Prof. Qerim Rexhaj: Demonstrata e 30 prillit e vitit 1981 në trevën e Burimit

 


Rrallë herë ndodhë në jetë të jesh protagonist i kthesave të mëdha, sidomos i kthesave historike në dobi të kombit, i atyre kthesave që lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e brezave. Është fat i papërsëritshëm të jeshë në krah të atyre që u vunë në ballë të interesave të kombit, të atyre që u sakrifikuan me vetëdije për idealin e lirisë dhe të bashkimit kombëtar, të atyre që flijuan interesat personale e familjare për idealet sublime të popullit tonë, të atyre që do të mbesin zëri më fisnik, zëri më i arsyeshëm, zëri më meritor dhe më i ndërgjegjshëm në kohëra. >>>


 


Ashtu si e tërë Kosova edhe Komuna e Burimit që nga viti 1913, e në mënyrë të veçantë që nga viti 1918 e këndej, si territor i ndarë me dhunë nga Shqipëria, mbeti nën pushtimin e hegjemonisë serbomadhe edhe me bekimin e diplomacisë evropiane. Kjo trevë, ashtu  si edhe viset tjera shqiptare të pushtuara, kaloi nëpër terrorin më brutal dhe më  të pashembullt që mban mend historia njerëzore. Në këtë pjesë të territorit të pushtuar, krahas regjimit  shtypës dhe shfarosës, Serbia instaloi edhe shpronësimin  dhe dëbimin e  shqiptarëve nga pronat e tyre dhe kolonizimin e pandërprerë me kolonë serbë të ardhur nga trevat e mbretërisë serbo-kroate-sllovene. Bandat kriminale të Kostë Pecancit, Spiro Dellovcit, Arsenije Qyrkut, Gal Terziqit, Pantë Hashanit, Miliq Kërrstiqit, Jer Malishës, Savë Peroviqit etj., me bekimin e politikës shoviniste serbe, këtë trevë dhe më gjërë u përpoqën ta mbysin në detin e gjakut, t’ia fshijnë çdo gjurmë të historisë dhe kulturës shqiptare dhe ta shtypin çdo përpjekje për rezistencë të patriotëve shqiptarë. Mbi popullin shqiptar  të kësaj  treve në çdo periudhë kohore dhe në vazhdimësi  u kryen krime barbare nga më të pashembullat. Pa i cekur krimet individuale që janë kryer kundër atdhetarëve më të devotshëm të kësaj treve në këtë rast vlen të përmenden masakra e Bollopojës, masakra e Istogut të Poshtëm, ku për pak orë u vranë 65 shqiptarë, masakrat në Kullën e Popit, ku janë vrarë mbi 400 shqiptarë, masakra në Kovragë, në Vrellë, Uçë e gjetiu, mbi 200 shqiptarë të vrarë, të masakruar e të djegur në  luftën e fundit, pa përmendur dhunën, terrorin, ndjekjet, plaçkitjet, arrestimet, burgosjet , diskriminimin, dëbimin, etj. si masa disiplinimi për shqiptarët. Lugu i Shkive, lagje e Burimit ku ishte bërë koncentrimi më i madh i kolonëve serbë, për një kohë të gjatë do të hëhet piemonti i politikës më ultra shoviniste serbe. Nga aty dirigjohej dhe artikulohej platforma për shfarosjen e shqiptareve, nga këtu  zbatoheshin planet ogurzeza të elaborateve gjenocidiste të shovinizmit serbomadh.


Politikës dhe veprimeve të pandërprera të makinerisë vrastare të Serbisë, do t u kundervihen me pushkë, në kushte dhe rrethana ndër më të vështirat, bijtë më të mirë të kësaj treve, të cilët edhe pse të pabarabartë në numër dhe në armatim, u treguan jo vetëm pushtuesve grabitçarë, por edhe diplomacisë evropiane së ky vend ka zot, se ky popull di të luftoj për lirinë e tij. Në vazhdën e rezistencës popullore të kësaj treve kontribut të jashtzakonshëm në këtë drejtim dhanë një varg çetash të lutëtarëve të lirisë ndër të cilat si më të dalluara u shquan çeta e Nak Berishës, ajo e Kamber Loshit, e Beqir e Zeqir Rexhës, e Ramë Alisë nga Uça, e Ramë Alisë nga Burimi, e Binak Perkiqit nga Vrella, e Bardh Isufit nga Arbana, çeta e Ramë Bekës, e Musë Tahirit,  e Kadri Çetës, etj. të cilat historisë së trevës sonë i thurën epopetë më të lavdishme të trimërisë. Kjo trevë, për kundër terrorit të pashemullt, në saje të burrave  të saj më të mirë, në vazhdimësi u shqua si vatër e luftërave për çlirim nga robëria dhe e luftërave për liri e bashkim kombëtar. Po të  flitët për ngjarje të detalizuara dhe për krimet që janë bërë mbi popullin shqiptar të kesaj treve, del se çdo pëllëmb e kësaj toke është ujitur me gjakun  e  këtij populli, me gjakun e atyre që më parë pranonin vdekjen se turpin nën skllavërinë e pushtuesit serb.


Përkundër rezistencës  së madhe ndaj pushtuesit nata karpatiane po e shtrinte pushtetin e ërrësirës gjithandej trojeve shqiptare. Nga faktet demografike rezulton se nga kjo trevë në mënyrë të dhunshme janë dëbuar  një e treta e popullatës shqiptare për në Turqi dhe vise tjera të botës. Kjo e dhënë mësë miri tregon kalvarin dhe golgotën nëpër të cilën kaloi populli shqiptar përgjatë shekullit të fundit të robërisë serbe. Mirëpo, përkundër kësaj zezone, ideja për çlirim dhe për bashkim me Shqipërinë nënë jo vetem që nuk u shua asnjëherë, por ajo do të ruhet, do të kultivohet dhe do forcohet me përkushtim në ndërgjegjën e brezave. Ideaja e lirisë dhe e bashkimit kombëtar në këtë trevë ngriti kokë posaçërisht pas LDB, në kohën kur udhëheqësit e Kosovës ranë në kthetrat e parullës demagogjike të vëllazërim- bashkimit dhe shkelën mbi gjakun e popullit dhe të vendimeve të Bujanit. Nga kjo kohë e më vonë filloi një veprimtari e ngjeshur e grupeve ilegale të cilat nuk u pajtuan asnjëherë me tradhtinë e idealeve të lirisë dhe me ripushtimin serb. Kjo bëri që flakadani lirisë së njëmend të përcillej nga një brez në tjetrin për ta ndezur flakën e përjetshme atdhetare. Ndonëse në kushte dhe rrethana të randa të robërisë serbe kjo trevë dha një numër brilant të intelektualëve dhe veprimtarëve të cilët një pjesë të jetës e kaluan në aktivitete atdhetare ilegale ndërsa një pjesë tjetër të jetës së tyre si të dënuar politik nëpër kazamatet  jugosllave, ndër të cilët: Kosovë Rexhë Balaj, Xhafer Shatri, Qazim Zekaj, Kadri Rexhaj, Nezir Myrtaj, Sefer Muzliaj, Nazif Blakaj, Jashar Aliaj, Ali Rexhaj, Salih Kabashi, Januz Januzaj,Xhevat Zekaj, Xunë Çetaj, Muharrem Blakaj, Ismet Avdylaj, Xhemajl Blakaj (i vrarë në burg përmes torturash), Zenel Rexhaj, Ahmet F. Rexhaj, Grupi ilegal prej nëntë veprimtarësh në Vrellë, etj. të cilët kauzës për liri e bashkim kombëtar ia falën pjesën më të mirë të jetës së tyre: rininë dhe ardhmërinë.


Rrethanat e mësipërme dëshmojnë vazhdimsinë e veprimtarisë kombëtare në rritje, ndërgjegjësimin dhe ngritjen e vetëdijes së masave të gjëra përmes literaturës ilegale që shpërndahej nga dora në dorë, siç janë gazetat: „Liria“,  „Bashkimi“, “Lajmëtari i lirisë“, „Zëri i Kosovës“,  etj. librat:  „Gjarpijt e gjakut“, „Hasan Prishtina“, „Shota dhe Azem Galica“,  „Prijësja e komitëve“, „Titistët“, „Vraje tradhtinë“, „Netë kosovare“, etj. pastaj trakte ilegale dhe matriale tjera me përmbajtje patriotike, e kështu me radhë. Demonstratat e vitit 1968 e kishin forcuar popullin në shumë fusha. E djeshmja kishte sjellur të sotmën. Demonstratat e vitit 1981 erdhen si vazhdimësi  dhe si pe i kuq i pa shkëputur nga veprimtaria atdhetare e sipërpërmendur, madje shpërthimi i tyre dëshmoi vetëdijësimin më kulmor të ndërgjegjësimit kombëtar te shqiptarët e Kosovës dhe viseve të saj. Përmes këtyre demonstrative ju bë e qartë jo vetëm opinionit jugosllav dhe atij serb në veçanti, por edhe mbarë opinionit botëror së shqiptarët kurrë më nuk do të pranojnë tutelën dhe bashkëjetesën nën regjimin sllavo komunist. Parullat që u brohoritën në  këto demonstrata anëkënd Kosovës, por edhe në Burim, si: Kosova Republikë, Trepça punon – Beogradi ndërton, Bashkim-Bashkim, Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë, treguan qartë orientimin programor që kishte marrë populli i Kosovës nën udhëheqjen e bijve të tij besnikë, në rrugën drejt lirisë së kërkuar ndër shekuj.


Organizatorët e këtyre demonstratave paraprakisht ishin të bindur për pasojat e mundshme që mund të binin mbi ta nga ana e aparatit represiv jugosllav, por misioni në shërbim të lirisë dhe të bashkimit kombëtar ishte çmimi më i madh që justifikonte çdo pasojë.


Të gjithë këtu në këtë sallë jemi dëshmitarë të atyre ditëve të stuhishme, të atyre ditëve të ankthshme, të asaj barbarie policore dhe ushtarake kundër demonstruesve te pa armatosur, të atyre vrasjeve monstruoze, plagosjeve, arrestimeve, burgosjeve, gjykimeve drakoniane që po bëheshin ndaj pjesës më të mirë të popullit tonë:  lulës së rinisë shqiptare. Por të gjithë jemi dëshmitarë edhe të krenarisë së ligjshme që ndjenim  asokohe, por që ndjejmë edhe sot, për atë gurë sado te vogël  dhe gurët tjerë që do të vihen më vonë në muret e kalasë së kombit që po ndertohet.  Kosova po hynte e plagosur në Pranverën e Madhe Shqiptare, por që do t’i sheronte plagët përjetësisht me luftën e UÇK-së për të mos u kthyer kurrë më si skllave e përligjur në kthetrat pushtuese kolonialiste serbe.       


      E djeshmja solli të sotmen, ndërsa e sotmja është  një shpresë më shumë që do ta sjellë të nesermen, ditën e sëndertimit të amanetit, të betimit  dhe të flijimit të sa e sa brezave që nga  Lidhja Shqiptare e Prizrenit për finalizimin e krijimit të shtetit të përbashkët të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik me emrin Shqipëri. (Fjalë e mbajtur në Akademinë përkujtimore në 30-vjetorin e Demonstratës popullore të Komonës së Burimit Burim, më 30 prill 2011 )

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …