Haradinaj

Ramush Haradinaj: Me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës, Albin Kurti duhet ta kuptojë këtë

 

-Si mbërritëm deri këtu e si ta kthejmë Kosovën në rrugën e duhur?

-Pse gjendja në Kosovë sot është kaq e rëndë, shpërthyese dhe e pashpresë?!

-Si ndodhi që Kosova nga një shembull i mirë demokracie në zhvillim dhe i një bashkëpunimi e partneriteti shembullor me faktorin ndërkombëtar, brenda natës të shndërrohet në vend problematik?!

-Cilat janë gabimet që i kemi bërë si shtet e si qeveri dhe çfarë do të ndodhte sikur të veprohej ndryshe?!

Cila do të ishte Kosova, sikur që nga fillimi Kryeministri e Presidentja të kishin insistuar në lidershipin amerikan për marrëveshjen e madhe për njohje me Serbinë, që do të nënshkruhej në Uashington.

Cila do të ishte Kosova sikur nga pushtetarët në ardhje të mos ishte përmbysur projekti energjetik “Kosova e Re”, i cili nga janari i vitit 2023 do të fillonte prodhimin e 500 megavateve. Sigurisht se Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.

Cila do të ishte Kosova, sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup-Prishtinë, një projekt ky me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Si do të ishte Kosova sot, sikur të mos i ishte hapur dera “pushtimit ekonomik serb” të Kosovës, me heqjen e taksës qind për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Mirëpo kjo qeveri e ky kryeministër, në vend që të merreshin me projekte strategjike për vendin, për kaq kohë sa janë në pushtet, ata janë marrë me “armiqtë e tyre të brendshëm”, duke i goditur me radhë:

Duke përjashtuar veteranët nga paga minimale;

Duke i goditur mësimdhënësit dhe duke e rrezikuar funksionalitetin e sistemit arsimor të shtetit e duke i detyruar që t’i mbyllin shkollat për më shumë se një muaj;

Duke bllokuar Ligjin e Pagave për afro 80 mijë punëtorë të sektorit publik;

Duke iu përgjysmuar pagat prokurorëve e gjyqtarëve;

Duke mos i dalë në ndihmë qytetarit në krizën më të thellë ekonomike dhe duke i bllokuar mbi 700 milionë euro në “bunkerin financiar të qeverisë;

Duke bllokuar tërheqjen e Trustit si masë emergjente mbijetese;

Duke bllokuar projektet buxhetore për komuna e kështu me radhë…

Por më e keqja duke e ndarë shoqërinë në dysh “Ne dhe Ata”, një koncept ky puro komunist.

Gjendja ka shkuar gjithnjë për të keq, edhe në planin ndërkombëtar të Kosovës. Eshtë dobësuar pozicioni i saj edhe për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Kosovës, ShBA dhe BE dhe kjo për fatin tonë të keq e ka rehabilituar e forcuar regjimin anti-Kosovë të Vuçiqit.

Sikur hryeministri aktual i Kosovës ta kishte pranuar propozimin amerikan për shtyrjen e marrëveshjes për targat, për disa muaj apo edhe deri në marrëveshjen përfundimtare, Kosova do ta kishte një situatë krejtësisht tjetër.

Serbia do të ndodhej në një pozitë të vështirë për të ndërmarrë veprime destabilizuese në veri. Edhe po t’i urdhëronte serbët t’i braktisin institucionet, do të përballej me kundërshtimin e fortë të bashkësisë ndërkombëtare që njëkohësisht do të ishte përkrahje për institucionet e Kosovës. Kjo dmth se nuk do të lejohej destabilizim i mëtejmë dhe gjithë presioni do të bartej mbi Serbinë si dhe do të rritej trysnia për marrëveshjen finale për njohje me Kosovën.

Në një situatë të tillë, pavarësisht urdhrit eventual të Serbisë që serbët të largoheshin nga institucionet e Kosovës, gjendja do të mbahej e qetë, e cila do të garantonte edhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, kjo me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Mirëpo, për fatin e keq tonin, kryeministri i Kosovës, në vend që të përfillte sugjerimin amerikan e zgjodhi një rrugë të veten e krejt të çuditshme të veprimeve të njëpasnjëshme, në kundërshtim me pozicionin amerikan e në dëm të vendit.

Prandaj sot jemi në një situatë të vështirë e për më keq jemi shndërruar edhe në fajtor për gjendjen e krijuar në veri të vendit.

Unë jam i bindur se në gjendjen çfarë e kemi sot, askush nuk e ka komoditetin t’i mbyllë sytë e ta amnistojë kryeministrin, sepse në këtë mënyrë nuk e ndihmojmë as veten as atë.

Kosova assesi nuk guxon të lejojë që bandat dhe krimi ta marrë kontrollin në veri. Por është e domosdoshme që Kosova njëkohësisht t’i gjykojë drejt edhe veprimet e veta dhe të institucioneve të saj.

Përfundimisht, kryeministri Kurti duke refuzuar ta ndjekë rrugën amerikane, është duke i shërbyer interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit. Jam i bindur se ShBA-ja dhe NATO-ja nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe do të kthehet normaliteti në veri.

Pas sanimit të pasojave nga gjendja e krijuar, secili që ka qenë i përfshirë në aktet kriminale në veri do ta marrë ndëshkimin e merituar, por edhe meritat për të gjithë ata që ishin në shërbim të mbrojtjes së Atdheut, posaçërisht policët të cilëve Kosova u ka shumë borxh.

Por a është e humbur shpresa për Kosovën dhe a mund të kthehet ajo në drejtimin e duhur. Sigurisht se po, por jo me këtë qasje që e ka kryeministri. Ai duhet të ndërrojë kurs, ose duhet të lëshojë rrugë.

E para, kryeministri dhe qeveria, nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap krye në vete e pa koordinim me partnerët strategjikë, ShBA-në dhe BE-në, aq më tepër për procese nga të cilat varet perspektiva euro-atlantike e vendit. Me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës dhe Albin Kurti duhet ta kuptojë këtë.

Në planin e brendshëm, qeveria duhet ta fusë në zbatim Ligjin e Pagave me fillim në vitin 2023, t’i rikthejë pagat e prokurorëve e gjyqtarëve, t’i zhbllokojë mjetet e grumbulluara financiare të cilat po zhvlerësohen përditë dhe t’i lëshojë në qarkullim, të ndërhyjë në zbutjen e krizës ekonomike si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, duke përgjysmuar ose hequr krejtësisht TVSh-në dhe tatimin në fitim për artikujt elementarë apo duke e lejuar edhe tërheqjen e një përqindjeje të Trustit Pensional, ta rikthejë projektin e ndërtimit të termocentralit me thëngjill, ta rikthejë projektin amerikan për gazin, por duke rishikuar edhe plot vendime të tjera të tij, me të cilat ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në ekonomi edhe në siguri.

Kryeministri duhet të heqë dorë nga strategjia e tij, për ta ndarë shoqërinë në “Ne dhe Ata”, duhet t’i demobilizojë “aradhat e tij fashiste” të rrjeteve sociale tek të cilat vlon urrejtja ndaj kundërshtarëve të brendshëm, duke mos kursyer as partnerët tanë të jashtëm.

Ai duhet ta kuptojë se jemi shumë pak për t’u ndarë, dhe të ndarë e kemi shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur!

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …