mund të çlirohej. Ai opinion ishte me rëndësi të madhe kombëtare, sepse po e rriste popullaritetin e UÇK-së tek secili shqiptar, i betuar t’i shërbejë atdheut të robëruar, kauzës për çlirim nga sundimi barabar serb/ sllav.

    Në reportazhin me titull “Me ata që luftojnë e besojnë në lirin e Kosovës”, botuar ne “Zëri”-n e 30 majit 1998, artikullshkruesi , citon një pjesëtar të UÇK-së i cili duke vënë  mesazhin e luftëtarit të lirisë shprehët se : “Me dëshirën më të madhe jemi të gatshëm të japim edhe jetën për Kosovën se, më e shtrenjtë është liria sesa jeta, se vdekja për lirin e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor dhe se vetëm pavarësia e Kosovës është zgjidhje e drejt”. Nga këto shprehje të atij ushtari të UÇK-së mund të nxirrej konkludimi se, ushtarët e UÇK-së ishin trima të vërtetë të kohës, ishin të vendosur në luftën për Kosovë, prandaj edhe shprehnin ngazëllimin e tyre, idealizmin e tyre atdhetar me idenë se, vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte lumturia e tyre më e madhe jetësore. Sigurisht, paraqitjet e tilla në mediet e Kosovës, pra edhe në “Zëri” e forcon moralin e qëndresës së popullit tonë dhe devotshmërinë e tyre që, me jetë a vdekje të jenë në shërbim të Kosovës, të çlirimit të saj nga sundimi serb.

      “Zëri” i datës  6 qershor 1998 boton intervistën me Bujar Bukoshin, Kryeminister i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil , i cili pasi konstaton se Qeveria nuk e ka formuar UÇK-në , më tej shprehte se “…natyrisht se UÇK-ja është një realitet siç është realiteti dhe fillimi i realizimit të kryengritjes popullore të armatosur kundër agresionit serb”. Pra, Kryeministri në ekzil i Qeverisë së republikës së Kosovës, z. Bukoshi e deklaronte hapur përkrahjen e tij për UÇK-në, realitet siç e thoshte i realizimit të kryengritjes popullore të armatosur kundër pushtuesit serb. Por, për rrethanat e atëhershme politike brenda popullit shqiptar, pra, jo vetëm në Kosovë, Shqipëri, por edhe në diasporë, deklarata e Bukoshit, sipas të cilit, Qeveria nuk e ka themeluar, formuar UÇK-në ishte mjaft domethënëse. Ishte menduar, në opinionin shqiptar të atyre viteve se, një deklaratë e tillë e Bukoshit ishte për konsum politik, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar, por, fakti ishte se, vërret UÇK-në nuk e kishte formuar e as madje ndihmuar, përkrahur në organizim dhe në mjete, logjistikë Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës. UÇK-në e lavdishme e kishte  formuar, Organizata Lëvizja Popullore e Kosovës.

     “Zëri”, në të njëjtin numër  në shkrimin e korrespodentit të vetë nga Brukseli , shkruan se lidhur me ndryshimin e pikëpamjeve dhe cilësimeve të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me UÇK-në, përshkrimi më i mirë haset tek diplomati i NATO-së Jamie Shea  cili thotë se ,”sa herë që forcat serbe sulmojnë  një fshatë, disa të rinj më tepër inkuadrohen në UÇK”.

     Artikullshkruesi, gjithashtu konstaton se,  më as Primakovi, ministër i jashtëm rus nuk e quan UÇK-në organizatë “terroriste”. “Zëri” në numrin e 13 qershorit të vitit 1998, kur nga dita në ditë rritej fushatat militare serbe , kundër luftës çlirimtare të UÇK-së , vlerësonte se “Strategjia e Beogradit , është që të pengoj krijimin e një guerile shqiptare më efektive ,duke e detyruar UÇK-në që të krijojë formacione më të mëdha. Mund të supozohet se strategjia e komandës serbe për fazën e dytë do të ishte me qëllim që të asgjësoj formacionin e UÇK-së , ose të dëbohen përtej kufirit në Shqipëri. Po në të njëjtin numër,”Zëri” boton intervistën me Hydajet Hyseni , i cili pasi konstaton se UÇK-ja është produkt i realitetit tonë. Ai vlerësonte se “faktorët të tillë,  si UÇK-ja janë faktorë tejet serioz dhe me ndikim të jashtëzakonshëm”. Hydajet Hyseni e mbronte hapur dhe guximshëm këtë qëndrim, edhe për faktin se, si veprimtar i hershëm i Ilegalës Atdhetare Shqiptare të Kosovës, kishte mbrojtur idenë kombëtare se, Kosova mund të çlirohej vetëm me luftë, me kryengritje të armatosur.

     Në ditën e muajit qershor, 1998 kur Milosheviqi e kushtëzonte tërheqjen e njësive  ndërhyrëse policore ushtarake nga Kosova me tërheqjen dhe ndërprerjen e aktiviteteve luftarake të UÇK-së, “Zëri” në numrin e 20 qershorit të vitit 1998 shkruante se UÇK-ja sigurisht se nuk ka ndërmend që tu bindet premtimeve të Beogradit , sikur që nuk do ti bindet lehtë as porosive të udhëheqësish politike shqiptare në Prishtinë dhe gjetiu për tu ndërprerë aksionet”[11].

Në të njëjtin numër, Adem Demaçi në vështrimin e tij politik shkruante se “Historia e jonë e gjatë nuk njeh qëndresë më heroike dhe më madhështore sesa qëndresën e UÇK-së bashkë me popullin e vet”. Pra, Demaçi e ngrinte lartë qëndresën e UÇK-së në fushëbetejat anë e mbanë Kosovës dhe luftën e popullit mbarë kundër forcave pushtuese serbe/jugosllave.

     Demaçi , i cili është i bindur me fuqinë e UÇK-së dhe në rrugën e saj te lirisë , u jep mesazh qarqeve të caktuara të diplomacisë evropiane, perëndimore me fjalët se : “Nuk mund të asgjësohet UÇK-ja pa u asgjësuar krejt populli shqiptar”. Gjithsesi, ishte ai një deklarim shumë vizionar dhe jo vetëm i guximshëm i Demaçit, i cili, sikur ishte tejet i ngazëllyer që e kishte pritur kohën, ditën, historinë që, nga gjiri i popullit të Kosovës të lindë ushtria çlirimtare e tij.

    Po në të njëjtin numër 20/06/1998 “Zëri” boton intervistën me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi , i cili deklaron se “UÇK-ja është jashtë çdo ombrelle partiake, kurse për ideologji ka shqiptarizmin “ Deklarate ish zëdhënësit të UÇK-së, një ndër personalitetet më të  fuqishme, më të ndritshme dhe më të guximshme të Lëvizjes moderne Shqiptare për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë, pra, Jakup Krasniqit ishte në funksion të qartësimit të strategjisë dhe misionit kombëtar, historik të UÇK-së, pra, siç e thoshte ai vet, UÇK-ja për ideologji e ka shqiptarizmin! Sigurisht, ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me një deklaratë të tillë u jepte përgjigje edhe atyre zërave, të cilët spekulonin se, UÇK-ja përmban ideologji majtiste, revolucionare e çka tjetër. Krasniqi, siç del nga përmbajtja e atyre deklaratave të botuara në faqet e Javores Politike Shqiptare “Zëri”ishte shumë i qartë dhe i prerë duke deklaruar se, Programi i UÇK-së ishte Program Kombëtar dhe jo ideologjik e as partiak apo krahinor!

    “Zëri” në numrin e 11 korrikut 1998 botoi intervistën me Janush Bugajskin , analist i njohur amerikan, i cili pasi vlerëson se “pjesëmarrja e UÇK-së është më se e domosdoshme në çdo bisedimesh “thekson se “ajo tash është shndërruar në një forcë serioze lufte dhe se në rastin eventual politika e Shqipërisë do të kanalizohej drejt mbështetjes të UÇK-së drejt një pavarësie” . Pra, Bugajski, një analist shumë prestigjioz amerikan, njohës i shkëlqyeshëm i rrethanave në Evropën Juglindore, përkrahës i luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së jepte vlerësim realist dhe ishte i bindur se, pjesëmarrja e UÇK-së në çdo lloj bisedime me Serbinë dhe me faktor ndërkombëtar ishte e domosdoshme. Një vlerësim i tillë, i cili vinte nga analistë ndërkombëtar ishte i rëndësishëm, sepse e legjitimonte luftën e drejtë të UÇK-së dhe në fakt, impononte qëndrimin se, UÇK-ja duhet të jetë faktor në bisedime politike dhe partner i barabartë në çfarëdo nivel të bisedimeve me ndërmjetësim ndërkombëtar midis Kosovës dhe Serbisë.

    Në vështrimin tjetër të  “Zërit”, të datës 18 korrik  1998, artikullshkruesi vlerëson se “Supozohet se ngritja e shpejt e UÇK-së i ka tejkaluar të gjitha parashikimet manipuluese të Beogradit dhe se ai u tmerrohet pasojave të parashikuara të kryengritjes masive”.

      Në këtë drejtim autori mbron pikëpamjen se, potencialet e UÇK-së janë vërtetë të mëdha . Në të njëjtin numër botohet intervista me Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së, i cili deklaron se UÇK-ja është perspektiva dhe ardhmëria e Kosovës, dhe se rezultatet konkrete të arritura në terren kanë bëre që UÇK-në ta njohë më parë faktori ndërkombëtar se sa ai i brendshëm. Ish  zëdhënësi i UÇK-së, Krasniqi, sikur me atë qëndrim, pikëpamje dëshironte t’i bënte me dije opinionit të gjerë shqiptarë se, përbrenda faktorit politik shqiptar, në Kosovë dhe më gjerë, ende kishte forca të caktuara politike të cilat hezitonin ta pranonin, ta njihnin fuqinë, rolin, misionin historik, kombëtar të UÇK-së, e cila ishte bërë e njohur, si forcë ushtarake dhe politike edhe në disa qarqe diplomatike ndërkombëtare. Krasniqi kishte të drejtë ngase, derisa segmente të caktuara të politikës shqiptare po analizoni nëse UÇK-ja po e fiton primatin në luftën e popullit të Kosovës për çlirim, nga ana tjetër, nivele dhe struktura të diplomacisë evroperëndimore, sidomos ato amerikane po e shihnin UÇK-në si faktor, si forcë ushtarake dhe politike pa të cilën nuk mund të bisedohej me Serbinë. Prandaj, historiografia, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo evro-perëndimore do të shkruajnë se, ishte pikërisht lufta çlirimtare e Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës e cila e dërgoi  Kosovën në Konferencën ndërkombëtare të Rambujesë.

    Lidhur me krijimin e institucioneve shtetërore dhe kombëtare, Krasniqi prononcohet se krijimin e tyre do ta diktoj UÇK-ja , duke çliruar territore të reja. Në numrin e përmendur të “Zërit”, pra të datës 19 korrik 1998 botohet edhe intervista me Ismail Kadarenë , i cili shprehet se :“ Që sot, ata djem dhe ato vasha të UÇK-së bëjnë pjesë në historinë morale të kombit, se UÇK-ja ringjalli vlerën e idealeve”. Ishte ai një vlerësim shumë  nga ana e Ismail Kadaresë i cili, si një përkrahës i madh i çlirimit të Kosovës, i bënte nder UÇK-së me  një vlerësim aq të lartë. Kadare, e ngriti vlerën e UÇK-së në dimensionet historike duke e quajtur pjesë të historisë morale të kombit shqiptar. “Zëri” në numrin e një gushtit boton intervistën ekskluzive me Sabit Gecin, njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, njërin ndër komandantët më në zë dhe më të shquar të Zonave Operative të UÇK-së i cili deklaronte se luftën e kemi fituar në momenti kur i rrokëm armët . Geci ne pyetjen e gazetares se a mendon se UÇK-ja duhet ta zgjidh problemin e Kosovës është përgjigjur se: “Ajo duhet ta çliroj Kosovën, UÇK-ja ka mjaft forcë , ka njerëz , armatim dhe ajo do ta sjell lirin e Kosovës.

   Në numrin e 28 gushtit të vitit 1998  “Zëri”, duke komentuar dështimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjeve brenda shqiptare, rreth formimit të grupit negociator  , kur pritej të kishte përfaqësues edhe të UÇK-së, mes tjerash shkruan se, “…UÇK-ja mbeti e pa përfshirë ne grupin negociator , fat ky i keq si për UÇK-në, aq më tepër për grupin negociator , e më së keqi për Kosovën”. Në të njëjtin numër botohet intervista me Adem Demaçin , aso kohe në detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, i cili deklaron se “UÇK-ja do të kundërshtoj çdo zgjidhje që është nën përcaktimin e popullit në referendumin e vitit 1991” , për të shtuar se “ Nuk është zor ti gjesh njëqind vetë të thonë  “ kuku na mori në qafë UÇK-ja”, por shumica e popullit nuk e tradhtoi UÇK-në sepse ajo është ushtria e vetë” . Gjithsesi, Demaçi i indinjuar me spekulimet, me injorancën dhe primitivizmin e individëve shqiptarë, që e mohonin qenien dhe shpirtin e UÇK-së, i kundërshton hapur dhe deklaroi se, shumica e popullit shqiptar e ndjeu e përqafoi  UÇK-në si ushtrinë e vet!

     Demaçi është i qartë edhe në përgjigjen atyre të cilët në atë kohë trumbetohen gjoja për orientimin apo përcaktimin ideologjik e partiake të  UÇK-së , duke thënë shprehish se “UÇK-ja , siç po shihet nuk dëshiron të jetë armatë në dorën e asnjë partie a ideologji, por dëshiron të jetë armatë e këtij populli dhe UÇK-ja do të vazhdojë të jetë roje e popullit, e lirisë demokracisë dhe roje e të drejtave të njeriut”. Demaçi, përmes intervistës për javoren  “Zëri” mbronte qëndrimin se, ideologjia e UÇK-së është ideologjia e çlirimit, e lirisë, e kombit, e Atdheut dhe se UÇK-ja është në roje të popullit, të lirisë, të demokracisë.

    Ndërsa, në të njëjtin  numër të javores “Zëri”, në temën rreth përçarjeve të mundshme në radhët e UÇK-së, Demaçi ishte i prerë  duke thënë se  “Unë besoj që nuk do të arrijë asnjë dorë të fusë farën e përçarjes në UÇK-së,ky do të ishte një rrezik i madh për të gjithë ne e jo vetëm për  UÇK-në”.

     Në të njëjtin numër të javores së përmendur, në vështrim me titull, “Kosova etnitet që duhet të mbrohet”, artikullshkruesi  shkruan se  “ Pa kryengritjen e UÇK-së nuk do të fillonte zgjidhja më efektive e problemit, mirëpo nga ana tjetër UÇK-ja paraqiste një sfidë të madhe të potencialeve të njëmendët të kombit” , ndërsa sipas autorit, tani  “ edhe komandantët e UÇK-së, edhe përfaqësuesit e saj politike janë të vetëdijshëm se i pret një luftë shumë më e gjatë se sa kanë menduar”.  “Zëri” në të njëjtin numër boton intervistën ekskluzive me Naim Malokun ( Të realizuar nga autori i kësaj  trajtese– A. Z, i cili ishte korrespondent lufte nga Kosova për Programin shqip të Radio , “Deutsche Welle “ ) ), oficer i lartë i UÇK-së i cili deklaron se  “Në UÇK nuk ka fraksione politike, se kur është fjala në çështjet esenciale ushtarake, atëherë qëndrimi i të gjithë ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së është i njëjtë dhe i ditur. Ai qëndrim është mbrojtja e këtij popullit dhe çlirimi i Kosovës”.

    Në të njëjtin numër, botohet intervista me Sali Berishën, i cili pasi deklaron se e ka përkrahur UÇK-në, shprehet se “ I kamë bërë thirrje UÇK-së në mënyrë sistematike që të bashkëpunoj me faktorin politik” , për të shtuar se UÇK-ja ka miq dhe ajo duhet ti dëgjoj këshillat e miqve.

    Në atë muaj të vjeshtës 1998, ishin ndezur diskutimet brenda spektrit politik shqiptar, për institucionalizimin e UÇK-së, për vënien saj nën kontroll institucional dhe lidhur me këto zëra , Bajram Kosumi në shkrimin me titull institucionet dhe pseudo institucionet shkruante se : “Do të ishte e pa natyrshme që UÇK-ja të jetë e nënshtruar ndaj pseudo institucioneve të Kosovës dhe ndaj partive politike” .

     Nga leximi i shkrimeve të  “Zërit” të datës 12 shtator 1998 lidhur me UÇK-në vlen të përmendet deklaratat e Volfgang Syshel, atëherë diplomatë i lartë austriak, më pastaj edhe Ministër i Punëve të Jashtme i Austrisë, i cili shprehimisht, për lexuesit shqiptar kishte deklaruar se “E dini se nuk e mbështes UÇK-në , dhe e dini se po flas publikisht e jo heshtazi kundër mbështetjes së UÇK-së “. Ishte, për kohën politike dhe për relacionet e atëhershme ndërkombëtare një pikëpamje, thuajse  e  vetmuar e diplomatit austriak, i cili, pas fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi caqet e ushtrisë serbe, kishte lëvizur nga ai qëndrim. Diplomati Austriak preferonte, siç shprehej ai që të mbështeste  “Forcat e moderuara”. Ndërsa në të njëjtin numër, Ema Bonino , Komisionere  e Unionit Evropian për çështje humanitare shprehej se  “ Unë personalisht e shoh shumë të çuditshme që të vihet në të njëjtin rang përgjegjësit e armatës serbe dhe përgjegjësit e UÇK-së “ . Pra, ishte qershori i vitit 1998 dhe, analizuar intervistën e Ministrit të Jashtëm të Austrisë si dhe deklaratën, po në të njëjtën numër të javores “Zëri”, pra të Ema Bonino, Komisionere e Unionit Evropian për çështje humanitare mund të kuptohej hapur se çfarë pikëpamje kundërthënëse, pra edhe në nivele të faktorëve, institucioneve ndërkombëtare kishte për luftën në Kosovës, për rolin  UÇK-së në luftën çlirimtare etj.

      Në numrin e 3 tetorit të vitit 1998, “Zëri”  paraqet opinionet e Bardhyl Mahmutit, atëherë përfaqësues politik dhe zëdhënës i jashtëm i UÇK-së, i cili pasi deklaron se UÇK-ja është institucioni më legjitim në Kosovë, kërkesave të qarqeve të caktuara politike për institucionalizimin  të UÇK-së iu përgjigjet me fjalët se  “Çdo ushtar i UÇK-së duhet ta dijë se prapa kërkesave për institucionalizimin fshihet synimi për ta instrumentalizuar UÇK-në se çdo përpjekje në këtë drejtim do të dështoj “. Kjo sepse, siç e deklaronte zëdhënësi jashtëm i UÇK-së  “Lufta për liri dhe pavarësi, e mishëruar në UÇK-në, është institucion më i shenjtë në deri në realizimi e aspiratave tona Kombëtare”. Pra, përgjigja e Bardhyl Mahmutit, një ndër veprimtarët e devotshëm të Ilegales Atdhetare Shqiptare për  çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipëri, në rastin e mësipërm, zëdhënës i UÇK-së në Evropë ishte shumë e qartë për të gjithë ata të cilët, ende nuk e pranonin fuqinë, faktorizimin e UÇK-së.

     Për artikullshkruesin e vështrimit më titull, “Kornizat e parapërcaktuara”, botuar në “Zëri”-n e 11 tetorit 1998, nuk kishte dilema për faktin se  “I vetmi faktor realisht veprues në hapësirën shqiptare ne këto kushte ishte UÇK-ja dhe se në esencë, po të mos ishte UÇK-ja, as që do të vinim në këtë situatë të fillimit të zgjidhjes së krizës me intervenimet NATO-së dhe krijimin e kushteve kalimtare”.

     Në të njëjtin numër, botohet intervistat e gjatë me Jakup Krasniqin, i cili në pyetjen për tendencat për anashkalimin të UÇK-së nga subjektet kosovare përgjigjej: “Mendoj se me rezistencën që po bën UÇK-ja, me qëndrimet e saj të qarta për pavarësinë e Kosovës, do ta kryejë punën në atë mënyrë, që ata që dëshirojnë ta anashkalojnë UÇK-në do ta anashkalojnë vetveten”.

     “Zëri”, në të njëjtin numër boton po ashtu edhe shkrimin me titull “Po shkoj te Adem Jashari” kushtuar heroit kombëtar Fehmi Lladrovci, ku në fakt, përmes komentit përkatës  i jepet nderim kombëtar heroit kombëtar, Fehmi Lladrovci, i cili së bashku me bashkëluftëtaren dhe bashkëshorten e tij, Xheve  Lladrovci kishin rënë në luftimet kundër forcave pushtuese ushtarake, para ushtarake dhe policore të Serbisë. Në koment, duke u bërë një paralele historike mes luftës heroike që, dikur e kishte zhvilluar Azem Bejta me Shote Galicën kundër  pushtimit serb, bëhej një krahasim i rënies heroike të Fehmi e Xheve Lladrovcit.

      Në “Zërin “ e datës 14 nëntor 1998 lexojmë intervistën e realizuar me Shaban Shalën, oficer i lartë i UÇK-së i cili konstatonte se divergjenca politike shqiptare kanë pasoja të mëdha për ardhmërinë. Më tej, Shala duke shpjeguar faktin pse një pjesë e madhe e eprorëve ushtarak shqiptarë që kishin shërbyer në ish AJ-në, nuk janë përfshirë në UÇK, përkundër ftesës së shtabit të përgjithshëm, vlerëson se  “Kolegët e mi , oficerë ushtarakë me profesion, kanë rënë pre dhe janë pengje të një politike të gabuar që udhëhiqet nga klasa politike e Kosovës”. Ai shtonte se:  “Një pjesë e oficerëve ka lejuar që të manipulohet me ta për interesa personale, grupore të udhëheqësve tanë”.

     “Zëri”, në numrin e 21 nëntorit 1998, në temë për mundësitë  e bashkimit politik të faktorit shqiptar, mes tjerash boton deklaratën me Jakup Krasniqin, zëdhënës i SHP të UÇK-së, i cili shprehje se  “Vetëm bashkimi është shpëtim i ynë, se UÇK-ja nuk kërkon të jetë e privilegjuar në këtë kthesë të madhe historike, por nuk do të lejojë që të anashkalohet”.

      Ndërsa, në numrin vijues të javores  “Zëri”,  të datës 24 tetor 1998, Adem Demaçi, përfaqësues i përgjithshëm politikë i UÇK-së shprehimisht vlerësonte, kërkonte se, “ UÇK-ja duhet të ketë rolin kryesor dhe vendimtar në arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Pra, analizuar pozicionet politike të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe të Përfaqësuesit Politik të Zyrës së UÇK-së me seli në Prishtinë, Adem Demaçi kuptohej në qëndrim i vendosur dhe i unifikuar nga krerët ushtarak dhe politik të UÇK-së në lidhje me rolin kryesor dhe historik të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Krasniqi dhe Demaçi mbronin kauzën e përbashkët dhe të vetme të drejtë të kohës, të luftës titanike të popullit të Kosovës se, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është faktori kryesor dhe i vetëm ushtarak, politik dhe kombëtar i cili në ato çaste të historisë e kishte marrë përsipër barrën e përgjegjësisë kombëtare për çlirimin e Kosovës. Ndaj sipas Krasniqit, UÇK-ja kurrsesi nuk do lejojë të anashkalohet, kurse sipas Demaçit, UÇK-ja duhet ta ketë rolin kryesor në çfarëdo marrëveshje me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar

      Në numrin e 26 dhjetorit të vitit 1998, artikullshkruesi në “Zëri” pasi konstaton  se , çdo gjë është bërë e pa durueshme, shkruan se “ “UÇK-ja bëhet faktor numër një, bëhet faktor edukativ, kategori filozofike dhe pedagogjike, UÇK-ja potencon Kosovën, të drejtën e saj dhe e vazhdon traditën heroike”.

    Në të njëjtin numër në vështrimin me titull ,”Ndërrimi i epokës” , autori për Adem Jasharin shkruan si për njeriun që e ndërroi epokën, për Fehmi Lladrovin , si për heroin i cili i jepet tërësisht lirisë së Atdheut, për Lum Haxhiu si për  “Çe Gevaren “ e Junikut , Adem Jashari, si  “Shin Fejnin” shqiptar, për Hashim Thaçi, si i ashpër por kooperativ / bashkëpunues /, i vendosur dhe trim, dhe tolerant, e kështu me radhë.

     Në numrin e parë të janarit të vitit 1999, “Zëri” mes tjerash boton intervistën me Ramë Bujën, Drejtor i drejtorisë për marrëdhënie publike e administrative civile të UÇK-së, i cili deklaron se “Tani përveç forcës së argumentit, Kosova ka edhe argumente e forcës dalzotës të këtij po populli, UÇK-në e pa zhdukshme, UÇK-në e pa mposhtur , UÇK-në tani më faktor numër një për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

    Prandaj , Buja nga fushëbeteja,ku luftohej me jetë a vdekje, dërgonte mesazh se  “Të kundërshtosh, të denoncosh e të mos pranosh as e si  të bashkëveprosh me UÇK-në në për luftë për liri, dihet fare qartë se për cilën adresë je nisur! Ndërsa anëtari i SHP të UÇK-së , Rexhep Selimi, në intervistë për “Zëri”, të datës 23 janar 1999 ishte edhe më i drejtë për drejtë duke deklaruar mes tjerash se “UÇK-ja është një ushtri e re, që i ka hedhur themelet e një perspektive të forcës ushtarake, e cila është garanci për liri , që marshon me hapa të sigurt shtigjeve të lirisë”.

        Po më këso deklarata të larta mirënjohje për UÇK-në aso kohe deklarohen edhe personalitete, diplomatë dhe analistë ndërkombëtar, si ishte fjala me analistë e njohur anglez , Timoti Garton, i cili po ashtu në numrin e javores “Zëri” të  datës 23 janar 1999 shkruante se : “Është e vërtetë se  pjesëtarët e UÇK-së janë heronj për shumicën e shqiptarëve të Kosovës. Të arriturat e tyre tashmë janë legjendë, gati për të hyrë në librat e historisë, pa dyshim, në të njëjtën  masa të mitizuar për luftëtaret kryengritës kaçakë kundër serbëve para tetëdhjetë vjetësh  dhe se forca politike e UÇK-së është në rritje e sipër”. Ishte, ai një vlerësim realist i, një ndër mbështetësve të  e parë dhe të fuqishëm  ndërkombëtar për UÇK-në. Do të ishte me shumë interes që sot, pra, 15 vite  pas luftës çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të vendit tonë nga sundimi serb/sllav, pikërisht kur po atakohen  dhe denigrohen vlerat më të shenjta të luftës së popullit të Kosovës me në krye UÇK-në të thirremi në deklarimet e ndërkombëtarëve, siç është rasti me mikun tonë, Timoti Garton.

        Me zhvillimet në Kosovë dhe roli i UÇK-së merret edhe analisti amerikan ,Pol Uiliams, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, i cili në “Zëri” -n e datës 30 janar 1999 ishte aq largpamës sa që tërhiqte vërejtjen me vlerësimin sipas të cilit :  “ Është me rëndësi që sulmet ajrore të NATO-së ta gjejë UÇK-në me duar të pastra, pa vrasje të popullatës civile serbe, pa kërcënim të kufijve të jashtëm dhe në këtë mënyrë udhëheqja e UÇK-së do ta ketë dorën e fortë si moralisht, ashtu edhe strukturalisht për të hyrë në negociata”. Gjithsesi, një sugjerim dashamirës dhe shumë i vlefshëm nga një mik i madh ndërkombëtar.

      Artikullshkruesi në “Zëri” -n e datës 6 mars 1999, duke analizuara gatishmërinë e UÇK-së  që, krahas bisedimeve për  Marrëveshje e Rambujesë, të pranojë që të bëjë qeverinë bashkë me “Pacifistët”, konstaton se  “ Në udhëheqësi e UÇK-së është vlerësues se aktualisht në procesin e vendosjes për vazhdimin e luftës ose pranimin e paqes së ofruar duke përfshirë gjithë spektrin politik të Kosovës dhe se me rastin e formimit të Qeverisë, me rëndësi është që ai njeri të përfaqësojë UÇK-në, ata që me luftën e tyre kanë bërë atë që e kanë ëndërruar brezat e tëre shqiptare”.

    Në të njëjtin numër të “ Zëri” -it , të datës, 16 mars 1999, duke u përgjigjur në pyetjen rreth transformimit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, nga pozicioni i anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm dhe zëdhënës i UÇK-së shprehimisht thoshte  se  “Unë mendoj se me transformim, në asnjë mënyrë nuk nënkupton shpërbërjen e UÇK-së , por shndërrimin e UÇK-së në forca të rregullta për mbrojtjen e Kosovës”. Analizuar nga distanca historike, deklarimi i Krasniqit duket se ishte vizionar dhe realist, nga se, sot, 15 vjet pas çlirimit të Kosovës UÇK-ja e transformuar në TMK dhe më pas në FSK, kurse,  këtyre ditëve Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për  shndërrimin e FSK në Forcën e Armatosur të Kosovës. Ndërsa, ekspert amerikan i së drejtës ndërkombëtare, Pol Wiliams, në të njëjtin numër deklaronte se  “Çmilitarizimi i UÇK-së nuk nënkupton çarmatosjen e saj”.

    Në përfundim të periudhës kalimtare, nuk do të bllokohet mundësit që UÇK-ja të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e integriteti territorial të Kosovës, dhe se UÇK-ja sipas, Pol Wiliams “…mund të shfrytëzojë periudhën kalimtare për tu bëre një forcë sigurie në ardhmërinë e Kosovës”.

     Si pasojë e eskalimit të situatë luftë, dhe veçmas pas fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi caqet ushtarake, paraushtarake, policore  serbe, Javorja Politike Shqiptare “Zëri”, me seli në Prishtinë, nga marsi i vitit 1999 e ndërpreu botimin e saj, për ta vazhduar, botimin në Shkup, deri në përfundimin e luftës së Kosovës.

________________________________________

[1],,Zëri” . 6/12/1997.  Prishtinë.

[2]  Po aty.

[3] ,,Bujku” 17/02/1996.

[4] Po aty.

[5] ,,Zëri” 1997/1998/1999

[6] Po aty 27/12/1997

[7] ,,Zëri”. 31/01/1997

[8]  Po aty

[9] ,,Zëri” 14/03/1998

[10] ,,Zëri”.9/05/1998

[11] ,,Zëri”.20/06/1998

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …