Pushoi së rrahuri zemra edhe e një miku të madh të shqiptarëve, Roland Wiprächtiger (16.10.1947 – 30.07.2022)

Pushoi së rrahuri zemra edhe e një miku të madh të shqiptarëve, Roland Wiprächtiger (16.10.1947 – 30.07.2022)

Sot u njoftua se më 30 korrik 2022 paska pushuar së rrahuri zemra e një miku të madh të shqiptarëve dhe kauzës së shenjtë shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar, avokati dhe gjykatësi zviceran, Roland Wiprächtiger.

Në përpjekjet titanike të popullit tonë për çlirim, gjithmonë kishim miq e aleatë që na përkrahnin, anise ata ishin të paktë. Një mik i tillë i madh i shqiptarëve ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit Rolandi, ai i cili që nga gushti i vitit 1981, e sidomos nga pranvera e vitit 1982, ishte një nga mbështetësit dhe ndihmësit e fortë të shqiptarëve në Zvicër, e sidomos i veprimtarëve shqiptarë në Zvicër. I bindur në kauzën tonë të drejtë kombëtare, na përkrahu e ndihmoi pa rezerva. Jo rastësisht në dosjen e tij të pastër tek organet e sigurisë së shtetit zviceran gjendet vetëm aktiviteti i tij në ndihmë të Lëvizjes sonë Kombëtare. Që nga viti 1982 e tutje, janë të shumta lejet e demonstrimit nëpër rrugët e Gjenevës dhe Zürich-ut e që mbajnë emrin e Roland Wiprächtiger.

Ai i ndihmoi edhe shumë veprimtarë të çështjes sonë kombëtare, duke i përfaqësuar ata në lëndët e ndryshme gjyqësore, fillimisht si avokat dhe notar, ndërsa nga viti 1996 edhe si gjykatës në Gjyqin Kantonal të Luzern-it. Ai ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Zvicerano-Shqiptare “Shota”. Së fundmi ishte anëtar i Kuvendit Shqiptar në Zvicër, ku dha një kontribut të çmueshëm në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Me zell ai mësoi gjuhën shqipe, duke komunikuar me shqiptarë me ëndje në gjuhën shqipe. Zyra e tij ishte e “dekoruar” me shumë fletëza të varura në muret e saja me foljet e zgjedhura dhe lakimin e emrave shqip. Ai lexonte shqip dhe ndihmonte shumëkend edhe në përkthimin e materialeve politike nga shqipja në gjermanisht. Në dhomën e tij të gjumit mbante të varur në mur një hartë të zmadhuar të Kosovës, të cilën e deshi pa asnjë interes.

Pushimet e tija verore të shumtën e herave i kaloi në Gjilan, në shtëpinë e veprimtarit të çështjes kombëtare Qamil Isufi, ku ai ndjehej si në shtëpinë e vet dhe Qamilin e konsideronte si vëlla.

Roland Wiprächtiger do ngelet për gjatë kohë në kujtesën e shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët patën rastin ta njohin nga afër, si një njeri me kulturë të gjerë, i dashur dhe përkushtuar në përpjekjet tona për liri e pavarësi.

Ceremonia dhe shërbimi funeral i trupit pa jetë të mikut tonë të madh, Roland Wiprächtiger, do të bëhet më 19 gusht 2022 në kishën St. Michael në Luzern, duke filluar nga ora 11:00.

Lamtumirë miku ynë i madh Roland Wiprächtiger. Prehu në paqë miku im.

Agim Sylejmani

Kontrolloni gjithashtu

Arrestohet një person i dyshuar për  veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Sekuestrohen dy armë dhe iniciohet rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Pas një hetimi preliminar të zhvilluar nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor …