Brickos

Prof. dr. Muhamet Pirraku: GJAKU I DËSHMORËVE ËSHTË FARA E LIRISË!

 

(Fjala e mbajtur në 10 vjetorin e rënies së atdhetarit, Rrustem I.Zeqiri – Viti, 30 mars 2009)

Përvoja historike e kombeve të lira ka vërtetuar se Dëshmorët nuk kanë nevojë për brezat pas tyre, por këta, brezat e rinj, kanë nevojë ekzistenciale për kujtimin dhe nderimin e Dëshmorëve, për faktin se Dëshmorët janë krenaria kombëtare e brezave pasardhës. Këtë përvojë njerëzimi e ka të njohur, së paku, nga latiniteti antikë, dëshmuar me sentencën: “Gjaku i Dëshmorëve është farë e lirisë!” Së këndejmi, Dëshmori është krenari, por jo edhe pronë familjare, partiake apo krahinore. Dëshmori është gjithmonë i ri, me jetë të pasosme në shërbim të lirisë së Atdheut dhe të kombit. Si sot dhjetë vjet më parë, në këtë Lagje të të Pavdekshmëve zuri vend Rrustem Ilaz Zeqiri (i lindur në Ballancë, më 1920), i cili, me ndërgjegje shqiptare Osokukiane, shtëpi e plëng i ktheu në Kullë Vranine. Populli thotë: “Dardha pikë nër dardhë…!” Rrustem Ballanca ishte pasardhës i Burrave që me pushkë në faqe pritën pushtuesin serb në periudhën e Lëvizjes Kombëtare të quajtur “Kaçake” dhe të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”. Heroizmi Uçëkëist dhe rënia burrërore e Rrustemit, janë në themele të Lirisë së Kosovës, sepse Rrusta i foli okupatorit serb barbar me gjuhën e pushkës, e vetme gjuhë që e kanë kuptuar dhe që e kuptojnë shtypësit dhe pushtuesit, në çdo vend të botës dhe në të gjitha kohët historike. Këtë gjuhë gjithmonë e ka kuptuar Serbia, ndaj mu për këtë kurrë nuk ka mundur ta shoh shqiptarin e armatosur, as mund ta sheh Ushtrinë e Kosovës, qoftë kjo edhe “ahtisariane multietnike” !?!
Të kthehemi pak në histori. Kosova e viteve të ‘90-ta, e kohës së UÇk-së, hyri në rrugën e lirisë së sheshuar me sakrifica dhe me luftën e bijve më të mirë të saj, dhe tashti po shkelë trasesë për t’u ngritur me ringjalljen feniksiane mbi gjakun e dëshmorëve, yje këto të pashuar në qiellin e përflakur të Tokave shqiptare në të cilat, në rrjedhat shekullore, kulloi gjak të shqiptarisë! Gjaku i dëshmorëve të Luftës çlirimtare të “UÇK” – është gjak i ri i derdhur mbi gjakun stërgjyshor në kohë të duhur dhe në vend të duhur. Është kjo Lufta jona e domosdoshme dhe e vetme e njohur ndërkombëtarisht në kohë të saj, ndaj është kapuçi i të gjitha përpjekjeve tona të derisotme. Vërtet, Liria është tepër e shtrenjtë, sepse paguhet me jetë, me jetën e më të dashurve, sakrificë që nuk ka çmim, pos çmimit të Lirisë!
Gjaku i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i bijve dhe i bijave të kësaj toke, përjetësisht me shkëlqim diellor – na e shkriu akullin në buzë, na e ktheu dinjitetin, edhe varret tona stërgjyshore, oborret e shollave, sheshet e fshatrave e të qyteteve na i ktheu në mauzole, e një të tretës pjesë të Kosovës historike ia ktheu shqiptarësinë gati të humbur përjetësisht, pikërisht edhe me fajin e partive politike, imituese të kushtetutshmërisë, të shtetësisë, të demokracisë, të lirisë, në rrethana të robërisë nën një pushtues shqiptaro-ngrënës. Po e rivë në spikamë edhe këtë fakt: Filozofia e historisë së Luftës së UÇK-së nuk njeh kategorinë e viktimizimit “viktimë”, të civilëve të therë me thikë, të shkalluar me sëpatë, të torturuar mizorisht e të hedhur në puse për të gjallë, të dhunuarat e të kallurat me zjarr, të copëtuarit me gjyle topi në vatra të lindjes e me raketa në kolonat e të të përndjekurve nga shtëpitë, nga fushat dhe nga malet e tyre. Filozofia e Luftës Çlirimtare njeh tri kategori të sakrificës për Lirinë e Atdheut: Hero, dëshmor dhe martir, por dallimi midis këtyre kategorive të martirizimit për liri në Epokën e Luftës Çlirimtare të UÇK-së është simbolik dhe administrativ, sepse të gjithë qëndrojnë në themele të Lirisë, të gjithë jetojnë me përjetësi në Altarin e Lirisë së Atdheut.
Filozofia e historisë së Luftës Çlirimtare të UÇK-së për viktimë të okupatorit ka konsideruar vetëm sabotuesit dhe denigruesit e Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Viktimë konsideronte forcat politike që nuk kanë fytyrë të përmendin Luftën Çlirimtare të popullit shqiptar të udhëhequr nga UÇK, ata që nuk kanë fytyrë të dalin para Varrit të Adem Jasharit, ata që falënderonin Zotin dhe NATO-n, në gjendje të dehur, për çlirimin e Kosovës, ata të cilët qarqet e caktuara antishqiptare shekullore në përbërje të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s i ktheu në Kosovë si pushtetarë për të shkërmoqur rëndësinë e gjakut shqiptar uçëkëistë, të derdhur për Lirinë e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Për këtë çka u tha, mjafton të shfletohen librat: “Çështja Shqiptare. Riformësimi i Ballkanit” të James Pettifer – Miranda Vickers dhe “Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Rrëfim prej brenda për një kryengritje” të Henry. H. Perritt Jr.
Liria që sot e gëzon Kosova dhe shqiptarët ku do në trojet e Shqipërisë Etnike, të copëtuar me dhunë ndërkombëtare, si dje edhe sot, është Liri në përpjesëtim me përdorimin e dijes sonë për interesa të kombit, në përpjesëtim me gatishmërinë e popullit shqiptar për sakrificë shtesë, në përpjesëtim me forcën tonë reale. Faji për defaktorizimin tonë gjithëkombëtar gjendet në mjediset tona, në partitë tona luftënxitëse për pushtet te pa identitet. Shikuar të ashtuquajturin “Lidership shqiptar” të sotëm kam frikë se po na përgatitet fati i arabëve të periudhës së kolonializmit imperialist anglez kur, thënë lirshëm me fjalët e letrarit sudanez, Tajib Salih: “Njerëz të paidentitet mbajtën poste në Kohën e Anglezve”, me pasoja historike të pariparueshme.
Së fundi, cila do të jetë ardhmënia jonë, varet qartë prej nesh, prej mençurisë sonë, prej punës sonë, prej vendosmërisë sonë. Shkallën e lirisë së sotme, me të cilën masat shqiptare nuk janë të kënaqura, duhet ta rrisim dhe mund ta rrisim, që sot, mbi fatkeqësitë tona gjenocidiale serbe që i jetuam, me përpjekjet tona me plot sakrifica të reja! Pjesa demokratike e faktorit të vendosjes, evropiane e botërore, me ShBA-të prijatar, nuk mund të shkelë shlirshëm, sot, vetëm mbi gjakun shqiptar, mbi gjakun e Rrustemave tanë, sepse ka përgjegjësi për këtë gjak. Në peshën e krimit serb shekullor ndaj kombit shqiptar është edhe pjesa e fajit të Evropës, të Botës Demokratike. Kjo e rriti Serbinë nga hardhuca në krokodil që katandisi botën shqiptare.
Ndaj, më në fund, duhet të zgjohemi!
Duhet, njëherë e mirë, të kuptojmë se shqiptaria dhe shqiptarësia e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare etnike historike nuk kanë perspektivë nëse populli nuk e thotë fjalën e tij vendimtare: Stop ndarjeve të Dëshmorëve sipas interesave grupore e tarafeve politike mafioze krahinore! Stop nëpërkëmbjes së sakrificave titanike të idealistëve të kësaj toke arbërore përmes zgjedhjeve partiake si të deritashme!?! Liri për të drejtën e kombit shqiptar në vetëvendosje për shtetin shqiptar demokratik – Njësi unike në Bashkimin e Evropës Demokratike!

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …