Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: Ultimatumet nga pozita e të fortit, nuk mund të konsiderohen mjet për komunikim mes miqve

Siç dihet, komunikimi i kolonizatorit në raport me të kolonizuarin apo kuislingët, bëhet çdoherë nëpërmjet urdhëresave dhe kërcënimeve. Vërtetë disa ambasador të disa vendeve të cilat deklarohen mike të Kosovës, sillen sikur të ishin guvernator të ndonjë kolonie!

Edhe pas përfundimit të jo natyrshëm të luftës çlirimtare, mujsharët evro-amerikanë, të veshur me kostumin e mikut, në vend se të përpiqeshin për përmirësimin e padrejtësive të rënda që u bënë në të kaluarën ndaj popullit shqiptar, nga gjyshërit dhe baballarët e tyre, ata vazhduan të “ndihmonin” nëpërmjet “këshillave” të formës urdhëruese, mjerisht të përkrahur fuqishëm nga servilët shqipfolës.

Kjo politikë synohet të vazhdohet, deri sa të arrihet marrëveshja për bashkëveprimin e SHBA dhe BE me Rusinë për saktësimin përgjegjësive dhe angazhimeve të reja territoriale, që do të rezultonte me ndërrimin e kufijve të tanishëm etnik të regjionit. Çka është edhe më keq, synohen pazarllëqe të reja me territoret dhe fatet e popujve, pa u pyet ato fare(diçka çka po përgatitet)! Shih:„The Unraveling of the Balkan Peace Agreement“;  Contingency Planninig Memorandum, No. 32, Center for preventive Action, November 08, 2017 www.defcon.news/2017/11/08

Në kuadër të kësaj politike u sajua edhe Gjykata Speciale, me synim të qartë, të largojë  kuadrot e luftës (bile përkohësisht) nga skena politike, për t’i zëvendësuar ato me krahun pacifist kapitullant. Kjo ndodhë pasi nuk u përfill “këshilla” finoke e James Rubin për “krahun e luftës” ; “…krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është shumë vonë…”, e publikuar në https: rubin-krahu-i-luftes-te-largohet-i-suksesshem/ me 23 nëntor 2013.

“Ma mirë vonë se kurrë”, thotë populli. Shqiptarët e kanë kuptuar gabimin që kanë bërë, kur u besuan sugjerimeve “urtake” të miqve evro-amerikan dhe përkundër protestave të OVLUÇK, LVV, AAK dhe Nismës, me mbivotim PDK-LDK-minoritetet  e aprovuan Ligjin për Gjykatën Speciale. Çka është edhe më keq, në këtë turr ata aprovuan edhe amendamentin kushtetues, nëpërmjet të cilit “legjitimohet” kjo gjykatë raciste dhe internimi i shqiptarëve të anatemuar prej saj për kohë të pa përcaktuar jashtë trojeve të tyre!

Mbledhja e mbi 16000 nënshkrimeve nga OVLUÇK-së dhe të mbi 40 deputetëve, me një kërkesë të qartë, për shfuqizimi i këtyre dokumenteve diskriminuese dhe për miratimin e akteve përkatëse ligjore të tilla, të cilat do ta obligonin gjyqësorin kosovarë për të sjellë para drejtësisë të të gjithë ata, për të cilët dëshmohet se kanë krye krime, gjatë dhe pas përfundimit të luftës, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare të kryerësve.

Jo vetë nga ata, gjë që edhe është pritur, si Lista serbska, por edhe nga LVV dhe LDK,  kjo nismë nuk u përkrah, edhe pse u bënë një varg përpjekjesh deri sa Kuvend shkojë në pushim, duke e lënë këtë çështje të hapur.

Është për t’u studiuar mentaliteti i disa politikanëve shqipfolës, të cilëve po u pengon qëndrimi konstruktiv i Kreut të Kosovës, Kryetarit të Parlamentit, Presidentit dhe Kryeministrit, të cilët presioneve nga ndërkombëtarët po u përgjigjen në përputhje me kompetencat që kanë, se kjo çështje u takon për të vendosur, atyre të cilët e kanë marrë votën e sovranit. Ndërsa vendimet e Sovranit në Parlament, për neve janë të obligueshme për t’u zbatuar…Ju lumtë!

Në vazhdim të këtij shkrimi, do të ndalem në presionin e fundit që i bëhet Kosovës, nga DASH.

Paralajmërimi i formës urdhërore edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në adresë të deputetëve dhe drejtuesve të Kosovës: “Mos e prekni specialen”, do të më dukej i çuditshëm , sikur të mos isha dëshmitarë i shumë veprimeve arrogante të këtij xhandari të vetë-emëruar ndërkombëtar, ndaj shumë vendeve anë e kënd globit, të cilat konsiderohen prej tij si një lloj neo-kolonie.

Diçka ngjashëm thotë diplomati austriak Albert Rohan: “ se me Kosova duhet të ketë kujdes ndaj zyrtarëve të BE’së dhe të SHBA’së për shkak se është shtet që nuk është njohur, s’është anëtar i BE’së dhe as në OKB…” E shtunë, 23 Dhjetor 2017 http://gazetainfopress.com/aktualitete/rohan-per-gjykaten-speciale-jeni-shtet-dobet-kujdes-si-po-silleni-diplomatet-e-bese-dhe-shbase

Kur është në pyetje Kosova, ultimatumet e tilla si ky “Mos e prekni specialen”, nuk është pritur të vinë nga ata, të cilët nga populli shumicë konsiderohen miq dhe vende nga ku mund të mësohet se si ndërtohet demokracia.

T’u urdhërosh( nga pozita e më të fortit) të zgjedhurve me votën e lirë të popullit, së pari të aprovojnë një ligj, i cili pas një shfletimi sipërfaqësor,  mund të nxirret përfundim i qëndrueshëm, se ka shumë elemente nga ligjet raciste, dhe tani “mos e prekni…”, jo vetëm se nuk flenë në shtratin e demokracisë, por nuk mund të gjejë vend në kodeksin e sjelljeve të mikut ndaj mikut!

Një reagim i tillë i ashpër do të duhej të ishte bërë për qëllime të parandalimit, atëherë kur pritej  të miratohej ky ligj, i cili diskriminon popullin shumicë të Kosovës( 95% shqiptarë).

Nëse nga demokracia evro-amerikane miratimi dhe zbatimi i një ligji të tillë, po u konsideruaka veprim i drejt dhe demokratik, përkundër faktit, se në bazë të të cilit do të gjykohen vetëm ata të cilët iu kundërvunë terrorit të organizuar shtetëror serbo-çetnik. Pra ish ushtarët e UÇK-së, të akuzuar në bazë të insinuatave të “drejtësisë”shoviniste serbomadhe dhe të dëshmive të mjeshtërve të rrenave kundër shqiptarëve, spiunëve shqipfolës të ish KOS-it, UDB-së dhe tani të BIA. Atëherë nuk bën pa i pyetur publikisht, të gjithë ata që në formë të prerë dhe urdhëruese kërkojnë “mos e prekni specialen”:

– çka konsiderohet prej tyre diskriminim?

-pse si demokratë që jeni, as edhe një herë nuk kërkuat nga Serbia, kush ishin ideatorët, projektuesit dhe zbatuesit e veprimit operativ për helmimin me helme nervore-luftarake të mbi 7000 fëmijëve shqiptar?

-kush ishin komandantet që drejtuan veprimet operative për të masakruar deri në zhbërje familjet shqiptaren, si p.sh. familjen e Shaban Jasharit?

-pse nuk kërkuat nga Serbia kush ishin ideatorët, hartuesit  dhe zbatuesit e planit operativ “Patkoi”?

– pse nuk kërkojnë shpjegim nga Serbia, pse i tregoi varrezat masive të shqiptarëve vetëm pas periudhës kur ishte e sigurt se ka përfunduar procesi i putrefikimit të trupave?

-pse jo vetëm nuk kërkuan as edhe njëherë nga Serbia për të publikuar prijësit ideor dhe operativ për zbrazjen e pjesës veriore të Mitrovicës, por kërkuan nga institucionet servile të Kosovës që të shpallnin amnistinë për të gjitha grupet paramilitare të strehuara nëpër enklavat serbe?

-pse atëherë kur kërkuat nga Kosova për krijimin e Bashkësisë së Komunave të Veriut, nuk kërkuat nga Serbia që edhe ajo të themelojë Bashkësinë e Komunave të Luginës së Preshevës, me të njëjta kompetenca si ajo e serbëve në Veri ?….

Në bazë të sjelljeve të disa “miqve” ndërkombëtarë në raport me ne shqiptarët( të izoluarit e vetëm të Evropës), ekziston droja e arsyeshme se do të kërkojnë fajtorët brenda shqiptarëve për spastrimin etnik të pjesës veriore të Mitrovicës!

Në fund duke u shërbye me një thënie për shqiptarët, të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, gjeneral Alfred Mojsiu: “Shqiptarët ngjajnë me ariun polar, edhe ata bëjnë gjumë të gjatë, por kur zgjohen janë të pa parashikueshëm!”, do të apelojë, te mujsharët ndërkombëtar: mos luani me durimin tonë, sepse, ju sigurojë, ai ka limite dhe po u kaluan ato limite, jeni Ju përgjegjës për pasojat!

Me 31 dhjetor 2017

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …