RKL: “Partishmëria e së kaluarës” dhe njëanshmëria e sotme politike e ideologjike e RTK-së

Për njëherë pas luftës në Kosovë, në verë të vitit 1999, administrata e UNMIK-ut dhe OSBE-së morën në kontroll ish RTP-në e dikurshme, e cila prej vitit 1991 ishte kthyer në një  transmetues vasal të Radio-televizionit të Serbisë, me një program mercenar, që emetohej  herë pas herë edhe  në gjuhën shqipe. Asokohe në RTK punuan disa  gazetarë dhe teknikë  të RTP-së, të cilët kokulur dhe heshtas ishin  pajtuar  me regjimin serb dhe me masat e dhunshme, që kishte aplikuar ai regjim, shqiptar-vrasës, në të gjitha institucionet e Kosovës.  Pas luftës, administrata e UNMIK-ut dhe OSBE-ja lejuan kthimin selektiv në punë të disa gazetarëve, operatorëve dhe kameramanëve  shqiptarë,  që i kishte përzënë regjimi serb. Ministria e Informimit e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, jo vetëm që tregoi paaftësi totale për ta menaxhuar procesin e formimit të RTK-së, por ishte pikërisht ajo ministri që ia dorëzoi RTP-në e dikurshme OSBE-së dhe disa ish mercenarëve që kishin punuar edhe në kohën e regjimit kriminal të Milosheviqit.  Përpjekjet vullnetare të disa ish gazetarëve të përndjekur dhe të burgosur politikë, në krye me ish-gazetarin e dikurshëm të RTP-së, reporterin e luftës të Radios-Kosova e Lirë, Martin Çuni shkuan huq, meqë ai nuk pati përkrahje as nga Ministria e Informimit  as nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila kishte dështuar në shumë aspekte dhe jo vetëm në këtë drejtim.

 

RTK-ja, përvetësoi trashëgiminë e RTP-së, pallatin, ambientet,  mjetet teknike si dhe valët transmetuese, ndërkohë që kohë pas kohe merrte në punë ndonjë ish gazetarë të RTP-së  sa për të fashitur protestat, që zhvilluan për shumë kohë sindikalistët e dikurshëm, të cilët nuk morën përkrahje nga popullata liridashëse e vendit, sepse nga ai mes kishte gazetarë e redaktorë, që kishin abuzuar me miliona marka, që kishin përfituar nga popullata shqiptare, dhe në kohën kur RTK-ja u pushtua nga serbët, ata ia theren për në Kroaci e Slloveni duke marrë me vete milionat e mbledhur nga shqiptarët liridashës të vendit. Po ashtu, një pjesë e atyre gazetarëve ishte devalvuar politikisht e kombëtarisht sidomos në vitet 80, kur ky medium ishte zëdhënës i politikave antishqiptare të Azem Vllasit, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës, Xhavit Nimanit, Rrahman Morinës dhe i tërë klasës së komunistëve shqipfolës, jugosllavë.

 

Interesimi i qarqeve vendimmarrëse politike, në Kosovë për ta futur nën kontroll, tashmë RTK-në, ishte dhe mbeti i jashtëzakonshëm, meqë neokolonialistët e UNMIK-ut dhe OSBE-së synim kryesor, kanë pasur  dhe kanë  krijimin e opinionit  publik përmes këtij mediumi, i cili u zhvillua me shpejtësi falë përkrahjes që mori nga donatorët ndërkombëtarë, nga buxheti i Kosovë dhe nga KEK-u.

 

Dita-ditës RTK-ja, për nga forca financiare po kthehej në një gjigant profitabil, por në aspektin profesional ajo kishte stagnuar, meqë kishte një staf, që kryesisht përbëhej nga ideatorët e dikurshëm të bashkim vëllazërimit, sikur ishte ishin: Migjen Kelmendi, drejtori i parë pas luftës, pastaj  drejtori i RTP-së dhe më vonë i RTK- Agim Zatriqi, i njohur për qëndrimin ideopolitik jugosllav dhe diferencues i spikatur  i gazetarëve e redaktorëve me bindje të pastër kombëtare në vitet 80. Ai, së bashku me një staf redaktorësh e gazetarësh që kishin bërë emër në qëndrimet e tyre kundër kreut militant të Kosovës dhe kundër UÇK-së, mori mbështetjen e pa rezervë të UNMIK-OSBE-së dhe çuditërisht edhe të të gjitha qeverive të Kosovës së pas luftës. Përveç Agim Zatriqit, në RTK u katapultua  edhe Jeta Xharra drejtore i BIRN-it  dhe “komandante e informimit të konceptit mulietnik” për Kosovë, pastaj, ish kuadro udhëheqës dhe diferencues të RTP-së, të cilët formuan një klan vasalësh, që iu nënshtruan UNMIK-ut dhe OSBE-së, LDK-së, më vonë AAK-së, PDK-së e kështu me radhë.

 

Gjatë viteve të pasluftës RTK-ja ishte medium i koalicioneve qeveritare dhe më fund, pasi harxhoi fondet dhe nuk dha kurrë asnjë llogari publike, ajo u hodh në prehrin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku vjel burime financiare, ashtu si ansambli i dikurshëm i bashkim vëllazërimit “Shota” dhe disa medie serbe e minoritare.

 

Për qëllime hipokrite për t’i përfituar shikuesit e dëgjuesit, drejtuesit e RTK-së fillimisht morën në bord edhe Adem Demaçin dhe ndonjë veprimtar apo gazetar nga kundërshtarët politikë të bashkim vëllazërimit. Madje edhe ndonjë reporter apo kameramanë të luftës së UÇK-së, për qëllime që dihen. Ata mjaftoheshin të pranonin një apo dy të tillë, sa për t’ u arsyetuar se nuk kishin asgjë kundër luftës së UÇK-së.

 

Duke mos krijuar kurrë baraspeshë në krijimin e hapësirës për të iu dhënë zë të gjitha shtresave shoqërore, sidomos atyre që kishin dalë nga lufta e UÇK-së, dhe në anën tjetër  duke mbetur besnike e idealeve tashmë të perënduara e të përçudnuara të ish regjimeve okupatore, RTK-ja instaloi një politikë kadrovike e programore, pa një koncept të qartë kombëtar, mbase edhe për faktin se drejtuesit dhe e saj gjithnjë janë përzgjedhur nga UNMIK-u OSBE-ja dhe qeveritë aktuale. Dhe, në përzgjedhje kanë fituar sidomos ish gazetarët e redaktorët e ideologjisë së kaluar të bashkim  vëllazërimit, e cila tashmë ishte shortuar në ideologji të multietnicitetit. Nuk është e çuditshme kur në emisionet e RTK-së defilojnë dhe në vazhdimësi mbjellin idetë dhe vështrimet e tyre, analistë, profesorë, “intelektualë”, shkrimtarë, poetë, publicistë, të njohur për qëndrimet e tyre projugosllave si: Agim Zatriqi, Diana Toska, Baton Haxhiu, Halil Matoshi, Mufail Limani, Shkëlzen Maliqi, Bekim Hasani, Ismail Hasani, Jeta Xharra, Migjen Kelmendi, Avni Spahiu, Sylejman Gashi, Mazllum Baraliu, Azem Vllasi, Gani Mehmetaj, Shkëlzen Gashi, Ilir Deda, Nexhemdin Spahiu dhe shumë të tjerë, të njohur për qëndrimet e tyre internacionaliste jugosllave dhe të nënshtruar të përjetshëm ndaj të huajve kushdo qofshin ata, padronë nga Beogradi, apo nga Brukseli.

 

RTK-ja ka përjashtuar praninë në emisionet e saj  të dr. Rexhep Qoses, dhe kuadrove të larta shkencore nga Instituti i Albanologjisë dhe Instituti i Historisë, si dr. Hakif Bajrami, dr. Muhamet Pirraku, dr. Isuf Bajraktari, dr. Hysen Matoshi e shumë historianë, albanologë e shkencëtarë të njohur të Kosovës. Krahasoni punën, dijen, intelektin, aktivitetin dhe veprat e këtyre pesë shkencëtarëve, me dijen, varfërinë mjerane e shpirtërore të të përmendurve më lartë.

 

Një kohë, RTK-ja  kishte përjashtuar edhe praninë e Adem Demaçit, në emisione, prej vitit 2004 deri në vitin 2011. Në RTK nuk ftohen intelektualët më të njohur të Kosovës nga mesi i atyre, që kanë mbajtur vite të tëra nëpër burgje, ose ftohen vetëm kur shënohet  ndonjë përvjetor jubilar i së kaluarës, dhe kryesisht përzgjidhja bëhet  sipas preferencave të krerëve drejtues të këtij mediumi. RTK-ja nuk merr opinione nga gazetarët e luftës, as i fton ata nëpër debate, edhe pse ka shumë gazetarë të tillë, aktualisht aktivë në jetën tonë politike, shoqërore, informative  e kulturore, mbase për shkak se  emrat e tyre mund të gjenden në listën e interpolit të Serbisë dhe kjo e “dëmton” imazhin multietnik të këtij mediumi.

 

RTK-së, si medium publik, nëse pretendon të jetë i tillë, jo vetëm në letër dhe në reklamë,  i duhen edhe opinionet e intelektualëve e gazetarëve të njohur të luftës  si: Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Fetnete Ramosaj, Muharrem Mahmutaj, Ali Geci, Sali Lajçi, Ruzhdi Jashari, Murat Musliu, Ismet Sopi, Sabajahdin Cena, Habib Zogaj, Faton Mehmetaj, Kadri Rexha, Sheradin Berisha, Liri Loshi,  Gani Syla, Ibrahim Kelmendi, Bedri Islami, Shefqet Cakiqi, Sabit Gashi, Abdullah Pararashtica, Skënder Krasniqi, Isa Krasniqi, e dhjetëra të tjerë, shumica ish të përndjekur dhe të dënuar nga regjimet okupatore,  gazetarë e reporterë të luftës, intelektualë të pavarur dhe personalitete të njohura të rezistencës. Asnjë prej këtyre intelektualëve, veprimtarëve politikë  dhe shumë gazetarëve të tjerë të luftës  nuk është ftuar kurrë në RTK-në publike, përderisa i shohim përnatë ata që kanë bërë emër në politikat e bashkim-vëllazërimit, të diferencimit ideopolitik në vitet 80 dhe ish komunistët titistë, ose bijtë e bijat e tyre.

 

Duke trasuar mendësinë politike të së kaluarës, e cila ka origjinë nga ish doktrinat marksiste, jugosllave, mentorët e jashtëm e të brendshëm të RTK-së kanë arritur qëllimet e tyre në hibridizimin e një shtrese të lakueshme dhe tejet të përdorshme politike, me të cilët po zbatohet me sukses politika e multietnicitetit dhe shpërfytyrimit gradual të konceptit modern për të kaluarën, kombin e Atdheun.

 

Për të ilustruar këtë njëanshmëri të përzgjedhjes së personaliteteve të TRK-së, vetëm në një segment  po i referohemi raportit të 14 qershorit të vitit 2009 publikuar nga [email protected].

 

Në 42 emisione te realizuar nga Blu-Sky dhe Radio Kosova kanë prezantuar 380 mysafire e gazetarë gjatë vitit 2009, në mesin e tyre, nga ajo që zakonisht quhet klasë, apo krah i luftës kanë qenë të ftuar si mysafirë dhe kanë marrë pjesë në realizimin e emisioneve vetëm: Gani Geci, Jakup Krasniqi, Murat Jashari, Rrustem Mustafa, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, dhe Xhavit Haliti.  Raporti i prezantimit shprehur në shifra është   373 me 7, kjo do të thotë përafërsisht 1 me 70. Në mesin e këtyre shtatëve, të gjithë janë  figura të njohura politike dhe asnjë nga mijëra veteranë të luftës, asnjë invalid i luftës, asnjë gazetar apo reporter i luftës, asnjë familjarë dëshmori ( duke  përjashtuar Murat jasharin, i cili  nuk besojmë se ka qenë i  ftuar në atë cilësi). Në mesin e këtyre 380 të ftuarve ishin ftuar  vetëm dy ish të burgosur politikë nga dhjetëra mijëra sa ka Kosova. Këto shifra flasin hapur se çfarë politike tërësisht diskriminuese dhe në shpërfillje me ligjin e këtij mediumi  ndiqet në RTKblu dhe në RTK, përgjithësisht.

(Burimi Facebook:  14 qershor 2009. [email protected])

 

Prej 373 të tjerëve nga shoqëria e Kosovës, dominon numri i ish komunistëve dhe bijve e bijave të tyre. Ky medium multietnik, ka përzgjedhur stafin nga ish politika e bashkim-vëllazërimit, për të vazhduar po atë përmbajtje ideologjike komuniste, tani të kamufluar me përmbajtje demokratike, multietnike.

Sajuesit dhe realizuesit e këtyre 42 emisioneve, që i kemi marrë si shembull, kanë trajtuar tema të ndryshme të aktualitetit, por as edhe një temë të vetme, me përmbajtje sociale, që ka të bëjë me gjendjen e mjerë të fshatarësisë në zonat që i ka dëmtuar lufta dhe që vazhdojnë të jenë  rajonet më të pazhvilluara të vendit. Jemi të vetëdijshëm se financuesit e këtyre medieve nuk derdhin para për të luftuar dukuritë negative shoqërore, por i investojnë ato  në ndërrimin dhe shpërfytyrimin gradual të identitetit kombëtar, duke përjashtuar të gjitha temat që kanë të bëjnë me preokupimet jetësore të njerëzve tanë, dhe në vend të saj duke iu ofruar pornografi, filma horror, seriale turke e latino-amerikane, seriale fantastike dhe humor me mimikë, gjestikulime  e fjalë rrugësh, me zgjedhje karakteresh fizike, si trashaluqë, apo kokë tullacë, mjekrosh e femra të përdala, të lyra e të ngjyra, piliherdhe  me kërthizëjashtë, që përdorin një fjalor rrugaçërie me   të shara e skena perverse, meqë u mungon profesionalizmi, sidomos kur është fjala  për trajtimin e mirëfilltë të humorit.

Me  programe të tilla, krejtësisht të njëanshme sa i përket pozicionit politik, ideologjik, RTK-ja ka shkelur dhe po e shkel  neni 6, të Ligjit mbi standardet programore, ku thuhet: “RTK duhet të respektojë veçoritë dhe dinjitetin e njeriut, parimin e paanshmërisë dhe mëvetësinë e informacionit, pluralizmin e mendimeve, pluralizmin fetar dhe politik”. Duke injoruar deri fund veteranët e luftës së UÇK-së, invalidët e familjarët e dëshmorëve, RTK, u jep vend pikërisht kundërshtarëve të luftës, dëshmitarëve të mbrojtur të EULEX-it, madje i prezanton ata para opinionit në ditët më të shënuara të historisë sonë kombëtare. RTK-ja u jem vend nderi në emisione  të instruktuarve të Serbisë dhe sidomos gazetarëve e analistëve me prejardhje ideologjike, komuniste, titiste.

 

Asnjëherë dhe në asnjë rast  RTK-ja  nuk ka ftuar, për të ballafaquar mendimet me të instruktuarit dhe dëshmitarët e mbrojtur, asnjë gazetar të luftës së UÇK-së, asnjë ish të përndjekur politik, por janë ftuar dhe ftohen në çdo emision përfaqësuesit e OJQ-ve, ish kuadrot politike jugosllave dhe gazetarët, të cilët bëjnë përpjekje ta shpikin kombin kosovar, ata që deklarohen kundër gjuhës letrare shqipe dhe të gjithë ata që kanë bërë emër duke dëmtuar rëndë interesin kombëtar shqiptar.

 

RTK-ja përcjellë aktivitetet kulturore dhe përurimin e librave të autorëve të ndryshëm, por asnjëherë deri tani nuk ka përcjellë  përurimin e monografive të dëshmorëve, si për shembull, ”Feniksët e lirisë, prej vëllimit të parë e deri në vëllimin e 14-të. Në përurimin e këtyre monografive marrin pjesë ekskluzivisht familjarë të dëshmorëve dhe pjesëtarë të luftës së UÇK-së. Kjo ka ndodhur ndoshta edhe për faktin se në përurimin e këtyre librave nuk kanë marrë pjesë as politikanët e lartë, me ndonjë përjashtim, të cilët gjatë fushatave zgjedhore tërë propagandën politike e mbështesin te familjet e dëshmorëve, te ruajtja e vlerave të luftës dhe te përkrahja që premtojnë se do ta kenë këto kategori të sakrifikuara gjatë dhe pas luftës.

 

Për ta paraqitur gjendjen në RTK krejtësisht në rregull dhe në akord me kërkesat e qytetarëve të Kosovës ja si e trajton ky medium,  pritjen që i ka bërë stafit, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, në mars të vitit 2010, meqë Kuvendi kishte  marrë përsipër financimin e këtij mediumi, që pretendon të jetë qind për qind i pavarur dhe i pandikuar nga politika. (!)

 

RTK-Prishtinë, 17 mars 2010 – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi, ka pritur kryetarin e Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi dhe drejtues të tjerë të mediumi publik: Sylejman Shaqiri drejtor i përgjithshëm i RTK-së dhe zëvendësdrejtorët, Mentor Shala dhe Anamari Repiq,  drejtorin e Televizionit, Bakim Hasani, drejtorin e Radio Kosovës dhe Radio Bluesky, Arben Fetoshi dhe drejtorin financiar, Bujar Spahiu. Ata e njoftuan kryeparlamentarin, Krasniqi për auditimin e Pasqyrave financiare të RTK-së, të cilat i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës si themelues i institucionit. Është folur, ndërkaq edhe për bashkëpunimin ndërmjet menaxhmentit të RTK-së dhe Bordit, i cili është cilësuar i shkëlqyeshëm. Pos çështjes financiare të RTK-së,  është thënë se duhet të zgjidhet edhe çështja e pronës dhe e arkivit të radiotelevizionit publik. Duke folur për planet për zgjerimin programor të këtij mediumi, është theksuar domosdoshmëria e krijimin të Kanalit II (për program në gjuhën serbe), po nga Kuvendi i Kosovës. Nuk ka mbetur pa u përmendur edhe çështja e Ligjit për RTK-në. Duke i falënderuar për informacionin e ofruar për RTK-në, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar se legjislativi i vendit angazhohet për zgjidhjen e problemit të financimit të RTK-së, por edhe për krijimin e Kanalit II, si dhe zgjidhjen ligjore të çështjes së pronësisë dhe të arkivit. Ai është shprehur qartë për domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale të RTK-së, duke u thënë drejtuesve të këtij mediumi se këtë mund ta bëjnë vetë ata. “Kuvendi nuk ndërhyn në politikat redaktuese të RTK-së, por si taksapagues i Kosovës do të thosha se duhet bërë punë shumë të madhe për ngritjen e programeve cilësore nga arsimi, kultura, shkenca dhe sporti”, u ka thënë Krasniqi drejtuesve të RTK-së, të cilët e kanë falënderuar atë për mbështetje të sinqertë.(Njoftim nga zyra për media e Parlamentit të Republikës së Kosovës, 17 mars 2010).

 

Preokupimi kryesor i Bordit të RTK-së dhe i kryekuvendarit Krasniqi ishte domosdoshmëria e krijimit të kanalit në gjuhën serbe, pastaj financimi në të ardhmen, por nuk u fol fare sa është i paanshëm ky medium publik dhe a vepron në përputhje me ligjin dhe sa  respekton veçoritë dhe dinjitetin e njeriut, parimin e paanshmërisë dhe mëvetësinë e informacionit, pluralizmin e mendimeve, pluralizmin fetar dhe politik”. Sepse vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë të qartë dhe konsekuente kësaj përmbajtje, RTK-ja do të mund të quhej medium  i pavarur. Realisht dhe mjerisht RTK-ja është në të njëjtën pozitë me  RTSH-në, të dyja këto tërësisht të njëanshme dhe në funksion të partisë në pushtet.

 

Radio-Kosova e Lirë ka reaguar disa herë kundër prezantimit të pa dinjitet  të luftës së UÇK-së në këtë medium, kundër selektimit dhe censurës, që iu është bërë dhe iu bëhet storieve të filmuara, ku nuk është lejuar paraqitja e skenave të  luftimeve në frontet e luftës. RTK-ja parqet vetëm UÇK-në në marshim, duke organizuar përvjetorë, dhe kreun e saj duke dhënë ndonjë intervistë. Në këtë mënyrë RTK-ja ka qenë dhe është e thirrur, që luftën e UÇK-së ta prezantojë si improvizim dhe si konflikt mes shqiptarëve kryengritës dhe forcave policore e ushtarake serbe. Pamjet që RTK-ja i prezanton për luftën e UÇK-së janë shumëfish të censuruara dhe as përafërsisht nuk e prezantojnë realitetin faktik të atyre dy viteve të luftës sonë të drejtë çlirimtare dhe fitimtare.

RTK-ja është e prirë, mbase edhe e detyruar të mos transmetojë pamje nga masakrat monstruoze, që kanë kryer serbët në qindra vende në Kosovës, ose të prezantojë ndonjë sekondë filmim vetëm sa për ilustrim, në mënyrë për të mos dëmtohet  imazhi i serbëve, tani në kohë paqeje, në kohën kur sipas disa politikanëve tanë, (apologjetë të bashkim vëllazërimit) pritet të ndodh pajtimi, edhe pse Serbia nuk ka kërkuar, as e ka ndërmend të kërkojë falje për krimet, që ka kryer në Kosovë dhe  e thotë me gojën hapur se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

 

Ata që përcjellin me vëmendje konceptin redaktues të këtij mediumi publik, arrijnë në përfundim se  RTK-ja, ka qenë dhe po mbetet gjithnjë e super ndikuar nga politika e Brukselit dhe e klasës politike në pushtet. Si e tillë, ajo është shumë larg për të qenë një medium i paanshëm dhe në shërbim, në radhë të parë të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të minoriteteve edhe pse financohet nga taksapaguesit e vendit tonë.

(RLK,  20 mars 2010)

Ky vështrim kritik rreth punës dhe aktivitetit informativ e kulturor të RTK-së  është publikuar para tre vitesh.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …