RKL

RKL: Fushata e fundit e arrestimeve në Kosovë parapërgatitje e opinionit për Gjykatën Speciale kundër UÇK-së

…Po të mos ishte kështu, nuk do ta qeveriste Kosovën, qeveritari komunist i Titos dhe i Millosheviqit, nuk do të ishte në krye të Policisë i biri i UDB-ashit famëkeq, nuk do  të kishte qenë këshilltar i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, djali i drejtorit të Burgut të Prishtinës, i njohur për mizori, shantazhe e poshtërsi kundër të burgosurve politikë të vitit 1981, nuk do të kishte qenë kryeprokuror, Reshat Millaku, ish prokurori i Titos dhe Millosheviqit, me prokurorët  e tjerë,  që në emër të mbrojtjes së Jugosllavisë  kanë ndarë dhjetëra mijëra vjet burg për ata shqiptarë e shqiptare që kërkonin Kosovën Republikë.  Po të mos ishte kështu si është, para gjyqit të popullit duhet të kishin dhënë përgjegjësi, ata që kanë masakruar Drenicën në vitin 1945, ata që kanë vrarë e persekutuar më shumë se 40.000 shqiptarë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ata që ua kanë marrë bukën e gojës edhe familjeve më skamnore, në aksionin e grumbullimit të “tepricave”, ata që kanë vrarë e gjymtuar qindra shqiptarë në aksionin për grumbullimin e armëve në dimrin e viteve: 1955-1956, ata milicë mercenarë shqipfolës që kanë vrarë demonstrues, madje edhe të burgosur  në vitet: 1947-1951, 1964 1968, 1981, 1989 dhe ata që kanë bashkëpunuar me regjimin e Milosheviqit deri në qershor të vitit 1999, ata gjyqtarë, prokurorë e porotë shqipfolës që kanë dënuar shqiptarë deri edhe me vdekje prej vitit 1945, me Ali Shukriun në krye  e deri te këta të sotmit, bijtë e pararendësve biologjikë dhe ideologjikë, dhe përderisa është kështu, arrestohen, dënohen  e ndëshkohen eprorët dhe ushtarët e UÇK-së…

Fushata kundër rreth 50 personave të dyshuar për krim të organizuar, në mesin e tyre edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Azem Syla, tani në dorëheqje, ish-komandant i SHP të UÇK-së dhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, ka për qëllim që para fillimit të arrestimeve nga Gjykata Speciale, ta diskreditojë komandantin e Shtabit të Përgjithshëm dhe luftën e UÇK-së. Prokuroria bëri të ditur se lënda për “krim të organizuar” daton qysh para 10 vitesh dhe tani qenka  parë e nevojshme që ajo të shqyrtohet nga organet relevante. Pavarësisht se kemi apo nuk kemi të bëjmë me krim të organizuar, meqë tash për tash kemi vetëm raste të dyshuara dhe asgjë më shumë, dihet se krejt kjo fushatë mbështetet në të dhënat dhe “argumentet” e një dëshmitari të mbrojtur të EULEX-it, i cili po këta persona i ka akuzuar për krime lufte, ku pranon se edhe vetë ka bërë pjesë e tyre, ndërsa tani po këta  i akuzon për krim të organizuar dhe  po ashtu pranon se është pjesëmarrës edhe vetë.

E tërë periudha e pas luftës në Kosovë është përshkruar me fushata të njëpasnjëshme kundër kreut të luftës, kundër luftës së UÇK-së në përgjithësi, me qëllim për t’ i devalvuar vlerat e saj çlirimtare. Krejt kjo fushatë është e orkestruar nga segmentet politike e para-politike shqiptarësh në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë dhe zyrës së EULEX-it, në Bruksel. Këtë fushatë e kanë zëruar dhe i kanë dhënë përmasa galimatiase –jugo mediet në gjuhën shqipe, bijtë e bijat e ambasadorëve të Titos, bijtë e bijat e UDB-ashëve dhe tërë ish klasa titiste, rankoviçiste, milosheviqiane. Në këtë fushatë, kohë pas kohe  kanë marrë pjesë edhe kuadro të caktuar të luftës, në akord me konikuturat aktuale dhe  me interesat e tyre politike e ekonomike.

Nuk mund të mohohet fakti se në procesin anarkik, nëpër të cilin ka kaluar dhe në një masë po kalon edhe sot Kosova, nuk ka pasur edhe eprorë apo ushtarë të UÇK-së, që nuk kanë keqpërdorur, apo që nuk janë pasuruar  në mënyrë të paligjshme. Por më gjeni qoftë edhe një kapitalist të vetëm të Kosovës, nga mijëra të tillë që ka sot, që mund të argumentohet  se është  pasuruar me djersë, me para të pastra, me punë e angazhim?. Të tillë, e them me përgjegjësi, nuk ka pasur as do të ketë në një vend ku mbizotëron ligji i xhunglës kapitaliste dhe ku ligjin e lakojnë të gjithë ata që janë thirrur ta mbrojnë, e lakojnë në të gjitha rasat, ( jo vetëm gramatikore) në të gjitha trajtat e mënyrat dhe secili ia punon sipas kutit të vet.

Po kështu, fajtori kujdestar për të gjitha të ligat që kanë ndodhur apo ndodhin në Kosovë, sipas mendjeve të robëruara, po mbetet UÇK-ja, të cilën tani një pjesë e  madhe e shqipfolësish e urrejnë më shumë se sa vetë regjimi në Serbi, apo kriminelët e shqiptarë-vrasësit. Kjo ndodh për faktin se ne jemi liruar fizikisht nga Serbia në vitin 1999, pas rreth 90 vjet bashkëjetese të dhunshme, mirëpo nuk duhet harruar se për shumicën e shqiptarëve, ka qenë një bashkëjetesë e durueshme. Të mos na rrejë mendja dhe të besojnë se shumica shqiptare e Kosovës nuk e ka dashur regjimin titist. Mbase duket e pamoralshme të konstatohet kështu, por kjo bëhet  për të nxjerrë në sipërfaqe  kalbësirat morale, të cilët kërkojnë që çdo të lige t’ ia qesin nga një jorgan të trashë. Megjithatë  realiteti është evident dhe nuk mund të mohohet me gjuhën e fakteve, as me jorganë që kutërbojnë.

Kemi shkruar sa e sa herë se vetëm njëri nga milionerët dhe miliarderët që i ka Kosova ka më shumë pasuri se gjysma e Kosovës, ka 100 herë më shumë pasuri se tërë krahu i luftës bashkë, por ky realitet nuk i bëhet i ditur opinionit, sepse mediet që i ndezin dhe iu fryjnë fushatave kundër luftës së UÇK-së janë krejtësisht të blerë nga qeveritarët e politikanët në zë.  U amnistua Isa Mustafa për 72 vepra krimi, gjatë udhëheqjes së komunës  së Prishtinës. Iu amnistuan bijtë dhe shokët e miqtë e tyre, u amnistuan bijtë e Ibrahim Rugovës dhe miqtë e tyre, u amnistuan sa e sa zyrtarë në të gjitha komunat e Kosovës, në tërë segmentet qeveritare.

Duhet pasur para sysh edhe faktin se luftën çlirimtare të UÇK-së e kanë mbështetur dhe e kanë përkrahur vetëm 10 për qind e popullatës liridashëse shqiptare, sepse shumica pacifiste rugoviste nuk i ka besuar fitores, madje nuk i ka besuar as pas intervenimit të NATO-s, një pjesë nuk i beson as sot, por pret ditën kur një ditë të bukur me diell, të kthehet ajo, që sipas tyre  ka qenë më e mira, koha e artë e bashkim-vëllazërimit. Po të mos ishte kështu nuk do ta qeveriste Kosovën, qeveritari komunist i Titos dhe i Millosheviqit, nuk do të ishte në krye të Policisë i biri i UDB-ashit famëkeq, nuk do  të kishte qenë këshilltar i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, djali i drejtorit të Burgut të Prishtinës, i njohur për mizori, shantazhe e poshtërsi kundër të burgosurve politikë të vitit 1981, nuk do të kishte qenë kryeprokuror, Reshat Millaku, ish prokurori i Titos dhe Millosheviqit, me prokurorët  e tjerë,  që kanë ndarë dhjetëra mijëra vjet burg për ata shqiptarë e shqiptare që kërkonin Kosovën Republikë.  Po të mos ishte kështu si është, para gjyqit të popullit duhet të kishin dhënë përgjegjësi historike, ata që kanë masakruar Drenicën në vitin 1945, ata që kanë vrarë e persekutuar më shumë se 40.000 shqiptarë gjatë dhe pas Luftës së Dytë botërore, ata që ua kanë marrë bukën e gojës edhe familjeve më skamnore, në aksionin e grumbullimit të “tepricave” ata që kanë vrarë e gjymtuar qindra shqiptarë në aksionin për grumbullimin e armëve në dimrin e viteve: 1955-1956, ata milicë mercenarë shqipfolës, që kanë vrarë demonstrues në vitet 1968, 1981, 1989 dhe ata që kanë bashkëpunuar me regjimin e Milosheviqit deri në qershor të vitit 1999, ata gjyqtarë, prokurorë e porotë shqipfolës që kanë dënuar shqiptarë deri edhe me vdekje prej vitit 1945, me Ali Shukriun e deri te këta të sotmit, bijtë e tyre biologjikë dhe ideologjikë. Dhe përderisa është kështu, arrestohen, dënohen e ndëshkohen eprorët dhe ushtarët e UÇK-së, madje jo vetëm për krime lufte, por edhe për krime ekonomike, prit nesër kur të akuzohen edhe për perversitete…

Përderisa Kosova qeveriset në përqindjen më të madhe nga ish strukturat e kohës së komunizmit jugosllav të bashkim vëllazërimit, përderisa kjo klasë përfaqëson shumicën në të gjitha instancat e pushtetit vendor e qendror, doemos se nëpër  burgje për afera ndër më të ndryshmet do të jenë ish të përndjekurit e ish regjimeve, të burgosurit politikë, luftëtarët e UÇK-së, deri tani edhe komandantët kryesorë të luftës dhe ata që kurrë nuk u bënë mashë e asnjë pushteti.

Fushata kundër Azem Sylës  sot,  nesër edhe kundër të gjithë atyre komandantëve që deri tani nuk janë prekur, do të vazhdojë edhe për shumë vjet, krejt derisa të konstatohet  se edhe pakica liridashëse  shqiptare duhet të bindet, qoftë edhe dhunshëm se rruga për prosperitet, bashkim vëllazërim dhe pajtim me Serbinë është rruga e vetme, ndërsa UÇK-ja do të trajtohet një fragment fantazmagorik i së kaluarës.

Projekti është i tillë. Këtë projekt e përkrah Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Isa Mustafa, Edita Tahiri, e ka përkrahur: Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu,  Behxhet Pacolli, Atifete Jahjaga  dhe krejt  klasat e kameleonëve politikë.

Dikush mund të thotë me të drejtë se projektin e ka përkrahur edhe Azem Syla. Është e vërtetë se Azem Syla deri dje ishte tok me ta, por do shohim tani si do të ndodh, kur do ta kuptojë se në politikë, si kjo që po e imponon Brukseli dhe Beogradi në Kosovë përmes mashave të tyre,  nuk ka miq të vërtetë, armiq, po.  Kështu ka ndodhur  me shumë nga komandantët deri tani.  I kanë mashtruar apo janë vetë-mashtruar, rezultati është i njëjtë, sepse Brukseli ka marrë për detyrë t’ia pastrojë krimet Serbisë, ashtu sikur e liroi të pafajshëm kryekriminelin harbut e fashist, Vojisllav Sheshel, ndërsa fajtorë për të gjitha që kanë ndodhur në ish Jugosllavi sipas tyre janë, shqiptarët myslimanët e Bosnjës dhe kroatët.

Si mund t’ iu besohet organeve të ashtuquajtura të drejtësisë, kur ato drejtohen nga gjykatës hetues dhe gjyqtarë të markës:  “Maurizzio Salustro and Company”. Italiani  Maurizzio aktualisht është këshilltar special i ministrisë së Drejtësisë së Serbisë: Edhe salustrët që flasin e shkruajnë shqip, Millakët, Kozmaqët, Morinët,  e djeshëm e të sotëm,  janë ata të kohës së bashkim-vëllazërimit. Me etiketime, linçime fushata paranoje, me përpjekje për diskreditim të çdo luftëtari të lirisë që nuk i nënshtrohet regjimit pro serb dhe pro BE, nuk mund të arrihet paqja në vend.

Arrestimi i Azem Sylës, pavarësisht motiveve të inskenuara apo edhe të dyshuara me ndonjë bazë, në radhë të parë është arrestim politik, i cili i paraprinë arrestim që pritet të ndodhin gjatë muajve në vijim. Fushata kundër 50 të pandehurve ka për qëllim që në opinion të krijohet bindja se të gjithë komandantët e luftës së UÇK-së kanë  qenë dhe janë njerëz të krimit. Këtë përditë e përsërisin jugo-mediet në korin e tyre të shtrigave, sepse paguhen nga padronët e tyre mercenarë, të cilët nuk e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës vetëm me 30 milionë euro,  sa pretendohet që e paska dëmtuar “grupi” i Azem Sylës, por me qindra e qindra milionë, duke e dëmtuar edhe ardhmërinë  ekonomike dhe resursiale të vendit.  Nuk është fjala për ta mbrojtur Azem Sylën, sepse ai di të mbrohet vetë, por pavarësisht fakteve, ai do të jetë qengji i flijimit, në urën e miqësisë së re shqiptare-serbe. Qengjat e tjerë tashmë janë duke u identifikuar.

Edhe po të dalë krejt i pastër Azem Syla, për pastërtinë e tij nuk do të flasë askush. Përnjëherë do të ngihet akuza vijuese  për një komandant tjetër dhe fushata sërish do ta bëjë të veten. Kështu ka ndodhur me sa e sa komandantë deri tani. Edhe pse Haga shpalli të pafajshëm dy herë Ramush Haradinajn, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zyrtar i kohës  së Rrahman Morinës dhe Sllobodan Millosheviqit,  ia përmend krimet e paragjykuara, edhe 17 vjet pas luftës. Sepse nuk është në pyetje ligji, por fushata, linçimi politik dhe publik, pretendimet për ta njollosur çdo pjesëtar të UÇK-së, i cili nuk pajtohet me regjimet që kanë për qëllim, që në emër të urave të bashkim-vëllazërimit të sakrifikojnë më të merituarit për çlirimin e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: INTERVISTË ME VETVETEN PËR ENVER HOXHËN

(Me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së Tij ) Shpesh herë pyes veten:- Në periudha …