RKL: Pavarësia e Kosovës mori goditjen e parë serioze, madje edhe nga shtetet që e kanë njohur dhe përkrahur pa rezervë

Pavarësia e brishtë e Kosovës, në shtatëmujorin e shpalljes, tashmë ka marrë edhe goditjen e parë, një goditje serioze, e cila në mos më shumë, për një kohë të gjatë, do ta stopojë njohjen e pavarësisë nga shtetet e tjera.

Opinioni liridashës në vendin tonë, madje as edhe ai më pesimist, nuk ka pritur që edhe shtetet, të cilat të parat e kanë njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të njëjtat do ta përkrahin edhe Serbinë për të kërkuar nga Gjykata Ndëkombëtare e Drejtësisë legjitimitetin e shpalljes së kësaj pavarësie.
Deri para disa ditësh, shumica e autoriteteve të larta të këtyre shteteve decidivisht ishin deklaruar kundër nismës së Serbisë, por ja që ndodhi edhe e papritura, sikur zakonisht ndodh në politikë dhe përgjithësisht në diplomacinë botërore. Dhe, kjo ndodhi për shkak se është dominues mendimi i diplomacisë botërore por edhe i disa qarqeve në Kosovë dhe në Shqipëri se, luftën në Kosovë nuk e ka fituar gjaku i derdhur për liri, as luftëtarët e UÇK-së por diplomacia, duke filluar nga Rambujeja e deri te 17 shkurti i këtij viti, kur u shpall botërisht pavarësia e Kosovës. Andaj kjo diplomaci, mund të luhatet dhe të peshohet herë në një anë, herë në tjetrën, në akord me sferat e interesit. Kreu politik i Kosovës nuk duhet të habitet pse po ndodh kjo, sepse kështu ka ndodhur dhe ndodh kur humbet kontakti me popullin, me aspiratat e tij dhe mbështetja e vetme kërkohet te faktori i huaj, i cili gjithnjë lëviz sipas situatave dhe rrethanave të caktuara, pavarësisht parimeve të proklamuara

Kreu politik dhe institucional i Kosovës doemos se do të duhej të ndjehej i shokuar me zhvillimiet e fundit në OKB edhe pse këtë situatë po përpiqet ta tejkalojë me retorikë dhe mburrje, jo sa duhet serioze, meqë tashmë po shihet fare qartë se raporti i forcave, pas intervenimit të Kremlinit në Gjeorgji, po ndërron në drejtimin kundër pavarësisë së Kosovës. Kjo po ndodh sepse Kosova nuk ka ushtri dhe nuk mund t’ i mbrojë rezultatet e luftës. As shqipëria nuk ka ushtri në kuptimin e fjalës. Ushtria që ishte u shpartallua nga kreu politik i këtij vendi.
Edhe diplomacia perëndimore, përkrahëse e pavarësisë, si duket ka filluar të projektojë një zgjidhje tjetër për statusin e Kosovës, mbase një status të kompromisit, pas kompromisit fatal që bëri klasa jonë politike duke pranuar pa rezervë planin e Ahtisarit. Kështu ndodh sepse nga pala që lëshon pe njëherë, kërkohet të lëshojë pe përherë.
Jo rastësisht, diplomati amerikan Hollburk, gjatë qëndrimit të tij për një vizitë në Kosovë, porositi që të mos merremi shumë me procesin e njohjes së pavarësisë, por të punojmë në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Jo rasëtisht, OKB-ja kërkon nga Zanieri të rifillojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk është i rastësishëm as angazhimi kaq virulent i diplomacisë serbe në këtë drejtim, ashtu sikur nuk është e rastësishme as përkrahja unanime që mori nisma e Serbisë në OKB. Të gjitha këto zhvillime në mos qofshin të paramenduara dhe mirë orkestruara nga bashkësia ndërkombëtare për një qëllim të caktuar, atëherë janë rrjedhë e një procesi që tregon paaftësinë mjaft të shprehur të kreut politik dhe insitutucional të vendit për të menaxhuar procesin e pavarësisë së vendit.
Të gjitha këto zhvillime kanë në emërues të përbashkët, mungesën e faktorit unik shqiptar në Ballkan. Duke qenë të ndarë në pesë shtete, politikanët shqiptarë madje as kanë begenisur ndonjëherë të veprojnë në drejtim të unifikimit të faktorit kombëtar, i cili do të mund të bëhej një digë e fortë e krijimit të një pozicioni gjithëkombëtar, me qëllim për të mos lejuar kthimin prapa. Por, Sali Berisha është i zënë me pasojat e Gërdecit dhe me frikën po i ikë freni i qeverisjes nga dora, duke uluritur pandershmërisht se Kosova kurrë nuk do të bashkohet me Shqipërinë.
Kreu politik dhe institucional i Kosovës po mjaftohet me retorikë, duke e mbuluar atë me, sikur thuhet, përpjekjet e fuqishme për bërjen e shtetësisë së Kosovës, ndërsa politikanët shqiptarë në ish-RJ të Maqedonisë ende nuk e kanë pushuar luftën kundër njëri tjetrit. Kreu politik i Kosovës Lindore ka pranuar sovranitetin e Serbisë, madje edhe ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka fituar një deputet në Parlamentin e këtij vendi, atë deputetin dhe “pobratimin” e përjetshëm të Serbisë.
Shqiptarët në Mal të Zi aktualisht janë po ashtu një hallkë që nuk lidh asgjë, qoftë me Shqipërinë, ( e cila po heq dorë në mënyrë të panatyrshme nga bashkimi i trojeve të atdheut tonë të përbashkët ), qoftë me Kosovën, e cila ende po vuan në shtratin e një lindjeje të mundimshme dhe të pasigurtë.
Mungesa e faktorit unik shqiptar, mungesa e një politike dhe një qëndrimi decidiv kombëtar, mund të na hakmerret, ashtu sikur është hakmarrë, qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në luftën e fundit të UÇK-së.



Ahmet Qeriqi: Rifillimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit degradon statusin e Kosovës


Kryeadministratori i Kosovës, Lamberto Zanieri po ushtron presion kundër kreut udhëheqës të vendit tonë me qëllim për të rifilluar bisedimet me Beogradin zyrtar, sipas rekomandimeve që ka marrë nga kreu i OKB-së, Ban Ki Mun.

Rifillimi i bisedimeve pa dyshim se do ta degradonte edhe me keq procesin edhe ashtu të stagnuar të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera të botës, e veçanërisht nga shtetet islame, të cilat po shihet qartë se më shumë janë nën ndikimin e Rusisë dhe të Serbisë, sesa armiqësisë që kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimi i bisedimeve, edhe pse po thuhet se nuk do të preket çështja e statusisit, është vetëm një mashtrim ose një hipokrizi më shumë, meqë të gjitha bisedimet e deritanishme janë zhvilluar me qëllim për ta përcaktuar statusin e Kosovës.
Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, është thënë sa e sa herë se bisedimet për statusin kanë përfunduar dhe bisedime të tilla nuk do të ketë më me Beogradin. Aktualisht thuhet se mund të ketë bisedime të aspektit teknik. Kështu është thënë edhe gjatë dy viteve të bisedimeve. Grupi negociator vazhdimisht kishte deklaruar se nuk po bisedohej për statusin, se në bisedimet e mbajtura në Vjenë Kosova po avanconte tetë me dy(!). Sigurisht se edhe kësaj radhe do të gjendet ndonjë mbulesë për rifillimin e bisedimeve, të cilat nëse fillojnë, jo vetëm do ta degradojnë shpalljes e pavarësisë, por do ta stopojnë njohjen e mëtejshme të kësaj pavarësie edhe nga shtetet e tjera.
Nëse Kosovën e kanë pranuar 45 shtete të botës dhe nëse kreu politik dhe institucional i vendit i beson me sinqeritet kësaj pavarësie, atëherë nuk mund të anashkalohet pyetja se për çfarë aspektesh të bisedohet me Beogradin? Duke komentuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve, zyrtari i Qeverisë së Beogradit, Oliver Ivanoviq, në një intervistë për BBC-cë është cituar të ketë deklaruar se statusi i tashëm i Kosovës është i përkohshëm, duke shtuar se aktualisht nuk mund të hapet për bisedime çështja e statusit të Kosovës ndonëse shtoi se në një periudhë të caktuar, ajo, sërish do të mbledhë në tryezë shqiptarët dhe serbët. Ivanoviq ka saktësuar se i takon kryeadministratorit të Kosovës, Lamberto Zanieri, që të gjejë momentin dhe modalitetet se si t’i përfshijë në bisedimet e përbashkëta edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duke precizuar se çfarëdo marrëveshjeje që eventualisht mund të arrijë UNMIK-u me përfaqësuesit serbë, ajo do të kalojë përmes konsultimeve ose në pajtim me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Këto konstatime të zotëriut Ivanoviq paragjykojnë rifillimin e bisedimeve për të gjitha çështjet, për të cilat është biseduar, por nuk janë arritur rezultate maksimale të cilat i ka dëshiruar dhe të cilat i synon Serbia.

Kryetari Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe kryekuvendari Krasniqi, sa e sa herë kanë deklaruar deria tani se nuk do të bisedohet më me Beogradin për statusin e Kosovës. Atëherë, përse dhe për çka do të bisedohet? Me siguri se nuk do të bisedohet për fatin e 2000 të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës, sepse bisedimet e tilla janë zhvilluar dhe do të zhvillohen në nivele të tjera, më të ulta, në nivele komisionesh mes Prishtinës dhe Beogradit.
Nuk do të bisedohet as për pjesën e veriut të Kosovës, të cilën e mban të okupuar Serbia me një segment të policisë ndërkombëtare.
Nuk do të bisedohet as për kishat e manastiret serbe, sepse ato me pakon e Ahtisarit kanë siguruar jo vetëm autonominë, por pavarësinë e plotë nga Kosova.
Nuk ka çka bisedohet as lidhur me procesin e decentralizimit, sepse edhe kjo punë është kryer në dobi të plotë të serbëve.
Me siguri se nuk do të bisedohet për problemet në bujqësi, peshkatari apo pylltari.
Nuk besojmë se Beogradi zyrtar është i interesuar të bisedojë me përfaqësuesit e Kosovës për pozitën e serbëve, sepse ata i ka instrumentalizuar dhe po i manipulon për qëllime të tjera.
Nëse të gjitha këto çështje përjashtohen nga bisedimet, atëherë kemi arsye të dyshojmë se në takime të tilla, sigurisht të fshehta për opinionin, do të bisedohet lidhur me mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe funksionimit të enklavave serbe brenda territorit të Kosovës. Nuk mund të bisedohet për çështje të tjera derisa Beogradi zyrtar ka deklaruar se kurrë nuk do të pajtohet me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kurrë nuk do ta pranojë që Kosova të shkëputet nga Serbia.

Rifillimi i bisedimeve do të mund të trajtohej edhe si një vetëkorrigjim i palës shqiptare të Kosovës lidhur me shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Serbia do të mundohet që këtë çështje ta trajtojë si të tillë, për të ushtruar edhe më shumë ndikim të vendet, të cilat edhe ashtu kanë rezerva lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Takimi i sërishëm i negociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, në Vjenë, në Moskë apo në Uashington degradon përfundimisht shpalljen e pavarësisë. Nuk duhet harruar faktin se është Beogradi zyrtar, ai i cili po insiston në rifillimin e bisedimeve. Po kështu duhet gjykuar mirë se cila është prapavija e kësaj nisme të re, që vjen nga Zanieri dhe mbështetet fuqishëm nga Beogradi.
Mbetet të besojmë se kreu politik i Kosovës është në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe syçeltësisë, sepse çdo shkarje në rrugë të gabuar do të na kushtonte dhe do ta stërkeqte tërë procesin e deritanishëm.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …