Sali ONUZI: Antifashistët shqiptarë në 80 vjetorin e fitores mbi nazifazhizmin

Të gjithë ata që morën pjesë në Lëvizjen dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ishin dhe janë antifashistë.Ata ishin dhe jane trupi, truri dhe krahu i antifashizmit shqiptar. Te shkruash per antifashizmin dhe të harrosh antifashistët është pa kuptim.Sot jetojnë mbi 200 veteranë të Luftës ANÇ. Një liste e tyre u botua vitin që shkoi në gazetën “Kushtrim Brezash” me ndonjë mangësi. Me një llogari të përafërt ishin mbi 235 veta.
Po krahas tiparit të tyre themelor, antifashist/e, ata kanë pasur e kanë edhe disa dallime e veçori që lidhen:
1.Së pari me jetën e tyre.
1.1.Të parët këtu vijnë Dëshmorët e Atdheut që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre në këtë luftë të shenjtë. Për ta , që në vitet e Luftës u ngrit një status i vecantë, me nderim ceremonial dhe vlerësimin e lartë patriotik që u bëhej atyre dhe familjeve të tyre. Ky status u pasurua më tej pas Çlirimit të vendit, dekadë pas dekade, me ligjet qe i kategorizonin ato, me shpërblimet për familjet e tyre,me varrezat e DA të ngritura ne çdo lokalitet ( diku edhe fshat si në Pezë, Kuç etj) ku janë edhe sot, pastaj me përqëndrimin e tyre në shkalle rrethi dhe me ndërtimin e varrezave të Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë.
Që pas Çlirimit e deri sot vijon shpallja dëshmor i atdheut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fitim i këtij statusi ende nuk ka përfunduar.Ai vijon .Shkaku ishte mentaliteti barazimtar që ndiqte sistemi monist, dhe që pas Çlirimit e ngushtoi konceptin e Dëshmorit të atdheut duke lënë jashtë gjithë ato që ishin vrarë në kampet e përqëndrimit e internimit, në burgje , ato që kishin vdekur menjëherë pas lufte për shkak të plageve etj , por edhe për arësye politike te mjaft të tjerëve
Menjëherë pas luftës më 1946 u raportua në Konferencën e paqes në Paris se Shqipëria kishte pas gjatë L2B 28 000 të vrarë.Më pas ky numër u përdor ( u njoh) si numëri i Dëshmorëve të Atdheu,.Çeshtja është në proçes ligjor dhe vijon.Sot janë krijuar kushte të plota ligjore për të vlerësuar saktë ligjërisht statusin e DA.Shteti demokratik shqiptar ka hartuar ligje të posaçme ( 2000 dhe 2018 ) që percaktojne gjithnje e më mire e më saktë kriteret për fitimin e statusit te DA.Ndërkohë janë ngritur nga baza në qendër organe të posaçme që i pranojnë kërkesat dhe i shqyrtojnë ato, deri në vendimin përfundimtar të Komisionit Qëndror të Statusit të Dëshmnorit të Atdheut, i kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes me përfaqësues zyrtar nga 5 ministri dhe dy organizata, për Dëshmorët e Atdheut dhe ajo e Veteranëve të LANÇ.Në rradhët e Dëshmorëve të LANÇ hyjnë edhe 114 të rënë nga rradhët e ushtarakëve italianë që luftuan në formacionet e UNÇSH,9 të rënë izraelitë ( ish partizanë) e disa britanikë etj.
1.2. Pastaj vijnë Invalidët e Luftës ANÇ që dolën nga Lufta si një kategori e veçantë e veteranëve të LANÇ dhe që me të drejtë janë quajtur “Dëshmorë të gjallë”.Këtë status e patën fituar vetëm ata partizanë që ishin plagosur rëndë në luftë dhe kishin humbur në një shkallë të ndjeshme aftësitë për punë. Pas Çlirimit menjëherë filloi evidentimi i tyre, krijimi i Shoqates se invalidëve dhe shpërblimi i veçantë për ta, ndarë në katër kategori. Shoqata kishte në vitin 1946 : 839 dhe ne vitin 1993 : 664 anëtarë. ( Petrit Vehbiu. Për invalideët e Luftës Tiranë 1997,f.10 ) Sot ( dhe ka vite më parë) shoqata e invalidëve të LANÇ nuk ekziston më ,pasi antarët e saj janë ndarë nga jeta.
1.3. Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare jane kategoria më masive nën titullin e të cileve përfshishen gjithë ata që morën pjesë në Lëvizjen dhe në LANÇ.Titulli tyre është vendosur që gjatë Luftës e më pas.Titulli veteran i Luftës është përdorur herët në Shqipëri, po ai u be më i përhapur me krijimin e shtetit shqiptar me 1912 e në vijim, deri sa u zgjerua dhe u bë aq i përhapur ne vitet e LANÇ e pas Çlirimit, si asnjëherë në historinë e popullit shqiptar.
Në thelb veteran i LANÇ është quajtur ligjërisht ai ose ajo që ka luftuar me armë në dorë ose në mënyra të tjera të organizuara politikisht e ushtarakisht kundër pushtuesve fashistë e nazistë, që nga 7 prilli 1939 deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në Europë, më 8/9 maj 1945. Shqipëria me një popullsi prej 1 milionë banorë nxori nga gjiri i saj rreth 70 mijë pjesëmarrës në LANÇ.
Statusi i Veteranit të LANÇ filloi në vitet 1972- 1973 për një pjesë të ish partizanëve ( afro 10 mijë veta)që kishin dalë në luftë para 24 majit 1944. Statusi i plotë dhe përfundimtar u miratua me 17 nëntor 1994 , me ligjin nr.7084, të cilin e përfituan 43 mijë veta,27 mijë që jetonin dhe 16 mijë të ndarë nga jeta : mesi i vitit 1999) Në tërësi dhënja e tij përfundoi në vitin 2002.
2.Kategoria e dytë është dallimi gjinor,veterane dhe veteranë të Luftës ANÇ. Në numrin e pjesëmarrësve në LANÇ janë rreth 6000 vajza dhe gra nga të gjitha shtresat e klasat e shoqërisë shqiptare.Eshte hera e parë që gruaja shqiptare merrte pjesë kaq aktivisht e masivisht në Luftë, në aspektet e saj politike ( konferenca etj) dhe ushtarake. Duhet të theksojmë se krahas kujdesit për shoqet e tyre bashkëluftëtare ,që nuk ka munguar kurrë, në repartet partizane kishte gra e vajza me detyra të larta politike e ushtarake, në krye te skuadrave, kompanive batalioneve që kanë dhënë shembullin e tyre dhe kanë dhënë edhe jetën në vijën e parë të luftës.Në LANÇ kanë rënë 284 gra e vajza shqiptare,15 nga të cilat janë shpallur “Heroina të Popullit”.( Doc. dr. Elidjana Canaj : gruaja shqiptare nw LANÇ.)
Madje kishte prej tyre në organet udhëheqëse të LANÇ, deri në postin e lartë të të deleguarit të KQ të PKSh në divizionin e korparmatën e I S si Liri Gega etj, ish anëtare e Byrosë së KQ të PKSH.Ende pa mbaruar Lufta në 4 nëntor 1944 gratë dhe vajzat antifashiste organizuan dhe morën pjesë në Kongresin e gruas antifashiste shqiptare,ndërkohë që ata kishin marrë pjesë që nga viti 1941 në celulat e Partisë e të rinisë komuniste e më pas antifashiste ,deri në Kongresin e I të saj në Helmës të Skraparit (8 shtator 1944).
3.Një dallim tjetër ishte ai moshor.Lufta NÇ dhe organet e saj drejtuese e udhëheqëse, Këshilli i Përgithshëm ANÇ dhe Shtabi i Përgjithshem i UNÇSh nuk kishin përcaktuar ndonjë “tavan” e as ndonjë “dysheme” për pjesëmarrjen në luftë.Një praktikë kjo e trashëguar në historinë e popullit tonë.Përgjithësisht pjesëmarrësit në luftë ishin të rinjë e të reja,të moshës 15-22 vjec. Kishte edhe përtej këtij pragu deri në moshën 75 vjeç, si Ismail Strazimiri, dëshmor i Atdheut, Mine Peza 67 vjeç,Dëshmore e Atdheut ,Riza Kodheli 66 vjeç etj.,siç kishte edhe më të rinjë e të reja nën moshën 15 vjeç, edhe disa debatikas. Shtabi i Përgjithshem i UNÇ urdhëronte në fillim të dhjetorit 1944 që të rinjtë 12 – 15 vjeç të liroheshin nga repartet ushtarake dhe të dërgoheshin në shkollën e pionierëve të Luftes, me pas “ Skenderbej”. Të gjithë kjo kategori e moshës se re, pavarësisht viteve të tyre ,kur ata kanë provuar me dokumente ligjore pjesëmarrjen e tyre në Luftë, kanë fituar statusin e Veteranit të LANÇ. Sot disa veteranë kanë arritur të kalojnë shekullin e tyre si Ismet Elezi, 105 vjeç, Njazi Jaho 101,Luan Omari etj.
4.Me mënyrën me të cilën morën pjesë në LANÇ.
4.1. Kjo filloi me Lëvizjen Nacionalçlirimtare , të organizuar politikisht e ushtarakisht.Historiografia ka përcaktuar se me krijimin e Partisë Komuniste shqiptare (8.11.1941) u krijua ajo forcë qe i dha Lëvizjes e Luftës së popullit shqiptar karakter të organizuar në shkallë kombëtare. Organizimet e veprimet ilegale, protestat e demonstratat e rinisë, sidomos asaj shkollore dhe të gjithe popullit , ishin një fillim dhe një etapë e rëndësishme për zgjimin e bashkimin tyre dhe fitimin e besimit në fitore, ku kaluan shumë nga ata që dolën malit partizanë.
4.2.Pastaj historikisht vjen pjesëmarrja me armë në njësitet guerile , në Çetat e repartet e Ushtrisë partizane e vullnetare NÇ. 45 mije veta janë llogaritur te ishin të rreshtuar ne formacionet e UNÇSh. ( të gjithë ish partizanët që kishin luftuar me armë në dorë ishin dekoruar menjëhere pas Çlirimit me Medaljen e çlirimit.) Ushtria partizane nisi nga njësitet e vogla guerile te qyteteve e fshatrave, me çetat , batalionet , brigadat e divizionet dhe arriti në fund të Luftës të kishte 3 korparmata me 8 divizione dhe 24 brigada . Këto shifra që janë dhënë menjëherë pas Lufte nuk kanë ndryshuar deri tani.Ndonjë përpjekje për t’i paraqitur ato si formacione të luftës civile etj kanë qenë e janë denigruese, të pavërteta dhe jashtë llogjikës historike.Në këto formacione bënin pjesë edhe 1629 partizanë italianë të shpërndarë në njësitë e repartet e UNÇSH, disa dhjetëra armenë , që braktisen rradhët e forcave ushtarake të Eermahtit ne Shqipëri dhe u bashkuan me forcat partizane shqiptare, e ndonjë tjeter.
4.3.Në fakt në lufte e sipër natyrshëm ka pasur dhe dallime që u lidhën me pozicionin drejtues e komandues, me aftësitë e trimëritë e partizanëve dhe kuadrove të UNÇSh, nga ai i komandantit të Përgjithshëm, kryetarit të Shtabit të Përgjithshëm,anëtarëve të tij,komandantëve e komisarëve të njësive të mëdha, të reparteve e nënreparteve deri te ai i skuadërkomandantit.Duhet theksuar se këto poste ata i fituan me veprimtarine e tyre luftarake e politike, po disa edhe per shkak të kualifikimeve të tyre të mëparëshme.Kjo hierarki ka qenë baza e emërimit të tyre në detyra e poste shtetërore pas Çlirimit ,po nuk ka pasur ndonjë shpërblim tjetër shtesë në statusin e tyre të veteranit të LANÇ.Për këto aftësi e detyra të kryera gjatë Luftës, një pjesë e madhe e tyre janë dekoruar me urdhëra e medalje të larta që nga Urdhëri i Lirisë i klasit të parë,urdhëri partizan i klasit të I , te medaljet e kujtimit e tëTrimerisë .Pas Çlirimit dhe më 1969 u krijua dhe një titull i posaçëm ai i Heroit kombëtar , më pas i “ Heroit të Popullit”, i cili ,për shkak të personave që iu dha ( 129 pjesëmarrës të LANÇ nga 158 të dekoruar me këtë titull,gjithsej) u ngrit mbi dekoratat më të larta shtetërore.Pas vitit 1991 ai nuk u dha më. Disa nga veteranët e LANÇ edhe pas vitit 1991 janë dekoruar me urdhera e medalje të larta, si urdhëri i “Flamurit Kombëtar”, “Nderi i Kombit”, me dekorata ndërkombëtare etj.Po këto kanë qenë në një numër të kufizuar.
4.4. Një kategori e pjesëmarrësve në Lëvizje e në Luftën ANÇ u dërguan nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë në kampet e internimit e të përqëndrimit.Të dytat, karakteristike për regjimin hitlerian, ishin kampe të punes së detyruar ,shumë të rëndë , kampe vdekjeje. Në këto kampe të internimit e të përqëndrimit kaluan rreth 11200 shqiptarë e shqiptare. Prej tyre më shumë se 1842 u ekzekutuan ose vdiqën atje.Të tjerët u kthyen në Atdhe në vitet 1945, 1946 e pas. Të gjithë këta pas 1944 u njohën si viktima ( të rënët) dhe jo si veteranë të LANÇ ata që erdhën gjallë.Më 1995, me ligjin e vitit 1994 për Statusin e Veteranit të Luftës ANÇ, atyre iu njoh statusi i veteranit të LANÇ, dhe me ligjin e vitit 2018 edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut, duke zbatuar kështu një standard demokratik perëndimor.
4.5+6,+7. Janë edhe disa kategori që shënojnë veteranet e LANÇ : këto janë rreth 12600 të plagosur ( bashkë me ata që u shpallën invalid) dhe mijra të burgosur.Disa nga veteranët , të rradhitur në dy divizione e shtatë brigade, luftuan edhe përtej kufijve të shtetit shqiptar për çlirimin e Kosovës, të Malit te Zi dhe të Bosnjës jugore. Të tri këto kategori kishin dhe kanë plus në statusin e tyre një shpërblim tepër modest.
5.E kanë fituar statusin e veteranit të LANÇ edhe pak veta që kanë vepruar si ilegalë e klandestinë në aparatin e administratës kolobolacioniste e pushtuese për llogari të Lëvizjes e të Luftës ANÇ.
6.Si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste janë konsideruar edhe ata që luftuan kundër ushtrive fashiste në vende të tjera ,në organizime internacionale ose në rradhët e ushtrive aleate( për shembull asaj britanike në El Alamej etj ) për të cilat ende nuk është përpiluar ose shpallur një listë e saktë e tyre.
7. Së fundi,duhet të shënojmë se një pjesë e veteranëve të LANÇ pas Çlirimit janë ndëshkuar e dënuar me dënime nga më të lehtat deri te ato me të rëndat me vdekje.Statusi i Veteranit të Luftës ,që ata mbanin, nuk i mbrojti nga dënimet e pushtetit monist. Me ndryshimet e sistemit politik këta veteranë janë rehabilituar dhe u është njohur statusi i Veteranit të LANÇ.
Antifashizmi shqiptar i zhvilluar si pjesë përbërse e antifashizmit botëror është vlerësuar lart si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Trashëgimia e tij është mbartur në formimin e në vlerat e popullit shqiptar dhe është nderuar e nderohet. Në statusin e veteranit të Luftës një pikë e tij shënon se Veterani i Luftës ANÇ është figurë e lartë e popullit dhe e Atdheut dhe jeta e figura e tij mbrohen me ligj.
Tiranë,maj 2025.
*Historian,drejtor i Departamentit të Veteranëve të Luftës në Ministrinë e Mbrojtjes, 1995-2001.

Kontrolloni gjithashtu

Shemsi Syla: DEMONSTRATA E PRILLIT TË VITIT 1981

Sot e 44 vjet më parë, më 1 prill 1981, studentët, nxënësit, profesorët, intelektualët, punëtorët, …