Regjioni Friuli Venezia Giulia do ta mbështesë avancimin e bujqësisë në Kosovë

Drejtues të Këshillit Regjional të Friuli Venezia Giulia të Italisë kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për avancimin e bujqësisë në Kosovë, duke ofruar përvojat e tyre si një rajon i zhvilluar në këtë fushë.

Këtë e konfirmuan gjatë një takimi me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Italisë në Prishtinë, Andrea Ferrarese, të cilin ministri Krasniqi e falënderoi për angazhimin e lartë për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Ministri Krasniqi i informoi ata me të arriturat dhe sfidat në bujqësi në vitet e fundit si dhe me investimet që po bëhen për ta avancuar këtë sektor. Ai theksoi se bujqësia është një nga prioritet e qeverisë në këtë mandat, si një nga sektorët që po kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vëmendjeve të reja të punës.

Krasniqi shtoi se Kosova dhe Italia kanë bashkëpunim të mirë në shumë fusha, përfshirë edhe bujqësinë, por se ka ende hapësirë që të thellohet ky bashkëpunim, në veçanti me agrobiznese. Ai deklaroi se tash pas hyrjes në fuqi të MSA-së, prodhimet nga Kosova do të jenë në tregun evropian dhe për këtë të dy vendet mund të bashkëpunojnë që të rriten shkëmbimet tregtare.

Në veçanti tha ministri, Italia si një vend që e ka në traditë dhe të zhvilluar bujqësinë mund ta mbështesë Kosovën në hartimin e politikave dhe shërbimet këshillimore.

Nga ana e tij, Franco Lacop, kryetar i Këshillit Regjional të Friuli Venezia Giulia e informoi ministrin për bujqësinë në këtë rajon, për përvojat e tyre nëpër vite në avancimin e këtij sektori dhe shprehi gatishmërinë që të ndihmojnë institucionet e Kosovës dhe fermerët nga Kosova me përvojat dhe njohuritë për zhvillimin e disa nën sektorëve të bujqësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …