RKL: Eshton vjen në Kosovë për t’ i bindur politikanët që t’i pranojnë kërkesat e Serbisë lidhur me veriun

Vizita e paralajmëruar e komisares së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, në Prishtinë, bëhet me qëllim për ta bindur kreun negocuiues të Kosovës, që të pranojë kushtet e Serbisë lidhur me autonominë e plotë të komunave të veriut, në mënyrë që të arrihet zgjidhja kyçe në bisedimet Kosovë-Serbi, të cilat BE-ja ia ka imponuar kreut institucional të vendit tonë, si kusht për  normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por  edhe me qëllim që Beogradi zyrtar të përshpejtojë rrugën e vetë drejt BE-së.

Vizita e komisares Eshton në Kosovë, nuk është një vizitë për ndonjë problem të vizave, apo ndonjë problem dosido por  është një vizitë me qëllim për ushtruar një presion edhe më të fortë drejtuar Qeverisë së Kosovës, për të lëshuar pe edhe kësaj radhe, ashtu sikur ka lëshuar pe në të gjitha bisedimet paraprake, qysh prej fillimit të dialogut të imponuar nga BE-ja. Jo rastësisht, në prag të rifillimit të bisedimeve politike të Kosovës me Serbinë, zonja Eshton kishte paralajmëruar, madje  edhe i kishte porositur palët të përgatiteshin për kompromise  të dhembshme, duke sjellë Serbinë në pozitë të bisedimeve madje edhe për punët e brendshme të Kosovës.

Pranimi i rihapjes së bisedimeve me Serbinë, edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës, ka qenë gabim po aq i rëndë sa edhe pranimi i pakos së Ahtisarit.

Serbia, e cila asokohe iu kishte drejtuar GJND-së, me besim të thellë se ajo gjykatë do të merrte të paktën një qëndrim të rezervuar sa i përket pavarësisë, në mënyrë që të vazhdonte më tej angazhimin kundër kësaj pavarësie, u gjet e deplasuar dhe e goditur rëndë. Të përkujtojmë me këtë rast se më 22 korrik të viti 2010 kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, Hisashi Ovada, kishte deklaruar  se gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të pavarësisë. Në këtë aspekt, ai kishte theksuar:  Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.  Ovada kishte  bërë të ditur se Rezoluta 1244 po ashtu nuk e ndalonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

 

Kosova me këtë deklaratë kishte fituar të drejtën për të mos hapur asnjë negociatë me as kë, aq më pak me një shtet, i cili madje me kushtetutë sanksionon çdo mundësi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Duke parë pozitën e palakmueshme dhe tejet deprimuese të Serbisë, e cila kishte humbur edhe mbështetjen e fundit që kishte menduar se e kishte te GJND-ja, Bashkimi Evropian i shkoi në ndihmë Beogradit, duke i ofruar sërish bisedime me Kosovën, fillimisht si bisedime teknike, në mënyrë që ndërkohë të hapeshin edhe bisedimet rreth statusit.  Sapo kreu i Kosovës kishte pranuar rifillimin e bisedimeve, kreu i Beogradit kishte bërë të ditur se në bisedimet e tilla do të arrihej një kompromis mes palëve. Gati askush nga zyrtarët qeveritarë asokohe nuk i dha rëndësi, “kompromisit”, duke e trajtuar si “dërdëllitje” ditore  të Beogradit, edhe pse dihej mirëfilli se Serbia nuk kishte kërkuar bisedime për ta pranuar shtetin e Kosovës, por për ta diskredituar ndërkombëtarisht, duke përsëritur çdo ditë qëndrimin e hekurt se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e këtij shteti.

 

Bisedimet për veriun, për një pjesë të territorit të vendit, i cili e ka shpallur pavarësinë, janë bisedime që prekin shtetin, sovranitetin, kushtetutën dhe ligjet në fuqi, por pavarësisht të gjitha këtyre, krerët politikë dhe institucionalë të vendit, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, u pajtuan me rifillimin e bisedimeve, të cilat tashmë kanë dëmtuar sovranitetin dhe kanë stopuar njohjen  ndërkombëtare të pavarësisë.

Tani është shumë vonë të përmirësohen sidomos dy gabimet kapitale dhe fatale që ka bërë klasa politike e  pasluftës në Kosovë, pranimi i Pakos së Ahtisarit, dhe pranimi i bisedimeve politike me Serbinë, pas verdiktit të GJND-së.

Dhe, pikërisht për këtë, zonja Eshton vjen ballëhapur në Kosovë, e qeshur si kurdoherë dhe me humor të mirë e sigurt se Prishtina zyrtare, e cila për 13 vjet rresht nuk ka arritur t’i thotë jo asnjë propozimi të BE-së, asnjë propozimi madje as të ambasadorëve  të huaj, edhe kësaj radhe  nuk do ta kthejë duarbosh zonjën e rëndë dhe hundëspece të Brukselit. Tekefundit Prishtina nuk ka kthyer duarbosh  asnjë politikan  të BE-së, cili do të ketë qenë rangu i tij përfaqësues.

Krerëve  politikë të vendit tashmë u kanë mbetur deklaratat e forta që na përkujtojnë atë anekdotën e Nasradin Hoxhës, i cili fqinjit që ia kishte kërkuar gomarin për një shërbim, i kishte thënë se nuk e kishte gomarin në haur. Kur fqinji dëgjoi palljen  e gomarit,  Nasradini i zënë ngushtë iu drejtua dhe i tha: Të kesh  turp që më shumë i beson palljes së një gomari, sesa fjalëve të një myslimani.

Çështja se kujt duhet t i besojmë më shumë, nuk e zgjidh problemin e veriut, as ndikon fare në përfundimin e bisedimeve, apo arritjeve të marrëveshjeve, cilat do qofshin ato. Jemi mësuar tashmë me politikanët tanë disfatistë e qyqarë, të cilët kanë kërkuar t iu besojmë edhe atëherë kur kanë sharruar atje  ku nuk duhet.

Shqiptarët e Kosovës mbajnë mend mirë kohën kur Serbia i kishte ndërmarrë  të gjitha masat për abrogimin e  autonomisë e Kosovës në vitet: 1988-1989. Asokohe, politikanët tanë bënin përpjekje të na bindnin me çdo kusht se me ndryshimet kushtetute Kosova nuk humbiste asgjë, por vetëm përforconte subjektivitetin e vet në Serbi, i cili kishte munguar me Kushtetutën e vitit 1974.

Tani kemi arritur në një situatë paradoksale. Serbia përmes krijimit të asociacionit të komunave të Veriut, pavarësisht se sa kompetenca do të vjelin nga rezultati i bisedimeve, po arrin të homogjenizojë 14 komunat, (kryesisht komuna xhuxhe) në një tërësi administrative vetëqeverisëse, të cilat do të kenë lidhjet horizontale në krejt Kosovën  dhe lidhje vertikale me Beogradin. Në këtë mënyrë Serbia paralizon qeverisjen e shqiptarëve në Kosovë, meqë enklavat serbe nuk përbëjnë një tërësi territoriale, sikur shqiptarët në Kosovën Lindore,  por shtrihen në shumë  rajone të vendit. Për qëllime të kësaj që po ndodh sot, shtatë vjet më parë  janë lejuar të krijohen komuna serbe me 1000 e 2000 banorë. Lejen për krijim e këtyre komunave e ka dhënë vetë Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit.

Andaj vjen krejt lirshëm në Kosovë zonja Eshton, sepse nuk është aq e trashë sa të mos ta ketë kuptuar se krerët shqiptarë në përgjithësi, kurdoherë kanë lëshuar  dhe lëshojnë pe, meqë nuk i besojnë forcës së vetë kombëtare dhe meqë tashmë janë mësuar të jetojnë në gjashtë shtete, pse të mos pranojnë në Kosovë edhe një mini-shtet të Serbisë sa për fillim.

( 13. 3. 2013)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …