RLK: Veton Surroi ka “pengesa morale”

 


Përralla e dhelprës për rrushin e thartë është shumë e njohur në tërë historinë rrëfimtare të qytetërimit njerëzor. Që Veton Surroi ka moral apo pengesa morale, këtë e ka thënë vetë, por që Veton Surroi të brengoset aq shumë për dy gazetare “të kërcënuara” dhe për faktin se kryetari Sejdiu nuk është larguar nga LDK-ja, kjo nuk ka si besohet. Këto nuk janë arsyet e mospjesëmarrjes së Surroit në ceremoninë e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Është mësuar Veton Surroi të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë e manifestimet, ku kanë qenë të pranishëm autoritetet e larta ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj. Dhe në të gjitha pjesëmarrjet e deritanishme ai ka qenë “dikushi”, ose ka qenë i pranishëm si kryetar partie, ose si përfaqësues i së ashtuquajturës “shoqëri civile”, ose si drejtor i një gazete, e cila kishte leje botimi edhe nga vetë regjimi kriminal i Milosheviqit, ose si bir i një ambasadori të ish RSFJ, ose si intelektual i njohur i ideologjisë komuniste titiste të bashkim vëllazërimit, ose si zyrtar me peshë në Ekipin e Unitetit. Realisht dhe aktualisht, Veton Surroi tashmë nuk përfaqëson as kë, përveç një egoje megalomane për vetveten, si publicist dhe njeri “me moral”.
Është pak e çuditshme pse Vetoni tash në pleqëri kujtohet për “moralin e tij”. Ndoshta këtë e bën për t’ iu përkujtuar bashkëkombësve se tashmë kur ka heqë dorë nga postet, apo kur është anashkaluar për të qenë kryesues i ndonjë posti, ai na mban moral dhe mos pjesëmarrjen në ceremoninë e një-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës e lidh me shkakun se kryetari Sejdiu paska shkelur Kushtetutën, meqë ai po i mbanë dy poste, duke qenë në të njëjtën kohë kryetar i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, veprim ky që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Përveç këtij fakti, Surroi nuk pranoi të marrë pjesë në ceremoni edhe në shenj proteste kundër “kërcënimeve” që iu qenkan bërë dy gazetareve të BIRN-it, të cilat kërkojnë ta bindin opinionin e vendit tonë e më gjerë se në Drenicë ende po mbretëron gjendje lufte dhe Drenica po e rrezikuaka edhe ardhmërinë e Kosovës.(!) As ky fakt nuk është bindës për mospjesëmarrjen e tij në një-vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, por Veton Surroi, në raste të tilla, sidomos kur në Prishtinë vijnë autoritete me ndikim nga radhët e ndërkombëtarëve, ai shfaq servilizimin e tij të lindur dhe “të edukuar”, që para të huajve të denoncojë veprimet, që ai i quan të dënueshme, ashtu sikur i kishte quajtur fashistë shqiptarët, me rastin e vrasjes së 14 serbëve në fshatin Grackë të Lypjanit, në verë të vitit 1999, ende pa u zbuluar aktorët e kësaj vrasjeje, dhe ende pa e ditur se vrasësi apo vrasësit ishin shqiptarë, serbë, apo të tjerë. Ai kishte paragjykuar se vrasësit ishin shqiptarë, që kishin kryer krime fashiste.
Vetoni nuk ishte kujtuar asnjëherë që në gazetën e tij “Koha ditore” t’ i cilësonte, fashiste, veprimet e regjimit kriminal të Milosheviqit, të cilat ishin më shumë se fashiste. Ky është morali i Veton Surroit, morali i njeriut, që e kishte injoruar e përbuzur luftën e UÇK-së, njeriut, i cili kishte qëndruar rehat, në vilën e tij në Prishtinë gjatë tërë kohës së luftës nën mbrojtje të regjimit kriminal të Milosheviqit dhe nuk i kishte munguar asnjë qime e surme floku.
Është mësuar Veton Surroi të jetë kurdoherë i përkëdhelur si nga të gjitha ish-regjimet okupatore ashtu edhe nga një kastë e politikanëve aktualë ndërkombëtarë, të cilët për mes Veton Surroit dhe sojit të tillë të njerëzve kanë arritur të stërkeqin dhe të zvarrisin nga viti në vit proceset politike, nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon vendi ynë.
Bezdia e Vetonit nuk ka të bëjë me mosrespektimin e Kushtetutës, sepse atë nuk e ka shkelur vetëm kryetari sejdiu, por edhe shumë zyrtarë të tjerë, as me kërcënimet, për dy gazetare të sojit të vet, sepse, tekefundit, Kosova ka mijëra gazetarë të tjerë, madje edhe të kërcënuar, por dhe të vrarë pas shpine, ose të martirizuar nga regjimi kriminal. Surroi nuk është preokupuar për fatin e gazetarëve të keqtrajtuar në kohën kur ishte zyrtar i lartë i Ekipit të Unitetit dhe kryetar i Parisë “ORA”, të cilën e themeloi vetë, dhe nga e cila dha dorëheqje të parevokueshme, sepse pësoi fatalisht në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai ndihet i bezdisur, i ndërkryer dhe tejet i dëshpëruar, sepse me strategjinë e tij të moderuar të veprimit politik, me konceptin e tij për demokracinë, me veprimet e tij shumë të njohura për opinionin tonë, ai ka mbetur “jashtë gardhit”, meqë është treguar shumë “largpamës” në vizionin e tij të ri politik për demokratizimin jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë. Ai në vitet e rënda dhe të përgjakshme të robërisë, në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kishte kërkuar nga shqiptarët e Kosovës, që të merrnin pjesë në Parlamentin e Serbisë së bashku me Sheshelin e Milosheviqin, duke iu përkujtuar bashkëkombësve se të parët tanë 500 vjet kishin qenë pjesë e Parlamentit të Turqisë.
Edhe asokohe, ky njeri, e ka konsideruar veten si njeri me moral të fortë internacionalist, ashtu sikur edhe atëherë kur me shumë bashkëmendimtarë të tij nëpër Jugosllavinë e bashkim vëllazërimit kishte bërë përpjekje për të themeluar Jugosllavinë e re, të reformuar, të UJD-it.
Pengesat morale të Veton Surroit janë të njohura për mbarë opinionin liridashës të vendit tonë. Ruaje Zot Kosovën nga njerëz me moral të tillë edhe kur paraqesin pengesa morale!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …