Qeveria e Maqedonisë

Shaban Murati: Rusia ofron alternativën e vet për Maqedoninë dhe shtetet e tjera të Ballkanit, në vend të BE-së

Moska më në fund e afishoi planin e saj për Ballkanin. Në datën 3 maj, ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, deklaroi se Rusia ofron alternativën ruse në vend të integrimit euroatlantik për Maqedoninë dhe shtetet e tjera të Ballkanit. “Natyrisht, ka gjithmonë një alternativë përballë integrimit euroatlantik dhe unë nuk do të thosha se rruga euroatlantike është e vetmja rrugë ekzistuese për çdo vend në Ballkan”, theksoi ambasadori rus.

Është hera e parë që në nivel diplomatik, Moska afishon hapur dhe zyrtarisht se ajo ka një plan për t’iu ofruar vendeve të Ballkanit integrimin te Rusia, në vend të integrimit euroatlantik. Jo rastësisht u zgjodh ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian për të paraqitur ofertën, sepse dihet se të gjitha shtetet e Ballkanit ose janë anëtare, ose po ecin në rrugën e anëtarësimit në BE. Është hera e parë që Moska publikisht del jo vetëm kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në NATO, por edhe kundër anëtarësimit të tyre në BE.

Dalja e diplomacisë ruse me planin për t‘u ofruar vendeve ballanike integrimin te Rusia në vend të integrimit euroatlantik, është një lëvizje e re diplomatike e Moskës, që sinjalizon një fazë të re të politikës së ndërhyrjes dhe të strategjisë ruse të vendosjes në gadishullin e Ballkanit.

Çfarë është alternativa ruse për vendet e Ballkanit? Së pari, ajo është përpjekja për të bllokuar dhe sabotuar orientimin strategjik të vendeve të Ballkanit për integrim në BE dhe në NATO dhe presion i ri rus ndaj Ballkanit për të hyrë në rrugën e integrimit ekonomik, politik dhe ushtarak me Rusinë. Së dyti, alternativa ruse është plani dhe përpjekja për të bërë një riformatim gjeopolitik të rajonit në përputhje me skemat e vjetra historike të kohës së Bashkimit Sovjetik.

Së treti, alternativa ruse e Ballkanit synon kundërvënien ndaj sistemit të vlerave dhe të normave demokratike perëndimore, që shtetet dhe popujt e Ballkanit kanë zgjedhur me vullnet të lirë, për t’u integruar në familjen euroatlantike.

Diplomacia dhe qeveria ruse nuk dolën rastësisht në këto momente me ofertën drejtuar Ballkanit për një alternative ruse në vend të alternativës së integrimit euroatlantik. Aktualisht Ballkani po kalon një nga periudhat më të tensionuara dhe më të ngarkuar me kriza politike, sociale, elektorale dhe ndëretnike, me tendenca destabilizimi rajonal, si asnjëherë tjetër pas mbarimit të luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi në vitin 1995. Krizat dhe tensionet politike në Maqedoni, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Serbi kanë arritur një pikë, e cila mund të quhet masë kritike rajonale.

Në Maqedoni ajo mori shpërthimin me sulmin fashist të bandave të ish-kryeministrit pro rus Nikolla Gruevski me pushtimin e Parlamentit dhe plagosjen e disa deputetëve, si parapërgatitje për një grusht shteti, për të penguar futjen e vendit në ecurinë normale të konstituimit të organeve legjislative dhe ekzekutive mbi bazën e marrëveshjes së shumicës parlamentare. Moska doli hapur në përkrahje të sulmit terrorist ndaj Parlamentit dhe ndaj deputetëve, dhe kundër zgjedhjes së kryetarit të ri shqiptar të Parlamentit nga shumica parlamentare, siç është praktika demokratike në gjithë vendet e botës. Moskës i duhet në pushtet autokrati Nikolla Gruevski, sepse ai është bllokues i rrugës së integrimit të Maqedonisë në familjen euroatlantike dhe ka shprehur prirjen për integrimin te Rusia.

Ndaj, diplomacia ruse merr spunton nga zhvillimet në Maqedoni për të dalë me ofertën e re për alternativën ruse për Maqedoninë dhe për shtetet e tjera ballkanike. Kremlini e quan të ezauruar fazën e parë të planit të tij ballkanik të ndërhyrjes në rajon. Kjo fazë e parë përfshinte provokimin dhe organizimin e krizave politike dhe të tensioneve të brendshme të njëkohshme në jetën politike, ekonomike, sociale, mediatike, akademike, dhe elektorale të vendeve të rajonit tonë.

Për hir të së vërtetës duhet pranuar se Rusia ka pasur sukses në këtë drejtim dhe këtë e provon situata e paqëndrueshme politike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Ky sukses i diplomacisë dhe i institucioneve të diversionit rus në Ballkan shpjegohet me dobësinë e institucioneve shtetërore në vendet e rajonit, si dhe me predispozicionin e kastave drejtuese dhe partive politike ballkanike për të prostituuar me çdo protektor antiperëndimor me qëllimin e ruajtjes së sundimit autokratik dhe kleptokratik. Duhet pranuar, gjithashtu, se operacioni rus i ndërhyrjes në rajon përfitoi edhe nga një farë shkujdesje e Perëndimit për Ballkanin, sepse u mendua se me politikën zyrtare te vendeve ballkanike për integrim në Evropë ishte fituar imuniteti nga ndikimi rus. Nuk u kuptua që në fillim se, pas krizës ukrainase strategjia ruse do të spostohej në hallkën më të dobët të arkitekturës shtetërore demokratike në Evropë, që është pikërisht Ballkani.

Rusia punoi fort këto tre vitet e fundit që të shtronte rrugën e paraqitjes së alternativës ruse si zëvendësuese e alternativës euroatlantike, duke financuar dhe ndërhyrë me të gjitha format për krijimin e një klime antiamerikane dhe antievropiane në vendet e rajonit. Nuk është e rastësishme vala e papritur e antiamerikanizmit, e antiatlantizmit dhe e antievropianizmit, që u ngrit në mënyrë të njëkohshme në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi etj. Demonizimi i politikës dhe i personaliteteve shtetërore amerikane dhe evropiane në Ballkan është pjesë e strategjisë ruse për të krijuar çarje të vendeve të Ballkanit me Perëndimin dhe me botën euroatlantike.

Drejtimi tjetër i ri i ndërhyrjes dhe i sponsorizimit rus të shtrimit të rrugës për alternativën ruse është fenomeni i ri i ndërhyrjes në jetën elektorale dhe në përplasjet politike elektorale dhe paraelektorale. Kjo konstatohet në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë etj. Qëllimi rus është që udhëheqës partish apo forca politike ballkanike të korruptuara ta shohin shpëtimin nga ligji dhe nga ndëshkimi tek alternativa ruse dhe Moska të ndërhyjë në proceset elektorale, që në pushtet të vijnë politikanë apo forca politike, që kanë kokën dhe zemrën te Rusia. Nuk është rastësi që në disa shtete të rajonit fitoret elektorale po u buzëqeshin politikanëve të taborit pro rus, siç ndodhi muajt e fundit me presidentët në Serbi, në Bullgari, në Moldavi, etj. pa numëruar ato më përpara në Slloveni, në Greqi, në Qipro etj.

Alternativa ruse e Ballkanit është plani për integrimin ekonomik, politik dhe ushtarak të vendeve të rajonit te Rusia. Në vend të integrimit në BE, Moska ofron që vendet e rajonit tonë të integrohen në “Unionin Ekonomik Euroaziatik”, të krijuar nga presidenti rus Vladimir Putin me pesë shtete ish- republika sovjetike. Rusia po punon që të shtrijë praninë dhe depërtimin e organizatës së vet ekonomike ndërkombëtare edhe në Ballkan.

Deri tani ka arritur të ketë suksese me Serbinë, me të cilën, pas vendimit në 31 maj të vitit të kaluar të Këshilli Suprem të “Unionit Euroaziatik”, janë hapur bisedimet për një unifikim të regjimit tregtar midis Serbisë dhe “Unionit Euroaziatik” të Rusisë. Nëpërmjet këtij unifikimi të regjimit tregtar me Serbinë, Moska synon të fusë organizatën e vet ekonomike në gjithë rajonin. Siç shkruan profesori i Akademisë diplomatike të Moskës, Yaroslav Lissovolik, “Serbia mund të shërbejë për “Unionin Euroaziatik” si një outlet në rajonin e Ballkanit. Formimi i një marrëveshje të tregtisë së lirë të organizatës me Serbinë mund të shtrojë rrugën për aleanca të mundshme në rajon, përfshirë edhe me Maqedoninë”. Si pjesë e kësaj strategjie ekonomike ruse në rajon duhet parë edhe propozimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një të ashtuquajtur bashkim tregtar e doganor të vendeve të Ballkanit.

Alternativa ruse ofron që në vend të integrimit atlantik, të shtyjë vendet e Ballkanit drejt integrimit ushtarak në organizatën ndërkombëtare ushtarake të krijuar nga Moska, të quajtur, “Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv”, CSTO, e përbërë nga gjashtë ish-republika sovjetike. Rekrutimi i parë rus edhe këtu është Serbia. Serbia është pranuar shtet vëzhgues i kësaj organizate ushtarake ruse dhe muajin e kaluar mori pjesë edhe në manovrat ushtarake të kësaj organizate, të koduara “Vëllazëria e pathyeshme”. Këtë praktikë dhe sukses integrimi gradual të Serbisë në alternativën ruse, Moska ka ambicien ta aplikojë edhe me shtetet e tjera ballkanike, dhe sidomos me shtetet e rajonit, që nuk kanë hyrë ende në NATO. Kjo shpjegon vëmendjen e veçantë që Moska po tregon për Maqedoninë dhe për Bosnjë-Hercegovinën, pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Oferta e Moskës për një alternative ruse në vend të alternativës së integrimit euroatlantik shënon kalimin në një fazë të re më të intensifikuar të veprimtarisë dhe të strategjisë ruse në rajonin tonë. Logjika e ngjarjeve çon në mendimin se duhet pritur një shkallëzim i ndërhyrjes së Rusisë në shtete të ndryshme të rajonit, me një sponsorizim akoma më të madh të grupeve politike, ekonomike, mediatike, shoqërisë civile, etj. me prirje pro ruse. Sipas burimeve serioze, duhet pritur një dislokim më i madh i njësive dhe celulave profesionale ruse apo të mercenarëve rusë të diversionit dhe të luftës hibride në shtetet e veçanta të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Është mirë të kujtohet edhe shteti, edhe lexuesi, se disa grupe diversioniste dhe terroriste të shërbimit sekret rus dhe serb, pjesëtarë në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve në tetorin e vitit të kaluar, do të hynin në territorin malazez nga Shqipëria, çka tregon se ata kishin një mbështetje edhe në territorin shqiptar.

Siç kam theksuar disa herë në shkrimet e mia, Rusia ka kërkuar rinegociimin e rezultateve të mbarimit të luftës së ftohtë dhe po përpiqet që t’i bëjë vetë korrigjimet antihistorike. Alternativa e ofruar për integrim te Rusia është një përpjekje korrigjimi dhe e rikthimit të kohërave, kur i gjithë Ballkani, me përjashtim të Turqisë dhe të Greqisë, ishte nën sundimin e Moskës.

Paraqitja e alternativës së re ruse duhet ndjekur me kujdes, sepse paralajmëron për forma më të sofistikuara të ndërhyrjeje në secilin shtet ballkanik, përfshirë edhe Shqipërinë. Rusia ka baza dhe një terren pjellor të ndikimit që nga koha e Bashkimit Sovjetik dhe nuk duhet harruar se ka qenë Rusia ajo, që solli në Ballkan komunizmin, të cilin në rajon nuk e ka mundur ende demokracia. Duhet pritur që vendet e rajonit të kalojnë stuhira të reja tensionesh e krizash, të shkaktuara nga ndërhyrja ruse, e cila tani ka kaluar në fazën e re të imponimit të alternativës së re të integrimit të Ballkanit te Rusia.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …