leoni

Rexhep Kasumaj: Ndarjet e “Popullit të Zotit”!


(Një portret ftyrëposhtërish)


 


“I dashur, mos bjer në mejtime,


Nesër një tjetër fytyrë ata do i shfaqin kësaj bote,


O krijonjësi i tyre! Ja cila është raca jote!”


 


Ah, kjo Fjalurta e Emersonit, është, vallë, prorë e kudo goditëse?


 


Në një cep të rrokullisë, Kosovë me emër, ka një soj të veçantë grabitqarësh të Fuqisë, që vijëzojnë krejt të kundërten e tabllosë së tij zhdërvjelltësore…


 


Si askush tjetër, ata pohojnë zellshëm dialektikën natyrale dhe, brenda saj, përjashtimin e artë nga rregulli përgjithësor. Ndaj, edhe kur rastis ta ndërrojnë si e do moti, fytyra e tyre, megjithë lyrën vizlluese, po ajo mbetet: gjithmonë e poshtër!..


 


Mirëpo, shëmtia e njëmendtë vete përtej lëkurës së lëmuar. Është thellë e betonuar në mjerimin e etikës a shpirtit skamnor. Pa dije e intuitë, e, njëkohësisht, pa dedikim e përvujtni, kastë e ndjekës shpërbetarë bashkë, janë mbytur qyshkur në knetën e ligësisë dhe fajit epokal. Eko flet diku (“Emri i trëndafilit”), për një “kushtetutë të pendestarisë”, që sanksionon shpërlarjen e mëkateve ngadalë e ndër vite. Veçse për këta, si të  askundparë që janë, nuk vlejnë shkresurinat e tilla të  reflektimit a të ndëshkueshmërisë. Qëndrojnë dhunësisht sipër çdo shkronje e mbi çdo arsye: të qiellit e tokës…Janë jurisdiksioni vetë! Me ligjin dhe instrumentin e tij t’kapërthyer që duhet ti bëj rojë pushtetit të gënjeshtrës. Sepse ata i frikësohen shumë të vërtetës, e meqë ajo është fillesë e lirisë – aherë do të urrejnë dhe atë, dritën që i mneron…


 


E, të poshtëshkelurit e tyre, të truar e bërë dhé, kanë humbur, ashtu, të drejtën më të vjetër e të fisme njerëzore: të drejtën e vegimit. Të drejtën për të parë një shkëndijim të largët, por që terri nuk e jep kurrësesi..!


 


Populli i Zotit (sipas Ekos, sërish) paskësh kryehershëm një ndarje klasike llojesh: në barinjë, në qen e në dele. Dhe, ndërsa të parët janë të gjithëfartë e të pëzjerë, grupimet e të mëpasmëve, për fatkeqësinë e të fundmëve, janë, ndërkaq, lehtë të diktueshme. Që këndej pra, zagarë e kope – ja, edhe kjo Hyj, është raca e jote…


Berlin, dimër 2015


 


 


Rexhep Kasumaj: Jo mëshira, por drejtësia e fituar me çdo çmim, i jep fund  vetëpërbuzjes


1.


Klemens von Metternich-u, kjo krye-figurë e Koncertit të Fuqive me të mbaruar të Luftës së parë të përbotshme, admironte sajesat e mëdha territoriale si themelore të paqes dhe restaurimit të Europës. Dhe refuzonte, që këtej, pretendimet shtetpasëse të  “grupimeve të vogla etnogjuhësore” që mund të prishnin sistemin tij.


 


Anipse dinamika natyrale e historisë nuk do përligjte më pas mendimin e tij të errtë, do ta mënirja sepse, me “staatsraeson”-nin akullor, parathoshte kohë të liga për popullin tim.


 


2.


Mirëpo, kur një ditë kaloja duarsh (në një Qendër pranimi strehëkërkuesish politikë, ku punoj, në Berlin) pasaportat e dy shteteve shqiptare, nuk mund të mos kujtoja Patriarkun hijerëndë. Natyrisht, do ta mënirja sërish, sepse sikur paskësh tejparë kthjellësisht paaftësinë për vetëjetesë të atyre që s’dijnë ç’të bëjnë me lirinë e vet!…


 


I vështroja hidhshëm e zymtor pasaportat me emrat e bekuar të Shqipërisë e Kosovës dhe, për të pafundmen herë, përjetoja ndjesi përuljeje në shkallë kulti mbi flijimin e brezave dhe përvëlimin e zemrave për shejtninë e tyre. Por, njëkohësisht, një dhimbje e vjetër, e heshtur m’sëmbonte keq shpirtin. Mendoja krejt i thyer: deri kur pronësia e kësaj Letre identiteti, në vend të fatmirësisë si fillesë sociale e shansit egalitar, do të fatkeqësojë prore atë që mban në gji?!


 


Deshpërimi terron, si nata pa hënë, kur vërej, madje, se nga tokat ballkanëse refugjojnë kryesisht romë e shqiptarë…Ndërsa për mua që shoh prekshëm një mikrokozmos gjuhësh, fesh e ngjyrash, ngjajnë të huaja paragjykimet e këtij soji – megjithatë nuk arrij të frenoj inercien e një pyetjeje që shoqëron ofshamën e thellë: a mund të imagjinohet një fyerje kaq tragjike për shqiptarë sesa të jenë pjesë e kalvarit të arixhinjëve të pavotër?


 


3.


Bota, si më ka rastisur të lexoj diku, ndahet në ata që besojnë dhe në të tjerë që arsyetojnë. Athua në ç’ grup-ndarje aderojnë shqiptarët? Veçanërisht ata të Republikës veriore që mezimbahet patericash: qytetarë dhe elektorë?


 


Përgjigjen, pa nevojën që të ndiqen udhë të holla hulumtimesh: teorike, anketuese, barometrike – e ofron vetë realiteti lehtësisht i vërejtshëm e profan. Ata janë të papunë, ata janë të mashtruar, ata janë të vjedhur, ata janë të vrarë, ata janë të gënjyer, ata janë të braktisur, ata janë të poshtëruar nga arroganca e një pushteti të tëhuajsur e plutokrat dhe, të tillë, t’pashpresë, shpërngulen rrugëve të botës…Por, për çudi, gjithnjë besojnë. I besojnë pritjes, Orës së mirë, qiellit…E, rrjedhimisht, relatorët e huaj i shpallin ndër më të lumturit e botës!  


4.


Fillimi i besimit, pohonte Gëte, është fundi i dijes, e pra i arsyetimit si fill dyshimi që hap portën e së vërtetës. Veçse, ndër ta, mësimnxënja e racionalizmit reflektues nuk sython dot. Ndoshta, ende përhihen tallazesh të mendësisë orientale, nga vjen dhe kjo urti ruse (a nuk janë rusët aziatë?) se mëshira qenkësh rojtëse e barazisë!


 


Por, si mësojnë jeta e lektyrat – jo mëshira, por drejtësia e fituar me çdo çmim, i jep fund njëj lumnie ku zhganëria verbtane i thërret vetëpërbuzjes!..


 


Nda dhe, përseri e përseri Kancelari i vranët vjenez dhe mënirja e tij e vonë trishtojnë mbylljen e shkrimit!..


 


 


 


 


 


Rexhep Kasumaj: Tri pamje kontrastesh


 


Pas çdo rrokullime, trazuese a përmbysëse, një pasmendim i distancuar rreh të rikonstruojë imazhin e saj. Në mbresëlënjen për turbullirat e Prishtinës, pas një nate reflektimi, do t’më thadroheshin tri pamje të habitshme kontrastike.


1.
E para një shpërpjestimi i madh mes palëve në udhë e sheshe. Askund nuk më ka rënë të shoh në përplasje të tilla, disaherë më shumë policë sesa demonstrues! 
Përse? Sepse, me gjasë, oligarkët jepnin kumtin e trëmbjes, jo nga “fëmijët e gurëve”, veç nga Akuza e tyre. Por a fishket ideja dhe a fshehet faji nga tymi a mburojat?


2.
Mandej, dhe pamja e dytë do të shfaqej po aq groteske në absurdin e saj. Ndërsa kudo të shket këmba gropave dhe gjithçka të vret syrin në ambientin e irnosur kryeqytetas – mbanë tjetër, si një kontrastim pervers, në ndjekje të kundërshtarëve politikë dolën tërbueshëm aradhë e karro policie plot arrogancë e shkëlqim mondan. Dinastët e barrikaduar primitivë, ngasin ashtu, me qëllim t’i përgjasojnë Botës së lirë me mjetet moderne të rendmbajtjes, por vijojnë të mbeten dëshpërimisht e kundërta, fundërrina e saj me kulturën e shtetit dhe moralin e shërbesës.


3.
Dhe e treta, do rezultonte sërish përjashtimore. E si mund të ndodhte ndryshe? Ishte metaforë e vetë mileut që shenjëzonte. Zotimet rituale të guvernantëve për një Republikë të “Egal-Libertesë”, ku shejtnohen vlerat e qytetnisë europiane, do t’i trathtonin represaljet e brutale të komandove të maskuar ndaj atyre që, si lisat, ishin shenjuar për tu prerë: në rrugët e mësuara me qizme tiranësh, në trotuaret paqësore, në shtëpitë që gëzojnë të drejtën e denjësisë. E kjo shpaloste, tutje, dy dimensione të ndryme të së keqes: ndërhyrja e paralajmëruar e, më pas, e porositur, si shpërdorim privat i monopolit të forcës dhe tjetra – urrejtja aq barbare e njësitëve specialë për rivalët e zotërve të tyre, që i shndërronte ata në falanga të fashistizuara regjimesh të Slobodanit të afërt a Trujillos së largët..!


Fantazma e tyre, me ç’duket, endet akoma hakmarrshëm në horizontet e Republikës së brishtë. I pari me dhunën e mashtrimin, kurse i dyti me qejfërinë shpërfillëse e guacën e fildishtë autokratike..!Bota është zvogëluar dhe qiejve të saj transmigrojnë, tashmë, përvoja e hire që nxijnë a ndrijnë jetën…


Berlin, nëntor 2015

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …