Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar se policët në Kosovë vazhdojnë të përballen me mungesë të pajisjeve bazë, paga të ulëta dhe mbështetje të pamjaftueshme institucionale, pavarësisht përgjegjësive të mëdha që mbajnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Profesioni i policit është ndër më të vështirët dhe më pak të vlerësuarit në vend, duke theksuar se kjo kategori meriton trajtim të veçantë për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe angazhimit të vazhdueshëm. Ai u shpreh se gjatë viteve të fundit Policia e Kosovës është përballur me mungesa të uniformave, këpucëve dhe pajisjeve të tjera logjistike, situatë që sipas tij ka ndikuar negativisht në motivimin e efektivëve. Qalaj kritikoi edhe nivelin e pagave për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit, duke vlerësuar se inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës kanë rënduar gjendjen ekonomike të policëve. Sipas tij, policët nuk kanë mundësi të angazhohen në punë të dyta për shkak të natyrës së detyrës, ndaj kërkohet një rritje e pagave dhe kompensimeve për rrezikshmërinë. Duke folur për buxhetin e Policisë së Kosovës, ai tha se problemi nuk qëndron vetëm te ndarja e mjeteve financiare, por edhe te realizimi i tyre, duke shtuar se investimet duhet të fokusohen në trajnimet profesionale dhe furnizimin me pajisjet e nevojshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
