Protesta - Tiranë

RKL: Kur Serbia kërcënon Kosovën, në Shqipëri opozita u vë zjarrin institucioneve

Kriza politike me të cilën po ballafaqohet Shqipëria, ndasitë e përçarjet e krerëve politikë në Kosovë, fuqizimi dhe përkrahja gjithnjë e më e rrezikshme që po i jep Kremlini zyrtar Serbisë neomillosheviqiane, përkrahja tashmë  krejt hapur që Bashkimi Evropian po i jep Serbisë në bisedime me Kosovën, zbehja e përkrahjes amerikane, kanë sjellë situatën më të pavolitshme dhe më të pa rrugëdalje për Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht që nga mbarimi i luftës, në vitin 1999.

Kjo krizë ka shumë protagonistë dhe shikuar realisht të gjithë krerët aktualë politikë shqiptarë kanë pjesën e vet të fajit për veprime por edhe për mosveprime. Emërues i përbashkët i krizës janë përçarjet, mos durimet, pozicionet fikse, mohimi i punës dhe aktivitetit të njëri tjetrit, ekskluziviteti politik, ideologjik, fetar,  mungesa elementare e mirëkuptimit dhe tejkalimit të vetvetes, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm, në këtë rast interesi shqiptar për mbijetesë para një katrahure me pasoja të paparashikueshme.

Mjafton  të përmendim kërcënimin  me luftë të armatosur të Serbisë kundër Kosovës, sikur ndodhi më 10 maj 2019, me rastin e paradës ushtarake të Serbisë në qytetin e Nishit, në të njëjtën kohë kur në Shqipëri opozita u vë zjarrin  institucioneve dhe bën thirrje për marrjen me dhunë të pushtetit.

A thua kemi të bëjmë me një koincidencë të rastit, apo me veprime të tilla paralele, thellësisht antikombëtare, qysh prej vitit 1989.

Se cila është opozita e djathë në Shqipëri, sidomos  krerët e saj, shqiptarët liridashës të Kosovës e më gjerë e  dinë dhe e mbajnë mend shumë mirë, sepse e kanë provuar mbi kurriz, por mjerisht nuk ndërron diçka për të mirë as pozita, e cila për të ruajtur interesat e veta e përdor Kosovën sipas momentit, herë duke e mbështetur, verbalisht e herë duke kërkuar të mbijetojë në pushtet mbi kurriz të saj.

Qëndrimi gjithnjë e më arrogant dhe i papërgjegjshëm i Edi Ramës po e nxit edhe më shumë opozitën në rrugë drejt shkatërrimit të vendit. Ai nuk ka forcë as vizion të ballafaqohet me një opozitë të tillë virulente, e cila hapur kritikohet nga “miqtë” e Shqipërisë në perëndim, por ata nën rrogoz, mezi presim që e djathta e Sali Berishës të rikthehet në pushtet. Këtë pret edhe Vuçiqi e pse jo edhe Rusia, sepse me Berishën, armikun më të madh të luftës së UÇK-së dhe kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, dihet  se kush fiton. Po kështu bashkëpunëtori i Dik Martit, Lulzim Basha është dëshmitari kryesor i mbrojtur i procesit gjyqësor inkuizicional,  që do të zhvillohet në Gjykatën Speciale kundër UÇK-së.

Shqiptarët liridashës të Kosovës e më gjerë  e kanë ditur dhe e dinë se në çdo moment  krize në Kosovë, opozita në Shqipëri ngrihet në këmbë, është fjala për këtë opozitën e djathtë, qysh prej vitit 1989, kur Kosovës iu kishte hequr autonomia.

Qëndrimi i egërsuar i Sali Berishës kundër luftës së UÇK-së, veçmas kundër kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi e të tjerëve, është treguesi më i mirë se për çka po lufton sot opozita në Shqipëri, madje edhe me çmimin e zjarrëvënies, e nëse vazhdon kështu dhe me luftë të armatosur. Jo vetëm njëherë Berisha madje edhe në Kuvend ka kërkuar që shqiptarët e tij t i rrëmbejnë armët për ta përmbysur regjimin socialist në Tiranë. Në të gjitha protestat e muajve të fundit, Basha e Berisha kanë yshtur protestuesit të sulmojnë, të rrahin policët e rendit, me qëllim që ndonjëri prej tyre të shkrep armën dhe pastaj të reprizohet viti 1997.

Se deri në  ç’ masë ka arritur banditizmi politik në Shqipëri këtë më së miri e ilustron qëndrimi i kryerit të Shqipërisë, Ilir Meta,  i cili kërkon nga palët të përmbahen në akte dhune, duke barazuar qëndrimet virulente të turmës, dhe ato mbrojtëse të policisë.

Në mesin e protestuesve më arrogantja dhe më kokëkrisura është pikërisht gruaja e tij Monika Kryemadhi, të cilën ai nuk e përmend, natyrisht edhe nuk e bën dot zap, sepse kur Rama me socialistët këtë Ilirin e “floririt”e postuan dhe e bënë kryetar shteti, ai partinë e tij  të majtë e të djathtë sipas nevojës, ia besoi pikërisht  kësaj Monikës, e cila krah për krah e supe për supe, proteston së bashku me Lulzim Bashën dhe Salih Berishën dhe  i nxit protestuesit t’ i shkatërrojnë institucionet, por kurrsesi të mos protestojnë para Presidencës, sepse atje ndodhet burri i saj, përkrahësi, frymëzuesi dhe projektuesi kryesor i këtyre protestave, njeriu më i korruptuar i Shqipërisë.

Kjo gjendje me përmasa tmerri që po mbretëron aktualisht ndër shqiptarë paralajmëron ditë të rënda mbase edhe shumë më të zeza në të ardhmen jo të largët, sepse tërë kjo forcë pezmi, urrejtje, banditizmi, shëmtie e virulence njerëzore që dita ditës po merr hov, do të përplaset mbi kokat e pafajshme të shqiptarëve, të cilët gjithnjë ua kanë paguar dhe ua paguajnë tagrin të zgjedhurve të tyre.

LSI-ja e Ilir Metës në Shqipëri është e njëjtë me Listën Serbe në Kosovë

Koincidenca  në shkurtesat LS ( Lista Serbe, apo në origjinal Srpska Lista) dhe LSI ( Lëvizja Socialiste për Integrim) natyrisht  se është e rastit, por nuk është e rastit përmbajtja dhe aktiviteti diversiv i këtyre dy formacioneve politike, në Kosovë dhe në Shqipëri. Në Kosovë partia politike e quajtur Lista serbe është pjellë e regjimit të Beogradit, e cila manipulon me serbët e Kosovës, duke i margjinalizuar politikisht serbët që kanë jetuar dhe jetojnë në Kosovë dhe që nuk kanë pranuar të dirigjohen nga Beogradi. Lista serbe është pjesë e Qeverisë së Kosovës, e cila ka fuqi politike për të vendosur në të gjitha kalkulimet e koalicioneve me partitë shqiptare të Kosovës. Me vende të rezervuara  dhe ato që fiton në zgjedhjet e përgjithshme, kjo parti politike vazhdimisht shantazhon krijimin e koalicioneve qeveritare dhe përherë është pjesë e Qeverisë, së bashku me deputetet e pakicave të tjera. Roli i deritanishëm i kësaj partie ka qenë dhe mbetet destruktiv dhe përçarës. Kjo “listë” nuk e njeh as e pranon pavarësinë e Kosovës, edhe pse ka obligim ligjor dhe kushtetues. Deputetët e kësaj Liste kanë fuqi ekzekutive në Kuvendin e Kosovës dhe sipas Pakos së Ahtisarit, për disa nga ligjet ku kërkohet shumica parlamentare, ata mund të stopojnë miratimin e ligjeve të caktuara.

E tillë është edhe LSI-ja e qiftit bashkëshortor, Meta-Kryemadhi në Shqipëri. Edhe pse parti e majtë në parim, ajo në koniukturat elektorale mbështet shumicën dhe vazhdimisht bëhet pjesë e Qeverisë, herë me Partinë Demokratike, me të cilën dikur luftonte me grushte në Kuvend, herë me atë Socialiste nga e cila ka dalë dhe nga e ka prejardhjen.  LSI-ja është parti pa profil të caktuar ideologjik, herë me të majtët e herë me të djathtët, sipas interesit për të qëndruar kurdoherë në pushtet. Krerët e kësaj partie janë njerëzit më të korruptuar në Shqipëri….

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …