Prof. dr. Mehdi Polisi: Doli në dritë libri “Safahatet” (Fletët), i autorit, Mehmet Akif Ersoj

Fillimisht më duhet të them se merita kryesore që kjo vepër me vlera kulturore-historike të bëhet pronë edhe e literaturës shqiptare, e bibliotekave publike e personale të shqiptarëve i takon përkthyesit të saj z. Mithat Hoxha, i cili me përkushtim dhe me dorën e një mjeshtri të shkëlqyer të përkthimit, me një gjuhë të rrjedhshme shqipe, duke ruajtur origjinalin e saj në masë të konsiderueshme, ndonëse jo pa vështirësi ia doli të realizojë me sukses një punë kaq të rëndësishme dhe kjo vepër të shohë dritën e saj edhe në gjuhën shqipe pas gati një shekulli. >>>


Për këtë punë të madhe e përgëzojmë z. Mithat Hoxha.


Për botimin e kësaj vepre në gjuhën shqipe, të përgatitur sipas standardeve të larta, ashtu siç e meriton libri i përket edhe Sh. B. “Logos-A” nga Shkupi. Shtëpia “Logos-A”, me në krye z. mr. Adnan Ismaili, një dashamirës i librit, ka botuar deri tashti me qindra e me mijëra tituj nga fushat e ndryshme të dijes, madje seri veprash të autorëve të mirënjohur, si: Sami Frashëri (20 vëllime, 2004), Hafiz Ali Ulqinaku (2005), Hafëz Ali Korça (12 vëllime, 2007) etj. Lidhur me këtë s’më mbetet tjetër veçse ta përgëzoj, me shpresë se do ta vazhdojë veprimtarinë e saj botuese me këtë ritëm edhe më tutje.


Në paraqitjen e veprës “Safahatet” (Fletët), sado që lexuesit do t’i interesojë të dijë shumë gjëra, në këtë rast do t’u përgjigjemi dy pyetjeve kryesore:


1.            Kush është Mehmed Akif Ersoji? dhe


2.            Ç’janë “Safahatet”?


Meqenëse tani libri është në duart e lexuesit shqiptar, ku përfaqësohen e përfshihen të dhëna të konsiderueshme, si për njërën si për tjetrën pikë, do të përpiqem të jem sa më i konciz.


Në të vërtetë emri i Mehmet Akif Ersojit nuk është fare i panjohur në literaturën shqipe, sepse për të dhe për veprën e tij janë botuar shkrime herë pas here. Por tani me botimin e veprës, njohuritë bëhen më të plota dhe më të gjithanshme, si për personalitetin dhe figurën e Mehmet Akifit, ashtu dhe për veprën e tij “Safahatet”.


Mehmed Akifi lindi më 1873 në Stamboll dhe vdiq po në Stamboll më 1936, në moshën 63 vjeçare. Rrjedh nga një familje e arsimuar. I ati i tij, Tahiri, nga fshati Shushicë i Pejës, kishte shkuar në Stamboll në moshë të re për t’u shkolluar. Falë aftësive dhe përgatitjes së tij intelektuale arriti të bëhej myderriz në medresenë e njohur Fatih të Stambollit. Dhe kjo flet shumë për aftësitë e tij intelektuale.


Rrugën e të atit e ndoqi dhe i biri, Mehmed Akifi. Nga shënimet e studiuesit turk, z. Ertugrull Dyzdag për jetën dhe veprën e Mehmed Akifit, shihet talenti i tij i rrallë i nxënies së diturive që në moshë të re, sidomos në përvetësimin e gjuhëve dhe dëshira për të lexuar e shkruar poezi. Ai përveç gjuhës turke zotëronte shkëlqyeshëm edhe arabishten (atë e mësoi nga i ati), persishten, frëngjishten, gjermanishten etj. Zotërimi i këtyre gjuhëve i mundësoi Mehmed Akifit të lexonte vepra burimore nga ato gjuhë dhe së këndejmi të njihej me kulturat e atyre popujve nga burime të dorës së parë, sidomos me veprat poetike të klasikëve persianë, arabë, turq etj.


Mehmed Akifi mbaroi shkollën e mesme të veterinarisë. Edhe studimet i vazhdoi dhe i mbaroi në këtë fushë. Studimet i mbaroi në vitin 1893, në moshën 20 vjeç. Edhe në shkollën fillore, edhe në shkollë të mesme, edhe në studimet e larta, sipas vlerësimeve të mësimdhënësve ai dallohej nga të tjerët, gjithmonë dilte i pari, prandaj shpresohej për një të ardhme të ndritshme të tij. Kishte kulturë të përgjithshme, madje edhe kulturë nga disiplinat e ndryshme të sportit. Megjithatë poezia për të ishte e veçantë. Që nga viti 1893, si 20 vjeçar, kur botoi poezinë e parë e deri në vdekje më 1936, Mehmed Akifi do të jetë i pranishëm vazhdimisht në botën e letrave, jo vetëm me poezi, por edhe me shkrime të tjera. Në shumë shkrime e artikuj të tij, Mehmed Akifi i kushtohet temave letrare, mënyrës se si do të planifikohen e të shkruhen shkrimet poetike dhe prozaike. Ai në një artikull të botuar shfaq mendimin, se “…frymëzimi në poezi ndodh shumë rrallë. Poezia bëhet me punë e mund… Një dyvargësh del në shesh duke derdhur djersë njëqind herë. Unë, thotë ai, i sjell peizazhet në dhomën time, atje e vras mendjen, derdh djersë dhe e shkruaj poezinë time brenda katër mureve! Para se të shkruaj një vepër – vazhdon ai në atë artikull – përgatis të gjitha premisat: si do të hyj në vepër, në ç’përfundim do të arrij… Të gjitha këto i ngre në imagjinatë, pastaj filloj të shkruaj dhe arrij në përfundimin që dëshiroj, përfundon ai. Lidhur me këtë në një rast ka thënë edhe këto fjalë: “Ka ndodhur që për të shkruar vetëm një fjalë të mendohem një javë.”


Mbi artin e Mehmed Akifit, mbi poetikën e tij dhe mbi veprën e tij përgjithësisht kanë shkruar në të gjitha drejtimet personalitete të shquara të letërsisë, si Omer Sejfetini, Xhenap Shehabetini, Sulejman Nazifi, Ismail Habib Sevuku etj. dhe të gjithë këta e vlerësojnë me notën më të lartë veprën e tij.


Mehmed Akifi ka pasur edhe vlera të larta njerëzore. Sipas atyre që e kanë njohur nga afër atë, ai ka qenë trim, i guximshëm, besnik, i vendosur, serioz, modest, i qëndrueshëm, i drejt, armik ndaj fanatizmit, injorancës, luftëtar, atdhedashës, ka dashur gjithmonë të lexojë, të mësojë vetë dhe të mësojë të tjerët. Ai ka qenë dhe musliman i mirë, reformator.


Veprat e Mehmed Akif Ersojit mund të klasifikohen kryesisht në dy grupe:  në vepra të shkruara në vargje, ose shkurt poetike dhe në vepra të shkruara në prozë, ose shkurt prozaike. Në grupin e parë bëjnë pjesë Safahatet dhe poezitë e mbetura jashtë tyre, kurse në grupin e dytë bëjnë pjesë komentet e Kuranit, predikimet fetare-islame, artikujt e ndryshëm, sidomos nga letërsia, përkthimet etj.


Vepra që po paraqesim mban titullin, siç u tha edhe më lart “Safahate” (Fletët). Ajo shtrihet në 642 faqe. Ka përmbajtjen (f. 7-11); fjalën e botuesit (13-15); fjalën e shqipëruesit (17-19), parathënien e gjatë të studiuesit turk (të përkthyer në shqip) (21-97); Safahatet (101-557); shtojcën prej 26 poezive jashtë Safahateve (565-638); hartë për lexuesin shqiptar dhe në faqet e fundit të veprës janë disa fotografi nga vendlindja e të atit të Akifit, fshatit Shushicë të Pejës.


Në kuadër të pjesës qendrore të veprës janë përfshirë shtatë libra me gjithsej 11,240 vargje. Këta libra fillimisht janë botuar në botime të veçanta dhe në kohë të ndryshme. Gjashtë librat e parë janë botuar në Stamboll, kurse i shtati në Kajro. Janë tubuar në një përmbledhje të veçantë në gjallëri të autorit të tyre. Janë shkruar në gjuhën turke me alfabet arab. Dhe kjo është një nga arsyet pse Safahatet nuk janë të njohura sa duhet. Tani lexuesi shqiptar këtë vepër e ka në gjuhën shqipe.


Përmes vargjeve të përmbledhjes së Safahateve, autori i saj Mehmed Akifi, trajton tema të ndryshme njerëzore e shoqërore: trajton varfërinë, sëmundjen, dobësinë, por dhe mënyrën e ndihmës, bamirësisë dhe shpresës për të dalë nga ato; trajton urrejtjen ndaj injorancës, ndaj despotizmit dhe shfrenimeve e veseve të ndryshme, duke ftuar masën për punë dhe vendosmëri; trajton punën e kuaziintelektualëve, anarkinë, që është rezultat i moskuptimit të lirisë së fjalës dhe mendimit. Pastaj trajton fatkeqësitë që kanë sjellë Luftërat Ballkanike, pjesëmarrës i të cilave ishte edhe vetë ai. Së këndejmi, tërheq vëmendjen e masës dhe kërkon prej saj të mendojë për to e të gjejë zgjidhje të meritueshme.


Në librin e katërt të Safahateve një pjesë ia kushton Shqipërisë dhe në veçanti Kosovës, duke përshkruar e jetuar me hallet dhe vuajtjet e popullit, sado që i lindur e i rritur jashtë kufijve të saj. Të gjitha këto, nuk mund të kuptohen fragmentarisht, por sigurisht pasi të jetë lexuar e tërë vepra me kujdes. Jam i bindur se temat e trajtuara në këtë vepër janë aktuale edhe sot për shumë aspekte, sidomos kur dihet se janë shkruar nga dora e një mjeshtri të vërtetë.


Nuk mund ta përfundojmë këtë shkrim pa përmendur edhe faktin se teksti i dalë nga mendja e ndritur e Mehmed Akifit për Marshin e Pavarësisë (Himnin turk), ku pati një konkurrencë të fortë në konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës së Turqisë, dhe morën pjesë mbi shtatëqind konkurrues, teksti i tij u zgjodh më i miri. Kjo vetvetiu flet për afinitetin dhe aftësitë poetike e intelektuale të Mehmed Akifit.


Edhe diçka: poezinë për Marshin e Pavarësisë Mehmed Akifi nuk e futi në veprën e vet, pasi thoshte se i përkiste jo atij, por popullit dhe për këtë nuk deshi të merrte kompensim material. Pas këmbënguljeve të shumta nga ana e shtetit, paratë që i mori ia dhuroi një institucioni mirëbërës i ngritur “për t’u mësuar dhe dhënë punë grave dhe fëmijëve të varfër me qëllim për t’i dhënë fund mjerimit të tyre”.  Vërtet njeri modest!


Tani është në dorën e lexuesit shqiptar të mësojë e të dijë më shumë për figurën dhe veprën e dijetarit tonë të nderuar, Mehmed Akif Ersojit.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …