Rami Memushaj: Jo Edi Rama, por historianët grekë janë injorantë të historisë

Rami Memushaj: Jo Edi Rama, por historianët grekë janë injorantë të historisë

Lidhur me sulmet që kanë shpërthyer në Greqi ndaj kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar injorant të historisë, vërehet një padije që të lë pa mend e politikanëve dhe e gazetarëve grekë. Si mik i historisë dhe i së vërtetës, po jo si historian, po sjellim këtu disa të dhëna që kushdo që di shkrim e këndim dhe që ka një telefon android, tablet a kompjuter mund t’i gjejë fare lehtë, mjafton që të kërkojë në Wikipedia fjalën Dushmani. Dushmanët ishin një familje fisnike shqiptare e cila gjatë shek. XIV–XV sundoi një territor të Shqipërinë Veriore që shtrihej nga fusha e Zadrimës deri në Alpet shqiptare*.

Kjo familje përmendet për herë të parë në dokumentet venedikase si vasalë të Balshëve. Një anëtar i kësaj familjeje, Gjin Dushmani, përmendet bashkë me feudalë të tjerë shqiptarë, si komandant i trupave ndihmëse shqiptare në betejën e Ankarasë më 1402. Pas humbjes së trupave otomane, ata iu ofruan si vasalë Republikës së Venedikut më 1403. Më 2 korrik 1403, senati i Venedikut u njohu sundimin e Pultit4 Goranit, Damjanit dhe Nenadit, anëtarë të familjes Dushmani. Anëtarë të kësaj familjeje ishin edhe disa klerikë katolikë; një ndër ta ishte Pal Dushmani, i përmendur si peshkop i Pultit (“Dusmanus ep. Polat.”). Një anëtar tjetër i familjes Dushmani, Lekë Dushmani, përmendet si një nga themeluesit e Lidhjes së Lezhës. Vajza e tij Irenë Dushmani u bë e famshme për shkak të një grindjeje për të, e cila shpuri në çarjen e madhe midis anëtarëve të Lidhjes së Lezhës, që përfundoi në luftën shqiptaro-venedikase të viteve 1447–14487. Familja Dushmani, bashkë me familjen Spani, qenë kundër luftës me Venedikun dhe nuk morën pjesë në të.

Në mars 1451, Lekë Dushmani dhe Bozhidar Dushmani bënë plan të sulmonin Drishtin e kontrolluar nga Venediku8, por komploti i tyre u zbulua dhe Bozhidari u detyrua të ikte në mërgim9. Në korrik 1452, papa dërgoi Pal Dushmanin të zgjidhte konfliktin midis Lekë Dukagjinit dhe Skënderbeut10.

Autori Demetrios Sicilianos,  në librin “Athina e re dhe e vjetër” (1960, f. 23), shkruan: “Familja Dushmani është me prejardhje shqiptare.  Paraardhësi i tyre Leka (Aleksandër) Dushmani luftoi me Gjergj Kastriotin (ose Skënderbeun) kundër turqve (1468). Pas pushtimit të Shqipërisë nga sulltan Mehmeti, ai u strehua në Greqi. Dy shekuj më vonë, kur turqit e rimorën Athinën pas tërheqjes së venedikasve, Gjergj Dushmani, që ishte vendosur atje, u largua me venecianët në Peloponez…”

Të dhënat biografike të pasardhësve të kësaj familjeje provojnë se Lekë Dushmani u vendos në Korfuz. Gjergj Dushmani, që përmend autori i mësipërm dhe për të cilin shkroi edhe kryeministri Edi Rama, i përket kësaj familjeje, që ka nxjerrë politikanë dhe ushtarakë të shquar të Greqisë, si  Anton Dushmani (1800–1890), kont i Korfuzit dhe politikan grek, dhe nipërit e tij, vëllezërit Viktor Dushmani (1861–1949) e Sofokli Dushmani (1868–1952), oficerë madhorë të ushtrisë greke, të tre të lindur në Korfuz.

Pra, nuk është kryeministri ynë ai që nuk e njeh historinë, po janë historianët, politikanët dhe gazetarët grekë, që, të helmuar keq nga nacionalizmi i sëmurë, e shtrembërojnë në mënyrë të paturpshme historinë. Wikipedia është një enciklopedi e hapur për gjithë botën, atë mund ta lexonin edhe politikanët dhe gazetarët grekë para se të reagonin marrëzisht dhe, nëse nuk i besojnë kësaj, le t’u hyjnë burimeve historike. Por leximi për së prapthi i historisë përbën një konstante të politikës greke dhe ne shqiptarëve na ka rënë fati i keq të përballemi me këta injorantë të pailuminueshëm të historisë në vendin ku ka lindur historia.

* Për të mos e shpërqendruar vëmendjen e lexuesit, kemi lënë vetëm numrat e shënimeve, po jo përmbajtjen e tyre, e cila mund të gjendet lehtë në zërin “Dushmani” të Wikipedia-s.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …