“Trimëresha” Mimoza Kusari: Më mirë t’ ua paguajmë rrymën serbëve në Veri, sesa të na i vrasin policët (!)

RKL: Mimoza Kusari-Lila: Serbëve në veri ua japim rrymën falas, sepse nuk duam të na vrasin policët, sikur vranë Enver Zymerin

Qeveria e Kosovës, serbëve në katër komunat e veriut të vendit ua jep falas energjinë elektrike, mbase vetëm sepse janë serbë, ose  sepse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, apo sepse gjatë luftës dihet se sa “njerëzisht” janë sjellë me shqiptarët. Nëse është fjala për mëshirë, pasi janë pakicë kombëtare, atëherë duhet  t u paguhet falas rryma të gjitha minoriteteve, sidomos romëve, ashkalive,  egjiptianëve, por edhe boshnjakëve, sepse Kosova ka mjaft rrymë, është ndër vendet më të pasura në botë me linjit, të cilin e ruan për vitet e ardhshme. Kosova u dashka  dhe duhet të tregohet shtet solidar për pakicat, veçmas për pakicën më të privilegjuar në botë, sikur janë serbët e Kosovës, që jetojnë shumë më mirë sesa serbët në Serbi dhe kudo në vendet e tyre dhe jo pak prej tyre kanë vrarë e masakruar fqinjët e tyre shqiptarë.

Qeveria Kurti, nuk paguan rrymën  e shpenzuar invalidëve e veteranëve të luftës, as atyre me asistencë sociale.

Është për keqardhje ky nënshtrim i Qeverisë, edhe pse me një ministër trim të mbrojtjes, një Xhelal e quajnë, “që hyn e del në veri sa herë të dojë”, madje me veprimet  e tij trimërore, arriti t’ i  kthejë në kufi të Kosovës me Serbinë  edhe forcat ushtarake të KFOR-it, të cilat kishin më shumë se 12 vjet që ishin larguar nga atje.

Cilët janë këta trima  që kur është fjala për ta treguar trimërinë e dridhin sallën e Kuvendit, gjuajnë gaz lotsjellës, e sulmojnë atë nga brenda e nga jashtë. Ndoshta krejt këtë e bëjnë për t iu treguar serbëve në veri, që të marrin mësim se çka i gjen nëse një ditë nervozohen Xhelali, Albini, Armendi, Dimal trimi dhe sa e sa të tjerë.  Nuk është ndoshta koha  t ‘ i pyesim se ku kanë qenë gjatë kohës së luftës së UÇK-së, sepse asokohe  mbase kanë qenë “të rinj”, nën tridhjetë vjet dhe kanë qenë pacifistë të përkushtuar.

Më trimëresha në mesin e tyre, deputetja Mimoza Kusari Lila,  më 28 prill të vitit të kaluar kishte arsyetuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës  se më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun,  dhe t’ iu  paguhet rryma serbëve në veri, sesa të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, sikur rasti i policit, Enver Zymberi.

Ajo ka thënë asokohe  se Qeveria obligohet që brenda afatit 6 mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për konsumatorët në katër komunat e Kosovës. “Jemi duke bërë zgjidhje për shtet të Kosovës, për atë çka nuk është bërë deri tash, sepse më mirë është të bëhet zgjidhje sot me mjete që ndahen prej KOSTT-it, se sa, pasi po doni politikë, të dërgohen forca policore e të na kthehen në arkivol, qysh na është kthyer Enver Zymberi. Kjo implikohet. Tërë dita na ka shkuar duke përmend të vdekur në seancë, por ju tregoj edhe këtu ka mundësi. Kjo është çështje e sigurisë”, tha Kusari Lila.

Vetëvendosistët dinë të ballafaqohen me policët shqiptarë në Prishtinë, por në Veri e kanë provuar të shkojnë gjatë fushatës zgjedhore dhe janë kthyer “të lagur” nga shiu.

Sipas rezonimit të kësaj zonje, në analogji me këtë konstatim paranojak të saj,  i bie sikur po të na kërcënonte Serbia me rikthimin e forcave të veta, më mirë do të ishte ta pranojmë ripushtimin, sesa të lejojnë  të na vrasin serbët, sikur na kanë vrarë.

Konstatimi i tillë i papërgjegjshëm,  pacifist e qyqar  i kësaj deputeteje, “ avullon” trimërinë e  mujsharëve të Vetëvendosjes, të cilët për shumë vjet janë kacafytur  gjatë protestave në Prishtinë me policët shqiptarë, por ja që kur vjen rasti ta tregojnë jo vetëm trimërinë, që nuk e kanë treguar kurrë në vend të duhur, ata duhet të mësohen t’i  zbatojnë ligjet e vendit. Është e papërgjegjshme dhe e dënueshme kombëtarisht përmendja e emrit të policit dëshmor, Enver Zymeri, pasi asokohe Vetëvendosja kishte deklaruar së ai kishte qenë polic i  manipuluar i Hashim Thaçit dhe ishte vrarë për interesat e tij dhe jo për shtrirjen e ligjit në veriun e vendit.  (RKL)

Deputetja Kusari Lila theksoi se më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun, se sa  të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, sikur rasti i policit, Enver Zymberi. (28. 4. 2021 RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …