PROF. DR. MUHAMET PIRRAKU: “ME PROPOZIMIN E AHTISARIT KOSOVA NË THIKA”

Dokumenti “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, të cilin përfaqësuesi i OKB – z. Marti Ahtisari e “shpalosi” në Beograd dhe në Prishtinë, më 2 shkurt 2007, siç u pa nga paraqitjet e “Ekipit të Unitetit të Kosovës”, shpreh pjesën më të madhe të kërkesave të këtij “Ekipi” – Në emër të Kosovës dhe të kombit shqiptar!?! 
Duke lexuar “Propozimin…” u ri binda se konstatimi im në referatin për Tribunën shkencore: “Arrestimet e pjesëtarëve të TMK-së Ç’është kjo?!, më 27 shkurt 2004, ishte i menduar mirë: “Kam mbështetje dhe kredibilitet shkencor ta përmbyll këtë kumtesë me konstatimin: Për nënshkruesit e këtyre akteve (Marrëveshjen e Rambujes, Aktin e demobilizimit të UÇK-së dhe Kornizën Kushtetuese të Kosovës) duhen shtigje të gjata për të realizuar dëshirën dhe aspiratën e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Dhe, për ta shpejtuar procesin e realizimit të së drejtës për vetëvendosje për Pavarësinë e Kosovës, hap i parë drejt zgjidhjes së Çështjes shqiptare, akt moral, politik dhe patriotik i tyre është: Demisioni nga pretendimet, hëpërhë, të jenë Kreu i patjetërsueshëm në qeverisjen dhe në vendimmarrjen për fatin e Kosovës. Të gjithë aktorët nuk bartin faj të njëjtë, të barabartë para popullit dhe para historisë (…) Kosovës i duhet liria dhe pavarësia pa shtyrje deri në rraskapitje të popullit. Kërkesa për shtetin e Kosovës është minimumi i kërkesave të tolerueshme nga një pjesë e madhe e popullit, aktualisht. S’ka durim të pafund. Luftës së partive për pushtet pa shtet duhet dhënë fund. Kjo do të ishte fitore e pritur edhe për një pjesë të mirë të UNMIK-ut. Ndaj, sa më parë, aq më faqebardhë”!
Të ecim ngadalë. Ndonëse “Propozimi i Ahtisarit” mëton kushtetutshmëri, është, nis e sos, akt politik e diplomatik që shpreh arsyet e forcës dhe jo të përqasjes demokratike për zgjidhjen e një çështjeje historike, dhunë ndërkombëtare, siç është Çështja e Kosovës dhe Çështja shqiptare në përgjithësi. E keqja ka nisur herët, në Dejton dhe është çimentuar në Kumanovë e në Rambuje. Në angazhimet e mia detyrë nga koha, më se një herë kam theksuar se shpërbërja e përgjakshme të Jugosllavisë Avnojiste, u bë qartë me thikat e kombit serb në përgjithësi (Le të më falë Lagjja e zonjes, Natasha Kandiq, në gjirin e kombit serb, për krejt atë që do t’ia adresoj këtij kombi!). Ndaj ky komb është dashur të dënohet meritueshëm, më së paku në shembullin që u dënua kombi gjerman për krimet naziste hitleriane. Pas gjenocidit të pa parë në Evropë, kurrë, në Bosnje dhe në Kosovë, Serbia është dashur të sillet në kufijtë etnikë së fundi me Marrëveshjen Ushtarake Teknike të Kumanovës midis komandës së NATO-s dhe Komandës së fantomës “JU”, të pa ekzistuar së paku nga viti 1992, prej kur nuk kishte as shtet të Jugosllavisë?!?
Nga “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës” as mund të përfytyrohet fakti historik se Kosova është një pellg i gjakut shqiptar i derdhur nga kombi serb me kishën ortodokse instrument mobilizues terrorist. Ndërmjetësuesi për “Statusin e Kosovës” është dashur ta dinte faktin se nuk ka vëllazëri shqiptare që së paku një herë nuk është përgjakur tmerrësisht nga dora serbe. Me fjalët e Kenedit të Madh, mund të pajtoheshim: “Armiqtë duhet t’i falim, por kurrë të mos ua harrojmë emrat…!”, kurse Ekipi i Ahtisarit shtron platformën politiko-moralizuese për shlyerjen e kujtesës së tmerrshme të kombit shqiptar pa e dënuar kriminelin dhe pa e paguar krimin. Faktori i Vendosjes evropiane – ndërkombëtare Serbisë dhe kombit serb duhej t’u thoshin: Kosova është vend i pushtuar me luftë e me tradhti, më 1912, 1918, 1945 dhe më 1989, koloni serbo-jugosllave me donacion politik, diplomatik e ushtarak evropiano-rus e çliruar me luftën e UÇK-së -NATO-s më 1999. Apetitet serbomëdha shekullore për territore të huaja është dashur, së paku tashti, të topiten përfundimisht dhe jo të ushqehen, siç ndodhi me Dejtonin e Rambujen, të kulmuar me perfiditet diplomatik e politik në “Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”.
Dhe, tashti, tri pyetje të qarta duhej bërë Faktorit “demokratik” të vendosjes sot: Cilit komb (shtet) i ka borxh (tokë e pjesë të kombit) kombi shqiptar?; Në sa shtete ka pjesë të Atdheut dhe të kombit shqiptar? Dhe, Kombi shqiptar ( i ndarë e i copëtuar me dhunë ballkanike e ndërkombëtare imperialiste e kolonialiste) a duhet të gëzojë të drejtën natyrore e politike për ribashkim – i bashkuar në Evropën e Bashkuar, ëndërr gjithëshqiptare? Statusi “vetëqeverisës“ i Kosovës, që disejnohet sot, edhe po të kthehej që sot në shtet të pavarur me pranim ndërkombëtar, kështu siç është projektuar në “Propozimi Gjithëpërfshirës…”, do të jetë “ishull” pa zot shtëpie, “shtet” mbi thika, – pa identitet kombëtar, pa rehati, pa drejtësi, pa siguri, plotë anarki, pa liri. Këto evenimente mund e duhet të sigurohen me ligje e me zbatim të ligjshmërisë dhe jo me sanksione të dhunshme. “Është një dëshirë e çuditshme të kërkohet fuqia e të humbasë Liria…” do të na qortonte i famshmi Bacon.
Shumë lekë, shumë mund, shumë fukarallëk, shumë korrupsion dhe shumë pasiguri kanë prodhuar Të fuqishmit për shtatë vjetët e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë, për faktin se mungoi qasja e duhur, hapi i duhur dhe vendimi i duhur: Emërtimi i fajtorit dhe i shkallës së dëmit të tij në Dosjen “Kosova”. Pa këtë specifikim nuk mund të pritet jetë as ardhmëni për “shoqërinë multietnike” të ideuar nga ata që në shtetet e tyre ende mbajnë të kurthuar etni dhe pjesë të kombeve të copëtuara. Qartë, është e padrejtë historike lënia e Kosovës në një vartësi tjetër ndërkombëtare protektoruese evropiano-botërore, (PCN, GDN, PUN etj) me identitet “vetëqeverisës” – rast sui generis eksperimental për një kohë që nuk mund t’i shihet fundi me qasje demokratike – me shprehjen e vullnetit të popullit me Referendumin për Vetëvendosjes. 

Meqë përqasja ndaj Çështjes së Kosovës është gabim ndërkombëtar që në zanafillë, “Propozimi Gjithëpërfshirës…” nuk ka mundur të dizajnohet ndryshe dhe as pres ndonjë korrigjim esencial. Përkundrazi, topi tashti është në anën e Beogradit dhe “Porta e Kosovës” as ka pasur as do të ketë portier për të qenë. Megjithatë, mendoj se “Grupi i Unitetit”, së fundi tashti, nuk duhet të mbetet edhe më tutje “transparent’” ndaj popullit të vetë, siç ishte deri tashti – Zëdhënës shumë besnik i Ekipt të Ahtisarit që polli “Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”- sanksionim i gjendjes së sotme, faktike, në Autonomi Substanciale nën Protektoratin Ndërkombëtar, hap fillestar për shtetin e Kosovës që një ditë, në një mot të pritshëm, do të gdhijë “e pavarur” mbi gjithfarë thikash, kurrë sovrane as e tërësishme.
Çështja e Kosovës nuk është problem ekonomik – social, as kishtar serb, siç reflekton “Propozimin Gjithëpërfshirës…”, por është problem historik kolonial. Athua, Ekipi i Ahtisarit nuk i ka kuptua kurthet e merimangës serbe të pangopur me gjakun shqiptar?! Për këto kurthe Zotëri Ahtisari i ndershëm, nëse nuk i ka ditur, është dashur të mësonte nga dosjet e ekspertëve të historisë së “Grupit të Unitetit”. A i ka pasur këta ekspertë “Grupit të Unitetit”?!? Pse nuk i ka pasur?! Me historianë guxharë politikë nuk mund të mposhten “të vërteta historike serbe” të mbrojtura nga Batakoviq Milosheviqi. 
Tashti të ndalem në pak çështje të diktuara për “Kushtetutën e Kosovës”. I përdora dhe do t’i përdori thonjëzat sepse ajo nuk mund të jetë kushtetutë duke përligjësuar qëndrimet dhe vendime politike eksperiment ndërkombëtar jo demokratike. Çdo gjë që del nga dokumentet ndërkombëtare në fuqi, OK edhe për Kosovën! Çdo nen i dokumenteve ndërkombëtare që janë në fuqi për të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare OK edhe në Kosovë! Pyes të nderuarin Ahtisari: Në cilat kritere keni mbështetur pikën 6 të Nenit 1 (Dispozitat e përgjithshme): “Gjuha zyrtare në Kosovë do të jenë gjuha shqipe dhe serbe”?!? Cili është kriteri demokratik dhe juridik i Juaji për këtë diktat?! Në Kosovën aktuale mbi 95% e popullsisë (së paku tri komunitete Tuaja – shqiptarët, hashkalinjtë dhe egjiptasit) shqipe e kanë gjuhë amtare. Edhe goranët dhe bosnjakët e Kosovës i përkasin trungut etnik iliro-shqiptar. Rreth 98% e popullsisë së Kosovës janë të besimit islam. Ndaj, si mund të quhet “multietnik” një vend me një monolitet etnik, gjuhësor e fetar të tillë, historikisht dhe sot siç e ka Kosova?! Vërtet, nëse dikush nga Ekipi i Ahtisarit dëshiron qoftë edhe “Autonominë Substanciale të Kosovës nën Serbinë”, nëse mbretëron demokracia dhe jo shtypja, jo dhuna, ajo njësi administrative duhej ta kishte gjuhën shqipe për gjuhë zyrtare, e lë më “Shteti i Pavarur e Sovran” i “Ekipit të Unitetit” të Kosovës!?!

Në këtë dokument nuk janë saktësuar qartë as burimet e “Buxhetit të (pa)konsoliduar të Kosovës”. Shteti që nuk do t’i administrojë pa barrikada ligjore as doganat, as tatimet, as TVSH-në, a mund të quhet shtet dhe si mund të qëndrojë ai shtet?!? 
Nën pikën 7 të Nenit 1 (Dispozitat e përgjithshme): “Kosova do të ketë simbolet e veta të veçanta kombëtare…”!? Kjo është në kundërshtim fund e krye me tërë tekstin e “Propozimin Gjithëpërfshirës…”, në të cilin mungon koncepti filozofiko-historik “komb”. Realisht, në këtë dokument Çështja historike kombëtare shqiptare e Kosovës është vijëzuar fund e krye si Çështje historike e kishës serb qartë në pronësi të Serbisë. Dhe, nuk është njerëzore as në logjikën e demokracisë që një pakicë prej rreth 3.7%, sa ishin serbët në Kosovë më 23 mars 1989, (kur Kosova me grusht politik dhe ushtarak u fut nën pushtetin e Serbisë), sot ndërkombëtarisht të shpallët zotërues – pronar juridik i mbi 30% të sipërfaqes së Kosovës aktuale, ku Serbia do të fshijë lëmë thiu, në mënyrë legjitime me pranim ndërkombëtar mbi mbështetjen “kushtetutare” të Kosovës. Serbëve, faktikisht, do tu jepet edhe më shumë se kaq, sa po të hyjë në zbatim Pika 5 e Nenit 8 të Dispozitat e përgjithshme, mbështetur në pikën 6 të Nenit 1 të Aneksit I. Dispozitat Kushtetuese.
Këtu qartë parashihet rikolonizimi ndërkombëtar i Kosovës me elementë serbë kriminelë të Kroacisë e të Bosnjës, të cilët i sistemoi pushtuesi serb në Kosovë, si nëpunës, xehetarë, punëtorë, në vendin e shqiptarëve të ndjekur nga puna në vitet e aparteidit. Dhe, çfarë kthese historike dhe politike shënon data 1 janar 1998, kur dihet se Kosova, veçanërisht nga 23 marsi 1989 deri më 1o qershor 1999, ka përjetuar mbi një decenie të aparteidin, të dhunës, të gjenocidit ekonomik, arsimor, shëndetësor e kombëtar, të ndjekjes, para syve të botës, së rreth 480 mijë shqiptarëve të Kosovës. Këta dhe fëmijët e tyre do të mbesin apatridë, pa të drejtën njerëzore për t’u kthyer në trojet stërgjyshore të lara me gjak shqiptari nga dora serbe. Mund të quhet padrejtësi absurde fakti, dhunë politike ndërkombëtare ndaj 95%-shit të “komunitetit” shqiptar, i cili në “Parlament” do të përfaqësohet më me pak se 70% të ulëseve. Dhe, ku zbatohet, në botë, ajo që urdhërojnë Pikat: 2, 3,3.1, 3.2 të Nenit 3 (Aneksi I. Dispozitat Kushtetuese). A mund të jetë efektiv Kuvendi me ato ingerenca të “komuniteteve” pakicë?!? Shtrohet edhe pyetja: cila është përqindja e pakicave brenda komuniteteve për të realizuar të drejtat sipas pikave: e), f) dhe i) të Nenit 3 si dhe Pikës 4 të Nenit 4 (Aneksi II. Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre). Pse të mos merret në zbatim ndonjë ligj i Evropës, të cilën me plotë gojën e thërrasim “Demokratike”?! Jo precedencë, jo hava, sepse dalin telashe. Dhe, nëse konsiderohet i drejtë urdhri në Pikën 5 të nenit 4 i Aneksit II. Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre), ku 10%-shi i pakicës në komunë fiton postin e nënkryetarit, pse kjo përqindje nuk merret edhe në nivel të vendit, të Kosovës.

Sa i përket urdhrave në “Aneksin III. Decentralizimi” mjaftohem vetëm me një pyetje, që dua përgjigje për pasardhësit tanë në Kosovë: Ku ekziston një decentralizim i këtij surugati? Neni 4 – “Kompetencat e zgjeruara vetanake komunale” është legalizim i autonomive të enklavave me pushtet serb paralel unmikian sot, copëtim i tërësisë së sigurisë, të ekonomisë dhe të shoqërisë “multietnike” të Kosovës. Vërtet, nëse serbët ndahen kaq fuqimisht prej etnive të tjera, prej komuniteteve të tjera të Kosovës, dhe veçanërisht prej shumicës shqiptare absolute, pse të përdoret koncepti “multietnicitet” edhe në preambulën e “Kushtetutës së Kosovës”?!?
Ngritja e Universitetit serb në “Veri të Mitrovicës” do të thotë stop mundësisë për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, kurrë jetësimi i pajtimit serbo-shqiptar, do të thotë shoqëri dhe shtet mbi thika, kurrë siguri! Për këtë flet shembulli nga historia: Ngritja dhe aktiviteti i “Bogosllovisë” në Prizren, më 1871, me donacione të propagandës ruse të grumbulluara në Fondin “Sveti Sava”. Bota që kishte njerëzi, ajo e lagjes së Mis Durhamit, çuditej dhe pyeste: Çfarë logjike ka një shkollë e lartë fetare, me nxënës të sjellë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja etj. në një mjedis thjeshtë shqiptar?!? Së këndejmi Kosovës do t’i kushtojë shtrenjtë edhe arsimimi i serbëve të sjellë nga Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia, e të cilët kurrë nuk do të integrohen në shoqërinë “multietnike të Kosovës”. Nuk ka integrim duke jetuar dhe duke vepruar ndaras dhe në rivalitet politik dhe armiqësi potenciale.
Dhe një gjysmë pyetje: Nëse komuna do të mbledhë “detyrimet doganore” (Pika 8.2 Aneksi III. Decentralizimi), çka më tutje me Shërbimin Doganor të UNMIK-ut. Të shpërndahet?!? Ndërkaq “Shtojca e Aneksit III. Përcaktimi i kufijve të komuniteteve të reja” shënon kulmin e marrisë së shekullit të integrimeve, ndarjen etnike të Kosovës në një pamje që nuk e njeh historia e përkufizimeve administrative as shtetërore në mbarë botën, kurthe për ardhmëninë e Kosovës si shtet normal, demokratik e me perspektivë humane. 
Nëse serbët në Kosovë, më 23 mars 1989, ishin rreth 3.7%, sot janë më pak, duhet pyetur ndërgjegja demokratike e njerëzimit: Sa është demokratik, lirifarkëtues dhe shtetëformues fakti që në Gjykatën Supreme të Kosovës, ku duhet të matet drejtësia me peshoren më të sigurt, serbët do të përfaqësohen me 15%, e në asnjë rast më me pak se 3 gjyqtarë, kurse në gjyqet e qarkut me 15% e në asnjë rast me më pak se 2 gjyqtarë serbë (1.1, 1.2 Aneksi IV. Sistemi gjyqësor)?!? A ka kjo shembull në botën e lirë?!
Detyrimet nga “Aneksi V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, jo 30 por mbi 35% të Kosovës e kthejnë në “Shenjtëri të Serbisë”, të paprekshme për komunitetet e tjera, joserbe, të Kosovës, por veçanërisht të huaja, inorganike, për “komunitetin” shqiptar -specialitetin ahtisarian. Sipas logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare” shqiptarët e Kosovë dalin hajvanat, as të Krishtit, as të Muhamedit, as të Evropës, as të Azisë. Çdo popull që nuk ka të kaluar nuk mund t’i falet e ardhmja. Sipas logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, duhet të pyetën italianët (si trashëgimtarë legjitim të Perandorisë Romake), grekët (si trashëgimtarë legjitim të Perandorisë Bizantine) dhe turqit (si trashëgimtarë legjitim të Perandorisë Osmane) a kanë lënë diçka të kohës dhe të civilizimeve në Kosovën e robëruar me shekuj prej tyre? Po iliro-shqiptarët a dhanë diçka për juve dhe për vetën nën robërinë Tuaj? 

Zotërinj të Ekipit të Ahtisarit!

Shqiptarët e Kosovës ishin të krishterë, kur krishterimi ishte një dhe i pandarë, u bënë të krishterë ortodoksë bizantinë kur dominoi fuqia e Bizantit dhe u kthyen me dhunë shtetërore në të krishterë ortodoksë shënsavianë nën trysnin gjenocidiale shtetërore të carëve nemanidë. Në Kohën e re, për të mos u serbizuar nga kisha ortodokse serbe, shqiptarët ikën masovisht nga kisha ortodokse shënsaviane, kaluan në Islam, kryesisht në kohën kur Patrikana Ortodokse e Pejës, me presione të Rusisë dhe të Evropës mbi Perandorinë Osmane, siguroi ingerenca të plota që ndjekësve të kishës mesjetare shënsaviane t’ua detyrojë përkatësinë e kombësisë serbe, pra, të rivazhdojë procesin e serbizimit të shqiptarëve i ndalur me shpartallimin e Perandorisë së Car Dushanit dhe pikërisht në vitin 1371, kur nga mjedisi shqiptar i Kosovës u tërheq qendra administrative dhe arsimore e Kishës serbe dhe vendosja e saj në Zhiçë të Shumadisë, mjedis ky etnik serb. 
Serbët e kohës së carëve nemanidë (iliro-vllehë) në Kosovë ishin vetëm pushtues, si të gjithë të tjerët para dhe pas tyre. Realisht, pushteti i tyre shtetëror dhe kishtar u lëkund nga Kosova para se të vinin të Turqit Osmanë. Dhe, as pushtuesi i parë, romak, as i fundit, serb i fillim shekullit XX, Kosovën nuk e gjeti djerrinë. Ata në Kosovë gjetën fshatra e qytete të lulëzuara, kështjella dhe objekte të kultit. Tashti logjika e “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, serbët dhe Serbinë i bënë trashëgimtarë të të gjitha të mirave të civilizimeve para islame në Kosovë?!?
Vërtet, sipas logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, edhe të mirat kulturore të proveniencës islame e osmane janë të turqve. Le të vijnë për to, të mos vonohen, udhën e kanë të hapur nga Z. Ahtisari!?! Tani, ndërgjegjja botës demokratike do ta kuptojë edhe më mirë se toka e Kosovës e larë me gjakun e shqiptarëve gjatë shekujve nuk mund të jetë pronë e robëruesve që e derdhën atë gjak. Sipas logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, Edhe KFOR dhe UNMIK duhet t’i marrin me vete ato të mira që u ngritën në Kosovë në kohën e administrimit të tyre. Hiq kohën, ka shumë ngjashmëri midis administrimit romak, bizantin, nemanid serb dhe turq osmanë dhe këtij të UNMIk-ut.
Mjerisht, “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, si edhe mesazhi i tërë tekstit “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, shqiptarët i damkos si dhunues historikë të kishës e të qenies serbe në Kosovë, të papërmirësueshëm, para të të cilëve duhet ngritur barriera më shumë se për derrat para misërishtës. Në kishat dhe manastiret ortodokse shqiptarët dhe Kosova më nuk mund të kenë qasje, sepse ato do të jenë “…si pjesë integrale të Kishës ortodokse serbe me seli në Beograd” (Pika 1.2 e “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”), dhe Kosova do të ketë qasje në ato “…vetëm me pëlqimin e dhënë nga Kisha, në rastet e urdhrit gjyqësor të lëshuar në lidhje me aktivitetet ilegale…” (Pika 1.5 “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”)!? Pyes: Cili gjyq, cila forcë guxon të thyejë “diskrecionin” (fshehtësinë) në punët e kishës serbe?!? Së fundi, cilës etni do t’i përkasin policët e SHPK-së që do të kujdesën për sigurinë e kishave, manastireve dhe zonave eksterritoriale serbe si “zona të mbrojtura”, të cilat e mbulojnë Kosovën anë e këndë?!? Sigurisht, shqiptarë jo.
A ka shembull në botë që një vend, në shtet që premton liri, rend, demokraci, siguri qytetare të plotë, “standardeve evropiane” – plus, siç mëton “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, të parashihen kaq mure ndarëse, kaq pengesa, për zhvillimin e jetës qytetare normale sa sanksionojnë urdhrat nga Pikat: 4.1.4; 4.1.5; 4.1.6;4.1.7 të Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare. 
Më lartë thashë se shqiptarët e Kosovës në periudhën paraislame ishin të krishterë unit, të krishterë ortodoksë bizantinë dhe të krishterë ortodoksë shënsavianë. Kishat dhe manastiret e Kosovës janë ndërtuar dhe rindërtuar për nevoja të tyre. Së këndejmi edhe i kanë mbrojtur, deri me pushtimin serb të Kosovës, më 1912, si shenjtëri shqiptare. Ndaj, pse tu merren këto të mira nga trashëgimia e tyre fetare kulturore?! Dhe dihet qartë se “Monumenti memorial i Gazimestanit” është dhunë politike i Jugosllavisë avnojiste nga fillimi i viteve të ‘5) të shek. XX, i “kushtuar” për një fitore të imagjinuar të kryqit mbi gjysmëhënën. Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389 nuk ka ekzistuar. Kjo është gënjeshtër e oborrit mbretëror të Sulltan Muratit I dhe e oborrit të shqiptaro-vllehut të serbizuar, Lazar Hrebacit. Vrasja e Sulltan Muratit me disa përkrahës brenda në rezidencë dhe vrasja e Lazarit me disa krerë shqiptarë e vllehë brenda rezidencës, është komplot sipas marrëveshjes Bajazidi I – Vuk Brankoviqi. Nëse edhe Turqit e rrethojnë “Tyrben e Sulltan Muratit”, ku i biri vrasës ia “varrosi” plancin, atëherë në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë mund ta presim laurën (zastojen) e solidaritetit shekullor serbo-turk në rastet më kritike për qenien shqiptare. Kjo është edhe mesazhi i “Planit Ahtisari”.
Dhe, a ka dhunë më përfushe se të futën nën “Zona të Mbrojtura” prej Serbisë dy kalatë me themele shekuj paranemanide serbe, me vazhdim turk-osman: “Kështjella mesjetare e Zveçanit” dhe “Qyteti mesjetar i Novobërdës” (Artanës)??!? Dhe, cila është “Ura mesjetare e Vojnoviqëve” në Vushtrri. Shkenca serbe që në kohën e Toma Maretiqit e ka ndriçuar faktin se “Vojnoviqët” janë të imagjinuar nga kisha serbo-ruse në mbështetje të oborreve mbretërore. Dhe, nëse është fjala për “Urën e Gurit” që lidhë Vushtrrinë me Artakollinn, e nga e cila është larguar lumi “Silnicë”, atë e ka ngritur prishtinasi Jashar pashë Gjinolli në fillim të shekullit XIX. Dhe, shtrohet pyetja shumë logjike: Nëse Kosova nesër çlirohet nga tutorllëku i huaj çoftë edhe “i lehtë”, dhe nëse ajo bëhet evropiane, demokratike dhe pjesë e BE dhe e NATO-s, siç mëton “Plani Ahtisari”, pse gjithë këto thurje serbe të Serbisë në Kosovë. Dhe, Kosova me Serbinë zot të tyre, a do të ketë mundësi t’i riparojë, t’i kthejë në pika turistike të saja? Duke e njohur gjenin serbomadh dhe antishqiptar të pa fshehur, përfushe edhe sot, them: Kosova dhe shqiptari Kosovës sot e mot do të privohet nga ajo e drejtë legjitim natyrore e historike.
Këtu duhet edhe njëherë të përmbledh: Sipas logjikës mbretëruese në “Aneksin V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”: por edhe të tërë“Propozimit Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, Serbia, e përkëdhelura ruso-evropiane deri sot, nesër ose pasnesër, nga Kosova mund të kërkojë edhe një “hise” të përgjakshme: Së paku rreth 20 mijë gra (femra) shqiptare që i kanë dhunuar ushtarët dhe policët e Serbisë në vitet 1998-1999, se i kanë përdorë ushtarët pushtues të Serbisë, si dikur kishat, manastiret, kalatë e urat e Kosovës, dhe të kërkojnë së paku edhe mijëra djem që mund t’i kenë lënë dhunshëm në barkun e femrave shqiptare, hiq disa qindra të femrave të dhunuara dhe të mbytura me masakrim, të hedhura gjallë në puse të ujit dhe në zjarrin e shtëpive të tyre. Dashtë Zoti e UNMIK-u, sot në të quar, nesër të mos i ndjek mësimet serbe, se në shumë raste “në shërbim të paqes” nga përfundi i kemi ledhatuar djemtë unmikianë të bardhë, të verdhë e të zi!!? Kur vendosa të nënvizojë faktet e mësipërme, rikujtova porosinë e Prota Mateja Nenadoviq dhënë historianit Sima Milutinoviq: “Nëse e shkruan të vërtetën, do ta humbasësh kokën, sepse të likuidon kryezoti Milosh, por nëse shkruan rrenë, koka të mbetet por do ta humbasësh nderin!” .

Së fundi, çka mëtohet me Hoçën e Madhe të Rahavecit, sipas 4.2 të Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare?! Këtë nuk mund ta kuptojë. Kam droje se po dëshirohet një “Sveta Gora” serbe në Kosovë!? Vërtetë, këtu, në natën e 6/7 qershorit 1905, u likuidua një çetë disa anëtarësh e komitëve serbë të dërguar nga Serbia, midis të të cilëve ishte edhe një mësues i Hoçës. Edhe ata vranë shumë shqiptarë vendës, por plagë e pashërueshme është masakrimi të thuash i të gjithë meshkujve shqiptarë të rritur në periudhën e Luftës Çlirimtare të UÇK-së pikërisht nga fqinjët serbë. Këta serbë me dorën e tyre e kanë vrarë dhe e kanë kallë ardhmënisë në Hoçë. Plagë që kullon gjak.
Nëse do të zbatohen urdhrat nga nenet: 2.2 dhe 2.3 të Aneksi VIII. Sektori i Sigurisë në Kosovë – “Kufijtë e stacioneve policore rajonale do të jenë të njëjta me kufijtë komunal” dhe “përbërja etnike e policisë brenda komunës deri në masën e mundshme do të reflektoj përbërjen etnike të popullatës në komunë” del se mbi 35% e sipërfaqes së Kosovës do të mbikëqyret nga serbët!?! Kjo është ndarje e Kosovës ose ardhmëni mbi thika. Dhe, athua Presidenti i Kosovës, Kryeministri i Kosovës dhe anëtarët e tjerë të “Ekipit të Unitetit” nuk e kuptojnë detyrimin që del nga pika 3.2 e Aneksit VIII. Sektori i Sigurisë në Kosovë?! Ata po e shkelin Rezolutën e Kuvendit të Kosovës kundër allishverisheve antishqiptare të pushtuesve serb dhe bullgaro-maqedon të 23 shkurtit 2001. Dihet se Ekipi i z. Ahtisari, ende pa e hequr Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila njihte tërësinë e Kosovës sipas Marrëveshjes së Rambujes – Parisit, Kosovës ia hoqi rreth 2500 ha tokë, pa e pasur të qartë shqiptarët se çka do të pjellë për Kosovën “adresimi i çështjeve që dalin nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2001 në mes të Rep. Fed. të Jugosllavisë dhe ish- Rep. Jug. Të Maqedonisë” (Pika 3.3. e Aneksit VIII. Sektori i Sigurisë në Kosovë”!?! Këtu Ekipit të Ahtisarit mund t’i bëhet edhe një pyetje e domosdoshme: Nëse ai kufi me shtetin dhe kombin kominternist të Maqedonisë duhet të korrigjohet, pse heshti Maqedonia, nëse jo më herët, në periudhën e sundimit gjenocidial të Serbisë mbi Kosovën – 23 mars 1989 – 10 qershor 1999?!? Pse Serbia, aso kohe, nuk ia dha atë “atë tokë” Maqedonisë?, pse fqinji -Maqedonia, e plaçkiti Kosovën në kohë kur kjo jetonte nën administrimin ndërkombëtar të padefinuar?, pse UNMIK nuk e siguroi tërësinë e Kosovës në bazë të përgjegjësisë “kushtetutare”? Dhe, a i thuhet njerëzi luajtjes me kufi nëpër tokë shqiptare etnike – ndarjes së bujkut nga ara, ndarjes së vëllait nga i vëllai – me kufij shtetëror sot, në kohën e integrimeve të shteteve në bashkësi botërore?!? 
Po të shikohet mirë, me “Forcën e Sigurisë së Kosovës” synohet grushti vendimtar mbi të ardhmen e Kosovës mbështetur në krenarinë dhe në gjakun e UÇK-së, defaktorizimi dhe kurdisja e nënshtrimit të përjetshëm për shqiptarët të Kosovës, e më gjerë, heqja përfundimtare e shtyllës mbi të cilën qëndron liria e të gjitha kombeve. Së fundi, shtrohet pyetja: me cilën përqindje të “komuniteteve” do të sajohet FSK-ja? (Pika 1.1, c. E Aneksit XI. Prania ushtarake Ndërkombëtare). 
Unë nuk e di saktë se çfarë roli ka luajtur “Komisioni i tanishëm (i UNMIK-ut?) i Përbashkët për Implementimin me republikën e Serbisë” në çorbën e Ekipit të Ahtisarit por konstatimi në vijim: “Me kalimin e kohës, veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhen pjesë e një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri që do të përfshijë autoritetet nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështjet ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët” – (Pika 1.5 – Aneksi XI. Prania ushtarake Ndërkombëtare) dhe “PUN-ja në koordinim me PCN-në, do t’i përcaktojë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve të mbrojtjes të Serbisë” – (Pika 1.6 – Aneksi XI. Prania ushtarake Ndërkombëtare) sikur thotë: Nesër FSK-ja do të bëhet pjesë e Ushtrisë së Serbisë, që do të lozin rol në implementimin e “Autonomisë Substanciale të Kosovës” në Serbinë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO?!? 
Në fund disa porosi për “Ekipin e Unitetit”: Këto dhe venerimet e të tjerëve, të vilen me kujdes. Të saktësohet qartë fakti se Kosova është një det gjak shqiptari i derdhur nga Serbia, kombi serb dhe kisha serbe. Të thuhet qartë: Serbia e ka vrarë dhe e ka kallur trashëgimin e saj koloniale në Kosovë. Të mos barazohet viktima me kriminelin. Të bëhet një vistër i kërkesave për ndryshime e qartësime në dokumentin “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës” të Ekipit të Z. Ahtisari, mbështetje për Rezlolutën e KS të OKB, në funksion të ardhmënisë së shtetit të Kosovës, të mbrojtur me zbatimin e ligjit dhe jo me ndasi etnike e hendeqe armiqësie. Urtaku Konfuqi do të na këshillonte: ”Të gabosh dhe të mos korrigjohesh, do të thotë të gabosh përsëri!”
Meqë edhe një kohë e gjatë nuk do të krijohen rrethanat për funksionimin e pavarësisë së Kosovës, as do të ketë sovranitet pikërisht me fajin e Serbisë dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare, të kërkohet në mënyrë përfundimtare saktësimi dhe garantimi i vendimit të KS të OKB për zgjidhjen definitive të Çështjes së Kosovës me rrugën e vetme demokratike – Referendum gjithëpopullor, pas kohës që Ekipi i Z. Ahtisari parasheh fundin e PCN-së, MEPSM-së dhe PUN-it, me të drejtë për shtet të pavarur, ose për bashkim me Serbinë, me Maqedoninë, me Malin e Zi, apo me Shqipërinë. Kjo do të ishte zgjidhje përfundimtare dhe fatlume. As vitet për këtë atk demokratik nuk janë vonesë.
Ndaj, pa këtë garantim, mos nënshkruani “status” të Kosovës mbi thika! Mos nënshkruani fatin e Palestinës për shqiptarët në përgjithësi.
Prishtinë, 6 shkurt 2007

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …