Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, korniza e papërshtatshme ligjore dhe vështirësitë në sigurimin e provave vazhdojnë të jenë sfidat kryesore në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë. Kjo u theksua në panelin diskutues “Forcimi i kapaciteteve profesionale në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Udhëheqësi i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, Ilir Morina, tha se ekziston vullnet institucional për trajtimin e këtyre rasteve, por sfidat janë përtej kapaciteteve të institucioneve. Sipas tij, një nga pengesat më të mëdha mbetet mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë, pasi shumica e provave dhe të dyshuarve ndodhen jashtë territorit të Kosovës. Morina theksoi se Prokuroria tashmë ka mundësi të ngrejë aktakuza dhe të zhvillojë gjykime në mungesë, por vlerësoi se nevojitet një bazë e centralizuar e të dhënave për rastet e krimeve të luftës, në mënyrë që provat dhe informacionet e shpërndara të mblidhen dhe të shfrytëzohen më lehtë gjatë hetimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
