RKL

RKL: Djali nuk mund të fajësohet për veprat e pamira të babait, nëse nuk vazhdon të ecën rrugës së tij

Fushata e portalit Ekspress dhe e  disa papagallëve të vetëquajtur analistë, kundër Erzen Vraniqit, për faktin se ai është djali i Hamdi Vraniqit, i cili i paska dhënë leje ndërtimi Kishës serbe në Prishtinë, nxjerrë në sipërfaqe atë thënien: “Ma mbaj djalin, t’ i them sa nuk më ka thënë!”. Po të kishte dashur, Erzen Vraniqi të bashkëpunonte me UNMIK-un, të EULEX-in, do të kishte një post të lartë kudo në Qeveri, apo në Presidencë, të paktën do të ishte këshilltar i ndonjërit prej  tre krerëve të lartë të vendit. Por ai ka zgjedhur Vetëvendosjen e cila ka projekt çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve…

Askund në botën e qytetëruar nuk ndodh, që djali të ndëshkohet për veprat e pamira të babait, përveç në rastet kur ai, me vepër dhe bindje  mbështet babanë dhe nuk pranon të diferencohet prej veprave të tij, nëse ato vepra konsiderohet se i kanë bërë dëm kombit. Nëse dikush bën përpjekje ta demonizojë, Erzen Vraniqin, për nënshkrimin e një leje ndërtimi, nga babai i tij në kohën e regjimit të Milosheviqit, atëherë çka duhet të ndodh me Shkëlzen Maliqin, djalin e kriminelit të luftës, UDB-ashit të damkosur, Mehmet Maliqi, i cili ka pushkatuar nacionalistë shqiptarë pa gjyq e me gjyq, ndërsa në vitin 1981 ka nënshkruar masën e izolimit për dhjetëra mijëra intelektualë të Kosovës, për të cilët dyshohej se e kishin mbështetur kërkesën gjithë-popullore “Kosova Republikë”. Për ato vepra antikombëtare dhe antinjerëzore të babait, djali i kriminelit dhe vrastarit, Shkëlzeni, mbase për besnikëri jetësore ndaj Jugosllavisë është përzgjedhur këshilltar i kryeministrit,  Edi Rama, për Serbinë. Ai po ia i mbanë lidhjet perfekte me Beogradin dhe ia  përkthen veprat me qëllim që ato të përurohen në Beograd,  për sikur thuhet  relaksimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, edhe pse në Sodomën Serbi ende ndodhen eshtrat e më shumë se 1700 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, për të cilët Beogradi nuk dëshiron të flasë me Edi Ramën, edhe pse Serbia ka vrarë në mënyrë sistematike, institucionale qindra e mijëra shqiptarë, kroatë e myslimanë të Bosnjës, Hercegovinës e të Sanxhakut.

Djali i inspektorit të UDB-së,  Enver Maxhuni,  kryepolici  i Kosovës, Shpend Maxhuni  është përzgjedhur sërish për këtë post nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, edhe pse është përfolur për afera ndër më  skandalozet. Përse postohet në krye të policisë së Kosovës, madje edhe për një mandat tjetër, Shpend Maxhuni, djali i babait që ka rrahur e keqtrajtuar  mizorisht, madje edhe vajza të mitura shqiptare, në vitin 1981?

Sot në Kosovë ka mijëra bijë dhe bija të ish-milicëve dhe ish inspektorëve të UDB-së, të ish prokurorëve të Jugosllavisë dhe tani prokurorë të përzgjedhur të EULEX-it. Ka qindra bij e bija gjyqtarësh, porotësh, dëshmitarësh, denoncuesish, baballarët e të cilëve, gjatë regjimeve okupatore, duke qenë besnikë të atyre regjimeve kanë dënuar e ndëshkuar mizorisht shqiptarët liridashës të vendit.

Po Berat Buzhala i Ekspresit, i “Komitetit”, biri i kujt është?

Po Veton Surroi e Flaka Surroit të kujt janë?

Po Bato Haxhiu kë kishte baba?

Po bijtë e Xhavit Nimanit, Fadil Hoxhës, Xhevdet Hamzës, Ali Shukriut, Azem Vllasit, Ibush Kllokoqit, Lutfi Ajazit, Selim Broshës, Jakup Hotit, Mehmet Shoshit, Sinan Hasanit, Ismail Arifajt  dhe qindra të tillëve ku janë dhe a i kanë kërkuar ndonjëherë falje familjeve të viktimizuara shqiptare, nga baballarët e tyre? Ku janë ata dhe përse të paktën asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar falje për veprat kriminale të baballarëve të tyre, për vrasjen e dhjetëra mijëra shqiptarëve prej vitit 1945 e deri në qershor të vitit 1999?

Jo po, nuk duhet harruar faktet, sepse mallkohemi nga gjaku i derdhur rrëke për liri.

Demonizohet djali i një babai, që paska nënshkruar një leje ndërtimi në kohën kur Kosova ishte e okupuar dhe regjimi në Beograd kishte suspenduar edhe autonominë dhe kishte nxjerrë jashtë ligjit të gjithë shqiptarët. Po të kishte dashur, Erzen Vraniqi të rreshtohet bashkë me argatët e UNMIK-ut, të EULEX-it, do të kishte një post të lartë kudo në Qeveri, apo në Presidencë, të paktën do të ishte këshilltar i ndonjërit prej  tre krerëve të lartë të vendit. Por ai ka zgjedhur Vetëvendosjen e cila ka projekt çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

Nëse duhet të hidhen në shtyllën e turpit bashkëpunëtorët e mercenarët e serbëve të Titos, Rankoviqit e Milosheviqit, atëherë duhet nisur nga fillimi dhe duhet vajtur  deri në fund, por  jo në mënyrë selektive sipas fushatave të krerëve politikë, e kurrsesi jo bijtë e bijat e atyre që nuk janë pajtuar me veprat e baballarëve të tyre  dhe që mjerisht janë fare pak në numër.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …