Radio-Kosova e lirë shënoi 9-vjetorin e fillimit të transmetimit

9 vjet më parë, më 4 janar të vitit 1999, në fshatin Berishë të Rrafshnaltës filloi emetimin e programit Radio-Kosova e lirë dhe Agjencia Kosovapress. Këto dy institucione informative të luftës u themeluan me vendim të SHP të UÇK-së. 
Prej 4 janarit deri më 21 qershor të atij viti Radio-Kosova e lirë ka transmetuar program në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, meqë prej fillimit ka qenë në shënjestër të goditjeve të forcave okupatore ushtarake dhe policore serbe. 
Në valët e Radios gjatë luftës janë emetuar rreth 3500 informacione më shumë se 200 komente e analiza politike, qindra reportazhe, biseda me ushtarë dhe eprorë dhe pjesëtarë të popullatës civile, e cila ndodhej e strehuar në zonat, të cilat i mbante nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 
Nga radhët e bashkëpunëtorëve të Radios kanë rënë dëshmorë: Xhavit Bajraktari, Hyrë Emini dhe Islam Berisha. 
Në mbrojtje të pozicioneve ku transmetonte kjo Radio kanë rënë 11 dëshmorë të kombit dhe janë plagosur shumë të tjerë. 
Prej 12 korrikut të vitit 1999 Radio-Kosova e lirë transmeton program në Prishtinë.

E themeluar në frontet e luftës sonë çlirimtare, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në krijimin e proceseve politike dhe ushtarake të UÇK-së, Radio-Kosova e lirë me kohë kishte krijuar pozicion të fortë militant kombëtar, me qëllim të propagandimit të luftës për liri, duke u bërë zëdhënëse e jehonës së krismave të pushkëve të legjendarit Adem Jashari dhe të trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 
Së bashku me Agjencinë e lajmeve Kosovapress, këto dy institucione informative të luftës afishuan përmbajtjen informative militante, duke u bërë digë e pathyeshme e informimit të drejtë dhe objektiv në afirmimin e vlerave të UÇK-së, në denoncimin e politikës pacifiste, ndërsa në anën tjetër duke i dhënë përkrahje të fuqishme dhe të pa rezervë luftës së UÇK-së kundër forcave okupatore jugosllave. Në komentet dhe vështrimet e Radios-Kosova e lirë hetohej qartë pozicioni militant kombëtar, por edhe besimi i patundur në fitore. 
Radio-Kosova e lirë, besnikja e luftës çlirimtare, ashtu sikurse pati guxim ta paralajmërojë lirinë, më 4 janar të vitit 1999, duke shpërndarë në eter zërin metaforë të lirisë, ajo arriti që nga malet e Berishës, më 21 qershor të po atij viti të lajmërojë popullatën liridashëse të Kosovës për dëbimin e turpshëm dhe të përjetshëm nga Kosova të makinerisë policore dhe ushtarake serbe. E krijuar në zjarrin e luftës çlirimtare, e kalitur ndër beteja, e rritur tok me trimat e trimëreshat e Kosovës, Radio-Kosova e Lirë, e cila gjatë luftës fliste për lirinë e Kosovës u bë arenë e militantizmit kombëtar dhe mbeti po ashtu arenë e hapur e forcave avangarde atdhetare edhe në periudhën e pasluftës. Duke i qëndruar besnike lirisë të Kosovës dhe duke frymëzuar brezat për të shtyrë përpara proceset pozitive të pavarësisë së vendit tonë dhe të bashkimit kombëtar, Radio-Kosova e Lirë, ka trajtuar dhe trajton problemet më fondamentale të historisë së kaluar dhe të tanishmes, e cila, edhe pse me vështirësi e me çalime po ecën drejt proceseve të pakthyeshme të pavarësisë dhe integrimit mbarëkombëtar. 
Në këtë drejtim, Radio-Kosova e Lirë ka çarë përpara pa marrë parasysh pengesat, vështirësitë, sulmet e ndryshme, kërcënimet, kufizimin e dëgjueshmërisë nga Zyra e Komisionit të OSBE-së për Mediet, shantazhet e individëve të caktuar, apo të qarqeve të ndryshme dhe neglizhencën e një pjese të faktorit vendor për të ndihmuar këtë zë autentik të lirisë. Edhe pse e pa përkrahur nga ata që, nuk do të duhej në asnjë mënyrë ta kishin anashkaluar, edhe pse e injoruar nga injoruesit e lirisë, edhe pse e shpeshherë atakuar nga plehurina e së kaluarës titiste rankoviqiste, Radion-Kosova e Lirë, asnjëherë nuk e harruan invalidët e luftës, familjarët e dëshmorëve, veteranët e luftës, pjesëtarët e TMK-së dhe forcat e tjera atdhetare, të cilat e përkrahen dhe vazhdojnë ta përkrahin moralisht. Sot në 9-vjetorin e lindjes, Radio-Kosova e lirë ka arsye të krenohet, meqë gjatë këtyre viteve ka transmetuar programin më autentik kombëtar, të pasuruar me tema dhe përmbajtje krejtësisht deficitare në mediumet e tjera elektronike të vendit. Ajo ka realizuar shumicën dërrmuese të emisioneve për dëshmorët dhe martirët e kombit, ka trajtuar temat më fondamentale të së kaluarës, si dhe problemet dhe antagonizmat e zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik të vendit. 
Web-faqja e Radios në internet shfletohet nga mijëra vizitorë. Ajo tashmë është bërë një tribunë e vërtetë e prezantimit të mendimit të lirë dhe të pavarur të qytetarëve nga të gjitha trojet tona etnike dhe të bashkëmendimtarëve tanë në mërgatë.
Radio-Kosova e lirë ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë rikthimin e së drejtës për të mbuluar me dëgjueshmëri tërë territorin e vendit, ashtu sikur e kishte mbuluar gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo padrejtësi, e shkaktuar nga ZKPM-ja besojmë se do të evitohet me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, meqë dihet tashmë gjaku, mundi djersa dhe kontributi që ka dhënë e po jep kjo radio në këtë drejtim.

Kontrolloni gjithashtu

Xhavit Haliti

Xhavit Haliti propozon krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit

Deputeti i  PDK-së, Xhavit Haliti, ka propozuar krijimin e një Qeverie të unitetit kombëtar për …