Apostolova

RKL: Apostollova thotë se njerëzit në Kosovë nuk u besojnë institucioneve të veta andaj paskan nevojë për ndërkombëtarët (!)

Shefja e BE-së, në Kosovë, Natalija Apostolova, ka thënë se Demarkacioni dhe Gjykata Speciale janë dy çështje që mund ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian. Fillimisht kusht për liberalizim ishte demarkacioni, Asociacioni në Veri, Korrupsioni,  e tani del të jetë edhe Gjykata Speciale. Zonja Apostollova, ashtu sikur edhe paraardhësit e saj nga Brukseli thotë  se Kosova ka gjasë që të ndikojë në të ardhmen e saj duke i bërë gjërat e duhura. Ajo  duhet të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e zi. Po ashtu ajo në mënyrë hipotetike, përçmuese dhe ironike konstaton  se njerëzit në Kosovë nuk besojnë në institucione, prandaj kanë nevojë për ndërkombëtaret”.  Mendoj se zonja Apostollova, këto konstatime të saj i ka bazuar në të dhëna që prezantojnë disa nga mediet në Kosovë, por pa i pyetur shqiptarët, pa bërë ndonjë anketë, pa marrë mendimin e autoriteteve që kanë ndikim në popull.

Duke shfrytëzuar politikanët servilë shqiptarë, ata të markave të  njohura:  “Lepe-peqe, okej ser, molim lepo”,  zonja nga Brukseli me një anë konstaton se populli në Kosovë nuk u beson institucioneve, në anën tjetër, ajo dhe tërë stafi i zyrtarëve të lartë të akredituar në vendin tonë, të gjitha “pazaret” politike i bëjnë  po me këta kryesues të institucioneve. Dhe kur ndodh që ndonjëri, në radhë të parë për qëllimet e veta, bën ndonjë kundërshtim, atëherë i vërsulen duke mos e kursyer, duke e kërcënuar, duke kërcënuar madje edhe të gjithë deputetët, që nuk i nënshtrohen vullnetit të akëcilit ambasador, zyrtar  apo politikaneje të BE-së e kështu me radhë.

Ja cila është demokracia që prezanton dhe po e mbjellë në Kosovë BE-ja dhe ambasadorët, të cilët aq shumë e duan “popullin” e Kosovës, por vetëm nëse vazhdon të jetë i  dëgjueshëm e të veprojë edhe kundër interesave të veta, gjithnjë në interes të atyre që për 18 vjet thonë se na ka kanë çliruar, por pa derdhur asnjë pikë gjaku.

Po qe se bëjmë në digresion analogjik, duhet të pranojmë faktin se edhe popujt e Evropës Lindore, në vitin 1945 i kishte çliruar nga fashizmi gjerman,  Armata e Kuqe sovjetike, por me qindra mijëra prej tyre kishin derdhur gjak për çlirimin e Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Çekisë, Sllovakisë, Polonisë e Ukrainës dhe shumë shteteve të tjera. Për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi nuk mori pjesë ushtar i Armatës së Kuqe. Po pas luftës dhe fitores historike kundër fashizmit, ata ushtarë sovjetikë që mbeten gjallë u kthyen në shtëpitë e veta dhe nuk u bënë arbitër të përjetshëm mbi kombet që i kishin  ndihmuar  të çliroheshin, përveç atyre që me dashje apo me dhunë ishin bërë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Në rastin tonë, aleatët tonë shumë të dashur, na kanë ndihmuar të çlirohemi vetëm duke sulmuar  forcat e pozicionet serbe nga ajri, dhe nganjëherë duke na goditur  edhe neve, si  për mahi, si dëm kolateral, por pa luftuar në tokë, fyt për fyt me forcat kriminale e fashiste serbe, sikur kishte bërë Armata e Kuqe, e cila sot, nga forcat e ashtuquajtura liberale evropiane konsiderohet po aq fashiste se edhe Armata e Hitlerit.

 Arbitruesja e BE-së për Kosovë, Natalija Apostollova, duke folur për mundësinë e pezullimit të Gjykatës Speciale nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga vullneti i tyre politik si përfaqësues të popullit, i cili u ka dhënë besimin, ka deklaruar se veprimi i tillë nuk qenka i drejtë, sepse këtë gjykatë e duan ndërkombëtarët, pavarësisht se ajo është një etnike dhe ka për qëllim diskreditimin e luftës çlirimtare.  Ajo,  shpreson që politikanët e Kosovës do ta  kuptojnë këtë më herët, para se të jetë vonë.  Ky kërcënim i tërthortë i zonjës së BE-së, tregon dyfytyrësinë e saj politike, kur me një anë thotë se populli në Kosovë nuk u beson institucioneve, në anën tjetër po nga këta drejtues  institucionesh kërkon vetëm vartësi e vasalitet.

Ku e mbështet konstatimin e saj kur thotë se shqiptarët nuk u besojnë institucioneve të tyre?. Natyrisht se e mbështet në titujt e medieve, të cilat nuk e ruajnë interesin e popullit, por interesat politike të klaneve nga ku thithin burime financiare, dhe mbrojnë gjithnjë interesat e të huajve.   E mjerë është ajo politikane apo politikan qoftë e dhe i Brukselit, Parisit apo i Romës, që rrjedhën e zhvillimeve në një vend e bazon në shkrimet  e medieve, në rastin tonë,  shumica e tyre pa asnjë kredibilitet e besueshmëri, por  gjithnjë servile ndaj të huajve, si dje në kohën e regjimeve antishqiptare serbe e jugosllave, ashtu edhe sot në shërbim në BE-së dhe politikave antikombëtare, antishqiptare.

Zonja Apostollova mbahet për veten e saj aq e mençur sa qenka  e bindur se shqiptarët paskan nevojë për ndërkombëtarët, të cilëve edhe po u besuakan, sepse kështu shkruan “Koha Ditore, Zëri, Ekspressi” e përgjithësisht mendësia gazetareske me jugo-prejardhje  ideologjike. Populli nuk është pyetur kurrë, por kur një nismë si ajo e veteranëve për pezullimin e Gjykatës, nënshkruhet nga 16.000 veteranë, atëherë këta nuk qenkan  populli, por edhe nëse janë ata  po  gabuakan,  por nuk gabojnë 30 apo 30 gazetarë e analistë servilë, me jugo ADN politike, në opinionet e të cilëve mbështetet zonja e rëndë e BE-së, e gjithë ditura Apostollova.

Dhe vjen një ditë e kjo zonjë e rëndë që shet mend me filozofinë e saj pragmatiste do të largohet nga Kosova, por shqiptarët dashur pa dashur ajo, dhe të tjerë si ajo,  kanë qenë dhe do të mbesin në vendin e tyre. Dhe prej asaj dite kur ajo do të largohet  nuk do ta kujtojnë më, madje as gazetarët servilë, që presin me entuziazëm e dalldi kolaboracioniste fillimin e punës së Gjykatës kundër UÇK-së  sepse  ata do të ngarendin te  ajo tjetra, apo ai tjetri, që vjen me radhë. Natyrisht se edhe asaj aq i bën se e kujtuan apo jo, gazetarë dhe miqtë e shtirur të saj,  me rëndësi është se ajo  deri atëherë do të vjelë qindra mijëra euro për punën e saj, pavarësisht sa i ka  kontribuar mirësisë, paqes, mirëkuptimit, apo kaosit, anarkisë e shëmtive të mujsharëve të politikës.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …