RKL: Një “bombë” mediale e kurdisur për të shpërthyer në prag të fillimit të seancave në GJND

 


Në prag të fillimit të procesit për legjitimitetin e  pavarësisë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Nazim Bllaca nga fshati Ribar i Madh i komunës së Lypjanit ka dëshmuar publikisht për, sikur ka deklaruar para medieve, pjesëmarrjen e tij në shumë vrasje enigmatike, maltretime dhe shantazhe, të kryera  në Kosovë prej vitit 1999 e deri në vitin 2003.


Ai ka përfolur edhe pjesëtarë të kreut të ish-SHIK-ut të Kosovës, të cilët sipas tij, kanë bashkëpunuar në likuidimin e disa personave, të etiketuar si kolaboracionistë të regjimit serb. Ky njeri  ka deklaruar para medieve se dëshmitë e tij fillimisht ua ka ofruar organeve të policisë, pastaj dy deputetëve të LDD-së Gani Gecit nga Llausha e Skënderajt dhe dhe Adem Salihajt nga Ferizaj,  të cilët këto të dhëna i kanë paraqitur edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës.


Ndërkohë bëhet e ditur se edhe pas vetëdenoncimit publik për likuidimin, të paktën të  një njeriu, policia nuk e ka arrestuar Nazim Bllacën, edhe pse ai ka pranuar publikisht krimin dhe është treguar i gatshëm të përballet me organet e drejtësisë. Ky ishte shkurtimisht lajmi që nga shumë mediume u trajtua si lajm tronditës, edhe pse  me vetëdeklarimin dhe vetëdenoncimin e Nazim Bllacës nuk janë paraqitur fakte konkrete, të cilat japim mundësi për të konkluduar se ky lajm paska tronditur Kosovën, sikur shkruan sot në shumë gazeta të Kosovës.


Vetëm katër  ditë para fillimit të procesit gjyqësor në Gjykatën  Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, dy deputetët të Kuvendit të Kosovës, Gani Geci dhe Adem Salihaj kanë aranzhuar dhe  kanë shpërndarë një CD me “dëshmi” të ish punëtorit të SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili ka akuzuar disa anëtarë të kreut të luftës së UÇK-së dhe të PDK-së për krime enigmatike, të cilat sipas tij  janë kryer kundër personave që janë identifikuar si kolaboracionistë të Serbisë. Fjalët e deputetëve  Gani Geci dhe Adem Salihaj para medieve, se kjo aferë qenka  shtyrë për shkak të procesit të zgjedhjeve dhe përgjithësisht proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, lënë për të kuptuar  se tërë kjo aferë është përgatitur për të ndodhur pikërisht kur  qarqet ndërkombëtare, pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, po fillojnë  debatin lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë, të cilën e ka kundërshtuar dhe e kundërshton fuqishëm Beogradi zyrtar.


 Aranzhimi i kësaj afere, është bërë me qëllime politike, meqë Nazim Bllaca ka deklaruar se shumë muaj më parë, ka projektuar dhe ka realizuar materialet denoncuese, në të cilat pranon se ka marrë pjesë. Logjikisht shtrohet pyetja, përse kjo fushatë u projektua për t’ u promovuar pikërisht para 1 dhjetorit dhe nuk u shty për një muaj më vonë, për hir të Kosovës, fatin e së cilës e duan Gani Geci dhe Adem Salihaj, jo vetëm të përfolur për krime por edhe të gatshëm për të sulmuar e për t’ u rrahur madje edhe në forumet më të larta të LDK-LDD-së. Po ta pranojmë faktin se deputetët e LDD-së Gani Geci dhe  Adem Salihaj afër dy muaj më parë paskan denoncuar në policinë e UNMIK-ut, kjo lë për të kuptuar se afera ka qenë e kurdisur të ndodh pikërisht gjatë fushatës zgjedhore, por, sipas tyre policia qenka treguar e shurdhër lidhur me këtë rast.


Të zhgënjyer se bomba e kurdisur kundër PDK-së nuk shpërtheu gjatë fushatës zgjedhore, ata u morën vesh që këtë bombë ta aktivizonin brenda Kuvendit të Kosovës, në prag të balotazhit dhe disa ditë para fillimit të procesit gjyqësor në GJND.


Të pakënaqur me faktin se bomba nuk po aktivizohej, dhe se efektet e saj pas zgjedhjeve nuk do të sjellin dobi për ta ngritur sado pak numrin në rënie të elektoratit, ( meqë Salihaj dhe Geci pësuan debakël në radhën e parë të zgjedhjeve të 15 nëntorit)  ata zgjodhën Nazim Bllacën për ta paraqitur publikisht, mu para Kuvendit të Kosovës, deklaratën e tij denoncuese dhe vetë denoncuese, e cila sado që ishte parapërgatitur për një kohë të gjatë, doli krejtësisht e inskenuar, kontradiktore, konfuze dhe e pabesueshme.


Nazim Bllaca ka deklaruar me këtë rast se e paska bërë roje prite  me muaj të tërë  për ta likuiduar Adem Salihun, ndërsa për kryerjen apo pjesëmarrjen në krimet e tjera nuk iu kanë dashur me shumë si një ditë, apo vetëm disa orë. Ai nuk e argumentoi faktin përse iu ka drejtuar pikërisht këtyre dy personave, mjaft të përfolur për afera të ndryshme. Po ashtu Gani Geci e Adem Salihaj në prononcimet e tyre para gazetarëve nuk treguan sesi i besuan aq lehtë njeriut, që sa e sa herë u kishte zënë pritë dhe kishte bërë përpjekje të pasuksesshme  për t’ i vrarë?


Tashmë po shihet sheshit se kjo fushatë e orkestruar shumë herët dhe e kurdisur kundër PDK-së dhe kreut të luftës së UÇK-së, u aktivizua pas publikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të 15 nëntorit, ku PDK-ja doli e para.


Fushata mediale e LDD-së, apo vetëm e Gani Gecit dhe Adem Salihajt nga radhët e kësaj partie, e cila në zgjedhjet e 15 nëntorit humbi më shumë se gjysmën e votuesve, doemos se i ka brengosur këta dy deputetë, të cilët kanë zgjedhur një rrugë shumë të gabuar për të fituar  besimin e popullit.


Po të ishin atdhetarë dhe besnikë të lirisë së Kosovës, Adem Salihaj dhe Gani Geci duhet ta kishin bindur Nazim Bllacën, që për hir të Kosovës, mos t’ i japin adute Serbisë për t’ i thënë botës, se ja cilët janë shqiptarët, “terroristët” që kanë luftuar kundër Serbisë dhe që e kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur.


Është krejtësisht e natyrshme që Qeveria e Beogradit ka përfituar shumë nga ky rast, të cilin me siguri se edhe e ka mbështetur, në mos edhe e ka aranzhuar përmes shërbimeve dhe besnikëve të vetë në Kosovë, meqë qëllimi i saj mbetet përçarja sa më e thellë në mesin e shqiptarëve, përkrahja për forcat retrograde dhe vajtimin me lotë krokodili, që ajo iu bën besnikëve të vetë, të vrarë e të likuiduar në Kosovë si para, gjatë dhe pas luftës.  Kjo nuk do të thotë se Gani Geci e Adem Salihaj mund të kenë bashkëpunuar me Serbinë në këtë drejtim, por aktivizimi i fushatës pikërisht në kohën kur Serbia ka më së shumti nevojë për afera dhe yshtje të tilla,  i qet hije edhe më të zezë këtyre deputetëve të përfolur për shumë afera dhe pjesëmarrës në veprime antiligjore.


Nuk është thënë kot se e vërteta zhytet por nuk mbytet, ajo mënon por nuk harron.

Kontrolloni gjithashtu

Nënsekretarja amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen po qëndron në vendin tonë

Nënsekretarja amerikane të Shtetit, për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen po qëndron në vendin tonë. Gjatë …