Brickos

Prof. Dr. Zymer Neziri: Aspekte të kufirit Kosovë – Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore

Kumtesë në panelin e diskutimit: Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi: sfidat, komunikimi dhe transparenca 

Organizues: Qendra për Promovimin e Zhvillimit (QPZH), Fridrih Erbert Stiftung (FES), kolegji evropian Juridica

 

 Hyrje

 

    Kufiri shtetëror me Malin e Zi, si pjesë e indentitetit të shtetit të Kosovës, është çështje e sotme për shqyrtim shumë serioz. Dihet se ka lloje e lloje kufijsh, por tash po veçoj kufirin ndërshtetëtor të vendosur me dhunë, kufirin e vendosur me marrëveshje dhe kufirin e vendosur me ndërmjetësim. Për të dy variantet e fundit presim që nga Qeveria në Podgoricë të mbizotërojë arsyeja për vijën e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, e kontestueshme nga ana e ekspertëve tanë, sipas matjes së parë, për rreth 12 mijë ha tokë të rrethinës së Pejës, të krahinave  Rugovë dhe Podgur, por duke pasur parasysh edhe kufirin Kosovë -Mali i Zi të viteve 1912-1944-1999.

 

 

 

Rugova në Luftën e Dytë Botërore

 

    Lidhur me këtë kumtesë timen, Aspekte të kufirit Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore, që ka theks të veçantë në mbrojtjen e kufirit të Rugovës me Malin e Zi, paraprakisht bën të shtrohen tri pyetje: 1.Cili ishte kufiri Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore? 2. Si është mbrojtur ky kufi në Luftën e Dytë Botërore? 3. Kush e ka mbrojur këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore? Në pyetjen e parë, kemi këtë përgjigje: Kufiri Kosovë-Mali i Zi, në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, ishte në pikat Çakorr-Mokna-Glloxhi-Murgash-Smilevicë. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, komandant ushtarak i Rugovës, Pejë, më 14 3.1947). Dy, ky kufi është mbrojur ushtarakisht në Luftën e Dytë Botërore. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Tre, këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, e kanë mbrojtur gjashtë grupe të armatosura: Grupi i Zhukë Haxhisë, Stakaj, Grupi i Rizë Zymerit, Koshutan, Grupi i Salih Ramës, Bogë, Grupi i Isuf Mehmetit, Shtupeq i Vogël, Grupi i Haxhë Mustafës, Shtupeq i Math, Grupi i Sak Faslisë, Koshutan. Grupi i fundit, i dyti nga Koshutani, ishte i formuar pjesërisht edhe me luftëtarë nga katundi Pepaj, që i takonin bajrakut të parë, Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, me lejën e Zhukë Haxhisë, për shkak se grupi nuk kishte luftëtarë të mjaftueshëm.

 

     Gjashtë grupet kishin një komandë të përbashkët, mbi gjashtë muaj. Zhukë Haxhia ishte komandant ushtarak, kurse Rizë Zymeri ishte komandant politik. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 27.2.1947). Këtë detyrë e kishte marrë Rugova nga Komiteti i Pejës, në krye me atdhetarin e madh të Lëvizjes Kombëtare, Bedri Pejani. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 225).

 

      Këto gjashtë grupe mbronin sektorët e kufirit me Malin e Zi. Forca ushtarake e këtyre gjashtë grupeve të armatosura përbëhej nga 600 vullnetarë gjithsej. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Pjesët e tjera të kufirit, në dy krahë, i kanë mbrojtur njësitë nga Plava e Gucia dhe nga Rrafshi i Dukagjinit. Këto grupe të armatosura të Rugovës kanë pasur edhe disa beteja me forcat e armatosura të Malit të Zi. Madje, kanë luftuar edhe për mbrojtjen e Pazarit të sulmuar. Ndonëse pati edhe humbje në këto beteja, të plagosur e të vrarë, e ndër ta ra dëshmor edhe Sak Faslia, Rugova doli fitimtare.

 

       Pas përfundimit të Luftë së Dytë Botërore, Zhukë Haxhia u zgjodh kryetar i Rugovës, por shpejt gjendja politike ndryshoi. Pushteti synonte t’i burgoste prijësit. Në Shtupeq të Vogël, në lagjen Nilaj, u pushkatuan shtatë burra: pesë të vëllazërisë së madhe Lajçi dhe dy mysafirë: Idris Jaha-Nilaj, Ali Mustafa-Nilaj, Halil Shabi-Vaçaj, Metë Zymeri-Nilaj, Kacup Zeneli-Broçaj, si dhe Brahim Haxhia nga Shkreli dhe Ali Rexha-Nreshaj nga Bogët (Z. U. Neziri, ÇFSH, 9, Tiranë, 2006, f. 145). Zhuka me bashkëluftëtarët e vet doli në mal e jetoi në mal deri në shkurt 1947, kur pushteti e dënoi me vdekje, pasi ra në dorë, kurse Rizë Zymerin e pushkatoi bashkë me të birin, Hasan Rizën. Shumë të tjerë u dënuan me dënime të rënda, e disa kanë vdekur në burgjet jugosllave.

 

 Shembuj burrërie në Luftën e Dytë Botërore

 

     Në luftë me Malin e Zi, përveç betejave, që fillonin edhe me dyluftime, si ai dyluftimi i trefishtë i të famshmit Adem Isufi të Rexhajve të Shkrelit në Betejën e Nokshiqit, në dhjetor 1879, kishte edhe burrëri, krahas trimërisë. E burrëri ishte respektimi i ndërsjellë i kodit moral të luftës: se malli i kundërshtarit bën të plaçkitet, se shtëpia bën t’i  digjet, por jeta dhe nderi i familjes nuk bën t’i preket, andej, si këndej kufirit.

 

      Kështu ishte para e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por vetëm deri më 1912, kur Mali i Zi e theu këtë kod burrërie në Rugovë. Mali i Zi, bashkë me Serbinë, edhe më 1919, më 16 shkurt, e shkeli këtë kod burrërie kur masakroi 432 fëmijë, gra e pleq, e shumë prej tyre i dogji të gjallë në Hanin e Isufit në Shtupeq të Math. (Z. U. Neziri, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, IAP, Pr., 2006, f. 261-273). 

 

      Por, Rugova nuk e theu kodin e burrërisë, se rast të mirë për hakmarrje kishte kur në LDB kaluan duke ikur nëpër Rugovë rreth 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez, që i solli  pushteti jugosllav dhe i vendosi në tokat e në shtëpitë e shqiptarëve. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947).  Dhe, Rugova tha: nuk e çburrnojmë pushkën n’ta!  Pra, ajo nuk e theu kodin e burrërisë, sepse nuk i ndali dhe nuk u hakmor në ata 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez. Ajo fisnikërisht u hapi rrugë atyre, madje edhe njerëzisht u ofroi ndihmë nënave me fëmijë të vegjël, atyre me këmbë të mërdhira, po edhe një lehone, që lindi fëmijën e saj në katundin Drelaj. Në historinë e dy popujve është dëshmi në përmasa evropiane për shpirtin fisnik e bujar të shqiptarëve, për burrërinë e madhe të tyre.

 

     Ky ishte vendim i parisë së Rugovës, që mos të çburrënohet pushka, kur kapitulloi Jugosllavia e Parë, në prill 1941: Osman Rrustemi, Drelaj, kryetar i Komunës së Rugovës, dhe kryepleqtë: Isuf Mehmeti nga Shupeqi i Vogël, Haxhi Zeka nga Shtupeqi i Madh, Din Zeka nga Rieka e Allagës, Rrustem Veseli nga Pepajt (Pepiq), Rexhep Mustafa nga Malajt, Hysen Syla nga Bogët, Sokol Çela, nga Stakajt, Agan Seku nga Haxhajt, Fasli Zymeri nga Kuqishta, Tahir Abazi nga Drelajt, si dhe Zhukë Haxhia, Stakaj. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222. P.S. Mungojnë: Dugaiva, Shkreli, Koshutani? Disa emra i përmirësova, se janë shkruar me gabime, Z.U.N). Natyrisht, nuk harrohet edhe lejimi i kalimit të të shpërngulurve tanë në Mal të Zi, në vitet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1998-99, dhe lejimi i vendosjes së tyre atje, në familjet shqiptare, nga Rozhaja e deri në Ulqin.  

 

 

Rugova pas Luftës së Dytë Botërore

 

   Vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, pra, ishte vija e kufirit të Rugovës me Malin e Zi në LBD edhe pas saj. (Dëshmi: Fjala hyrëse e Komisionit të Besëlidhjes së Rugovës: Guri i Vajzit, Qafa e Diellit, Moknat, Livadi i Turkut, më 20.11.1970). Duhet pasur parasysh se kur Mali i Zi e sulmoi Vilajetin e Kosovës në tetor 1912, pikat Çakorr-Mokna-Smilevicë  nuk ishin vija e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi. Gjenerali Janko Vukotiq i mbretit Nikollë të Malit të Zi duhej më parë për të marrë Beranin dhe e pushtoi pas luftës së përgjakshme në gjysmën e tetorit 1912, ku morën pjesë edhe rugovasit në mbrojtjen  e tij. E, para Beranit, Vukotiqi duhej pushtuar Mojkovcin e Bjello Polen, dy qendra kufitare të Vilajetit të Kosovës me Malin e Zi, dhe pas pushtimit të tyre e sulmoi Beranin.

 

     Rugovasit luftuan kundër Vukotiqit, pos në Beran, edhe në Çakorr, në Mokna e në Shtupeq, deri më 30 tetor 1912, kur ai hyri në Pejë dhe e pushtoni pjesën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, duke bërë krime të rënda në popullsinë shqiptare, nga plaçkitjet e vrasjet e deri te ndërrimi i dhunshëm i fesë në Rugovë e Pejë dhe deri në Gjakovë. (Shihni librin e Zef Mark Harapit (1891-1946), shkrimtar nga Shkodra, mësues në Pejë, Ditt e trishtimit n’Pejë  e nder rrethe: 1912-1913, f. 81, 83, 86, Dukagjini, 2004). Edhe pas Luftës së  Dytë  Botërore, kur Kosova ripushtohet nga Jugosllavia, rugovasit vepruan politikisht kundër robërisë jugosllave, sidomos në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, me Sylë Mehmetin dhe brezin e tij, dhe më 1968, brezi i Isa Demajt, e më 1981, brezi i Ali Lajçit. Shumë rugovas, gjatë gjysmë shekulli, si në krejt viset shqiptare, janë ndjekur politikisht, janë përjashtuar nga puna dhe janë burgosur. Disa kanë vdekur burgjeve e disa i kanë vrarë në kufi.

 

      Edhe pesëdhjetë vjet më vonë, në luftën me Malin e Zi e me Serbinë, në vitet e Ushtrisë Çli-rimtare të Kosovës, 1997-1999, brigada 136 ‘’Rugova’’ e Zonës Operative të Dukagjinit e ka konsideruar linjën Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, vijë e kufirit me Malin e Zi, ku ranë dëshmorët e lirisë: Selman B. Lajçi, Besnik M. Lajçi, Ramush M. Lajçi, Xhavit S. Lajçi, Ramë A. Lajçi, Tone Lajçi-Husaj, Sokol Z. Nikçi. Ashtu konsiderohet edhe sot.

 

     Mirëpo, edhe duhet të dihet saktësisht se Mali i Zi ishte në bashkësi shtetërore me Serbinë dhe kjo bashkësi e fundit jugosllave dyshtetërore e humbi luftën me Kosovën në qershor 1999. Pra, Mali i Zi e plaçkiti, e dogj dhe e masakroi Rugovën edhe më 1999, po edhe Pejën e anën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, por doli humbës bashkë me Serbinë, e fitimtarit, Kosovës, i takon vija e mbrojtur e kufirit Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, po edhe pjesa tjetër e bjeshkëve deri në Kullë.

 

 

Përfundim

 

     Kjo është gjendja e Rugovës me Malin e Zi, pra vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse as historikisht e as etnikisht edhe kjo nuk është e drejtë, sepse edhe ky ishte kufi i dhunshëm i Mali të Zi, së paku i treti me radhë (1912, 1878, 1859 etj.), i vendosur me pushtime në territoret shqiptare në dy shekujt e fundit, natyrisht, me lejen e Evropës dhe me ndihmën e saj, sidomos në prag të Kongresit të Berlinit e pas tij, në Tivar e Ulqin, e pastaj në Sanxhakun të Pazarit, si dhe më 1912, në Plavë e Guci, Beran e Rozhajë dhe në pjesën e Malësisë së Madhe, ku nuk kishte fare popullsi malazeze.

 

     Në këto territore shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi për rreth një shekull u asimilua shumica e popullsisë shqiptare, pra, ajo është tjetërsuar gjuhësisht, sidomos në qytete, përveç Ulqinit, në qytetet e tjera tash flet kryesisht boshnjakisht ose kroatisht. Kjo çështje mbetet e hapur, kurse problemi i vijës Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, deri në Kullë, ku Republika e Kosovës dëmtohet për rreth 12 mijë hektarë tokë, duhet të mbyllet si punë e tashme e ngutshme ndërmjet qeverive, ajo e Malit të Zi në Podgoricë dhe kjo e jona në Prishtinë, e nëse duhet, edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe duke e lënë derën të hapur për diskutim edhe për çështje të tjera shumë me rëndësi dhe për të gjetur zgjidhje për problemet e viseve tona të copëtuara e të falura në Berlin (1878) e në Londër (1913), duke pasur parasysh standardet e fqinjësisë së mirë parimet universale për lirinë e popujve.

 

 

Bibliografi

 

HARAPI Mark, Zef, Ditt e trishtimit n’Pejë  e nder rrethe: 1912-1913, Dukagjini, Pejë, 2004.

 

AZEMI, Hysen, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror Serb, vëllimi II, 1945-1957, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2014.

 

AZEMI, Hysen, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.1947, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222.

 

ARKIVI i Kosovës, Procesverbale të hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947-27.III.1947.

 

CULAJ, Lush, Keri i Sadri Bardhit -jeta dhe veprimtaria atdhetare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinës, 2007.

 

KOJÇINI-UKAJ, Sulltane, Roli i Zhukë Haxhisë në qëndresën kombëtare të Rugovës, në: rev. Kosova, nr. 28, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2006.

 

KOMISIONI i Besëlidhjes së Rugovës, Fjala hyrëse, Drelaj, Rugovë, më 20.11.1970.

 

NEZIRI Ujkan, Zymer, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2006, f. 261-273.

 

NEZIRI, Zymer, Veçori etnokulturore dhe epikografike të krahinës së Rugovës, në: Çështje të folklorit shqiptar, 9, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 2006, f. 139-200.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …