Rexhep Qosja: Letër drejtuar ambasadorëve të Amerikës, Anglisë, Francës dhe Italisë

Zotërinj të nderuar!

Në vlerësimin për protestën e tri partive opozitare – të Vetëvendosjes, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës, më 28 nëntor 2015, Ju shprehët gëzimin pse ajo protestë ishte paqësore.

Por, njëkohësisht Ju shprehët gëzimin edhe për, si thatë, përfshirjen, domethënë për sjelljen e Policisë së Kosovës ndaj asaj proteste.

Ky vlerësim i Juaji, duke përfshirë me të edhe vlerësimin për sjelljen e Policisë ndaj protestuesve, sa u solli gëzim “sundimtarëve” aq më shumë u solli dëshpërim të “sunduarve” në Kosovë.

Nuk mund ta di a e keni shikuar protestën deri në fund, kur me blic krig u pushtuan zyrat e Vetëvendosjes prej Policisë së Kosovës. Por, në qoftë se e keni shikuar protestën deri në fund, apo në qoftë se i keni parë pamjet që kanë dhënë disa televizione për epilogun e saj, atëherë nuk besoj se do të mund të shprehej gëzim për përfshirjen e Policisë së Kosovës në atë protestë.

Jo.

Policia e Kosovës nuk u soll vrazhdë, jo: Policia e Kosovës u soll armiqësisht ndaj protestuesve. Ajo përgjaku sa e sa protestues! Ajo përgjaku edhe plakun – baba të dy dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës! Ajo shtriu përtokë edhe avokatin e deridjeshëm të popullit! Ajo i ngarkoi në automjetin e saj – burg, fyeshëm, krye e trup përtokur, shumë të rinj! Ajo mori në biseda të ashtuquajtura informative, si u tha, rreth 180 protestues! Në të gjitha këto raste Policia e Kosovës u soll, pra, siç sillej policia e Millosheviqit kur futej nëpër shtëpitë e të rinjve shqiptarë të cilët gjatë protestave brohorisin parullën Kosova Republikë.

E si u soll Policia e Kosovës kur e arrestoi Albin Kurtin? U soll armiqësisht siç u soll Policia e Sllobodan Millosheviqit kur e arrestoi atë para shumë vitesh!

Ju, ndoshta, nuk e kuptuat pse Policia e Kosovës u soll aq armiqësisht ndaj protestuesve, ndaj Vetëvendosjes dhe ndaj Albin Kurtit. Dhe, nuk e kuptuat sepse mund të mos e dini jetëshkrimin politik të urdhërdhënësit të ndërhyrjes policore në protesta: të kryeministrit të Kosovës.

Kryeministri i sotëm i Kosovës ishte shërbëtor politik dhe administrativ i Sllobodan Millosheviqit, pjesëmarrës në dhunën dhe në terrorin e regjimit të tij ndaj popullit shqiptar të Kosovës, në dy mandate kryetar i qeverisë së Prishtinës e, mandej, anëtar i Qeverisë që atëherë quhej Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, që në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990 kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë kur ishin vrarë disa dhjeta të rinj e kur ishin plagosur rëndë qindra të tjerë. Ai ishte formuar për një përdorim të tillë stalinist, të policisë ndaj protestuesve!

Për të gjitha këto arsye, gëzimi juaj, Zotërinj të nderuar, për përfshirjen e Policisë së Kosovës në atë protestë më bëri të vetë-pyetem: a është e mundshme që diplomatët e popujve që i kanë sjellë aq të mira shkencore, politike, demokratike, kulturore, qytetëruese njerëzimit të gëzohen kur policia vendos “demokraci” në parlament, kur policia qëron hesape aq armiqësisht me vëllezërit, me baballarët, me atdhetarët e vet, me qytetarët e vet?

Unë, natyrisht, nuk pajtohem me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por, ky mospajtim nuk më bën të arsyetoj përfshirjen e tillë të Policisë së Kosovës në protestë; nuk pajtohem as me burgosjen e atyre që e përdorën gazin lotsjellës; dhe nuk pajtohem as me përjashtimin e deputetëve të opozitës nga mbledhjet e parlamentit! Jo. Unë shtroj pyetjen që Ju, si duket, nuk e keni shtruar: ku qëndron shkaku kryesor për krizën e sotme politike dhe institucionale në Kosovë? Po të shtrohet kjo pyetje do të jepet edhe përgjigjja e duhur: shkaku kryesor për këtë krizë qëndron në qeverinë e Kosovës.

Republika e Kosovës me këtë qeveri nuk është Republikë parlamentare. Jo, Republika e Kosovës me këtë qeveri është Republikë partiake. Në këtë Republikë partiake, Qeveria është organi suprem shtetëror! E shteti ku qeveria është organi suprem nuk mund të jetë shtet demokratik.

Dhe, sjellja sulltanore e kësaj qeverie, shpërfillja e Kuvendit nga kjo qeveri, përdorimi privat i Policisë nga kjo qeveri, miratimi sulltanor duke përbuzur Kuvend e opinion i marrëveshjeve për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe për ricaktimin e kufijve me Malin e Zi kanë sjellë mospajtimet e pashmangshme çfarë i kemi parë, po i shohim e do t’i shohim të Opozitës dhe, të jeni të sigurt, të pjesës më të madhe të popullit shqiptar. Po, nuk vihet ashtu lehtë, ashtu krye më vete, ashtu papërgjegjshëm, pa u këshilluar as në Kuvend, as në popull, nënshkrimi për marrëveshje të tilla, që kanë të bëjnë me të sotmen e të ardhmen e Kosovës.

Përvoja tragjike historike e ka bërë popullin shqiptar të jetë pamatshëm i ndjeshëm, pamatshëm i frikësuar ndaj “marrëveshjeve” të tilla. Përshtrirja e shteteve fqinje në tokat ku shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë e madhe etnike dhe rrëmbimi i këtyre tokave me kufij të ricaktuar me vendimin e shteteve evropiane si Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia e jo mospuna, jo përtacia e kanë bërë popullin shqiptar të varfër, si kanë thënë dikur diplomatë e shkencëtarë tuaj, popull pa kushte natyrore për mbijetesë!

Në reagimin e gëzueshëm ndaj protestës Ju, zotërinj ambasadorë, thoni se jeni të përkushtuar: për “fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, se “asnjëri nuk është mbi ligjin”, se të gjithë, edhe përfaqësuesit politikë, “i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë”.

Për Kosovën sot dhe për Kosovën gjithmonë këto që thoni janë tepër të rëndësishme.

Do t’ju duhen shumë ditë e shumë përpjekje, që të bëhen njëmendësi këto mendime tuajat për Kosovën.

Ju e dini, besoj – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të eurokomisarit për zgjerim, Johanes Hanit – se në Kosovë zotëron korrupsion pandemik. Numër i madh i pushtetarëve të lartë dhe i poltronëve të tyre politikë sot kanë pasuri të tundshme e të patundshme milionëshe. Me rroga natyrisht nuk e kanë krijuar atë pasuri.

E kanë krijuar me korrupsion e me mënyra të tjera të paligjshme në procesin e privatizimeve, duke vjedhur, duke plaçkitur, duke rrëmbyer pasuritë kombëtare të Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk është nxjerrë në gjyq. Të gjithë me “kushtetutë” e kundërshtojnë çdo ide për miratimin e ligjit mbi hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. Pa u nacionalizuar pasuria e krijuar me korrupsion dhe në mënyra të tjera të jashtëligjshme Kosova nuk do të mund të demokratizohet e as do të mund të qetësohet. Ndihmojeni Kosovën që të shpëtojë prej këtyre të korruptuarve.

Ju e dini besoj – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të zotëri Hanit, se në Kosovë zotëron krim i organizuar. Ndihmojeni

Kosovën të shpëtojë prej kriminelëve që i bëjnë krimet ashtu organizueshëm.

Në Raportin e Progresit të zotëri Hanit u tha se Gjyqësori në Kosovë është i përdorur prej strukturave të larta politike. Ndihmojeni Kosovën, zotërinj ambasadorë, që Gjyqësori i Kosovës të bëhet çka është në vende vërtet demokratike: të bëhet i pavarur, institucion i së drejtës.

Ju e dini – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të zotëri Hanit – se mediat në Kosovë, në mënyrë të veçantë RTK-ja, u shërbejnë pushtetarëve e jo opinionit. Ndihmoni, zotërinj ambasadorë, që mediat kosovare, në mënyrë të veçantë ato të rëndësishmet – ato elektronike, të kontrollojnë pushtetin e jo të jenë të kontrolluara prej pushtetit.

Nuk jam i sigurt se e dini së Kosova me më pak se dy milionë banorë ka sot shtatë universitete publike dhe mbi tridhjetë universitete private. Të gjitha këto universitete, përpos të tjerash, i shërbejnë edhe punësimit të njerëzve të pushtetarëve.

Ndihmojeni Kosovën që numrin e universiteteve publike e private t’ia përshtasë nevojave e mundësive, nevojave e interesave të veta reale.

Ju mund të keni dëgjuar e mund të keni lexuar, zotërinj ambasadorë, se nepotizmi është kriteri kryesor për përzgjedhjen e njerëzve për punësim në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, ekonomike, universitare, madje edhe diplomatike.

Vëllezërit, motrat, tezet, hallat, xhaxhatë, dajat, nipat, mbesat, kushërinjtë, miqtë janë të privilegjuarit e sundimtarëve të sotëm në Kosovë.

Numri më i madh, larg më i madh, i qytetarëve të Kosovës nuk gëzojnë liri dhe, nuk gëzojnë liri, sepse nuk janë në punë, nuk kanë me çka t’i mbajnë familjet e tyre, nuk kanë siguri ekzistenciale. Nuk ka liri pa siguri. Sepse siguri nuk mund të quhen vetëm siguria në aeroportet dhe ne vendtubimet e qytetarëve. Siguri e plotë, e vërtetë, është siguria ekzistenciale, që nuk ekziston sot për shumicën e kosovarëve.

Pasojat e kësaj pasigurie të numrit më të madh të qytetarëve të Kosovës, zotërinj ambasadorë, do t’i pësojnë vendet tuaja dhe do t’i pësojnë, sepse kosovarët e pa punë, të shpërfillur, të diskriminuar do të bëjnë çmos që të gjejnë shpëtimin në vendet tuaja.

Të këqijat politike, pushtetore, partiake, në Kosovë, të prodhuara prej sundimtarëve të sotëm, janë të shumta e të ndryshme. Mënjanimi i këtyre të këqijave dhe parandalimi i prodhimit të këqijave të reja mund të arrihet.

Dy marrëveshjet e sipërpërmendura, si shkaktare të krizës së sotme politike dhe institucionale në Kosovë, janë prodhim posaçërisht shqetësues i gjithë këtyre të këqijave që me vitë rëndojnë Kosovën dhe i revoltojnë fort qytetarët.

Mënjanimi i të këqijave ekzistuese dhe parandalimi i të rejave do të fillojë atë ditë kur do të dorëhiqen pushtetarët më të komprometuar në Kosovë, e kjo domethënë kur të dorëhiqet Qeveria e Kosovës. Me dorëheqjen e Qeverisë fillon edhe zgjidhja e krizës politike dhe institucionale. Pa këtë dorëheqje, siç duken punët, kriza mund të përthellohet duke u shprehur edhe në mënyra më rënduese e më shqetësuese.

Deklarimi i Juaj, zotërinj ambasadorë, për të ndëshkuar opozitën qoftë edhe me polici në Kuvend e për të rehabilituar

Qeverinë, në supet e protagonistëve të së cilës rëndojnë përgjegjësi jo vetëm për këtë krizë, e bën njëmendësinë e Kosovës tepër të ftohtë dhe të errët.

Ndihmojeni Kosovën të mos zhytet edhe pas luftës në atë të ftohtë dhe në atë terr!

I keni të gjitha mundësitë.

Me nderimet më të përkushtuara.

Akademik Rexhep Qosja

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …