Shqiperia Etnike

RKL: Politikanët shqiptarë janë klonuar të frikësohen nga gogoli, “Shqipëria e Madhe”

Se cila është gjendja e frikës dhe pacifikimit  të shumë  politikanëve të sotëm shqiptarë, kjo më së miri shihet me manipulimin që i bëhet nocionit “Shqipëri e Madhe”. Ata i druhen  kësaj “Shqipërie” më shumë se djallit, sepse regjimet e huaja, në vazhdimësi, të gjithë ata që janë marrë me politikë në të kaluarën i kanë mësuar, edukuar e dresuar, që kurrë të mos iu shkojë mendja se mund të krijohet një Shqipëri më e madhe se ajo e Versajës, e cila ashtu sikur afër 100 vjet më parë ka rreth 28.000 km2.

Qoftë se luan vetëm edhe një kilometër më tepër në Vermosh në Konispol, apo kudo në kufijtë aktualë të Shqipërisë, bëhet hataja dhe këtë jo vetëm që nuk e kanë lejuar  etërit tempullarë të Evropës, por nuk e lejojnë as nipat e mbesat e tyre të sotëm,  në Bruksel. Dhe Brukseli është Mekeja e tyre, pavarësisht si i trajton ajo.

Gjithçka në Ballkan e në Evropë mund të rrokulliset e të ndryshohet, vetëm kufiri i Shqipërisë, nuk mund të ndryshojë kurrë, sepse dje nuk e lejonte Beograti e Moska, sot nuk e lejon  Brukseli, për hir të “drejtësisë” të gjyshërve të dikurshëm dhe nuk e lejojnë pesë shtetet fqinje: Greqia, Bullgaromaqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Italia. Kjo sipas logjikës dominuese të politikanëve tanë ka marrë fund njëherë e mirë, andaj sintagmat historike si: Shqipëri e Madhe, Etnike, Natyrale, Shqipëri e Katër Vilajeteve apo quaje si të duash, nuk bëka as të përmenden.

Madje këta shkojnë aq larg sa vetë sintagmën Shqipëri të Madhe e quajnë si konstruksion të Serbisë, edhe pse e dinë fare mirë se nuk është  ashtu. Ata e dinë fort mirë se Shqipëria e cunguar e Versajes, është kjo,  që është pak më shumë se një çerek Shqipërie. Ata e dinë fare mirë se vetëm Vilajeti i Kosovës, para vitit 1912 kishte hiq më pak se 61.000 km2, sa dy herë Shqipëria e sotme londineze, ku janë pastaj edhe tri ish-vilajetet e tjera, Shkodra, Manastiri dhe Janina.

Serbisë, me bekimin e Evropës dhe me fillimin e humbjes së territoreve të Ballkanit nga Turqia, iu lejua që nga Pashallëku i Beogradit, që nuk ishte as sa gjysma e Vilajetit të Kosovës,( në krye të të cilit dikur qeverisnin pashallarët e Shkodrës e të Edrenesë), të krijohej fillimisht një hapësirën paralele: Beograd Nish, e më vonë iu lejua të pastrojë etnikisht territoret e Nishit e të Moravës, të dëbojë dhe të shfarosë “arnautët” dhe të futet deri  thellë në Shqipëri, sepse luftonte kryqi i fortë sllav e evropian, kundër hënës e cila po zhdukej nën retë aziatike.

Serbia vasale e kohës së Turqisë nga 30.000 km2 sa kishte asokohe do t’i lejohej të  shtrihej në 200,000 km.2 në rajonin e Ballkanit.  Cilado pjesë që i merret Serbisë është e papranueshme nga Evropa, sepse ajo edhe me dhjetëfishimin e territorit nuk është Serbi e Madhe, ndërsa Shqipëria  pesë herë më e rrudhur, nuk guxon ta përmend as togfjalëshin “Shqipëri e Madhe”. Kjo është Evropa e dashur e politikanëve të sotëm shqiptarë, të cilët e dashurojnë marrëzisht, ashtu sikur e kishin dashuruar po aq marrëzisht Turqinë, gjyshërit e tyre. Është e njëjta pjellë për nga ADN-ja,  vetëm se e lindur dhe e zhvilluar në kohë të ndryshme.

Ja paradokset, dhe paradoksi më i madh është kur vetë politikanët shqiptarë, mohojnë historinë e tyre, të kaluarën e tyre, sikur Shën Pjetri  dikur, që kishte mohuar Krishtin.

Nuk është e çuditshme që kryetari Hashim Thaçi, në deklarata për medet serbe bën be e rrufe se kurrë nuk e ka përmendur togfjalëshin, “Shqipëri e Madhe”, ndërsa ajo që ai quan “hapësirë shqiptare”, është një eufemizëm politik, një dredhi diplomatike, të cilat i kanë shkruar dhe i shkojnë për shtati fjalorit diplomatik të tij, por i sjellin dëm të madh vendit. Po në këtë mënyrë Thaçi deshi ta krijojë edhe Ushtrinë, me eufemizëm, duke mos i përmendur, emrin por duke e përforcuar FSK, me ligj, meqë serbët kaherë i kanë bërë të ditur se kurrë nuk do ta votojnë krijimin e Ushtrisë së Kosovës, përderisa deputetët shqiptarë, të gjithë, pa dallim, për turpin e tyre, e kanë nënshkruar Pakon e Ahtisarit, ku shkruan fare qartë se “për interesin e të ardhmen e Kosovës, nuk mund të merren vendime kapitale pa pëlqimin e serbëve, të paktën pa pëlqimin e dy të tretave të tyre, të përfaqësuar në Kuvend”. Kjo ka qenë përkthyer shumë mirë dhe ka qenë mjaft e kuptueshme edhe në gjuhën shqipe, dhe, të gjithë ata që i kanë dhënë nënshkrim atij dokumenti nuk kanë çka bëjnë tjetër pos t’i lusin serbët dhe t’i bindin se është në të mirën e tyre, krijimi i Ushtrisë së Kosovës.  Serbët nuk binden, nuk janë deputetë e politikanë shqiptarë që shiten e blihen, sipas interesit e përfitimeve të veta e të partive të tyre.  Ata kurrë nuk e kanë pranuar as e pranojnë shtetin e Kosovës, por duke qenë se bazohen në Kushtetutën e Serbisë, atë e pranojnë si provincë, si “Kosova i Metohija” dhe veten e trajtojnë si pjesëtarë të këtij entiteti, të kësaj province serbe.

Frika nga Shqipëria e Madhe, është frikë nga vetvetja, është njësoj sikur në vitet 20 të shekullit të kaluar, kur e ashtuquajtura, “Kraljevina Serba Hrvata i Slovena…” kishte hapur disa shkolla serbe në Kosovë, madje edhe në disa fshatra të Kosovës e më gjerë dhe nxënësve  shqiptarë ua ndalonte rreptësisht,  jo vetëm shkrimin e leximin në gjuhën e tyre, që sanksionoheshin si vepra penale kundër shtetit, por atyre ua ndalonin madje edhe i ndëshkonin fizikisht, qoftë edhe kur  flisnin shqip mes veti, pavarësisht se ata nuk dinin asnjë fjalë të gjuhës së pushtuesit.

Jo pak jugonostalgjikë shqipfolës, në Kosovë, shënojë madje edhe përkujtojnë ditët, kur ishin hapur shkollat serbe në Kosovë, duke pretenduar të mburren me traditën e shkollave të tilla, madje duke i quajtur edhe shkolla kombëtare. Frika nga përmendja e Shqipërisë së Madhe, është e tillë  si dikur frika e pushtetarëve komunistë nga parulla: “Kosova Republikë”.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …