RKL

RKL: 17-vjet nga dita e fitores së “Zërit të lirisë”

Më 21 qershor të vitit 1999, datë kjo në koincidencë me nënshkrimin e Marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, Radio-Kosova e Lirë ka transmetuar programin e fundit ditor në zonat e luftës së UÇK-së, nga  bunkeri i majës së  malit Pallanik në kufirin mes fshatrave të pjesës jugore të Drenicës: Berishë, Nekoc, Kizharekë.

21 qershori i atij vitit të fitores historike, shënonte edhe ditën zyrtare të largimit definitiv nga Kosova të forcave kriminale ushtarake e policore serbe, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të 10 qershorit 1999.

Në lajmet e orës 16.00 kemi transmetuar lajme vendore dhe të huaja që kishin të bënin me Kosovën, largimin e forcave serbe, demilitarizimin e UÇK-së, kthimin masiv nga Shqipëria e Maqedonia  të shqiptarëve të dëbuarve nga trojet e tyre nën tytën e armëve dhe bajonetave të regjimit të Milosheviqit,  rënien në mina të tre ushtarëve të UÇK-së dhe dy ushtarëve  anglezë të KFOR-it, në Lagjen e Bytyçve  te  shkolla e fshatit Arllat, si dhe informata  të tjera.

Po atë ditë kemi marrë vendim që Radio Kosova e Lirë, sapo të krijoheshin kushtet elementare të fillonte programin e transmetimit, në Prishtinë.

Në kushte dhe rrethana të reja, edhe pse Qeveria e Përkohshme e Kosovës kishte formuar në Tiranë, Ministrinë e Informimit, Radio-Kosova e Lirë nuk  u mor në mbrojtje institucionale. Për fillimin e punëve të Radios dhe Agjencisë, në pjesën e parë të korrikut 1999 ishte paraparë një ndihmesë financiare nga Qeveria e Përkohshme.

Radios për fillim, në gusht të vitit 1999 nga fondi i Qeverisë iu kanë ndarë 10.000  DM.  Më vonë kah shtatori  i atij viti iu kanë ndarë edhe 15.000 Dm, në kohën kur kishim pranuar në punë 30 gazetarë, teknikë e redaktorë.

Me ato të holla,  për tre muaj kemi ndarë rroga nga 100 deri në 300 DM dhe kemi blerë disa pajisje të reja, meqë ato të luftës ishin dëmtuar rëndë. Gjatë muajve në vazhdim jemi mbështetur vetëm në të ardhurat nga reklamat, meqë nga Qeveria, jo zyrtarisht na ishte bërë me dije se Radioja nuk do të financohej, në radhë të parë për shkak se nuk po vihej në kontroll të politikës. Reagimi, që Radio kishte bërë kundër një shkrimi të Veton Surroit, i cili veprimet e individëve të caktuar kundër disa serbëve, i quante veprime fashiste të UÇK-së, bëri që të ashpërsohet qëndrimi i Qeverisë së Përkohshme kundër Radios, ndërkohë që për shkak se shkrimin e Radios e kishte botuar Agjencia Kosova press, kreu i Qeverisë e ndërroi nga posti drejtorin e atëhershëm. Ky veprim i Qeverisë së Përkohshme në mbrojtje të një fantazme të titizmit, i cili kishte marrë guxim ta përdhoste luftën tonë çlirimtare, tregonte orientimin vasal të krerëve politikë të kohës, të cilët mendonin se në Kosovë po rikthehej bashkim-vëllazërimi dhe përbashkësia me Serbinë e hershme të viteve të para luftës.

Prej nëntorit të vitit 1999 e deri sot Radio-Kosova e Lirë ka mbijetuar falë vetëfinancimit dhe përpjekjeve të pareshtura për të mbijetuar në një garë marramendëse të konkurrencës në një regjim xhungle, i cili ka mbretëruar dhe ende mbretëron në Kosovë. Pavarësisht injorimit që na është bërë dhe na bëhet nga të gjitha qeveritë e deritanishme, kjo Radio asnjëherë të vetme nuk është përkulur, ashtu sikur nuk është përkulur as gjatë kohës së luftës, kur ka transmetuar nga bunkerët, që ishin në shënjestër të përditshme të forcave policore dhe ushtarake serbe.

Qasja autentike e problemeve në Radio, kritika drejtuar krerëve politikë për gabimet e shumta, sidomos për poltronizmin dhe nënshtrimin e tyre ndaj të huajve, lufta e pandërprerë kundër rikthimit të ideologjisë titiste rankoviçiste, mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së, zbardhja dhe jetëshkrimi i dëshmorëve e martirëve, kanë qenë dhe po mbesin temat e përmbajtjet mbi të cilat, kjo Radio, ka ndërtuar identitetin e vet informativ e kulturor, identitetin autentik kombëtar.

17 vjet pas fitores, Radio-Kosova e Lirë krenohet në radhë të parë për një qëndresë dinjitoze që ka bërë dhe po bën në mbrojtje të vlerave të luftës dhe përhapjen e programeve autentike informative, kulturore, me një qasje autentike, duke i qëndruar besnike vlerave afirmative kombëtare dhe vlerave universale njerëzore.

Gjatë këtyre viteve na kanë mbështetur edhe miq e bashkëmendimtarë, ndërsa me shumicë na kanë injoruar dhe na injoron klasa titiste e rankoviçste dhe ajo pacifiste, e cila qysh prej 17 viteve i ka uzurpuar institucionet e  vendit dhe falë “meritave” të tyre në politikë-bërje  dhe në udhëheqje, Serbia tashmë ka hyrë thellë në Kosovë dhe po e mbanë të rrethuar ardhmërinë e saj.

Radio-Kosova e Lirë e ka fituar luftën falë shpirt heroik e sakrifikues së luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë gjakut të tyre të derdhur për liri, duke qenë edhe vetë pjesë përbërëse e informimit dhe sakrificës në luftë, ndërsa pas luftës  duke ndarë fatin e njëjtë me veteranët e invalidët e mbetur në mëshirën e kohës.

Sot Radio Kosova e Lirë, me të drejtë përkujton përvjetorët e fitoreve, por po ashtu i jep vetes të drejtë të kritikojë, të gjithë  ata që ishin zotuar për të punuar me mish e shpirt për Kosovën, për amanetin e Legjendarit Adem Jashari, por me kohë atë amanet e kishin  bërë vetëm pjesë të zbehur e të zbërdhulur të retorikës së tyre verbale, me qëllim të përfitimit të elektoratit.

Duke i qëndruar besnikë amanetit të dëshmorëve, të cilët i përkujtojmë për çdo ditë me nga  4 orë emisione tematike e dokumentare, duke i qëndruar besnikë kulturës afirmative kombëtare  dhe vlerave tona autentike, duke qëndruar të patundur në të drejtën e natyrshme të çlirimit të trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre me një shtet të vetëm shqiptar në Ballkan, Radio-Kosova e Lirë është kampione e mbështetjes jo vetëm formale të realizmit gradual të aspiratave tona shekullore për liri, barazi e bashkim. Në këtë rrugë kemi pasur dhe kemi shumë përkrahës, edhe pse për hir të së vërtetës duhet pranuar faktin se shumica dërrmuese e  medieve që kanë lidhje me klanet partiake e qeveritare e ka dëmtuar dhe dita ditës po e dëmton interesin e përgjithshëm të shqiptarëve, për unifikim e bashkim.

Rruga 17-vjeçare e mbijetesës së Radios-Kosova e Lirë ka qenë tejet e vështirë dhe vazhdon të jetë e tillë, por falë përkushtimit të stafit, gazetarëve e teknikëve,  që kanë prejardhje nga lufta e UÇK-së dhe nga lëvizjet për liri e bashkim, kemi arritur ta mbajmë në eter zërin e pastër të lirisë, zërin e fitores, zërin që buron nga frymëmarrja e bronkeve të Shqipërisë.

Radio-Kosova e lirë edhe sot pas 17 viteve ju flet për lirinë e Kosovës, ju flet për ardhmërinë e rrethuar dhe denoncon të gjitha përpjekjet antishqiptare, të gjitha përpjekjet e kolaboracionistëve të ndryshëm, që kanë për  qëllim  përbaltjen e së kaluarës së  lavdishme dhe nuk hezitojnë të bashkëpunojnë në dëm të interesit të kombit.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …