RKL: Gjuha denigruese e përdorur dendur nga disa gazetarë të medieve tona

Përgjithësisht  gjuha e shprehur dhe e shkruar e shumicës së medieve të shkruara e elektronike në gjuhën shqipe nuk përmbush nivelin e duhur të kulturës shoqërore e intelektuale në të shprehur dhe në të shkruar. Kjo gjendje mbase është edhe shprehje e pakënaqësisë së përgjithshme sociale dhe e traumave, që kemi përjetuar dhe po përjetojmë si popull i ndarë në pesë shtete, me një ardhmëri, e cila nuk premton ndonjë rrugëdalje dhe e cila po vazhdon të thellohet me një degradim rapid të vlerave njerëzore e kombëtare. Kjo gjendje kaotike e zhveshjes së vlerave po shprehet sidomos në medie, të cilat atë e përçojnë në çdo familje dhe mjedis shoqëror. Në këtë drejtim, shumica e medieve, dashur pa dashur, ndikojnë në zvetënimin dhe tjetërsimin e moralit publik, tradicional të mirësjelljes, që ka mbijetuar me shekuj ndër shqiptarë.


Fyerja apo sharja e burrit në Kuvend, sipas “Kanunit të Lekë Dukagjinit” ndëshkohej  me gjobë shumë të rëndë madje me përzënie të përjetshme nga Kuvendi i burrave”. Sot në Shqipëri, jo më pak se kryetari i Qeverisë, fyen dhe shan më keq se një “pajtonxhi” apo një rrugaç. Dhe nuk është ky i vetmi që përdor një gjuhë të tillë, larg çdo kodeksi moral e njerëzor. Kjo gjendje skandaloze e komunikimit  ka helmuar edhe opinionin publik, meqë tashmë është krijuar bindja se në demokraci je i lirë të shprehesh si të duash, kudo të jesh, në Qeveri, në Kuvend, në Presidencë, në rrugë, apo në pijetore.  Kjo mënyrë e keqpërdorimit  të fjalës së lirë është bërë tashmë model dominues komunikimi kudo, në familje, në rrugë, në shoqëri, në medie dhe në institucione.


 


Ja vetëm shembulli i sotëm i gjuhës denigruese, pasqyruar në disa medie, lidhur me zhvillimet në Kuvend


 


Gazeta “Ekspress”, portali “Telegraf”, “Kosova Sot” e disa mediume të tjera të shkruara dhe elektronike, ditë për ditë përdorin një gjuhë të bastarduar, shpeshherë gjuhë rrugaçësh, sidomos kur lajmi apo komenti iu adresohet përfaqësuesve të institucioneve, me qëllim për t’ i denigruar dhe për t’ i fyer sa më shumë. Natyrisht se në këtë mënyrë ata zbulojnë mungesën e moralit dhe kodit të tyre të sjelljes në raport me lexuesit, duke përdorur jo vetëm fjalë banale, fyerje e përçmime, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me lajmin, por në radhë të parë ata ngutën të shprehin qëndrimin e tyre përbuzës ndaj zyrtarëve të caktuar, sipas bindjeve apo qëndrimeve të tyre politike.


 


Kjo gjuhë e ndragur kufizohet në slogane si këto të ditës së sotme: “Jakup Krasniqi po përlahet me Adem Grabovcin”, ose “ Jakup Krasniqi rroket , apo kapet me Adem Grabovcin”, shprehje me të cilat ata i kanë stolisur faqet e tyre të gazetave të ditës së sotme ( 4. 10 2012), duke komentuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës. Gazetarët dhe redaktorët e  tillë, kurrë nuk skuqen nga turpi, edhe pse ata e dinë përmbajtjen pezhorative të shprehjeve të tilla, por nuk e kanë për pesë para ta shprehin mllefin e tyre me përgojime të ulëta, perverse e të ndragëta. Natyrisht se disave prej këtij “soji” të gazetarëve  iu mungon edhe arsimimi i duhur, sepse  në raste të tilla fjala e pahijshme mund të kornizohet në thonjëza, me qëllim për t’i bërë me dije lexuesit se po përdoret një fjalë, që nuk i përket natyrës realiste të përshkrimit të gjendjes, por një zëvendësim, me qëllim për ta  paraqitur një qëndrim ndryshe, duke u distancuar nga etiketimet e fyerjet.


Këta “gazetarë” të papërgjegjshëm, shpeshherë edhe të neveritshëm me qëndrimet e tyre përbuzëse kundër krerëve të institucioneve, demonstrojnë mungesën e kulturës së shprehjes, qasjen e shëmtuar ndaj informimit dhe arrogancën deri naive në trajtimin e problemeve të ndryshme shoqërore e politike. Këtu nuk kemi të bëjmë me komente apo shkrime kritike, ku akëcili gazetar i lejon vetes të përdor fjalorin, të cilin tekefundit  e ka ushqim të vetin shpirtëror dhe “intelektual”, por është fjala për kumtimin e lajmit, për informatën, e cila nuk duron komentime banale e perverse.


Disa medie të tjera, si “Kosovapress”,  “Zëri”,  “Koha net” duke lajmëruar dhe komentuar zhvillimet gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës u treguan më të matura, duke përdorur sintagma më të kulturuara si: “u ndeshen verbalisht”, “u përplasen mes veti”, “u  zunë” e shprehje të tjera, të cilat i akordojnë përshkrimit realist lidhur me zhvillimet politike në Kuvendin e Kosovës.


Gjuha e çoroditur, tregon edhe nivelin e çoroditur të një kategorie njerëzish, qofshin ata zyrtarë, gazetarë, trafikantë apo banditë rrugësh. Gjuha e tillë tregon mungesën e edukatës dhe të kulturës, familjare e shoqërore. Fatkeqësisht, tashmë kemi filluar të bëhemi imunë ndaj kësaj zezone…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …