RKL

RKL: 19-vjet në mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve, zëri që ka sfiduar dhe sfidon forcat e barbarisë e të shfrytëzimit

(Me rastin e  21 qershorit të vitit 1999, kur Radio-Kosova e lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës)

Më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës, ku kishte emetuar program prej 4 janarit të atij viti. Me lajmin kryesor të ditës lidhur me dëbimin e të gjitha forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, ishte përmbyllur me sukses transmetimi i kohës së luftës, ndërsa Radioja kishte paralajmëruar rifillimin e transmetimit në Prishtinë, në kushte dhe rrethana të reja.

Prej 12 korrikut kur ka rifilluar transmetimi, në një depo të ish-Voçarit, në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë, ku ende transmeton program kjo radio e luftës, për mbrojtjen e zërit të së cilës kanë rënë 13 dëshmorë, në mesin e tyre tre anëtarë të stafit në terren, asnjëherë  nuk është trajtuar si vlerë e luftës së UÇK-së, në mënyrë institucionale.

Përnjëherë pas luftës, Qeveria e Përkohshme kishte ndarë 200 mijë Dm. për Radion dhe Agjencinë Kosova pres. Nga ajo shumë, Radios-Kosova e Lirë, gjatë vitit 1999 iu kanë dhënë vetëm 25 mijë DM, ndërsa shuma tjetër iu ka akorduar, Agjencisë Kosovapress.

Edhe pse Qeveria e Kosovës, ish-ministri i Kulturës, i koalicionit qeverisës- PDK-LDK,  z. Valton Beqiri, në manifestimin për 10-vjetorin e fillimit të transmetimit, më 4 janar të vitit 2009, drejtorisë së Radios i kishte dorëzuar vendimin për marrjen në mbrojtje institucionale të Shtëpisë-Muze, në Fshatin Berishë, ai vendim u shpërfill nga institucionet dhe nuk u mor fare në konsideratë nga asnjë institucion. Vendimi u refuzua gojarisht nga Komuna e Drenasit, të cilën ministria me vendimin e vet e obligonte ta merrte në mbrojtje institucionale trashëgiminë informative e kulturore të këtij medium të luftës dhe të paqes në Kosovë, në Shtëpinë-Muze në fshatin Berishë, meqë vendi ndodhet në komunën e Drenasit.

Shtëpia-muze në fshatin Berishë, ( dy zyre gjithsej 20,m2 ) ku aktualisht transmeton program kjo Radio, është ngritur me mjetet financiare të Radios dhe të disa donatorëve, ndërsa objektin e kanë ndërtuar vullnetarisht pjesëtarët e TMK-së të Brigadës, Ismet Jashari-Kumanova, në Malishevë, në vitin 2004.

Radio-Kosova e lirë, ka ruajtur, ruan dhe përçon çdo ditë vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerat e përgjithshme kombëtare. Ajo, për çdo ditë, përveç informimit ditor dhe emisioneve të shumta, emeton emisione për jetën dhe veprën e dëshmorëve të tri luftërave tona çlirimtare, duke iu përmbajtur një koncepti militant kombëtar dhe duke mos rënë asnjëherë nën ndikimin e partive politike apo grupeve dhe klaneve të interesit.

Në rrugë për t’i ruajtur këto vlera, Radio-Kosova e Lirë ka demaskuar dhe demaskon pretendimet për zhvlerësimin e luftës sonë çlirimtare, pretendimet për barazimin e kriminelëve me viktimat dhe përpjekjet e vazhdueshme të disa autoriteteve vendore ndërkombëtare për ta zhvlerësuar UÇK-në, duke ngritur edhe një gjykatë speciale, raciste, një etnike, e cila akuzon eprorët dhe ushtarët  për krime lufte kundër forcave të regjimit të Milosheviqit dhe bashkëpunëtorëve shqipfolës të atij regjimi.

Zëri militant i lirisë që shpërndahet nga kjo radio është i lidhur ngushtë me aspiratën jetike të shqiptarëve në shtetet e Ballkanit për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm, ashtu sikur shtetet e të gjitha vendeve të rajonit e më gjerë.

Kjo Radio nuk është pajtuar as do të pajtohet me padrejtësitë konstante historike të copëtimit e tjetërsimit të tokave shqiptare prej vitit 1877 e deri tani kur Brukseli dhe faktorë vendimmarrës ndërkombëtar, po bëjnë presion që veriun e vendit tonë, katër komuna  t’ ia japim Serbisë, por nuk lejojnë që tri komunat shqiptare të Kosovës Lindore t’i bashkohen vendit tonë.

Në kushte dhe rrethana të tilla, Radio-Kosova e lirë e cila gjatë luftës është mbrojtur me gjakun e dëshmorëve e ndien obligim kombëtar të demaskojë këto politika antikombëtare dhe mu për këtë,  jo vetëm që nuk merr përkrahje institucionale, por edhe injorohet, shpeshherë edhe kërcënohet dhe në vazhdimësi  anashkalohet nga mujsharët e politikave pragmatiste, të cilët për hir të asaj që e quajnë “partneritet” dhe respekt që kanë për ndërkombëtarët, janë në gjendje të lëshojnë pe në dëm të interesave të vendit, edhe më shumë sesa kërkojnë “partnerët” e tyre.

Jemi të vetëdijshëm në pafuqinë tonë për të bërë më shumë, por prapa nesh janë të gjithë veteranët e vërtetë të UÇK-së, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe shqiptarët liridashës kudo ku   jetojnë në trojet tona etnike.

Dashuria për lirinë dhe bashkimin kombëtar nuk ka vdekur as vdes kurrë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve liridashës, po kjo nuk ka asgjë të përbashkët me krerët e luftërave tona çlirimtare në Kosovë e Maqedoni, të cilët për t’i ruajtur pozitat e tyre në pushtet, i cili ua mbron pronat milionëshe, ua mbron familjet e klanet partiake, janë në gjendje të firmosin në dëm të interesave të vendit, ashtu sikur kanë firmosur dikur, Esad Pasha, Ahmet Zogu, Sinan Hasani, Fadil Hoxha, Mehmet Maliqi, Azem Vllasi, dhe shumë të tjerë si këta.

Radio-Kosova e lirë nuk është zë i vetmuar në shkretëtirë, sikur etiketohet  nga pacifistët e kameleonët e ditës,   por është zë që u rri te koka të gjithë kolaboracionistëve, mujsharëve e kriminelëve që janë pasuruar paligjshëm, cilët do qofshin ata, është zë që denoncon dhe demaskon mediet e klaneve politike, në shërimin të politikave antikombëtare, është zë që sfidon padrejtësinë dhe kurrë nuk është përkulur, as nga breshëria e armëve të krye-xhelatit serb të Ballkanit, Milosheviq, gjatë luftës, dhe kurrë nuk do të përkulet nga kolaboracionizmi e pacifizmi, as nga protektorët që quhen “partnerë e miq” që na kanë ndihmuar  të çlirohemi, me kusht që të iu bindemi edhe atëherë kur preken interesat vitale të vendit e kombit, për hir të do interesave të tjera, të tyre.

Radio-Kosova e Lirë, zëri jehonë i armëve të legjendarit, Adem Jashari, do t’ i përballojë sfidat e mujsharëve dhe arrogancën e  tyre, sepse ka kredibilitet, sepse kurrë nuk është verbuar nga lakmia, sepse ka mbrojtur dhe mbron ata që sulmohen padrejtësisht, mbron dinjitetin e të varfërve të nëpërkëmbur, që jetojnë me 80 euro në muaj dhe kritikon ata që ndërtojnë Qeveri në radhë të parë për t u pasuruar për vetën dhe klanet e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Publikohet biseda telefonike Radoiçiq –Mimoza Kusari, ku ishin koordinuar për një projektligj dhe një gjyqtar të Kushtetueses

Ishte java e dytë e qershorit të vitit 2022, kur Mimoza Kusari-Lila po përpiqej t’i …