8.2 mln €, vlera e promovimit që i është bërë Kosovës, sipas raportit të monitorimit të mediave vendore dhe ndërkombëtare për LO Tokio 2020

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë monitorimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare të shkruara dhe elektronike, përfshirë këtu rrjetet sociale, për raportimin e tyre për ekipin olimpik të Kosovës gjatë Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Monitorimi, i bërë në shumë gjuhë të huaja, u realizua nga agjencia e komunikimit Republika, ndërsa hulumtimi përfshin periudhën 1 korrik 2021 deri më 31 gusht 2021.

Në monitorim u përdorën fjalët kyçe të ekipit olimpik të Kosovës,  përfshirë edhe trajnerët, drejtuesit e KOK-ut, si dhe emri i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Rezultatet e dala janë mbresëlënëse, falë edhe suksesit të dy medaljeve të arta olimpike të fituara nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat prijnë për nga numri i publikimeve në mediat ndërkombëtare, ashtu edhe në ato vendore.

Mbi 820 artikuj janë prodhuar për ekipin olimpik të Kosovës vetëm në mediat ndërkombëtare dhe qindra të tjera nga mediat vendore dhe të Evropës Juglindore.

Gjithsej 812 është numri i mediave ndërkombëtare të cilat kanë shkruar për suksesin e KOK-ut, përfshirë mediat e mëdha si: BBC, Forbes, The Guardian, USAToday, Reuters (pesë herë), Olympics (10 herë), Xinhuanet.com, CNN, APNews (shtatë), Bluewin.ch (21) etj.

Në mediat vendore, më së shumti publikime janë bërë nga BotaSot.info, FrontOnline.net, KlanKosova.tv, GazetaExpress.com, lajmi.net, etj, ndërsa top-tre autorët me shkrime dhe kronika janë: Andi Shabani, Haris Ademi dhe Arben Berisha.

Në shtetet e huaja, Kosova më së shumti është promovuar në Brazil, me 153 publikime, Rusi me 144, SHBA me 88 etj.

“Duke marrë parasysh numrin e publikimeve në të gjitha mediat dhe çmimin mesatar të hapësirës së tyre reklamuese, çmimi mesatar për një publikim të tillë në media prestigjioze ndërkombëtare, ka rezultuar të jetë mesatarisht 10 mijë euro. Kjo shumë shumëzohet me 820+ artikuj të botuar dhe vlera totale e marketingut për LO Tokio 2020 rezulton të jetë mbi 8.2 milionë euro për KOK-un”, thuhet në raportin e Republikas.

Kontrolloni gjithashtu

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit të  Kosovës në këtë organizatë. …