Selatin Novosella: Adem Demaçi do të jetojë në kujtesën tonë derisa të jetojë Kosova

Selatin Novosella: NJË MEMORIAL (MAUZOLE) PËR ADEM DEMAÇIN

Adem Demaçi nuk ishte vetëm simbol i sakrificës, simbol i qëndresës, simbol i bashkimit kombëtar, simbol i vuajtjeve 28-vjeçare në burgjet e Jugosllavisë dhe Serbisë. Ai ishte shumë më shumë se kaq. Ai ishte vizionar i çështjes kombëtare, ideator dhe projektues i lirisë së Kosovës, për çka u shpërblye me çmimin më të lartë të Parlamentit Evropian për paqe – Saharov, me Dekoratën më të lartë të presidentit të Kosovës – Hero i Kosovës, (i vetmi i dekoruar për së gjalli), dhe Dekoratën e Presidentit të Shqipërisë., NDERI I KOMBIT

1.
Një popull e bëjnë të veçantë nga të tjerët jo vetëm sa është numerikisht i madh, çfarë standardi ekonomik ka, sa pallate, fabrika dhe rrugë moderne ka, çfarë ushtrie të fuqishme ka, të armatosur edhe me armë bërthamore etj. Por, atë e bëjnë të veçantë, në rend të parë, sa njerëz të veçantë ka akëcili popull.
Ne, shqiptarët, gjatë historisë qindravjeçare, të mos lëshohemi më thellë dhe më larg, patëm personalitete që i dhanë emër popullit tonë dhe u bënë pjesë e historisë së përbotshme. Le të përmendnim këtu vetëm disa prej tyre, duke marrë rrezikun që t’u hyjmë në hak shumë të tjerëve: Gjeneralin e gjeneralëve Gjergj Kastriotin – Skënderbeu; arkitekt Sinanin; dijetarin – Sami Frashëri; artistin Aleksandër Moisiu; kryeirrendentistin Hasan Prishtina; gjuhëtarin Eçrem Çabej; humanisten Nënë Tereze; këngëtaren Vaçe Zela; kritikun Rexhep Qosja; shkrimtarin Ismail Kadare; skulptorin Odhise Paskali; kryeheroin e UÇK-së, Adem Jashari dhe projektuesin e lirisë së Kosovë, Adem Demaçi.

2.
Kur shokët e klasës të Adem Demaçit, si 10-vjeçar, në shkollën fillore, mësonin dhe bënin detyrat në klasë, ai e pyeste mësuesen e gjuhës serbe: “Pse, mësuese, nxënësit serbë nuk e mësojnë gjuhën shqipe siç e mësojmë ne nxënësit shqiptarë gjuhën serbe?!”
Kur shkrimtari Dobrisa Qosiq i këshillonte kolegët e tij shqiptarë në Prishtinë, në vitet ’50, që të fillojnë ta krijojnë një letërsi të re të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi, në frymën e bashkim-vëllazërimit dhe patriotizmit jugosllav, i vetmi ishte Adem Demaçi që e kundërshtonte shkrimtarin shovinist serb që kishte ardhur nga Beogradi në Prishtinë, se: “Shqiptarët e kanë letërsinë e tyre dhe s’kanë nevojë të krijojnë letërsi të re në Kosovë. Ne i kemi shkrimtarët tanë Naim Frashërin, Çajupin, Migjenin, Lasgushin etj!”
Kur kolegët shqiptarë të Adem Demaçit, në Kosovë, në vitet e ’50 po i kushtonit poezi Titos dhe Sutjekës, Adem Demaçi shkruante romanin “Gjarpinjtë e gjakut” dhe apelonte:
“Jo atyre që janë trima
Që ngrenë gishtin e krimit,
Por atyre që janë trima
Që shtrijnë dorën e pajtimit!”
Kështu, shkrimtari i talentuar, vetëm 22-vjeçar, si vizionar dhe parashikues i proceseve historike, porosiste shqiptarët të mos ia kthejnë pushkën njëri-tjetrit, por atyre që i kishin pushtuar!

3.
Adem Demaçi, duke vazhduar të jetë krejt ndryshe nga të tjerët, kishte folur hapur për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve para shokëve, kolegëve dhe miqve në Prishtinë, ku punonte si redaktor i letërsisë botërore në “Rilindje”, në Universitetin e Beogradit, ku studionte si dhe më vonë në Fakultetin Juridik në Prishtinë ku kishte vazhduar studimet.
Pas refuzimit që Adem Demaçi të anëtarësohej në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, (propozim që i ishte bërë përmes një kolegu shqiptar në “Rilindje”), ai ishte bërë tepër i bezdisshëm për pushtetin jugosllav e posaçërisht atë serb në Prishtinë dhe Beograd.
E vetmja mundësi që pushtetit serb i kishte mbajtur që t’ia ndalonte shkrimet dhe botimet e talentit të rrallë që po lindte, që t’ia pamundësonte kritikat e tij kundër pushtetit të kohës, që t’ia mbyllte gojën kryengritësit sypatrembur i kishte mbetur që, gjithsesi, ta çonte Adem Demaçin prapa grilave.

4.
Andaj, më 19 nëntor 1958, Adem Demaçi burgoset me akuza se ai kishte bërë propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë, kundër Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe kundër Josip Broz Titos. Akuza parashihte dënimin deri në 20 vjet burg të rëndë.
Të gjitha ato që Adem Demaçi i kishte thënë sa kishte qenë në “liri”, tashti, në UDB-në famëkeqi i përsëritë. Në deklaratën e tij gjatë hetimeve ai tha se: “Pushteti jugosllav po planifikon t’i mbyllë shkollat në gjuhën shqipe; pushteti po i torturon shqiptarët me pretekst se kanë armë të fshehta duke mbytur shumë prej tyre; pushteti po bën presion që shqiptarë të shpërngulen nga trojet e tyre në Shqipëri e sidomos në Turqi. Andaj, shqiptarët për t’iu shpëtuar këtyre padrejtësive duhet të përpiqen, deri në kryengritje të armatosur, dhe të bashkohen me atdheun e tyre – Shqipërinë”.
Në muajin shkurt të vitit 1959, në fjalën e tij të fundit të gjykimit, Adem Demaçi nuk ankohet, por kritikon, nuk mbrohet, por sulmon, duke dëshmuar se popullit shqiptar po i lindte një vizionar, kurse pushtetit jugosllav dhe atij serb, një kundërshtar i përpjetëm. Ai deklaron: “Nëse Jugosllavia dhe Serbia vazhdojnë me këtë politikë ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe nuk lejojnë që ata të bashkohen me atdheun e tyre – Shqipërinë, nuk do të ketë paqe në Jugosllavi as në rajon. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë një ditë do të bëhet shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe, në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën!”

5.
Pasojnë edhe dy gjykime të tjera kundër Adem Demaçit. I dyti në vitin 1964, si themelues i organizatës atdhetare “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me ç’rast dënohet me 15 vjet burg të rëndë së bashku edhe me rreth 200 bashkëveprimtarë të tij. Ndërsa në gjykimin e tretë, në vitin 1975, dënohet, përsëri, me 15 vjet burg të rëndë. Dënimet i vuan në burgjet e Podujevës, Prishtinës, Mitrovicës së Sremit, Pozharevcit dhe të Stara Gradishkës.
Gjatë vuajtjes së 28 vjetëve burg të rëndë, biografët e Adem Demaçit kanë konstatuar se ai kishte vuajtur 6 vjet e 5 muaj qeli të rënda, në vetmi absolute dhe shumicën e kësaj kohe në qelitë nën dhe.
Për t’i vënë një kapak të artë jetës së tij, Adem Demaçi emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – përfaqësues i përgjithshëm politik i kësaj Ushtrie, e vlerësuar edhe nga ekspertë ushtarakë botërorë si guerilja më e suksesshme e shekullit XX.

6.
Ndonëse Adem Demaçi në Kosovën e lirë, më 1999, nuk u zgjodh as deputet, as ministër, as kryeministër, as kryeparlamentar, as president i vendit, ai ishte shumë më shumë se kaq. Jo vetëm pse, për këta 20 vjet lirie dhe 11 vjet pavarësi të Kosovës, kishim me qindra deputetë, me dhjetëra ministra dhe një duzinë kryeministrash, kryeparlamentarësh dhe presidentësh, por të gjitha këto pozita nuk do ta bënin Adem Demaçin më të dashur, më të çmuar dhe më të vlerësuar sesa vetëm rruga e tij jetësore dhe vepra unike kolosale që ka lënë pas vetes.
Po të isha poet ose këngëtar do të thosha “po ku ka poezi që e zë brenda Adem Demaçin” dhe “po ku ka këngë që e zë brenda Adem Demaçin!” Rrjedhimisht, po ku kishte pozitë politike, shtetërore dhe qeveritare që do ta zinte brenda Adem Demaçin?!

7.
Për personalitetin e papërsëritshëm të shekullit XX, Adem Demaçin, kanë thënë se ai ishte, është dhe do të jetë: legjendë e gjallë, hero i gjallë, aromë atdheu, metaforë lirie, strateg i rrallë, vizionar largpamës, projektues lirie, frymëzues brezash, krenari kombëtare, nderi i kombit, bashkues brezash, humanist i madh, i panënshtruari i durueshëm, figurë unike kombëtare, martir i kombit, histori e gjallë, ideator i Lëvizjes Kombëtare, udhërrëfyes lirie, artikulues i ëndrrave të shqiptarëve, personalitet i pazëvendësueshëm, sfidues i madh, korife, yll polar, idol brezash, zë i ndërgjegjes kombëtare, inspirues i idesë çlirimtare, emër që flet vetë, vullkan i pashuar, feniks shqiptar, përmendore e gjallë, burrë me palcë Shqipërie, flakadan i lirisë, figurë e spikatur, burrë legjendar, libër i hapur, luftëtar i pathyeshëm, i burgosuri numër një në Jugosllavi, zë i fuqishëm i UÇK-së, pajtues i rrymave politike, udhëheqës shpirtëror, flamurtar betejash, emblemë kombëtare, titan i pathyeshëm, marothonamaku shqiptar, zë i guximit, zë i shpresës, zë i sakrificës etj.

8.
Adem Demaçi, përveç veprës kombëtare që ka lënë si trashëgimi, porosi dhe amanet për brezat që do të vijnë, ka lënë 11 vepra letrare (8 romane, 1 dramë historike, 1 përmbledhje me tregime dhe 1 libër me poezi). Po ashtu, ka lënë edhe 13 vepra publicistike të pabotuara (4 libra me analiza, 5 libra me intervista, 1 me debate, 1 me letra, 1 me fjalime, 1 me kujtime).
E tërë kjo trashëgimi kolosale do të jetë e përfshirë në kolonën prej 40 veprave të titulluar: ‘Veprat e zgjedhura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin’, të cilat është duke i përgatitur Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës (ShBPK), për çka janë njoftuar me kohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. E tëra kjo veprimtari e madhe dhe projekt kapital do të kryhet me sukses pasi që në lokalet e ShBPK-së janë grumbulluar dhe sistemuar: 27 vepra të botuara dhe të ribotuara të Adem Demaçit; 28 monografi kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit; 433 libra të cilat janë referencë edhe për Adem Demaçin; rreth 11.000 faqe me dokumente arkivore, artikuj të gazetave dhe revistave me shkrime të Adem Demaçit dhe të autorëve të tjerë kushtuar atij; 120 CD me video dhe audio material për Adem Demaçin; 25 këngë kushtuar Adem Demaçit; 25 piktura kushtuar, vizatime dhe skica kushtuar Adem Demaçit; 155 poezi kushtuar Adem Demaçit; mbi 200 fotografi të ndryshme; 30 çmime, dekorata, shpërblime, mirënjohje dhe falënderime për Adem Demaçin.

9.
Ndonëse Adem Demaçi ishte kryetar i organizatave atdhetare para se të burgosej tri herë radhazi, ndonëse ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ndonëse ishte kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës para çlirimit, kurse pas Vitit të Madh 1999, ishte drejtor i Bordit të RTK-së dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe Kryetar Nderi i Përjetshëm i ShBPK-së që nga themelimi, në vitin 1996 deri në shkuarjen në amshim. Me plot arsye ShBK-ja është identifikuar me Bacën Adem Demaçi ashtu siç është identifikuar Ai me këtë shoqatë.

10.
Andaj, plotësisht është e kuptueshme që idetë dhe propozimet për ndarjen e shumicës së çmimeve, dekoratave dhe shpërblimeve të dakorduara për Adem Demaçi të kishin buruar, pikërisht, nga ShBPK-ja, siç janë: Dekorata Nderi i Kombit i ndarë nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë; ndarja e titullit dr. Honoris Kausa nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova; emërtimi i sheshit më të mirë në Prishtinë sheshi “Adem Demaçi”, nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku në përvjetorin e shkuarjes së Bacës Aden Demaçi, më 26 korrik 2019, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vënë gurthemelin e shtatores së Adem Demaçit, si dhe caktimi i vendit të varrimit për Bacën Adem, në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

11.
Qeverisë së ardhshme të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, dhe kryeministrit të ardhshëm që, sipas të gjitha parametrave, do të jetë Albin Kurti, përveç obligimeve dhe angazhimeve të panumërta që i presin, besojmë se do t’i mbështesin dy projektet kapitale përkitazi me jetësimin e veprës kolosale të Adem Demaçit: e para që ta mbështesin financiarisht projektin për botimin e 40 veprave të zgjedhura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin dhe e dyta ta ndërtojnë Memorialin, përkatësisht Mauzoleun ku do të pushojë përjetësisht shpirtndrituri, vizionari dhe i papërsëritshmi – Baca Adem Demaçi!
Memoriali duhet të ngritët në sheshin “Adem Demaçi”, në parcelën në sipërfaqe prej 140 ari, në hyrje të Prishtinës. Ndonëse sipërfaqja aktuale e sheshit “Adem Demaçi” ka 83 ari, sipërfaqja tjetër, që aktualisht përfshin pompën e derivateve “Iliria”, me infrastrukturë ndihmëse prej rreth 60 ari, do të jetë hapësirë e mjaftueshme për Memorialin Adem Demaçi.
Në këtë memorial, përveç varrit të Adem Demaçit, i cili duhet të zë hapësirën më madhe, qendrore, të memorialit, aty duhet të vendoset dhe sistemohet e tërë trashëgimia e Adem Demaçit: dokumentet arkivore, programet politike të organizatave atdhetare që i ka udhëhequr Adem Demaçi, botimet dhe ribotimet e veprave të Adem Demaçit, dorëshkrimet e pabotuara të konfiskuara nga policia me rastet e burgosjeve të Adem Demaçit, librat, revistat dhe gazetat ku ka shkruar Adem Demaçi dhe të tjerët për të, dekoratat, çmimet dhe shpërblimet e Adem Demaçit, fotografitë e burgjeve ku ka vuajtur dënimet Adem Demaçi, fotografitë familjare dhe me personalitetet e panumërta kombëtare dhe ndërkombëtare, fotografitë nga pamja e varrimit të Adem Demaçit etj.
Siç dihet, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, pas vdekjes së Adem Demaçit, më 26 korrik 2018, ka marrë disa vendime për përjetësimin e jetës dhe veprës së Adem Demaçit, njëra prej të cilave është edhe ngritja e shtatores së Adem Demaçit në Sheshin që mbanë emrin e tij në Prishtinë.
Jo vetëm për arsyet që u thanë më lart, Adem Demaçi meriton që varri i tij të jetë në një memorial të veçantë. Duhet të theksohet edhe një moment dhe rrethanë e rëndësishme përkitazi me parakushtet e ngritjes së memorialit Adem Demaçi në hapësirën e theksuar më lart edhe për faktin se në njërin prej takimeve të Këshillit për ngritjen e shtatores së Adem Demaçit, në të cilin merrnin pjesë edhe djali i Adem Demaçit, Shqiptari, dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës dhe menaxheri aktual i pompës së derivateve të naftës “Iliriani”, Selim Pacolli, i cili deklaron: “Flas edhe në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës si dhe në cilësinë e menaxherit të pompës ‘Iliriani’, se nëse ka nevojë të rritet hapësira e sheshit ‘Adem Demaçi’, pajtohem që sipërfaqja e pompës me infrastrukturën ndihmëse t’i bashkëngjitet sheshit ‘Adem Demaçi’, në mënyrë që ky shesh të jetë ashtu siç e ka merituar Baca Adem Demaçi”.

12.
Shumica e njerëzve vdesin. Vetëm disa të paktë ndërrojnë jetë. Në mesin e atyre shumë të rrallëve që ka ndërruar jetë është edhe Baca ynë Adem Demaçi. Si do të duket kjo jetë e dytë e Adem Demaçit (sepse jetën e parë se si duhej të jetohej ai e ka dëshmuar vetë), varet prej tre faktorëve: një – varet prej bashkëveprimtarëve të Bacës Adem që me kujtimet e tyre ta mbajnë të gjallë praninë e Bacës në mesin tonë; dy – varet prej institucioneve të shkencës, të arteve dhe të kulturës sesa do të dinë ta studiojnë trashëgiminë kolosale, polivalente dhe poliedrike të Adem Demaçit dhe tre – do të varet prej institucioneve shtetërore të Kosovës, për themelimin e të cilave Adem Demaçi vetëm nuk kishte vdekur dhe ringjallur sesa do t’i mbështesin projektet e nduarduarta që Adem Demaçi ta vazhdojë jetën e dytë, pa praninë fizike në mesin tanë.
Pres nga bashkëveprimtarët e Bacës Adem Demaçi, nga punëtorët e shkencës, artit dhe kulturës, që t’i shprehin mendimet dhe vlerësimet e tyre për këtë ide – propozim dhe, në fund, pres që institucionet e shtetërore të Republikës së Kosovës, secili nga prizmi dhe kompetenca e tyre, ta realizojnë këtë ide për ngritjen e memorialit Adem Demaçi.

Kontrolloni gjithashtu

KMDLNJ

KMDLNj; Aktiviteti i shtuar i Gjykatës Speciale po ndërmerret para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë

Sipas KMDLNj-së, fallangat e Gjykatës Speciale në mëngjesin e së të enjtes, deri në këto …