Rexhep Kasumaj

Rexhep Kasumaj: Ankthi i kohëve shqiptare

(Një revoltë e pashuar)

Megjithë emblemat e ndryshme ndër vite, kohët shqiptare i njëjtësonte prorë një tipar unik, si postament i shekujve të tyre.

Ishte njëherë turku zotnues me të drejtën e gjatësisë së shpatës dhe njeriu i nënshtruar shqiptar, i vogli, i numërti – kishte ankth për bukën, për ;katil-fermanin e andejdetit, për ditën e nesërme të fëmijëve që lindnin njëj Moti statik e obskur, të pandrrueshëm e të vjetër sa vetë fillimi i botës…

Do vinin pastaj monarkistët në gjysmën e atdheut matanë kufijve, por Indipendenca e varme herë nga Roma e herë nga Belgradi dhe, mbanë tjetër, feudokapitalizmi primitiv, prodhonin sërish atë të vetmen shenjë të trishtuar: ikonën e përjetshme të ankth-ziut.

Në trojet e jashtme, ndërkaq,  më keq akoma: shërbëtor tragjik i sllavëve të jugut, veriu i Arbërit vuante, si pat thënë përmbledhshëm Noli, doktrinën treaktshe të shpronsimit, shpërnguljes e shfarosjes. Rrjedhimisht ndaj, mbahej konstante gjëndja e ngrirë e ankthit se çdo sillte muzgu, e a do çelte agu me varrezë masive në Kodrën e madhe…

Më vonë, kur Europa u dogj në flakët e Ariozofisë, do të hidhte rrënjë ideja, e fill pas saj, praktika e sistemuar komuniste. Nismërisht një alternativë altruiste në vëndet skamnore që duhej të ndante barazisht varfërinë, ajo, si keqkuptim historie a dështim njerëzie, do të përdhoste shpejt idealin e vet…Absurdi do prekte kulmin kur një simbol i marrëzisë, aziati i quajtur Pol Pot, për të zhdukur borgjezinë desh të bënte rrafsh me tokë qytetet e pafajshme. Njeriu i ri, jo i Niçes, por i Josifit do kishte më trashëgimi biologjike e as rreth ndikues social…Do lindte vetëm si organizëm nul, të cilin Partia do ta kultivonte në agronom, punëtor a kopshtar…Në fakt, këtej në truallin shqiptar, do të shpallej me fuqi religjioni adhurimi i zjarrtë për bashkëkombësin e lodhur, por do vritej njeriu brenda tij, mbetej veçse lëvozhga etnike, e rrudhur, e thatë dhe e mbështjellë hijes së ankthit si fat i parathënë gjenetik.

E Kosova, me vise rreth e rrotull, përveç tiranisë së dogmës, do të përjetojë krismën e kohës së dytë serbiane, që do të vente përtej sprovës apokaliptike të njeriut të ri socialist. Inxhinieringu i saj kolonialist ishte shumë më i errtë e specifik: u rrek të krijonte një homo-shqiptar të veçantë. Të ostracizuar. Pa vullnet për lirinë dhe admirues të çuditshëm të robnisë së vet…Dhe ankthi kje, ashtu, sërish qendra e dhimbjes shqiptare…

Së fundmi, demokracia e ligjëruar, shtetet e shumta shqiptare, e brohoritur si alkimi e lumnisë, nuk arriti ta çlirojë njeriun e tyre nga ankthi kujdestar, nga roja e mizore në shpirtin e tij. Krimi ordinar, tashmë me status të lirë qytetarie, cilësohet – një zotësi e kooperativës politike, kurse dorë-vënja në pasurinë publike – një krenari e denjë ekzemplare…Në sferat e epërme, si ana hijesore e diellit, improvizohet pothuajse gjithçka. Ndërsa të gjithë shkruajnë më shumë se lexojnë, censura e dikurshme politike është pasuar nga një tjetër më pikëlluese: indiferenca ndaj librit të pluhnosur dhe zhvendosja e betejës intelektuale në rrjetët socialë ku, si ankohej Eco, flasin me kompetencë prej nobelisti injorantët më të pështirë…Për pasojë, prapë e gjithnjë, vrujon thershëm apotheoza e një cope buke, në avullin e së cilës (Remark në Nata e Lisbonës), ndryhet gjithë shpresa e botës dhe, njëkohësisht, tortura e heshtur e vrimës së zezë interesante në dysheme drejt së cilës vështrojnë të poshtëruar sytë e ulur të ankthit…

Berlin, qershor 2016

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …