RKL

RKL: Kosovën e kolovisin nga Uashingtoni në Bruksel, në përpjekje për ta “rehatuar” e pajtuar me Serbinë

Kosova e pavarur, por e papranuar nga Serbia, e cila e kishte mbajtur nën dhunë e robëri prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999, tani e tutje do të jetë  përgjithmonë e varur nga Uashingtoni dhe Brukseli. Kjo  është një histori e trishtueshme për një popull, i cili me pranimin e identitetit të ri shtetëror, ka pranuar të jetë shtet në vete, por jo ashtu si dëshiron të vendos  vetë dhe ashtu sikur përcaktojnë normat juridike ndërkombëtare për shtetet e pavarura, por ashtu sikur duan ata që na kanë ndihmuar të çlirohemi e tani duan edhe t’ iu bindemi përgjithmonë. Kjo e fundit nuk është e panjohur për ne, as ishte e panjohur për baballarët dhe për gjyshërit tanë.

 Kosova tani është e varur dhe e pavarur. Nga 203 shtetet e botës, 102 e kanë pranuar pavarësinë,  101 nuk e kanë pranuar. Realisht e kishin pranuar 113, por 12 i hoqi Serbia me angazhimin e saj, në mënyrë që mos lejonte që pavarësia e Kosovës të kalonte më shumë se gjysmën e shteteve të botës,  dhe ia doli. Politikën serbe në mënyrë sistematike e ka ndihmuar BE-ja, e cila mori përsipër procesin e dialogut dhe e zvarriti e po e zvarrit atë, krejt derisa Serbia të fitojë të gjithë parametrat politikë, për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare, se Kosova nuk është shtet i pavarur, se pranimi i këtij shteti ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2011 i kishte dhënë të drejtë procesit të shpalljes dhe përmbylljes së pavarësisë.

Krejt ky prapakthim ka ndodhur jo vetëm me fajin e politikanëve “plastofilë” në pushtet, të cilët i godasim përditë, por në radhë të parë me insistimin e BE-së dhe përkrahjen e shumicës së diplomatëve të vendeve të saj, të cilat edhe pse e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, nuk duan të prishin marrëdhëniet me Serbinë, shtetin xhandar, të cilin e ka krijuar Evropa në Ballkan, qysh prej vitit 1879, fillimisht shtet vasal nën Perandorinë Osmane, pastaj shtet të Sllavëve të Jugut dhe definitivisht si Serbi të Madhe në kuadrin e një federate me popujt sllavë dhe të tjerë të mbetur nën hegjemoninë sllave të krishterë.

Evropa dikur e BE-ja sot, në radhë të parë interesohen për fatin dhe prosperitetin e Serbisë, meqë shumica dërrmuese e shteteve nuk ishte pajtuar me bombardimin e saj, nga NATO-ja, në mars të vitit 1999,  madje ata edhe sot konsiderojnë se bombardimi ndodhi  për të mbrojtur myslimanët shqiptarë të Ballkanit, të cilët për mendimin e vlerësimin e tyre, vazhdojnë të jenë mbetje turke aziatike, duke ua mohuar tërë historinë e kaluar,  që nga antikiteti në Evropë dhe duke i dënuar për shkak se pjesa më e madhe e këtij kombi,  ka pranuar islamin.

Ky është qëndrimi “proshqiptar”  i të gjitha shteteve të Evropës, ndoshta me përjashtim të Anglisë e cila prej viteve 90-të të  shekullit të kaluar  ka bërë kthesë në këtë drejtim.

Në periudhën e pasluftës, qarqet e krishtera evropiane përmes vasalëve në Kosovë, kanë bërë përpjekje të pareshtura, që shqiptarët t i trajtojnë si terroristë islamë, si muxhahedinë, si pro turq e pro arabë,  ndërsa Kosovën ta trajtojnë edhe si tokë të ISIS-it e të shteteve lindore.

Shumë para e fonte janë derdhur nga të katër anët e botës,  që “terroristë islamë” ta hedhin diku një bombë, në Kosovë, të masakrojnë ndonjë serb apo edhe  ndonjë shqiptar jo mysliman, por ja që nuk ndodhi as edhe një rast i vetëm, i cili si i izoluar edhe mund të kishte ndodhur, në mesin e këtyre që dikur kryenin punën e Beogradit zyrtar në Kosovë.

Ndodhi, që vite më parë, një  serb nga Beogradi kishte mbushur veturën me trotil në Serbi, për ta aktivizuar para Katedrales Katolike, në Prishtinë, në mënyrë që kjo t’iu mbetej myslimanëve, por duke qenë se ishte serb i krishterë dhe meqë ishte penduar, ai u dënua disa vite  burg dhe tani me sa di unë e ka kryer dënimin.

U zbuluan disa gjermanë të shërbimit sekret që kishin në plan të sulmonin në Kosovë, për t ia lënë ISIS-it, por autoritetet e Kosovës e heshtën rastin, sepse kishte të bënte me miqtë tanë gjermanë.

Qarqet antishqiptare në Evropë, gjithnjë kanë gjetur dhe gjejnë  në mesin e shqiptarëve, gazetarë të shitur e të prostituuar  edhe politikanë të kalbur,  të cilët hapur atakojnë,  xhamitë, veshjen alternative fetare islame e jo të dhunshme, sikur pretendojnë ta paraqesin, dënojnë ngritjen  e xhamive dhe përshëndesin ndërtimin e kishave, vizitojnë fshehtas Manastirin e Deçanit,  instruktojnë gjykime të montuara kundër grupeve terroriste islame, godasin Turqinë duke e akuzuar se po u ndërton xhami shqiptarëve dhe dhunshëm po i detyruaka të falen në to. Kjo masë mini-masonësh të kalbur me ideologji të “krishterë” dhe ateistë vulgarë, çirret kundër islamit dhe e fajëson për të gjitha dështimet e Kosovës, duke u udhëhequr nga deviza se Evropa nuk na do si myslimanë dhe ne duhet të heqin dorë nga kjo fe e keqe e të kthemi në fenë e të parëve. Ngjashëm ishte edhe në vitet 80-të të shekullit të kaluar kur jugo-shqiptarët luftonin nacionalizmin e irredentizmin sepse Serbia i akuzonte të gjithë shqiptarët si nacionalistë, madje edhe ata që i kishte në radhët e LKJ-së.

Kur ndodh që Izreali, Serbia apo Amerika thonë se Kosova është shtet me shumicë islame, ata egërsohen dhe nuk e mohojnë me fakte këtë të pavërtetë,  po i sulen Turqisë, pse na ka sunduar 500 vjet,  pse ka mbaruar xhami, edhe pse ato i kanë ndërtuar dhe i ndërtojnë shtetet arabe, iu sulen mjekrave të myslimanëve, jo atyre të popave serbë, fyejnë shamitë e  grave myslimane, dhe jo veshjet e murgeshave dhe grave me moral, çirren kundër  ezanit por pushojnë e rehatohen me jehonën e “këmbanave të papadisë” dhe ato katolike, edhe pse janë krejt pak në Kosovë dhe për të cilët kemi pasur kurdoherë  dhe kemi respektin ndaj vëllait të fesë tjetër. Këta do të gëzoheshin por të ishte Kosova me shumicë e krishterë, qoftë ajo edhe serbe, për të mos na “etiketuar” Amerika e Izreali si shtet me shumicë myslimane.

Këta bij laramanësh fetarë, shumë prej tyre me prejardhje të vonë ortodokse, dikur sivëllezër nga feja madje edhe nga bilinguizmi fetar  e gjuhësor me serbët, në stilin e njohur:  “natën në kishë ditën n’ xhami”, tani janë çakërdisur në radhë të parë  pse shqiptarët shumicë janë myslimanë, dhe  pse, Amerika, Serbia dhe Izraeli po na thonë se jemi myslimanë. Fajin për këtë ata ua lënë vëllezërve të tyre të gjuhës e të kombit, të cilët nuk po heqin dorë vullnetarisht nga feja për hir të Evropës, ashtu sikur kanë hequr dorë ata vetë, por nuk kanë burrëri e njerëzi të tregojnë hapur se janë konvertuar botërisht, publikisht dhe kjo nuk do të kishte asgjë të keqe.

Këta kanë ringjallur mallkimin e priftit, Anton Kçira, veprimtar i njohur i Ibrahim Rugovës, i cili kishte publikisht kishte mallkuar Sllobodan Milosheviqin pse nuk ua kishte prerë kokën me kohë, 1 milion e 900 mijë shqiptarëve myslimanë, në Kosovës në mënyrë  që të mos kishin më probleme me ata, sepse kjo qenka  shumicë dërrmuese,  që ua paskan fëlliqur  fenë e kombin, disa mijërave si ata vetë.

Këta mendje-rrjedhë nuk duan të përgjigjen dot pse shqiptarët në Greqi, të cilët përbëjnë një të tretën e popullatës, nuk janë më shqiptarë, por ‘puro” grekë, pse shqiptarët ortodoksë në Maqedoni, janë sllavizuar dhe sot janë sllavo-maqedonas, pse nuk ka më asnjë shqiptar ortodoks në Toplicë, Nish, Aleksinc, Vranjë, Leskovc. Kjo ua prish “namuzin” e gjyshërve, andaj e heshtin me hipokrizi.

Këta nuk kanë mësuar as edhe një mësim të vetëm të historisë, sepse nuk dinë dhe nuk mund të përgjigjen përse ishin pikërisht shqiptarët myslimanë, ata të cilët luftuan për ta çliruar vendin nga Turqia, por jo për ta luftuar fenë të cilën e kishin pranuar, me hir apo me pa hir, sikur bënë grekët, serbët e popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë.

Këta injorantë nuk e dinë, ose nuk duan ta dinë se luftëtarët më trima shqiptarë, sikur ishin suliotët dikur, u bënë grekë, dhe i luftuan e i shfarosën vëllezërit e tyre çamë, vetëm sepse ishin bërë myslimanë.

Kjo për ta quhet patriotizëm, sepse ashtu kishte vepruar Napoleon Zerva.

Këta mendjekrisur, edhe pse për fatin tonë tash për tash janë të pakët në numër, i fryjnë zjarrit të përçarjes, damkosin kulturën e tolerancës fetare ndër shqiptarë, njëra ndër veçantitë më emancipuese në historinë e qytetërimit botëror.

Këta njerëz kanë deformuar kuptimin e vërtetë të motos së Rilindjes Kombëtare shqiptare për unifikim, e shprehur me vargjet kuptimplota: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo moto nuk është ateiste, sepse Vaso Pashë Shkodrani nuk thotë, mos shkoni në kisha e xhamia, nuk ka bërë thirrje të rrënohen ato, sepse nuk ishte ateist por ishte fetar, po ka kërkuar unitet kombëtar mbi ndasitë fetare,  (kombin mbi fetë, por jo pa to) atë që është ndërtuar me shekuj dhe që e kemi  edhe sot. Uniteti nuk ruhet duke sulmuar myslimanët shqiptarë dhe duke kërkuar që ata si shumicë dërrmuese për hir të një politike pajtuese me Evropën e krishterë, me Amerikën e Izraelin, të  rikonvertohen, sepse është diçka krejt e pamundur, madje këtë Amerika nuk e ka kërkuar kurrë, për dallim nga Evropa.

Këta njërës që nuk kanë lexuar as historinë e kombit  nuk e dinë se ishte pikërisht Myftiu shqiptar Vehbi Dibra, në vitin 1923 ai i cili pranoi Flamurin e Kastriotëve si flamur të përbashkët të shqiptarëve, sepse po të mos e pranonte ai, në krye të Bashkësisë myslimane shqiptare,  dhe po të mos e përkrahte shumica dërrmuese e myslimanëve shqiptarë, sot do të kishim dy flamuj, të krishterët flamurin me shqiponjë, myslimanët shqiptarë atë me yll e hënë.  Po ku dinë këta paranojakë  të mjerë se kush ishte, Hoxha, Vehbi Dibra, kur i tmerron çdo shqiptar me çallmë në kokë, madje edhe Hoxha Tahsini, Ymer Prizreni, Hoxhë Kadri Prishtina e sa e sa të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …