Brickos

Rexhep Malaj ishte imbol i veçantë i qëndresës dhe i heroizmit shqiptar

Rexhep Malaj u lind në Hogosht të Dardanës ( ish-Kamenicë), më  29 mars të vitit 1951. Ishte djali i babë Mehmetit dhe nënë Fahrijes. Rrjedhë nga një familje tradicionale, atdhedashëse.  Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren, i ka mbaruar në vendlindje, në  Hogosht, ndërkohë që familja shpërngulet në Gjilan, kur ai regjistrohen në gjimnazin, “Zenel Hajdini”. Duke qenë një temperament shpërthyes dhe shumë komunikues  e solidar me shokët, Rexhep Malaj fillon të dallohet në mesin e nxënëseve të tjerë, në radhë të parë për guxim, solidarësi dhe qëndrim të hapur atdhetar. Edhe pse i ri në moshë ka marrë pjesë aktive në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, kur ishin paraqitur kërkesa për më shumë liri qytetare dhe avancim të pozitës kushtetuese të Kosovës.

I dhënë me tërë qenien në aktivitete të fshehta patriotike, Rexhep Malaj sikur kishte zënë hapin më specifik në mesin e gjeneratës së tij, në rrugëtimin e vështirë dhe plot pengesa e sfida në rrugën e lirisë. Ai, qysh prej fillimit të angazhimit të tij në Lëvizje, gjithnjë kishte bërë një hap më para se të gjithë bashkëveprimtarët. Hapat e tij ishin vendimtarë, meqë asnjëherë dhe pothuajse në asnjë rast nuk ishte hamendësuar në veprimet e tij, madje as  atëherë kur kishte konstatuar se ishte ngutur. Duke lexuar shkrimet e tij në burg, afishet, komunikatat dhe duke biseduar me bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij, fitohet përshtypja realiste se Rexhep Malaj iu kishte përkushtuar rrugës së çlirimit me çdo kusht, pikërisht sipas motos së njohur më vonë, të Ukshin Hotit, – “Bëje ose vdis”!. E tërë vepra dhe jeta e tij ishte strukturuar brenda kësaj motoje.

Duke lexuar dy veprat e bashkëvuajtësit të tij në burgje dhe bashkëveprimtarit, Agim Sylejmani, romanin “Hapërimi i një Vigani” dhe monografinë, “Rexhep Malaj, zjarr lufte që nuk shuhet”, pastaj veprat e Basri Musmuratit, të S.Novosellës e të tjerëve, duke biseduar me ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëvepruar me të si: Hydajet Hyseni, Hilmi Ramadani, Mehmet Hajrizi  e shumë të tjerë, arrihet në përfundim se Rexhep Malaj, që në lindjen e tij ishte gatuar me tharmin e sakrificës, me palcën e Shqipërisë, ndërsa ideali i lirisë ishte një yll ndriçues, që e përcolli deri në ditën e fundit të jetës. Ai nuk kishte ndaluar as për një çast dhe rrugëtimi i tij duket i njëjtë me një  trajektore të  paracaktuar për të manifestuar një jetë të tërë në shërbim të idesë së çlirimit dhe bashkimit të kombit.

Në rrugën e tij, duke rënë e duke u ngritur përnjëherë, ai kryen tri vitet e gjimnazit, në Gjilan, ndërkohë që ishte përjashtuar nga shkolla për veprimtari, të cilën pushteti e konsideronte si aktivitet armiqësor, antijugosllav. Vitin e fundit të Gjimnazit e kishte kryer në Preshevë, falë mirëkuptimit të profesorëve liridashës, të cilët nuk e kursenin mundin e djersën për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë të arsimoheshin dhe të kaliteshin në rrugën e gjatë të farkimit të idealeve çlirimtare. Një vit shkollor ka punuar me ditar në dorë me nxënësit e fillores  në fshatin Marec. Pastaj regjistrohet në Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë. Kalon kufirin ilegalisht dhe qëndron disa muaj në Shqipëri ku vendos kontakte me disa kuadro të larta të shtetit shqiptar. Dënohet për kalim ilegal të kufirit, ashtu sikur ishte dënuar më parë edhe për pjesëmarrje në demonstratat e Nëntorit të vitit 1968.

Në kohën e studimeve në Prishtinë intensifikon veprimtarinë atdhetare dhe njihet, kontakton dhe përforcon radhët ne  kreun e Lëvizjes Çlirimtare. Asokohe  vë kontakt dhe bisedon me idealistin e njohur të kohës, simbolin e rezistencës, Adem Demaçi, i cili sapo ishte liruar nga burgu i dytë dhe i cili me të drejtë konsiderohej dhe konsiderohet  si alfa dhe omega e Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar. Takimi me Demaçin, Rexhep Malajt  i jep edhe një shtytje të fortë në rrugën e tij të pandalshme për asnjë çast drejt zgjerimit të radhëve dhe intensifikimit të veprimeve me forma e metoda më radikale. Për këtë qëllim ai largohet nga vendi dhe ilegalisht qëndron një kohë në disa shtete të Evropës, nga ku, gjithnjë ilegalisht sjellë në Kosovë literaturë por edhe me armë.

Në vitin 1975 UDB-ja jugosllave, pasi më parë i kishte arrestuar dënon me burg të rëndë krerët e Organizatës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, me ç’ rast Rexhep Mala dënohet nëntë vjet burg të rëndë. Burgun e ka mbajtur në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren (Kosovë) Zenicë, (Serbi)  Shtip, Idrizovë, afër Shkupit në Maqedoni dhe në Foçë e në Mostar të Bosnjës e Hercegovinës. Më 23 maj të vitit 1983,  pas 8 viteve të golgotës së kaluar nëpër kazamatet e Jugosllavisë, lirohet nga burgu, jo i thyer e i lodhur nga torturat, por i çelikosur dhe i paepur për të mos ndaluar as për një çast rrugën drejt lirisë. Bashkëvuajtësit e tij rrëfejnë për maltretimet që iu kishin shkaktuar në çdo burg, për dhunën intensive që ishte ushtruar kundër tij, meqë ai përveç se ishte i pathyeshëm, këtë ndjenjë temperamenti e manifestonte hapur për ta sfiduar rendin, personelin e burgut, gardianët dhe tërë aparaturën sunduese.

Tetë muaj pas daljes nga burgu, në natën e 11-12 janarit të vitit 1984, së bashku me militantin e lirisë, studentin, Nuhi Berisha, rrethohet nga policia serbe në një vendqëndrim ilegal në Prishtinë, në një shtëpi të lagjes, e cila quhet “Kodra e Trimave”. Duke qenë se tashmë kishte krijuar edhe celulën e armatosur, ai së bashku me shokun e tij të idealit kishte vendosur të mos dorëzohej, me qëllim që me sakrificën e tij për liri e Atdhe që çonte një hap përpara idealin e lirisë dhe t ‘i tregonte pushtuesit serb e jugosllav se rinia militante e Kosovës nuk ishte dorëzuar, edhe pse regjimi kishte burgosur e dënuar dhjetëra mijëra liridashës të Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë e Malit të Zi.

I edukuar  në frymën e militantizmit kombëtar, ai do të ballafaqohej me vdekje, ashtu si heroi  Vojo Kushi, ashtu si heronjtë e vigut, ashtu si Tefik Çanga e mijëra dëshmorë e dëshmore të kombit.

Rexhep Malaj kishte ideal dhe orientim jetësor, Shqipërinë dhe prijësin komunist shqiptar, Enver Hoxha. Fanar ndriçues për rrugën e ndritur drejt lirisë, kishte historinë tragjike por edhe heroike të popullit shqiptar. Rrugë të vetme për çlirim nga robëria konsideronte  kryengritjen e armatosur dhe luftën guerile, partizane, ashtu sikur i zhvilloi këto luftëra Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Rexhep Mala në kohën e rënies kishte lënë prindërit, Mehmetin e Fahrijen, bijën e vetme, Fitoren, bashkëshorten, motrat dhe vëllanë, Hasanin.  (Ahmet Qeriqi)

Nuhi Berisha ( 1961 – 1984)

Nuhi Berisha, u lind më 3 tetor 1961 në Svircë të Dardanës (ish Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ndërsa Fakultetin juridik dhe të Kulturës fizike i vijoi në Prishtinë. Ishte nxënës dhe student i shembullor. Nuhiu kishte vizion të çartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit pushtues jugosllav qysh nga bankat  e shkollës së mesme. Ndërsa si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, i cili do ti shërbejë Lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të 1981-it. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në kontunitet, kurse me 1973 filluan veprimtarin e tij në botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”. Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Shkolla fillore në Tygjec sot, mban emrin e tij. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …