Behxhet Sh. Shala: Kalimet, dezertimet dhe bashkëdyzimet

Skena politike kosovare ka filluar të dinamizohet. Po dëgjojmë se filan politikani dhe fistek politikania e kanë ndërruar partinë. Disa po i kthehen grigjës së mëparshme, ndërsa të tjerët po ngrenë fole të reja. Ka paralajmërime bombastike si: nëndega e XV-të e aktivit të V-të të AKR-së iu bashkëngjit AAK-së e që nënkupton humbje të pariparueshme për AKR-në e cila pikërisht për këtë arsye e ka shumë të vështirë, mos ta them të pamundur, ta kalojë pragun zgjedhor, në ndërkohë që AAK forcohet tej mase! Pastaj, dega e LDD në Ferizaj, parti kjo shumë e rëndësishme në skenën politike kosovare, si edha ajo në Strellc, të po të njëjtës parti, u kthyen në gjirin e ngrohtë të nënës parti – përkatësisht LDK-së. Ky transfer definitivisht nuk prodhon ndonjë dëm për LDD-në, sepse edhe ashtu ka shumë anëtarë. Edhe LDK nuk e besoj se ka vdekur për këta anëtarë.

PDK po mban sfilata krasitëse duke ua prerë disa degë dhe nëndegë partive tjera politike! Po realisht nuk po fiton shumë anëtarësi të hairit! Sepse, ndërrimi i shpeshtë dhe pa kritere i partive politike i shndërron ata në mercenarë me çmim: “Çdo gjë 99 cent”! Sikur “Te Cukat”! Apo mallrave në shitoret me likuidim total: “Blej një artikull, i fiton dy të tjerë falas”! Përkthyer shqip, te partitë politike i bie: “Blije kryetarin e partisë me një premtim të postit të deputetit, e ke tërë anëtarësinë e partisë”! I njohur si fenomeni Daci. Apo si Olluja Çeku! E la Gjet Macollin me gishta në gojë, pasi gjeti ngrohtësi në krahët e Thaçit! Për inat të Çekut krejt po më shkon mendja të shkoj ne subjektin politik të nderuar dhe shumë të respektuar, me perspektivë e sidomos retrospektivë e cila udhëhiqet nga i papërsëritshmi, i pakrahasueshmi, Presidenti i saj, zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së RK, dora e djathë e Hashim Thaçit , zotni Behgjet Pacolli. Unë e hodha ofertën time! Pres përgjigje nga padre padrino i AKR-së dhe KKR-së, mikut tim Behgjet Pacolli. Këqyre ti, miku im! Unë vërtet e kam mik e jo si presidentja Atifete Jahjaga që i caktoi një vend në bisht të trapazanit. Po a durohet kjo! Çka bre i ka bërë asaj gruaje!

 

I tregova një miku tim për këtë angazhim politik të mundshëm, por më tha se jam vonuar shumë dhe se kam mbetur nën hijen e yllit të këtij afati kalimtar që ka gjasa të shkëlqejë në qiellin politik kosovar! Yllit të quajtur Sejdë Tolaj! Edhe më herët pata dashur të kaloj në AAK, por ma hodhi Danush Ademi dhe kushëriri im Zef Shala. Duke i ditur aftësitë e tyre politike, të kaluarën e tyre karizmatike dhe sidomos të ardhmen vezulluese, hoqa dorë prej angazhimit. Dhe, bëra mirë!

Në një tender të mbyllur për nënkryetarë të parë të AAK-së, pata dërguar një ofertë të mbyllur vetëm me iniciale B.SH. I respektova të gjitha rregullat e prokurimit publik, duke ditur se politika është përcaktuese për dhënien e çdo tenderi. Kur u hapën ofertat, doli se këtë vend, apo ky tender vërtet ishte ndarë për personin me inicialet B.SH. Më uruan dhe më thanë për hajr, mirëpo doli se Blerim Shala ishte fitues i tenderit.

 

Në LDK nuk kam gjasa, se Ismeti m’i nxjerr sytë për këtë post, sikur që ka përpjekje t’ia nxjerrin sytë Isës për postin e kryetarit! Në PDK kam gjasa të bëhem nënkryetar, sepse ka aq shumë nënkryetarë! Sikur dikur në AAK! Vinte njeri prej Etiopisë, anëtarësohej në AAK dhe bëhej nënkryetar! E unë, si veteran i UÇK-së nga kampi i Bllacës, nuk e uli prapanicën çdo kund! Ose i pari ose bëhem opozitë!

Për shkak të mjekrës, kisha mundësi të bëj karrierë në Lëvizjen Islamiste “Bashkohu”. Fuad Ramiqin e kam mik dhe mjekrat i kemi simotra! Të njëjta! Dhe më duket se në këtë lëvizje është i vetmi Fuati që e ka mjekrën e krasitur! Deri më tani, kudo që ka shkuar ia kanë lëshuar mjekër! Nëse nuk nxjerrim mësim nga historia, ka gjasa që ajo të përsëritet! Sidomos për Fuadin! Në këtë Lëvizje nuk kam gjasa të anëtarësohem, sepse ideologu i kësaj lëvizjeje, Shefqet Krasniqi, nuk do të pajtohej assesi! Ai ndaj meje ka respekt sikur Ajatollah Khomeini ndaj shkrimtarit Salman Ruzhdi!

 

Partitë e dala nga Pakoja e Ahtisarit janë shumë rehat! I kanë vendet e rezervuara dhe të garantuara dhe po kërkojnë që këto vende të garantohen edhe me së paku dy mandate! Nëse i kërkojnë edhe dhjetë mandate, ato do t’i kenë! Garantues: Marti Ahtisari, ndrikulla Ashton dhe Behxhet Sh. Bugari!

Lëvizja Vetëvendosje po vendnumron sa i përket anëtarësisë. As nuk po jep, e as nuk po merr! Duhet të kesh cilësi të veçanta të bëhesh anëtar i kësaj lëvizjeje! Unë botërisht e pranoj se nuk kam këto cilësi të nevojshme për anëtarësim në këtë Lëvizje! Prandaj, edhe jam ku jam! Kjo Lëvizje ia ka hedhur grepin kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, duke harruar se ky rruhet shumë para tyre!

 

Po të mbaheshin zgjedhjet këtë vit, fitues do të ishin PDK, LDK, LDD, AAK, AKR. VV, Lëvizja për Bashkim, PSDK, PSHDK, LIB, SLS etj. Së paku kështu kanë deklaruar këto subjekte politike. Kështu kanë dëshirë! Realisht, sipas mendimit tim, me një politikë të mençur LDK do të rriste përqindjen në zgjedhje, nëse lirohet apo minimizohet ndikimi i “ dinozaurëve politikë” dhe nëse lihen anash përpjekjet që me varre të fitojnë zgjedhjet. Kur LDK të kuptojë se Ibrahim Rugova ka vdekur fizikisht dhe politikisht, pashmangshëm do të ndahet mirë në zgjedhje! Mbi të vdekurin nuk mund të ndërtohet karizma apo lideri! Mbi të vdekurin mund të ngrihen vetëm fantazmat!

 

PDK duhet të ndahej e kënaqur nëse e ruan këtë nivel apo nëse e ka një rënie të lehtë prej tre për qind. Por, edhe pas këtyre zgjedhjeve PDK do të mbetet partia e parë! PDK nuk do të ketë problem me elektorat, por me piramidën udhëheqëse, një pjesë e së cilës partinë e përdorë për nevoja personale.

 

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mbetet as partia e tretë, nëse nuk lirohet nga obsesioni dhe fobia Thaçi! Nëse politikën e ulë në nivel të qerimeve personale dhe tërë angazhimin e drejton në rrëzimin e Hashim Thaçit, të cilin nuk kanë mundësi ta rrëzojnë, sepse Thaçin mund tar rrëzojë vetëm Hashim Thaçi apo cunami nga Arbëria e shoqëruar me tërmet nga Brukseli!

 

AAK mund të rrisë numrin e votave, por jo në masë aq të madhe. AAK është Ramushi me Davidin. Të tjerët janë shumica ushtarë për deminimin e terrenit, dhe asnjëri prej tyre nuk ka gjasa të bëhet gjeneral në politikë! Madje as rreshterë! Sidomos jo disa llaskucër të cilët vetëm presin se çka do t’u bie në pjatë nga dora e Ramushit!

 

Nëse të gjitha këto parti do të bënin koalicion parazgjedhor, do të kishin gjasa t’i fitonin zgjedhjet, por kjo duket se është e pamundur! Dy atllarë nuk lidhen në një mullar, e lëre më të gjithë këta atllarë!

 

Por, definitivisht rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë nuk do të përcaktohen nga vullneti i votuesve, por nga EULESH-i, Prokuroria Speciale , Kodra e Dragodanit dhe vendi ku Napoleon Bonaparta e humbi betejën vendimtare. E ai vend është Belgjika, me kryeqytet Brukselin.

 

Pikat e Banit dhe shyleveku i Baroneshës

 

Ban ki Muni u bë i famshëm me gjashtë pikat e tij. Baronesha Ashton ka gjasa të bëhet e famshme me shtatë pikat e saj! Po, në esencë nuk dallojnë fare! E kanë një qëllim. Përkufizimin në vija etnike dhe legalizimin e një entiteti politik. Në radhë të parë për veriun, e pastaj edhe në jug, lindje dhe perëndim. Po ne në fakt ku jemi?!

 

Askund! I jemi dorëzuar inercionit! Duket se edhe kësaj radhe shpëtimtari ynë mund të jetë vet Serbia, me politikën e saj gllabëruese. Dhe, e kemi një fat të madh se probleme territoriale kanë edhe shtetet përreth. Sepse, po të ishte Kosova një problem i lokalizuar dhe i cili nuk do të prodhonte efektin domino në Maqedoni, Bosnje, Serbi, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, veriu i Kosovës do t’i shkëputej Kosovës fare pa problem. Po duket se definitivisht jemi me fat. Në të ardhmen do të jemi edhe më me fat. Sepse, duket se Serbia po bëhet katalizatore e bashkimit kombëtar! Ose, marrëveshja e 2 prillit ka gjasa të bëhet mosmarrëveshje e madhe!

 

Agim Çeku o t’u thaftë goja

Pse më nxore nga loja

Më le pa status të veteranit

Mua, jaranit të Draganit

Që luftova si dragua

Deri sa në Zonën Operative të Bllacës mora në thua…

 

29 mars 2013

Behxhet Sh. Shala, komandant i Zonës Operative të Bllacës, i deklasuar nga Agim Çeku,

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …