Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari: Siguria në komunën e Shtimes

Ditë më parë në Shtime, në Lagjen e Pajtimit ka ndodhur një ngjarje  që na ka tronditur të gjithëve, me ç’ rast vdes një hajn (narkoman) dhe plagoset pronari i familjes, Nuhi Ndrecaj. Tronditjet e qytetarëve tanë janë të pandalshme.

Ky është tregues i qartë, se zinxhiri i vrasjeve, vetëvrasjeve dhe vdekjeve si pasojë e sigurisë, nuk ka të ndalur. Mesatarisht secili vit po i merr shumë viktima si pasojë e gjendjes së rëndë në sferën e sigurisë.

Siguria është një nocion i gjerë dhe tej kalon kufijtë e deritashëm, ku nocioni siguri nënkuptonte kërcënimet nga jashtë të ndërhyrjeve ushtarake apo të katastrofave natyrore. Tashmë, sektori i sigurisë, përveç sigurisë ushtarake, përfshinë edhe; sigurinë njerëzore, sigurinë ekonomike, sigurinë politike-sociale. Në këtë aspekt, në shikim të këtyre sektorëve të sigurisë, përgjegjësia kryesore bie në udhëheqjen komunale-kryetarin e kësaj komune, i cili është i veshur me përgjegjësitë, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë në Komunë.

Po ku ta marrim atë përgjegjësi? çoftë edhe morale, kur në vitin 2006 ishte vrarë nënkryetari i komunës, Vezir Bajrami, një qytetar tjetër dhe plagosen rëndë e lehtë edhe 5 qytetarë të tjerë. Komuna kishte dhënë leje për rrënimin e një objekti dhe sinjalet e kërcënimit i ishin dhënë nga vrasësi edhe në polici, ditën e krimit, ndërsa policia dhe komuna as që ishin lodhur për të krijuar ambient të sigurisë,….

Ndërsa në zhvillimet e mëvonshme shihet se këtu përgjegjësia morale nuk ekziston, në vend të dorëheqjeve, më vonë, Naim Ismajli, nga kryeshef i Ekzekutivit, ngrihet me amimin e PDK-së, në Kryetar Komune dhe Komandanti i Policisë (vëllai i tij) ngrihet po  kështu në një pozitë të favorshme në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

 Si asambleistë të kësaj komune, e kërkuam vitin e kaluar një seancë të jashtëzakonshme, për rastin e vrasjes së një vajze, në shkollë të mesme, por edhe këtë vit e patëm një vetëvrasje të një studenti.

Ne, në asamble e pamë se, as që kishte një marrje të përgjegjësisë për veprim konkret, nga ana e Komunës – Këshilli i Sigurisë (kryetari i kësaj komune). Në komunën tonë më të varfër, nuk mund të ketë përmirësime në aspektin e sigurisë, ku përgjegjësia morale nuk ekziston te prijësit lokalë  dhe narkomania, aspekti i padrejtësisë, nepotizmi, krimi ekonomik dhe gjendja rëndë sociale, i kanë rrënjët në këtë pushtet, të kalbur dhe fatkeq për qytetarët tanë, të cilët në vend të pushimit dhe shmalljes me të afërmit, ne vend të shpresës e besimit në pushtet, në vend të drejtësisë e pushimit; me ankth i mbajnë veshët e hapur për ndonjë lajm të kobshëm, si ky që ndodhi mbrëmë, apo si ai i vetëvrasjes së studentit, apo si ai i vrasjes nën presion të nxënëses së shkollës së mesme….dhe as që ka hetime deri në fund të kryera, e që zgjasin me vite…! Prindët e mjerë lihen në harresë, me plagën e shpirtit, të braktisur, e të brejtur, nga “drejtësia” dhe “pushteti”. Vetëm ndryshimi i thellë dhe largimi i krimit të organizuar nga udhëheqja e vendit mund të sjell buzëqeshje e shpresës, mund të sjell drejtësi dhe jo ankth për qytetarët tanë, që e hoqën të zitë e ullirit me dhe nën pushtete okupuese, ..Por mbi shpinën e tyre, shumë i rëndë është ky pushtet i kriminalizuar!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …